BANKA E SHQIPËRISË

PREZANTIME NGA GUVERNATORI
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Dealer-ve 25 tetor 2007, hotel "Tirana International"

Data e publikimit: 26.10.2007

 

Z. Kryetar,

Të nderuar zotërinj,

Është një kënaqësi të jem midis miqve, shokëve dhe kolegëve të mi të vjetër e të rinj. Kam pritur me kënaqësi riorganizimin dhe riaktivizimin e Shoqatës së Dealer-ve, si dhe përpjekjet e bëra nga bordi i ri për anëtarësimin në Shoqatën Ndërkombëtare të Tregjeve Financiare. Kam besimin që ky riaktivizim, do të promovojë mbi të gjitha, zhvillimin e tregut si dhe edukimin dhe trajnimin profesional të anëtarëve të rinj.

Vlerësoj se takimi i Shoqatës së Dealer-ve është një mundësi e mirë që të ndajmë së bashku disa mendime dhe shqetësime, në lidhje me zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri në përgjithësi dhe atij të parasë, më në veçanti.

Dëshiroj të theksoj se tregu ndërbankar i parasë është pikënisja e mekanizmit të transmetimit, i nxitur nga ndryshimi i normës bazë të interesit. Aktualisht, ai është kanali më i rëndësishëm i transmetimit të vendimeve të politikës monetare në ekonomi. Më duhet t'ju kujtoj se aty ku ju realizoni fitimin, Banka e Shqipërisë zbaton politikën monetare, efektiviteti i së cilës varet drejtpërdrejt nga aftësia juaj për të maksimizuar fitimin në këtë treg. Kjo politikë, bazohet në supozimin se pjesëmarrësit e tregut janë racionalë, qëllimi parësor i të cilëve është maksimizimi i fitimit në kushtet e një mjedisi konkurrues. Zhvillimi aktual i tregut ndërbankar në Shqipëri ende nuk i përmbush këto supozime e për rrjedhim, vështirëson punën e Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e këtij funksioni të rëndësishëm.

Viti 2002 shënon fillimin e tregut ndërbankar, vit në të cilin filluan të përdoren për herë të parë edhe instrumentet indirekte nga Banka Qendrore në operacionet monetare të saj. Banka e Shqipërisë, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e tregut ndërbankar të parasë në 5 vitet e fundit. Në këtë periudhë, vëllimi i tregtimit është rritur 15 herë duke u ngjitur nga një mesatare ditore prej 130 milionë lekësh në vitin 2002, në një mesatare prej rreth 2 miliardë lekësh për vitin 2007.

Gjithashtu, ka pasur një rritje të afatit të maturimit të fondeve të tregtuara, afat i cili në vitin 2002 shtrihej vetëm në harkun kohor njëditor, ndërsa në vitin aktual 2007, fondet tregtohen me afat maturimi deri në 3 muaj. Që nga fillimi i këtij viti është bërë i mundur publikimi i normave fikse të interesit në tregun ndërbankar, TRIBOR dhe TRIBID, që mendohet dhe shpresohet se do të jetë një shtysë për zhvillimin e tregut ndërbankar të parasë.

Gjithsesi, na duhet të pranojmë se ky zhvillim ka qenë shumë i ngadaltë. Në 5 vitet e fundit, detyrimet në lekë të sistemit bankar janë rritur me 135 miliardë lekë, çka e bën rritjen e vëllimit të tregtimit në tregun ndërbankar me një vlerë mesatare ditore prej 1.9 miliardë lekësh, një pikë uji në oqean. Nga ana tjetër, përveç rritjes së vëllimit të transaksioneve me maturim njëjavor, transaksionet me maturim më të gjatë janë shumë sporadike. Për më tepër, zhvillimi i ulët i tregut ndërbankar të parasë reflektohet edhe në spread-et e gjera të kuotimeve për tregtim, të publikuara nga bankat e nivelit të dytë.

Megjithatë, zhvillimi i tregut ndërbankar të parasë vështirësohet edhe nga arsye të tjera, disa prej tyre të një natyre objektive.

Ai nuk mund të zhvillohet si një treg i izoluar. Progresi i tij është i lidhur shumë ngushtë me zhvillimet ekonomike në përgjithësi dhe me zhvillimin e tregjeve të tjera financiare, në veçanti. Ende tregu financiar karakterizohet nga mbizotërimi i sistemit bankar, ndërkohë që segmentet e tjera të tij vazhdojnë të jenë në një nivel minor të zhvillimit të tyre. Ka zhvillime interesante në tregun e shoqërive të sigurimit, ndërkohë që ende segmenti i fondeve të pensioneve është i pazhvilluar. Për më tepër, ndihmësit dhe ndërmjetësit e tjerë të specializuar mungojnë plotësisht, përfshirë dhe tregun e kapitaleve. Të gjitha sa thashë më sipër, përfshirë dhe arsye të tjera si ekonomia informale, kërkesa për kredi e dominuar në valutë të huaj, janë faktorë që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, pengojnë në rritjen e eficiencës së tregut të parasë.

Megjithatë, duke kuptuar drejt se shumë prej shkaqeve janë të një natyre objektive, besojmë se brenda kufizimeve të vendosura nga faktorët e lartpërmendur, ka hapësira të shumta, të cilat ju inkurajoj që bashkërisht t'i plotësojmë sa më shpejt të mundemi.

Në sondazhin më të fundit të hartuar nga Banka e Shqipërisë mbi "Çështjet e tregut ndërbankar", 7 nga 14 bankat e nivelit të dytë (që përfaqëson 59 për qind të tregut ndërbankar) cilësuan tepricën strukturore të likuiditetit si pengesën kryesore të zhvillimit të tregut ndërbankar të parasë, ndërkohë që 4 nga 14 bankat (që përfaqëson 30 për qind të tregut) ndajnë mendimin se faktori i dytë më i rëndësishëm është rreziku i kredisë. Ndërkohë, politika e bankave të nivelit të dytë për të mbajtur tepricë strukturore likuiditeti është një prirje që e konfirmuan 13 nga 14 bankat e pyetura; me fjalë të tjera, 92 për qind e tregut ka prirje të mbajë tepricë strukturore likuiditeti.

Ne konstatojmë, që arsyet dhe pengesat e sjella prej bankave në një masë të madhe janë subjektive, eliminimi i të cilave varet në një masë të konsiderueshme nga politikat dhe sjellja e tyre. Bankat mbajnë likuiditet të tepërt sepse nuk ka një treg të zhvilluar ndërbankar, ku do të mund të investonin këtë likuiditet në çdo kohë me një çmim real dhe të besueshëm.

Ky treg nuk mund të zhvillohet vetë!

Është menaxhimi aktiv i vetë bankave që në dallim nga menaxhimi pasiv, duhet të krijojë stimujt për zhvillimin e tregut. Në këtë drejtim, ju rekomandoj që të zbatoni politika dhe procedura më strikte për kontrollin e brendshëm, të cilat do të mundësojnë identifikimin e kostove oportune dhe të fitimit të munguar. Një gjë e tillë, do të sjellë rritjen e eficiencës dhe të pozitës konkurruese të bankës nga njëra anë dhe zhvillimin e tregut, nga ana tjetër. Banka e Shqipërisë kërkon nga ju që të hartoni politika menaxhimi, të cilat janë të orientuara nga maksimizimi i fitimit. Kufizimi në një ndërmjetësim të thjeshtë financiar, siç është mbledhja e kursimeve të publikut, dhe mbajtja e tyre në formën e rezervave të tepërta në pritje të investimeve në emetimet qeveritare me rrezik të ulët, nuk është karakteristikë e tregjeve financiare bashkëkohore. Të gjitha këto sa thashë më sipër, nënkuptojnë domosdoshmërinë për një qeverisje më efektive, në kushtet e një transparence në rritje.

Për sa i përket gjendjes strukturore të likuiditetit, Banka e Shqipërisë do të ketë si objektiv të saj mbajtjen e tij në nivele të përshtatshme, për të rritur shkallën e reagimit të sistemit bankar ndaj vendimeve operacionale të Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, jemi duke vlerësuar me kujdes edhe rishikimet e nevojshme të instrumenteve të politikës monetare, për të motivuar më tepër tregtimin në tregun ndërbankar.

Përtej gjendjes strukturore të likuiditetit, një çështje tjetër me rëndësi është edhe ekzistenca e kufijve që banka të caktuara aplikojnë në marrëdhëniet e huadhënies me njëra tjetrën. Nga një këndvështrim i pastër akademik, është shumë e lehtë t'i etiketosh këta kufij si një përpjekje për të siguruar një strukturë oligopolistike në treg. Nuk dua të paragjykoj qëndrimet dhe masat e kujdesit të shprehura në këta kufij. Megjithatë, më duhet të pohoj se në biznesin tuaj me klientët jobanka mund të identifikohen elemente, ndaj të cilave ju merrni një masë më të lartë rreziku sesa ai që materializohet në transaksionet e tregut ndërbankar.

Duke vlerësuar si të domosdoshme nevojën e zhvillimit të tregjeve, dhe identifikimin e rolit të Bankës së Shqipërisë në këto tregje si një "huadhënës i mundësisë së fundit" (Lender of Last Resort), kemi përgatitur dhe shumë shpejt do të zbatojmë një paketë të plotë rregullimesh, synimi i të cilës është krijimi i stimujve dhe minimizimi i rreziqeve në tregun financiar në Shqipëri. Konkretisht, këto ndryshime konsistojnë në:

Ligji për marrëveshjet e riblerjes. Është hartuar projektligji, i cili mundëson kryerjen pa rrezik të marrëveshjeve të riblerjeve ndërmjet bankave të nivelit të dytë. Nëpërmjet tij, do të sigurohet mënjanimi i rrezikut të kredisë, një rrezik ky që nga bankat e nivelit të dytë citohet si një nga shkaqet kryesore për praninë e kufijve në marrëdhëniet e huamarrjes midis bankave. Ky ligj, do të shmangë gjithashtu rrezikun ligjor me të cilin bankat përballen nga përdorimi i kontratave të riblerjes.

Hartimi i kuadrit rregullativ dhe vënia në përdorim e parimit të dorëzimit të titullit kundrejt pagesës. Për të minimizuar rrezikun e shlyerjes së pagesave, për t'i shërbyer ndërmjetësimit të të gjitha llojeve të transaksioneve që përfshijnë letrat me vlerë siç janë kreditë e kolateralizuara, marrëveshjet e riblerjes dhe shitblerjet me të drejta të plota të letrave me vlerë të Qeverisë, po punohet për realizimin në praktikë të parimit të dorëzimit të titullit kundrejt pagesës.

Ulja e frekuencës së mbajtjes së ankandeve të letrave me vlerë të Qeverisë. Kemi rënë dakord me Ministrinë e Financave për një shpërndarje më të rrallë të ankandeve të bonove të thesarit, si dhe për rritjen e emetimit për çdo ankand. Ulja e frekuencës së emetimit të bonove të thesarit, do të kufizojë mundësinë e të qenurit "likuid" bazuar në praktikën e shpërndarjes së portofolit në mënyrë të tillë, që likuiditeti i nevojshëm të gjenerohet duke maturuar bonot e thesarit.

Rritja e bazës së investitorëve. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare është rënë dakord për rritjen e bazës së investitorëve, të cilët do të kenë akses të drejtpërdrejtë në ankandet e obligacioneve të Qeverisë. Marrëveshja e re për emetimin e obligacioneve e firmosur midis Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, krijon kuadrin e nevojshëm rregullativ për t'i dhënë fund monopolit që sistemi bankar ka zotëruar në investimin e tregut primar të obligacioneve, duke i lënë hapësirë edhe personave juridikë e fizikë, vendas dhe të huaj.

 

Nuk më vjen mirë të pohoj se ky hap u bë një domosdoshmëri, në kushtet kur komisionet e larta të bankave të nivelit të dytë në ofrimin e këtij shërbimi i bënin klientët indiferentë kundrejt këtij investimi.

Duke besuar sinqerisht në eficiencën dhe në zhvillimin e nxitur nga konkurrenca, jam i bindur se është bërë gjithashtu e domosdoshme, rritja e numrit të operatorëve të licencuar për tregtimin e letrave të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Përqindjet për klientët e favorizuar (primary rate). Duke besuar se eficienca e politikës monetare rritet nëpërmjet transparencës, Banka e Shqipërisë synon të përfshijë edhe këtë normë në tërësinë e normave orientuese, që përdoren nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Kjo paketë, është ideuar për t'ju nxitur në drejtim të gjetjes së mundësive të reja fitimprurëse dhe nga ana tjetër, të sigurimit të likuiditetit të nevojshëm me çmim të drejtë dhe të besueshëm në tregun sekondar të letrave me vlerë. Këto masa, janë të orientuara drejt nxitjes së aktivitetit, në mënyrë që ju të mos prisni klientin t'ju vijë në derë për të kërkuar të investojë, por ta kërkoni dhe ta gjeni vetë atë. Hapi i parë që duhet të merrni në këtë drejtim është: hiqni dorë nga klasifikimi i portofoleve sipas stilit karakteristik të fondeve të pensionit "letra të mbajtura deri në maturim". E thënë ndryshe, kjo kupton domosdoshmërinë për më shumë fleksibilitet, për më shumë diversifikim dhe për ekzistencën e strukturave eficiente të administrimit të rrezikut.

Një shqetësim konstant nga më të rëndësishmit, për të cilin dua të tërheq vëmendjen dhe interesin tuaj të veçantë, është zhvillimi profesional i burimeve njerëzore. Nuk dua të paragjykoj të punësuarit aktualë në sektorin bankar, por dua të theksoj se mobilizimin e burimeve njerëzore të afta, të përkushtuara dhe të formuara profesionalisht, e gjykoj si vital në arritjen e suksesit. Për të qenë më konkurrent dhe për të sjellë zhvillime të reja, duhet që aftësitë e punonjësit të çdo niveli të jenë në një proces të vazhdueshëm përmirësimi. Është e vërtetë, që pjesa dërrmuese e bankave të sistemit tonë bankar përfaqëson grupe bankare me përvojë ndërkombëtare. Megjithatë, dua të theksoj se ende ka hapësira për më shumë ekspertizë dhe burime njerëzore të kualifikuara, në mënyrë që praktikat më të mira të tregjeve ndërkombëtare të bëhen pjesë e sistemit tonë bankar.

Gjithashtu, për sa i përket kuadrit të kësaj shoqate, do të këshilloja që Shoqata e Dealer-ve të krijojë dhe të vendosë sa më shpejt një Kod, i cili të jetë i pranuar nga të gjithë anëtarët e saj. Ndërkohë që ky kod nuk është një organ statutor me fuqi ekzekutive, ai plotëson vetërregullimin e tregut duke bashkuar mendjet më të mira të pjesëmarrësve profesionistë të tregut, në krijimin e një praktike të besueshme tregtimi.

Në përfundim, do të doja të thoja që zhvillimi i tregut ndërbankar të parasë dhe të tregut sekondar të letrave me vlerë, është një nga përparësitë kryesore të Bankës së Shqipërisë. Si i tillë, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar kushtet e nevojshme për minimizimin e rreziqeve të tregtimit dhe do të nxisim dhe mbështesim iniciativat për tregtimin aktiv në këto tregje. Shpresoj, që këto përpjekje të gjejnë mirëkuptimin dhe më e rëndësishmja, bashkëpunimin tuaj. Do të jem shumë i kënaqur, nëse në daljen time të ardhshme në këtë platformë, do të mund të sjell rezultate konkrete nga përpjekjet tona të përbashkëta për zhvillimin e tregut ndërbankar dhe të atij sekondar.

Do të doja që në përfundim të fjalës time, edhe një herë të theksoja se nuk mund të ketë zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm pa pasur tregje financiare efektive. Tregu financiar me të gjitha segmentet e tij, duhet t'i paraprijë sinjaleve dhe risive që sjell dinamika e shpejtë e zhvillimit të sektorit privat dhe të ekonomisë, në përgjithësi.

Ju faleminderit të gjithëve për vëmendjen!