BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare mbi Investimet e Huaja në Shqipëri, organizuar nga AIDA dhe IDB.

Data e publikimit: 11.06.2012

 

I nderuar Shkëlqesia e tij z. Sali Berisha!

I nderuar z. Khalid Al Aboodi!

I nderuar Ministër i Financave z. Bode!

Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Është një kënaqësi e veçantë të marr fjalën në këtë konferencë të përbashkët me Bankën Islamike të Zhvillimit, që i kushtohet promovimit të investimeve në Shqipëri. Më lejoni që fillimisht të falënderoj Dr. Ahmed Mohamed Ali Al Madani, President i Bankës Islamike të Zhvillimit për kontributin e madh që ka dhënë në lobimin dhe mbështetjen e interesave të Shqipërisë në botën arabe dhe më gjerë.

Banka e Shqipërisë vlerëson që stabiliteti makroekonomik i vendit ka qenë dhe mbetet një kusht themelor, që orienton vendimmarrjen e agjentëve ekonomikë, për investim, konsum apo kursim, jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen. Është ky ekuilibër fondamental në ekonomi, që përcakton shtratin mbi të cilin merr jetë zhvillimi afatgjatë ekonomiko - financiar i vendit.

Më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj, se në ditët e sotme situata makrofinanciare përbën pasaportën mbi të cilën ngrihet i gjithë kredibiliteti ekonomik dhe financiar i një vendi. Në një treg të integruar që gjithmonë e më tepër ndikohet prej procesit të globalizimit, stabiliteti makroekonomik ushtron të njëjtin ndikim edhe mbi investitorët e huaj. Për këtë arsye politika jonë monetare, roli ynë si autoritet mbikëqyrës i sektorit bankar në Shqipëri dhe kontributi ynë në komunikimin mes autoriteteve publike në vend është mbështetur dhe ka reflektuar këtë parim bazë.

Banka e Shqipërisë, ka arritur të garantojë një ambient të favorshëm makroekonomik gjatë këtyre viteve të fundit. Do të doja t’ju kujtoj, se ky stabilitet është arritur në kushtet kur ekonomia jonë është nën presionin e vazhdueshëm të krizës ndërkombëtare, e cila këto kohët e fundit ka prekur në mënyrë të rëndë partnerët tanë kryesorë.

Falë përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë, miksimit të suksesshëm të politikës monetare me atë fiskale, politikave nxitëse në fushën tatimore dhe përmirësimit të vazhdueshëm të ambientit të biznesit është bërë e mundur, që ekonomia jonë të rregjistrojë norma rritjeje vjetore të kënaqshme, të rangut 3 – 4 për qind në terma realë.

Kjo rritje është siguruar në kushtet e një ambienti me çmime të stabilizuara dhe një kursi këmbimi në ekuilibër. Stabiliteti financiar i vendit nuk është vënë në diskutim për asnjë moment dhe sistemi bankar, i cili gëzon një situatë të kënaqshme likuiditeti vazhdon të rrisë ndërmjetësimin financiar në ekonomi.
 
Më lejoni të ndalem pak më hollësisht në këto çështje. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është stabiliteti i çmimeve të konsumit, që në terma sasiorë shprehet në rritjen vjetore të nivelit të çmimeve në kufijtë 2-4%, duke synuar mesin e kësaj zone prej 3%. Banka e Shqipërisë ka arritur ta përmbushë këtë objektiv në mënyrë të suksesshme.

Vrojtimet e ndryshme tregojnë se pritshmëritë për një inflacion të ulët, janë të qëndrueshme tek agjentët e ndryshëm ekonomikë. Ky profil konsistent i politikës tonë monetare, është provuar veçanërisht i dobishëm në këto vitet e fundit. Ne kemi patur një fleksibilitet më të madh për të realizuar një politikë monetare lehtësuese të kujdesshme, që nxit investimet dhe konsumin në vend. Kështu përgjatë një periudhe shumëmujore, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një seri vendimesh për uljen e përqindjes bazë të interesit në ekonomi, përqindjen javore të marrëveshjeve të riblerjes, duke arritur në nivelin minimal historik të saj prej 4.25 %. Me kënaqësi konstatojmë se shkalla e përcjelljes në ekonomi është e kënaqshme në përputhje me vonesat kohore që karakterizojnë mekanizmin e transmetimit monetar në ekonomi. Gjatë këtij cikli lehtësues, rritja vjetore e normës së inflacionit mbetet nën kontroll dhe kursi i këmbimit të monedhës kombëtare është paraqitur i qëndrueshëm.

Si rezultat, investimet e huaja direkte dhe flukset e tjera të portofolit kanë qenë të qëndrueshme, duke financuar pjesën dërrmuese të kërkesave korente të agjentëve ekonomikë për valutë. Sigurisht, që stabiliteti makroekonomik nuk është ekskluzivitet i veprimtarisë së bankës qendrore, por reflekton gjerësisht ndarjen e të njejtit parim dhe harmonizim të veprimeve me politikën fiskale.

Stabiliteti i sistemit financiar dhe posaçërisht i sektorit bankar, është shtylla e dytë kryesore e veprimtarisë tonë. Mund të them që këto vitet e fundit i kemi kushtuar përmbushjes së këtij objektivi, pjesën më të madhe të kapaciteteve tona.

Sfidat kanë qenë të shumta në kushtet kur veprimtaria bankare reflekton jo vetëm qëndrueshmërinë e institucionit, por edhe kushtet e përgjithshme ekonomike. Megjithatë, në bashkëpunim të ngushtë me industrinë bankare, kemi arritur të ndërmarrim disa masa që kanë rritur aftësitë mbrojtëse të sektorit bankar.

Si rezultat, pavarësisht ngadalësimit të ritmit dhe uljes së cilësisë së kredisë, sektori bankar vijon të gjenerojë fitim dhe mbetet i mirëkapitalizuar e likuid. Në mars, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi 15.9%, ndërsa aktivet likuide përfaqësonin gati 1/3 e totalit të aktiveve të sektorit. Zgjerimi i veprimtarisë së sektorit bankar, është mbështetur kryesisht prej ecurisë së depozitave të publikut, që vijojnë të rriten me ritme mjaft të mira.

Ne jemi sidoqoftë të vetëdijshëm për rreziqet që mban kjo periudhë me shumë zhvillime të paqëndrueshme në ekonominë botërore dhe atë rajonale. Ndaj, theksi i veprimtarisë tonë mbikëqyrëse ka qenë në identifikimin e rreziqeve të ndryshme për veprimtarinë bankare, përmirësimin e aftësisë së sektorit bankar për t’i administruar këto rreziqe dhe në fuqizimin e kuadrit ligjor e operacional për trajtimin e tyre në rast materializimi.

Si rrjedhojë e krizës ekonomike botërore, shumë vende po synojnë të rikonceptojnë axhendat dhe modelet e zhvillimit të tyre ekonomik.
Banka e Shqipërisë ka iniciuar, nxitur dhe mbështetur këtë diskutim përgjatë një periudhe disavjeçare, nëpërmjet një komunikimi të hapur me autoritetet publike, komunitetin e biznesit dhe qarqet akademike.

Opinioni ynë është se politikat e zhvillimit ekonomik duhet të orientojnë vendosjen e një balance më të mirë në përparësitë e zhvillimit të sektorëve të ekonomisë, duke mbështetur bujqësinë dhe prodhimin.  Rritja e kapaciteteve ekonomike që përmirësojnë konkurrueshmërinë e produkteve tona dhe shfrytëzojnë më mirë kërkesën e huaj, është një nga objektivat imediatë me të cilin duhet të përballemi. Për këtë qëllim, ndërmjet të tjerash prioritet merr zhvillimi dhe përsosja e mëtejshme e infrastrukturës financiare si edhe një hop cilësor në zhvillimin teknologjik. Ne duhet të sigurojmë një fuqi punëtore të mirëarsimuar dhe të aftë të përshtatet jo vetëm në tregun lokal por edhe ndërkombëtar, të punës. Për këtë arsye, politikat e arsimit të brezit më të ri, duhet të sigurojnë mbi të gjitha cilësinë e edukimit dhe të përfshijnë programe që i japin orientimit praktik të tij, një peshë më të madhe.

Banka e Shqipërisë, tashmë është angazhuar seriozisht në programin e saj të edukimit financiar të publikut. Në këtë drejtim kemi ideuar dhe zbatuar një varg projektesh dhe iniciativash bashkëpunimi, falë të cilave kemi siguruar mbulimin e grupmoshave të ndryshme të popullatës si dhe kemi mundësuar një shkallë mbulimi gjeografik të të gjithë vendit.

Është e qartë që këta objektiva nuk mund të realizohen me një “shkop magjik”. Madje ata janë të vështirë për t’u realizuar në kohën e duhur, vetëm me kapacitetet e një ekonomie të veçantë. Vërtet që Shqipëria është një ekonomi e vogël, por ajo në sajë të reformave të vazhdueshme është kthyer në një vend tërheqës për investitorët e huaj. Vizioni ynë ka qenë dhe mbetet i  hapur ndaj çdo nisme rajonale. Ne jemi në gjendje të bëhemi pjesë e projekteve të përbashkëta rajonale, duke dëshmuar kështu, aftësinë e madhe thithëse për investime të mëdha dhe investitorë seriozë.

Për këtë arsye, hartimi i politikave për tërheqjen e investimeve të huaja, edhe nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe kuadrit përkatës ligjor, duhet të jenë pjesë e vazhdueshme në strategjinë e zhvillimit ekonomik të vendit.   

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqipëria ndonëse një vend i vogël, përfaqëson një ekonomi vibrante me një popullsi vitale, të aftë për të ndërmarrë iniciativa biznesi gjithëpërfshirëse.

Për më tepër, jemi një vend që një pjesë të konsiderueshme të kufijve zyrtarë të vendit i ndajmë me bashkëkombas, duke i dhënë një dimension të ndryshëm sasior dhe gjeografik iniciativave të ndryshme potenciale të biznesit. Unë besoj që Shqipëria është një nga vendet që përfshihet aktualisht në listen e vendeve të dalluara evropiane, me stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik e financiar, dhe rritje ekonomike.

Ne jemi një vend që kemi burime natyrore të bollshme, një diversitet fantastik klimash, kulturash, karakteristikash të tjera sociale, etnografike dhe gjeografike, një forcë punëtore të kualifikuar, një fleksibilitet të admirueshëm të sipërmarrjes private dhe një kuadër ligjor të përmirësuar. Për këto arsye, unë përfitoj nga ky rast që t’ju ftoj që të rrisni interesimin dhe të përfshini gjithnjë e më shumë Shqipërinë në projektet tuaja të investimit apo partneritetit. Besoj se kjo përfshirje, jo vetëm që do të kontribuojë në prosperitetin e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në të ardhmen, por do të jetë dhe një alternativë e sigurtë investimi.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju uroj suksese!