BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në pritjen e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e mbylljes së vitit 2010, 16 dhjetor 2010

Data e publikimit: 17.12.2010

 

Të nderuar drejtues të bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është gjithmonë kënaqësi të takohemi në fund të vitit, për të bërë një bilanc të përmbledhur të çështjeve që karakterizuan ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe të sektorit bankar gjatë vitit që po mbyllet.

Ekonomia shqiptare do të shënojë rritje edhe gjatë vitit 2010, e cila parashikohet të jetë pak më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Sektorët me kontributin më të madh në ecurinë pozitive të rritjes ekonomike, kanë qenë industria dhe shërbimet, duke sjellë edhe një përmirësim relativ të gjendjes së llogarisë korente në bilancin e pagesave. Kursi i këmbimit të monedhës kombëtare, ka qenë më i qëndrueshëm në krahasim me një vit me parë, ndërkohë që çmimet e konsumit janë luhatur rreth nivelit të synuar të Bankës së Shqipërisë, prej 3%.

Politika fiskale ka ndërmarrë një proces të konsolidimit fiskal gjatë këtij viti, të cilin ne e konsiderojmë të rëndësishëm për të ruajtur nivelet e deficitit buxhetor dhe të borxhit të brendshëm, si edhe për të kontrolluar nivelin e shpenzimeve për interesa.  
 
Zhvillimet në sistemin financiar, dëshmojnë për rivendosjen e plotë të besimit të publikut mbi sistemin bankar. Në fund të tremujorit të tretë të vitit, totali i aktiveve të sektorit bankar vlerësohet se përbën rreth 81.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, me një rritje vjetore prej 12.2%. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja vjetore ishte vetëm 0.9%.

Kontributi kryesor pozitiv, në zgjerimin e veprimtarisë së sektorit bankar, është dhënë nga rritja e depozitave dhe rritja e llogarive të kapitalit. Në nivel vjetor, depozitat janë rritur me rreth 18%, ku më shumë se dy të tretat e kësaj rritjeje janë realizuar nga rritja e depozitave në valutë. Veprimet e thesarit dhe ato ndërbankare të sektorit bankar, kanë shënuar rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Detyrimet e sektorit bankar ndaj jorezidentëve, kanë shënuar një rënie vjetore prej rreth 32%.

Për sa i takon përbërjes së aktiveve të sektorit bankar, konstatohet që veprimtaria e kreditimit shënoi një rritje vjetore prej rreth 8%. Norma e rritjes vjetore të kredisë, ka ardhur vazhdimisht në rënie në dy vitet e fundit. Veprimet e sektorit bankar dhe ato ndërbankare kanë shënuar një rritje vjetore me rreth 25%.

Investimet e sektorit bankar në mjete të jorezidentëve, kanë shënuar një rritje vjetore prej rreth 53%. Rezultati financiar i sektorit bankar ishte pozitiv dhe ndjeshëm më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Treguesit e kthimit nga aktivet dhe nga kapitali ishin përkatësisht 0.6% dhe 6%. Kapitalizimi i veprimtarisë dhe treguesit e likuiditetit, ishin në nivele të mira. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte në nivelin 15.7%, ndërsa aktivet likuide zunë 28.9% të totalit të aktiveve. Në kuadër të një vlerësimi më të përgjithshëm ndaj rreziqeve, si pjesë e analizave të rregullta stress-test që kryhen nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar vlerësohet i qëndrueshëm. Më lejoni tani, të ndalem pak më hollësisht në disa çështje që i gjykoj të rëndësishme për të ardhmen.

Sektori bankar kapërceu me sukses një situatë problematike likuiditeti, në periudhën e fundvitit 2008 dhe fillimvitit 2009. Prej asaj periudhe, depozitat e publikut në banka kanë njohur rritje të qëndrueshme dhe situata e likuiditetit të veprimtarisë është përmirësuar dukshëm. Megjithatë, veprimtaria e kreditimit është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, fillimisht si rezultat i rritjes së rrezikut të kreditimit dhe së fundi, kryesisht si rezultat i rënies së kërkesës për kredi nga bizneset dhe familjet.

Për këtë arsye, fondet e lira janë investuar në mjete të jorezidentëve, në kushtet e rënies së normave të kthimit nga investimi në tregjet ndërkombëtare. Rënia e cilësisë së kredisë, detyrimi për të rritur fondet rezervë, si edhe ulja e normës mesatare të kthimit, janë shoqëruar me rënie të rezultatit financiar të sektorit bankar.

Për disa banka, është e nevojshme që kjo situatë të ndiqet me vëmendje nga strukturat drejtuese dhe aksionerët, në mënyrë që të identifikohen veprimet që do të përmirësonin strukturën e shpenzimeve dhe të të ardhurave të veprimtarisë, si edhe do të ruanin nivelet e kapitalizimit të saj.

Në lidhje me veprimtarinë e kreditimit, Banka e Shqipërisë ka theksuar disa herë kërkesën për një angazhim më të madh të sektorit bankar, në këtë drejtim. Kjo kërkesë nuk ka qenë retorike, në kushtet kur ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të plotësuar nevojat e sektorit bankar me likuiditet të mjaftueshëm dhe kemi kryer disa ulje të normës bazë të interesit. Këto veprime, si edhe një huamarrje më e ulët nga ana e qeverisë, kanë ndikuar në krijimin e kushteve për një rënie të normave të interesit të kredisë në lekë.

Megjithatë, rënia e tyre duket ende e pamjaftueshme, për t’i dhënë një stimul më të madh kërkesës për kredi. Cilësia e kredisë vijon të jetë problematike, si për kredinë në lekë, ashtu edhe për atë në valutë. Në këto kushte, është e nevojshme që bankat jo vetëm të krijojnë me shpejtësi dhe në mënyrë rigoroze fondet rezervë sipas kërkesave rregullative, por njëkohësisht, të plotësojnë dhe të përmirësojnë më tej procedurat dhe kapacitetet njerëzore e financiare, të cilat mundësojnë ndjekjen e huamarrësve me probleme. Njohja e tërësisë së problemeve që ekzistojnë lidhur me cilësinë e kredisë dhe angazhimi i plotë i strukturave drejtuese dhe i aksionerëve, krijon mundësi për një trajtim më të shpejtë dhe përfundimtar të tij.

Në të kundërt, aftësia e sektorit bankar për të ndërmjetësuar në mënyrë më efektive, do të dëmtohej për një kohë më të gjatë. Për këtë çështje, bankat duhet të jenë të vendosura të ndjekin procedurat e ekzekutimit të kolateralit të kredisë për huamarrësit që nuk kanë aftësi paguese. Në krahun tjetër, vendimet e gjykatave dhe veçanërisht veprimet e ekzekutuesve përmbarimorë, duhet të jenë të shpejta dhe efektive. Shfrytëzoj rastin që t’iu bëj thirrje autoriteteve që t’u japin përparësinë maksimale këtyre veprimeve.

Nëse është e nevojshme të plotësohen ose të përmirësohen më tej procedurat ligjore për të përmirësuar efektivitetin e procesit, lipset që industria bankare të bëjë propozimet e nevojshme në një kohë sa më të shpejtë dhe autoritetet publike të angazhohen me seriozitet për t’i shqyrtuar ato.

Së fundi, dëshiroj të ndalem edhe në dy çështje të tjera. Më konkretisht, së pari, e kam fjalën për qeverisjen dhe përgjegjshmërinë në drejtimin e veprimtarisë bankare dhe së dyti për përmirësimin e kapaciteteve për identifikimin, vlerësimin dhe administrimin e rreziqeve.

Këto çështje janë pjesë e vazhdueshme e komunikimeve tona të rregullta, sepse qëndrojnë në themel të një veprimtarie bankare të sigurt dhe të suksesshme, për të cilën besimi i publikut mbetet i palëkundur.

Lidhur me qeverisjen, vitin e kaluar kam theksuar domosdoshmërinë që profesionalizmi, dedikimi, përgjegjësia, vizioni dhe përgjegjshmëria duhet të reflektohen jo vetëm nga ju, por të kthehen në një kulturë pune për të gjithë stafin e institucioneve tuaja.

Për të realizuar një gjë të tillë, është e domosdoshme të plotësohen dhe të përmirësohen vazhdimisht politikat dhe rregullat e mënyrës së përcaktimit të strategjive të zhvillimit, të vendimmarrjes konkrete, të kontrollit të veprimtarive të caktuara, si dhe të raportimit të tyre brenda institucionit dhe për publikun. Sistemet e kontrollit të brendshëm janë ato që përcaktojnë në masën më të madhe, aftësinë e institucionit për të operuar në mënyrë të sigurt. Ato janë të domosdoshme për të shmangur çdo lloj hapësire që mund të shfrytëzohet për veprime abuzive në dëm të institucionit. Për këtë arsye, kërkoj nga ana juaj që të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme në para, njerëz dhe teknologji, për të garantuar sigurinë e çdo veprimi bankar.

Banka e Shqipërisë do ta ketë në fokus këtë çështje, në kuadër të veprimtarisë së saj mbikëqyrëse dhe ju siguroj që çdo vendim i marrë që mund të ketë cënuar sigurinë e veprimtarisë, do të trajtohet me rreptësinë maksimale që lejon ligji. Në një kuadër më të gjerë, krahas rreziqeve operacionale, veprimtaria bankare përballet me rreziqe të tjera që lidhen me sferën financiare të veprimtarisë.

Për këtë çështje, do të rrisim kërkesat e kuadrit rregullativ që bankat, në proporcion me shkallën e zhvillimit dhe të sofistikimit të veprimtarisë, të kenë një proces të integruar të vlerësimit të rreziqeve dhe të administrimit të tyre. Në një qasje më praktike, kjo do të thotë që banka duhet të ketë struktura të posaçme funksionale që monitorojnë rreziqet në drejtimet kryesore të veprimtarisë dhe përpiqen të parashikojnë evoluimin dhe ndikimin e tyre të mundshëm, në veprimtarinë e bankës. Është e domosdoshme që këto struktura të jenë operative në bankat më të mëdha të sektorit dhe që produktet e tyre të jenë pjesë e integruar e procesit vendimmarrës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Viti që lamë pas ishte një vit sfidues. Por, sfidat për veprimtarinë bankare janë të vazhdueshme. Ato na japin mundësinë të vëmë në jetë vizionin tonë për të siguruar një veprimtari bankare të qëndrueshme, si kusht për zhvillimin e një veprimtarie ndërmjetësuese eficiente, me një kontribut shumë pozitiv për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Përballimi i këtyre sfidave, kërkon guxim dhe profesionalizëm. Në të njëjtën kohë, institucionet bankare duhet të ofrojnë gjithnjë një mjedis, ku njerëzit e përgjegjshëm e profesionistë veprojnë në shërbim të publikut dhe të institucionit. Jam i bindur që ju do t’i jepni këtyre çështjeve rëndësi parësore në vitin 2011.

Shfrytëzoj rastin për t’ju uruar mbarësi në punë dhe gjithë të mirat për Vitin e Ri!

Faleminderit!