BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me rastin e ceremonisë së mbylljes së Projektit të Binjakëzimit

Data e publikimit: 16.07.2012

 

Miq të nderuar,

Bankat qendrore, që në fillimet e tyre, kanë qenë të veshura me një “tis misteri”. Kjo lidhet me ekskluzivitetin që ato kanë për emetimin e parasë, fiksimin e përqindjes së interesit për kredinë dhe kontrollin e likuiditetit në treg. Pikërisht, ky rol i rëndësishëm i tyre si dhe zhvillimet e fundit botërore i vendosën këto institucione në qendër të vëmendjes. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, bankat qendrore anembanë botës, si asnjëherë më parë, në koordinim perfekt me njëra tjetrën, përveç operacioneve tradicionale ndërmorën dhe veprime të jashtëzakonshme, të panjohura më parë.

Nëpërmjet tyre synonin të siguronin likuiditetin e domosdoshëm në treg me një qëllim final, i cili ka mbetur i pandryshuar që nga kohët e antikitetit, rikthimin e besimit të publikut tek institucionet financiare. Perandori Tiberius, në vitin 33 para Krishtit hodhi në qarkullim 1 milion monedha para publike me qëllimin e vetëm për të stabilizuar situatën financiare në treg.

Bashkëpunimi dhe koordinimi mes bankave qendrore sot është bërë pjesë e pandarë e menaxhimit të institucionit. Zhvillimet teknologjike dhe procesi i globalizimit e kanë bërë të domosdoshme nevojën për bashkërendim ndërmjet institucioneve vendimmarrëse anembanë e botës. Imagjinoni zhvillimet e pasluftës së Dytë Botërore, kur bankat qendrore pranuan në masë të gjerë kalimin e tyre nga pronësi private në pronësi publike dhe kur ato kuptuan se ishte jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme të bashkëpunonin, pavarësisht pengesave fizike. Imagjinoni për shembull presidentin e Rezervës Federale, të cilit i duhej të humbiste tre muaj kohë për të udhëtuar në Evropë dhe dy javë që të merrte një letër nga homologët përtej oqeanit.

Aktualisht, bankat qendrore kanë shtuar përpjekjet për një bashkëpunim më të mirë dhe më frytdhënës. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Ky ka qenë dhe një tipar që ka karakterizuar punën tonë këto vitet e fundit. Që në daljen time të parë publike si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, kam deklaruar se ambicia ime ishte transformimi institucional dhe ligjor i Bankës së Shqipërisë në përputhje me modelin e anëtarëve të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

E them me bindje të plotë se përfundimi me sukses i Projektit të Binjakëzimit me Banca d'Italia dhe Banque de France, përbën një hap tjetër vendimtar në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin dhe standardet e punës drejt niveleve të reja evropiane. Sot, ne shohim të kthehet në realitet, një ide të shkëlqyer e cila në disa muaj u shndërrua në një projekt të kurorëzuar me sukses.

Objektivi i projektit ishte përmirësimi i praktikave të punës në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave, tregut ndërbankar, bashkërendimit të procesit të integrimit në BE dhe kulturës financiare.

Më konkretisht, në fushën e mbikëqyrjes bankare, bashkëpunimi u fokusua në zbatimin e reformave madhore në fusha si mbikëqyrja e konsoliduar, miratimi i rregulloreve të reja dhe trajnimi i personelit. Ky bashkëpunim ka forcuar më tej lidhjet tona me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të tjera si dhe me organizma ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, një prej përparësive të projektit ishte edhe zhvillimi e forcimi i kapaciteteve të personelit tonë në këtë fushë. Rritja e aftësive të tyre analitike do të mundësonte sugjerimin e masave përkatëse që duhet të marrë institucioni ynë për parandalimin ose trajtimin e mangësive apo kërcënimeve ndaj stabilitetit të sistemit financiar.

Përsa i përket fushës së statistikave, me qëllim përmbushjen e plotë të standardeve të BQE-së lidhur me hartimin dhe shpërndarjen e të dhënave monetare dhe financiare, ky bashkëpunim mundësoi një rishikim të plotë të kuadrit ekzistues rregullator. Rishikimi synoi të identifikonte mospërputhjet me standardet e BE-së dhe, rrjedhimisht, hartimin e një plani pune solid për një rishikim të përgjithshëm të metodologjisë dhe infrastrukturës sonë për hartimin e bilancit të pagesave, në përmbushje të standardeve të BE-së.

Ndër aspektet e tjera parësore, në të cilat u përqendrua ky projekt, ishin edhe sistemet e pagesave. Në këtë fushë, u sigurua përmirësimi i mëtejshëm i praktikave, me qëllim përafrimin me ato të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) për sistemet e pagesave. Gjithashtu, u analizuan aktet ligjore të fushës si dhe përputhshmëria e tyre me kornizën rregullative të BE-së.

Përsa i takon modulit të tregut ndërbankar të parasë, bashkëpunimi u përqendrua në shqyrtimin e përvojës së bankave të tjera qendrore mbi trajtimin e pengesave dhe vështirësive të tregut, në lidhje me kuadrin rregullator. Gjithashtu u trajtuan edhe aspekte të tjera që mund të çmohen me vlerë për adaptim, përfshirë identifikimin e veprimeve të duhura për t’u ndërmarrë nga institucioni ynë në këtë fushë.

Bashkërendimi i procesit të integrimit në BE është një fushë tjetër me rëndësi të madhe, e cila u trajtua gjerësisht nga ky projekt. Bashkëpunimi në këtë fushë rriti nivelin e kualifikimit të personelit tonë me qëllim trajtimin jo vetëm të ndryshimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së dhe përafrimi me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), por edhe të sfidave që mund të hasim kur vendi të marrë statusin e vendit kandidat, e në vijim të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, moduli i kulturës financiare ka një rëndësi kyçe për Bankën e Shqipërisë. Me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ekspertëve të projektit, u hartua një plan veprimi për promovimin e kulturës financiare dhe rritjen e të kuptuarit të parimeve të ekonomisë së tregut nga grupe të ndryshme të shoqërisë, si dhe u ndërtua një sistem monitorimi i kulturës financiare të grupeve të ndryshme shkollore.

Në vijim të sa më lart, për shkak të kompleksitetit të punës sonë dhe zhvillimeve të reja në fushën bankare dhe financiare, është e qartë se projekti forcoi institucionin tonë dhe na ndihmoi të përballemi me situata të reja. Ndër të tjera, vlen të theksohet se bashkëpunimi dhe komunikimi mes institucioneve tona, nuk është intensifikuar vetëm në sferën profesionale por edhe ne atë personale. Jetojmë në një shoqëri globale, në të cilën zhvillimet në botën financiare ecin me hapa të shpejtë. Për këtë arsye bankat qendrore duhet të zotërojnë mekanizma të fortë dhe të besueshëm të koordinimit dhe komunikimit, të cilët mund të përgatisin institucionet tona të përballen me këto situata.

Një proverb thotë: “Një udhëtim i gjatë, gjithmonë fillon vetëm me një hap”. Kjo filozofi u konkretizua përmes këtij projekti binjakëzimi, i cili krahas ndihmës në zhvillimin e fushave të lartpërmendura përbënte edhe një ndër hapat e parë në rrugëtimin e institucionit tonë drejt standardeve të Bashkimit Evropian, si një nga prioritetet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Dua të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi patur gjatë gjithë ecurisë së projektit me Banca d'Italia dhe Banque de France. Përshëndes përpjekjet e këtyre dy institucioneve të nderuara dhe shpresoj që realizimi i suksesshëm i këtij projekti do të shërbejë si shembull për të gjithë ne, që të përfshihemi më tepër në iniciativa të këtij lloji në të ardhmen.

Gjithashtu shpreh falënderimet e mia për Delegacionin e Bashkimit Evropian, për asistencën dhe kujdesin e vazhdueshëm që ka treguar gjatë gjithë ecurisë së projektit, dhe shpreh bindjen time të thellë se këto janë vetëm hapat e parë të një bashkëpunimi më të ngushtë. Do doja ta mbyll fjalën time duke sjellë në vëmendjen tuaj një thënie të zotit Shimon Peres, i cili duke dëgjuar këshilltarin e tij, Agasi që po i fliste mbi domosdoshmërinë e burimeve alternative në mungesë të burimeve të naftës, e ndërpret atë duke i thënë: Nice speech, but what are we going to do (Ligjëratë e bukur, por ç’do të bëjmë konkretisht?!) .

Në këtë prizëm edhe ne duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. E rëndësishme mendoj se është mbulesa politike e këtij procesi përafrimi, me të cilin kuptoj pranimin e mundshëm nga ana e Brukselit në muajin shtator të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm, që do të krijonte hapësira të reja për konvergimin e shpejtë të vendit nga njëra anë, por edhe për zhvillimin e shpejtë dhe të pakthyeshëm të Bankës së Shqipërisë drejt modeleve të simotrave të veta evropiane.