BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Përfundim të Misionit të Konsultimit të Artikullit IV dhe Rishikimit PRGF - EFF në Shqipëri

Data e publikimit: 11.05.2006

 

Gjatë dy javëve të fundit kemi zhvilluar bisedime mjaft të gjera me Misionin e FMN-së me rastin e konsultimeve të Artikullit IV. Në qendër të diskutimeve tona ishin stabiliteti makroekonomik dhe zhvillimet më të fundit në sistemin bankar. Gjatë këtyre bisedimeve u diskutuan mjaft çështje që lidhen me zhvillimet ekonomike në të ardhmen dhe u ra dakord mbi disa masa të nevojshme me qëllim minimizimin e rreziqeve të mundshme.

Ekonomia shqiptare duket të jetë rigjeneruar pas ngadalësimit të shkaktuar nga kriza energjitike vitin e kaluar, duke premtuar për një vit tjetër pozitiv me rritje të lartë ekonomike. Të gjithë sektorët e ekonomisë, në veçanti sektori i shërbimeve, kanë patur një periudhë të suksesshme, e karakterizuar nga një kërkesë e madhe. Ndërkohë, inflacioni ka qenë në nivele të ulëta, gjë që dëshmon se ekonomia ka patur kapacitete të mjaftueshme për të përballuar këtë kërkesë, duke rritur prodhimin dhe tregtinë. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim neutral në politikën monetare të ndjekur prej saj. Kjo politikë është në përputhje me parashikimet tona për inflacionin, të cilat tregojnë mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste në një periudhë të ardhshme. Megjithatë, situata aktuale paraqet dhe disa rreziqe të mundshme. Çmimet e larta të naftës në tregjet botërore, si dhe çmimet më të larta të energjisë në përgjithësi mund të përfshihen në strukturën e kostos së ekonomisë, duke shkaktuar në këtë mënyrë të ashtuquajturat efektet e raundit të dytë dhe rritjen e pritshmërive inflacioniste. Rritja e nivelit të kredisë, në kohën kur një zhvillim tejet i mirëpritur dhe i nevojshëm i ekonomisë sonë mund të rrezikojë ekuilibrat makroekonomikë, rrit presionet inflacioniste dhe mund të përkeqësojë llogarinë korente. Në të njëjtën kohë, nuk mund t'i përjashtojmë ndikimet që do të ketë ngushtimi global i politikës monetare në tregjet tona financiare dhe në politikën tonë monetare. Ne jemi duke monitoruar dhe vlerësuar me kujdes zhvillimet e mëtejshme të situatës, me qëllim marrjen e masave të përshtatshme. Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar ndaj mbajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe inflacionit brenda nivelit të parashikuar.

Rritja e lartë e kreditimit gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti, mund të jetë një arsye për rritjen e lartë të kërkesës. Megjithatë, ne i shikojmë ritmet e rritjes së kreditimit në lidhje jo vetëm me ndikimet e tyre mbi stabilitetin makroekonomik, por dhe mbi stabilitetin e sektorit bankar.

Në përgjithësi, rritja e kreditimit të sektorit privat ka qenë në një linjë me zhvillimet në mjedisin ekonomik në Shqipëri. Duke parë ecurinë historike, rritja e stock-ut të kredisë ka qenë e pritshme, pasi marrëdhënia ndërmjet bankave dhe biznesit është forcuar dhe konsoliduar në mënyrë të ndjeshme. Gjithashtu, ulja e kërkesës së qeverisë për mjete monetare ka pakësuar crowding-out effect (rënia e peshës së qeverisë) në huamarrjen publike, duke i shtyrë bankat drejt investimit në kreditimin e sektorit privat. Duke qenë se bankat janë më të prirura ndaj kredisë me maturitet afatgjatë, shuma në qarkullim e stock-ut të kredisë rritet më shpejt.

I ashtuquajturi (catch-up process) "procesi i rikuperimit të kohës", është një arsye tjetër që lidhet me rritjen e kreditimit, ku bankat për shkak të presioneve të larta të konkurrencës, kapaciteteve më të mëdha të brendshme dhe rritjes së cilësisë së huamarrësve, kanë filluar t'i përdorin burimet e tyre financiare në mënyrë më të efektshme. Me kalimin e kohës, aftësia paguese e kompanive është përmirësuar ndjeshëm, megjithatë reagimi fillestar i bankave, përpara privatizimit të Bankës së Kursimeve, ndaj rritjes së kredidhënies ka qenë paksa i ngadaltë. Me rritjen e mëtejshme të reputacionit të kompanive dhe me aktivizimin e bankës më të madhe në vend, bankat e tjera filluan të ishin më aktive në shfrytëzimin e këtyre mundësive. Vonesa fillestare, e ndjekur nga "procesi i mëvonshëm i rikuperimit", mund të shpjegojë mjaft mirë rritjen e lartë të kreditimit. Megjithatë, ndërsa kreditimi konvergon drejt një ekuilibri më afatgjatë, presim të shohim që rritja e kreditimit të ecë në hapa më normalë.

Banka e Shqipërisë mban kontakte mjaft të ngushta me industrinë bankare dhe me institucionet e tjera të licencuara, me qëllim diskutimin e zhvillimeve dhe trendeve më të fundit në aktivitetin e tyre. Komunikimi i hapur me to shërben gjithashtu, për bashkimin e përpjekjeve tona për arritjen e zhvillimit të një aktiviteti bankar sa më të shëndoshë. Bazuar në zhvillimet karakteristike të rrezikut të analizave të kredive në secilën bankë dhe në sistemin bankar në tërësi, Banka e Shqipërisë synon marrjen e një sërë masave graduale, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së rrjedhjes së informacionit ndërmjet bankave dhe me Bankën e Shqipërisë, si dhe masa të tjera të nevojshme.

Në përfundim, në emër të institucionit që unë drejtoj përfitoj nga rasti që të falenderoj Misionin e FMN-së, të kryesuar nga z. Ajai Chopra, Zëvendësdrejtori i Departamentit Evropian dhe nga Shefi i këtij Misioni z. Istvan Szekely për punën e mrekullueshme, që ata bënë gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, si edhe misionet e tjera të FMN-së, që janë duke na asistuar aktualisht për çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me përmirësimin e zbatimit të politikës monetare ashtu edhe për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar.