BANKA E SHQIPËRISË

PREZANTIME NGA GUVERNATORI
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin e organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore "Tendencat në administrimin e rezervës valutore" 29 tetor 2007, hotel "Tirana International"

Data e publikimit: 29.10.2007

 

Të nderuar zotërinj,

Është një nder i madh për mua t'ju uroj mirëseardhjen në këtë forum që Banka e Shqipërisë ka organizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Qëllimi i këtij takimi është të krijojë mundësinë për të diskutuar mbi prirjet e sotme në fushën e administrimit të rezervës valutore nga ana e bankave qendrore.

Po t'i referohemi Nugee 2000, rezervat valutore të një vendi përfaqësojnë një pjesë të pasurisë kombëtare. Si administruese të kësaj pasurie, bankat qendrore janë të përgjegjshme ndaj publikut. Mjetet valutore të mbajtura në favor të të tretëve gjithmonë nënkuptojnë një detyrim të lartë besimi. Nisur nga kjo, Banka e Shqipërisë ndërtoi me Bankën Botërore, një marrëdhënie dypalëshe, institucionale për administrimin modern të rezervës valutore.

Ajo që e bëri më të rëndësishme këtë iniciativë është edhe ndryshimi i konceptit të rolit të rezervës valutore, të mbajtjes dhe administrimit të saj nga banka qendrore, pas viteve 90.

Koncepti klasik i rezervës valutore si amortizator ndaj zhvillimeve të papritura të kursit të këmbimit, ndryshoi në një valvul sigurie ndaj ndërprerjeve të hyrjeve kapitale dhe goditjeve të kursit të këmbimit që e shoqërojnë atë. Kjo edhe sepse ndryshimet rrënjësore në liberalizimin e llogarisë kapitale zhvilluan pa masë rrjedhjen e kapitaleve midis vendeve të ndryshme, si dhe ndryshimin e regjimeve të kursit të këmbimit nga të fiksuara apo më pak të luhatshme, në totalisht të lira. Në këtë mënyrë, vendet e zhvilluara vijuan me një prirje në rritje të rezervave valutore dhe vendet në zhvillim, kaluan nga vende me borxh të jashtëm neto në vende me mjete valutore neto.

Këto vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e rezervave valutore që administrohen nga bankat qendrore në të gjithë botën. Duke filluar nga viti 2000, këto rezerva janë më shumë se dyfishuar në madhësi, duke arritur në 5.1 trilionë dollarë amerikanë, në fund të vitit 2006.

Kjo rritje galopante në nivelin e rezervave valutore është shoqëruar me një zhvendosje të fokusit nga plotësimi vetëm i objektivave të lidhur me likuiditetin dhe ruajtjen e kapitalit, në një përqasje që synon administrimin e rezervës edhe me qëllim, zvogëlimin e kostos oportune të krijuar nga mbajtja e rezervave. Zbatimi i kësaj përqasjeje është i lidhur ngushtë me përcaktimin paraprak të atij niveli të rezervës valutore, që vlerësohet si i mjaftueshëm për plotësimin e objektivit kryesor të bankës qendrore.

Në praktikën e sotme përdoren disa tregues për të vlerësuar mjaftueshmërinë e rezervave, për të vendosur më pas, se cila pjesë e tyre mund t'i dedikohet një administrimi aktiv.

Do të dëshiroja të përfitoja nga ky rast për të thënë disa fjalë lidhur me përvojën që Banka e Shqipërisë ka krijuar në fushën e administrimit të rezervës valutore.

Me krijimin e Bankës së Shqipërisë, në vitin 1992, rezervat valutore nën administrim ishin rreth 2 milionë dollarë amerikanë, ndërsa sot ato arrijnë në rreth 2 miliardë dollarë.

Viti 2006 shënoi fillimin e një ere të re në administrimin e rezervës valutore. Fillimisht, u realizua rishikimi i plotë i bazës rregullative lidhur me mënyrën e administrimit të rezervës valutore. Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës miratoi dy rregullore të rëndësishme, atë të "Politikës së investimit" dhe rregulloren mbi "Funksionet e strukturave drejtuese në kuadër të procesit të administrimit të rezervës". Krahasuar me rregulloren paraardhëse, në politikën e re të investimit formulohen mjaft qartë objektivat që do të udhëheqin procesin e investimit të rezervës valutore.

Kjo ka mundësuar një optimizim të nivelit të mjaftueshëm të rezervave dhe evidentimin e hapësirave për një administrim aktiv. Më konkretisht, objektivi që lidhet me likuiditetin bazohet në disponueshmërinë e një fondi të mjaftueshëm të rezervave valutore me qëllim:

• mbulimin e nevojave të vendit për importe;
• mbulimin e pagesave në valutë për shlyerjen e borxhit afatshkurtër;
• mbështetjen e politikës monetare dhe asaj të kursit të këmbimit;
• krijimin e besimit në ekonomi, duke shërbyer si mjet për mbulimin e nevojave në periudha krize.

Në praktikën tonë, vënia në zbatim e objektivit të likuiditetit u realizua përmes organizimit të rezervës valutore në disa transhe, të cilat do t'i shërbejnë përmbushjes së nevojave për likuiditete, në përputhje me afatin e tyre të maturimit. Duke marrë në konsideratë këtë ndarje të rezervës dhe kriteret e miratuara, përsa i takon kthimit nga investimi dhe nivelit të tolerancës ndaj rrezikut, për secilin nga portofolet e rezervës përzgjidhet një portofol benchmark.

Si rezultat, struktura aktuale e rezervës neto me transhet e kapitalit qarkullues, të likuiditetit dhe të investimit, reflekton një agresivitet në rritje, në terma të kthimit dhe të rrezikut, duke kaluar nga transhi i parë tek ai i fundit.

Rregullorja mbi funksionet e strukturave drejtuese u hartua me synim specifikimin e rolit dhe të përgjegjësive të Këshillit Mbikëqyrës dhe të Komitetit të Investimit, përsa i takon vendimmarrjes në kuadër të procesit të administrimit të rezervës. Kjo rregullore përcakton një strukturë vendimmarrëse të organizuar në dy nivele, ku Këshilli Mbikëqyrës vendos kriteret bazë sipas të cilave realizohet procesi i investimit, ndërsa Komiteti i Investimit ka përgjegjësinë e konvertimit ("përkthimit") të këtyre kritereve në portofole benchmark dhe kufizime në shkallën e rrezikut të lejuar.

Komiteti i Investimit tashmë përfaqëson një strukturë më aktive në procesin e administrimit. Ky komitet është përgjegjës për rishikimin e përvitshëm të benchmark-ut strategjik dhe duhet të marrë një vendim, që bazohet në një shqyrtim dhe vlerësim të kujdesshëm të skenarëve të pritjeve të tregut për ecurinë e ekonomive më të zhvilluara të botës. Ky dhe vendime të tjera të Komitetit të Investimit përsa i takon administrimit aktiv, shpërndarjes së rrezikut të lejuar dhe kufizimeve të vendosura në ndërmarrjen e rreziqeve të ndryshme përcaktohen në një dokument të veçantë, të miratuar nga ky komitet.

Struktura e mësipërme e vendimmarrjes vlerësohet si më efektive, pasi ajo krijon fleksibilitetin e kërkuar gjatë procesit të investimit për t'iu përshtatur në kohë zhvillimeve dinamike në tregjet financiare. Në këtë mënyrë, arrihet të shfrytëzohen në maksimum mundësitë e krijuara dhe shmanget në kohë çdo rrezik, përtej atij të lejuar.

Konsolidimi i kësaj strukture vendimmarrëse duhet të shoqërohet domosdoshmërisht edhe me krijimin e një kulture investimi, që është mjaft e rëndësishme, për një vlerësim të plotë dhe të saktë të rreziqeve dhe për një vendimmarrje më efektive në të ardhmen. Zhvillimi i kësaj kulture, krahas një ndarjeje të qartë dhe delegimit të përgjegjësive, presupozon dhe krijimin e kushteve për një edukim të vazhdueshëm të personelit dhe kultivimin e frymës së punës në ekip.

Politika e investimit është dokumenti që udhëheq dhe mbështet procesin e investimit dhe përzgjedhja e benchmark-ut strategjik, përfaqëson pjesën kryesore të tij. Kjo, pasi më shumë se 90 për qind e kthimit të portofolit nga investimi përcaktohet nga benchmark-u përkatës, i cili është rezultat i procesit të përzgjedhjes së benchmark-ut strategjik. Pjesa tjetër e kthimit përcaktohet nga hapësira e lejuar për ndërmarrjen e rreziqeve gjatë administrimit aktiv.

Një administrim aktiv i suksesshëm është tregues i aftësive shumë të mira, së pari në vlerësimin e mundësive që ofron tregu për fitim dhe së dyti, në analizën e saktë të rreziqeve që ato mbartin.

Së fundi, do të dëshiroja të merrja edhe pak kohë për të thënë disa fjalë mbi bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë kësaj kohe me Bankën Botërore.

U bënë tashmë dy vjet që Banka e Shqipërisë është angazhuar në një marrëveshje për administrim dhe konsulencë me Bankën Botërore, me qëllim marrjen e asistencës teknike për ngritjen në një shkallë më të lartë të funksioneve, që Banka e Shqipërisë kryen në kuadër të aktivitetit të administrimit të rezervës.

Departamenti për Çështjet e Partneriteteve në Investimet Sovrane në Bankën Botërore, ka ofruar gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare asistencë dhe ekspertizë teknike mjaft të vlefshme në të gjitha aspektet që lidhen me aktivitetin e administrimit të rezervës valutore në një bankë qendrore. Ky bashkëpunim, ka qenë veçanërisht frytdhënës për krijimin dhe zhvillimin e aftësive profesionale të personelit që punon për administrimin e rezervës valutore.

Shumë shpejt, ne do të nisim një projekt të rëndësishëm që ka të bëjë me blerjen dhe vënien në zbatim të një sistemi, i cili do të përdoret për administrimin e rezervës valutore. Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka krijimi i një infrastrukture të mirë të teknologjisë së informacionit, në shërbim të plotësimit të nevojave për administrimin e rreziqeve që lindin gjatë procesit të investimit. Krahas kësaj, në planet tona për të ardhmen e afërt përfshihet dhe përzgjedhja dhe kontraktimi i administratorëve të jashtëm, përmes të cilëve do të synohet maksimizimi i të ardhurave të siguruara për të njëjtin nivel rreziku të lejuar. Unë besoj se ky seminar do të sqarojë disa pyetje, të cilat rrjedhin natyrshëm në ditët e sotme:

Administrimi modern i rezervës valutore, kalimi nga menaxhimi pasiv në atë aktiv, sipas mendimit tim personal kërkon një koncept të plotë dhe të qartë mbi rezervën valutore dhe mënyrën e administrimit të saj. Ai kërkon:

• struktura të qarta dhe të përgjegjshme;
• llogaridhënie dhe transparencë;
• lidhje organike midis njësive pjesëmarrëse dhe grupeve të interesuara;
• teknologji të lartë informacioni dhe mbi të gjitha PROFESIONALIZËM.

Duke falenderuar edhe një herë Bankën Botërore që u angazhua në organizimin e këtij forumi, do të dëshiroja që gjatë punimeve të këtij forumi t'i jepet përgjigje disa prej çështjeve më pikante si:

• Pse bankat qendrore mbajnë rezerva valutore?
• Sa duhet të jetë niveli optimal dhe si përputhet ai me prirjet e kohëve të fundit?
• Ç'do të thotë menaxhim aktiv dhe si të optimizojmë rrezikun që e shoqëron atë?
• Si rritet niveli i tyre dhe kostot që e shoqërojnë atë?
• Cilat janë strukturat vendimmarrëse dhe ç'do të thotë alokim strategjik i mjeteve valutore?

Mund të vazhdoja me një sërë pyetjesh të tjera. Megjithatë e gjykoj të arsyeshme që tani i ka ardhur rradha teknikëve. Ju ftoj të ndjekim në vazhdim prezantimet e ekspertëve të Bankës Botërore që do të referojnë sot për ne.

Ju faleminderit!