BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të funksionimit të Regjistrit të Kredive. Hotel "Sheraton", 28 janar 2008

Data e publikimit: 28.01.2008

 

I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar zotërinj ministra,
Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë të shpall përfundimin me sukses të projektit të Regjistrit të Kredive dhe fillimin e funksionimit të tij që prej datës 3 janar të këtij viti. Krijimi dhe funksionimi i Regjistrit në fillimin e vitit 2008, ishte një zotim i marrë nga Banka e Shqipërisë përpara sektorit bankar dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, përpara rreth 17 muajsh. Në dallim nga projektet e tjera të ngjashme të zhvilluara nga ana e institucionit tonë, Regjistri i Kredive është një projekt në të cilin Banka e Shqipërisë ka autorësinë e plotë në drejtim të financimit, të hartimit të specifikimeve teknike të projektit dhe të zbatimit të tij.

Në përgjithësi, tregjet financiare nuk mund të funksionojnë siç duhet, në rast se nuk shfrytëzojnë një infrastrukturë të zhvilluar. Nëpërmjet saj, ofrohen instrumentet e nevojshme për kryerjen e transaksioneve midis pjesëmarrësve, në mënyrë të lirshme dhe të besueshme. Autoritetet rregullative, kanë përgjegjësinë të krijojnë kushtet për zhvillimin e kësaj infrastrukture nga vetë tregu ose të luajnë rolin parësor në krijimin e saj, në funksion të realizimit të objektivave të tyre, për rritjen e eficiencës së tregut dhe formalizimin e ekonomisë. Regjistri i Kredive përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri, infrastrukturë e cila po zhvillohet me shpejtësi.

Nëpërmjet tij, Banka e Shqipërisë synon të përmirësojë procesin e administrimit të kredisë në bankat tregtare, duke ofruar një instrument i cili mundëson analiza më të plota dhe efektive rreth aftësisë paguese të kredimarrësve. Përmirësimi i informacionit ndikon në reduktimin e kostove të institucioneve financiare kredidhënëse, që lidhen me kohën e analizës dhe pasojat e vendimeve të gabuara në fushën e kreditimit. Në një treg i cili shfaq nivele të kënaqshme konkurrence në fushën e kreditimit, funksionimi i regjistrit të kredive përmirëson aksesin në financim të kredimarrësve të ndryshëm, si dhe ndikon në uljen e normës së interesit të kredisë.

Për Bankën e Shqipërisë, si autoriteti rregullativ dhe mbikëqyrës i sektorit bankar, Regjistri i Kredive ofron një instrument shtesë dhe mjaft të dobishëm për të thelluar analizën e saj, jo vetëm në drejtim të vlerësimit të cilësisë së përgjithshme të portofolit të kredisë, por edhe në drejtim të evidentimit të përqendrimeve të kredisë sipas bankave dhe subjekteve kredimarrëse, të vlerësimit të detajuar të ekspozimit të bankave dhe të subjekteve kredimarrëse ndaj financimit sipas monedhave, të vlerësimit të detajuar të llojit të kolateraleve dhe të garancive të përdorura, të evidentimit të lidhjeve që ekzistojnë midis subjekteve të ndryshme kredimarrëse etj.. Këto janë fenomene të cilat shoqërojnë veprimtarinë e kreditimit dhe që kërkojnë një monitorim të kujdesshëm nga bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë, për të njohur rreziqet që përmbajnë dhe për të vepruar për zbutjen e këtyre rreziqeve.

Në fakt, përparësitë që ka industria bankare e financiare, si dhe autoritetet mbikëqyrëse të tyre për shkak të përmirësimit në cilësinë e informacionit financiar në përgjithësi dhe posaçërisht në veprimtarinë e kreditimit nëpërmjet vendosjes në funksionim të Regjistrit të Kredive, nxitin eficiencën dhe qëndrueshmërinë e të gjithë sistemit financiar.

Procesi i realizimit të Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë, kaloi disa faza, të cilat dëshiroj t'i përmend shkurtimisht. Fillimisht, ishte e nevojshme që njohuritë profesionale dhe teknike të funksionimit të këtij instrumenti, të përqendroheshin dhe të zgjeroheshin, për t'i përdorur më pas me efektivitet për realizimin e projektit. Për këtë arsye, u ngrit Grupi i posaçëm i Punës, i cili u njoh me funksionimin e regjistrave të kredive në vende të ndryshme të rajonit tonë, si edhe të Evropës Perëndimore, duke synuar të zgjedhë projektin i cili do të ishte më efektiv për kushtet e tregut tonë bankar. Paralelisht, Grupi i Punës u konsultua dhe u këshillua në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertë të huaj të specializuar, të ofruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në vijim, ky Grup filloi punën për përcaktimin e specifikimeve teknike të projektit si edhe për hartimin e kuadrit rregullativ të posaçëm për funksionimin e regjistrit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e ka ndjekur me vëmendje maksimale ecurinë e projektit dhe ka ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin cilësor të tij brenda objektivit kohor të përcaktuar. Gjatë gjithë procesit, bankat tregtare kanë dhënë opinionin e tyre duke u përfshirë në mënyrë aktive në realizimin e projektit. Kontributi i tyre ka qenë veçanërisht i rëndësishëm në momentet e testimeve paraprake të zgjidhjes teknike të përzgjedhur, si edhe në popullimin e bazës së të dhënave me informacionin e nevojshëm.

Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë i kushtoi vëmendje të veçantë komunikimit me publikun, duke publikuar broshura informative gjatë gjithë realizimit të projektit, si edhe duke ofruar sqarimet e nevojshme në media.

Më lejoni që në vazhdim të përmend disa nga karakteristikat e Regjistrit të Kredive.

Pjesëmarrja e bankave tregtare në Regjistër nëpërmjet hedhjes së informacionit sipas formatit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, është e detyrueshme. Këto institucione ofrojnë informacion rreth klientëve të tyre në bazën e të dhënave të Regjistrit dhe në këmbim, përfitojnë akses në bazën e të dhënave për të gjithë huamarrësit e sistemit. Informacioni për kredimarrësit është pozitiv dhe negativ. Kjo do të thotë që krahas të dhënave mbi korrektesën e kredimarrësit për të paguar detyrimet e tij financiare ndaj kredidhënësve, në Regjistër do të gjendet edhe informacioni shtesë në lidhje me të dhënat personale të kredimarrësit, drejtimin kryesor të biznesit të tij, pasuritë dhe kolateralet e deklaruara prej tij, lidhjet e tij me kredimarrës të tjerë etj.. Ky lloj informacioni, plotëson profilin e kredimarrësit, adreson më mirë nevojat për informacion të kredidhënësve të ndryshëm duke përmirësuar vendimmarrjen dhe në përfundim, përmirëson mundësitë e kredimarrësit për të përfituar një kredi.


Regjistri i Kredive do të përfshijë të gjitha kreditë, pavarësisht nga vlera e tyre. Në lidhje me këtë element, përvoja e vendeve të tjera ofron zgjidhje të ndryshme. Në disa vende, pjesë e bazës së të dhënave mbi të cilën është ngritur regjistri publik i kredive, përmban vetëm kreditë mbi një vlerë të caktuar duke përzgjedhur, midis një numri të madh kredish, ato që kanë rëndësi sistemike. Në këto vende, regjistrat privatë janë ata që mbulojnë pjesën tjetër të portofolit të përgjithshëm të kredive, duke realizuar "de facto" një ndarje sektoriale të informacionit. Në rastin tonë, për shkak të numrit jo shumë të lartë të kredive në përgjithësi, si edhe për shkak të mungesës së një regjistri privat dhe alternativ, u gjykua u mundshme dhe efektive, përfshirja në Regjistër e të gjitha kredive. Në këtë mënyrë, ky Regjistër, mundëson përfshirjen e të dhënave edhe për kredimarrësit e vegjël që veprojnë kryesisht në sektorin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Aktualisht, në Regjistër janë hedhur të dhëna për rreth 210 mijë kredi aktive të sektorit bankar dhe rreth 334 mijë objekte ose garanci, që shërbejnë si kolaterale për kreditë e përfituara nga kredimarrësit. Gjithashtu, në Regjistër, janë evidentuar rreth 140 mijë kredimarrës të lidhur. Këto të dhëna do të pasurohen në vazhdim.

Fillimisht, përdorues të Regjistrit të Kredive janë vetëm bankat. Megjithatë, objektivi ynë është që në një afat të arsyeshëm kohor, të përfshijmë si përdorues të Regjistrit edhe institucionet e tjera financiare jobanka, të cilat veprojnë në fushën e kreditimit. Në këtë mënyrë, do të zgjerohet baza e të dhënave me kredimarrës të rinj, duke rritur komunitetin e kredimarrësve për të gjitha institucionet kredidhënëse.

Informacioni që përfshihet në bazën e të dhënave, mbrohet dhe shfrytëzohet në përputhje me kërkesat e ligjit "Për mbrojtjen e të dhënave personale". Punonjës të caktuar të bankave tregtare dhe të Bankës së Shqipërisë, janë të vetmit persona të çertifikuar nga Banka e Shqipërisë, për të hedhur të dhënat dhe për të përdorur informacionin që gjendet në Regjistër. Në të njëjtën kohë, për të shmangur rastet e keqinterpretimit të informacionit që gjendet në Regjistër, kredimarrësit lejohen që nëpërmjet një procedure të përcaktuar dhe të qartë, t'i drejtohen Bankës së Shqipërisë për të verifikuar informacionin që ekziston rreth tyre në Regjistër dhe për të kërkuar ndryshimet e nevojshme.

Nga pikëpamja e realizimit teknik të projektit, mundësohet zgjerimi i numrit të përdoruesve si edhe ndërveprimi i bazës së të dhënave të Regjistrit me regjistra të tjerë publikë, sipas interesave të institucioneve. Njëkohësisht, ky ndërveprim është i mundshëm për t'u realizuar edhe me regjistra të ngjashëm privatë, nëse ato do të zhvillohen në të ardhmen. Sigurisht që në këto raste, kuadri rregullativ duhet të përcaktojë qartë subjektet përdoruese si edhe të drejtat e përgjegjësitë e tyre.

Me rastin e përfundimit me sukses të projektit, dëshiroj të falenderoj:
- Fondin Monetar Ndërkombëtar, për mbështetjen me konsulencë teknike gjatë gjithë fazave të realizimit të
projektit;
- Bankat tregtare për angazhimin e tyre në procesin e përshtatjes së sistemeve të brendshme të të dhënave,
me kërkesat që përmbante Regjistri i Kredive;
- Shoqërinë private që realizoi zgjidhjen teknike, për profesionalizmin dhe seriozitetin e treguar në realizimin në
kohë të projektit, duke besuar që të njëjtat standarde do të ofrohen edhe gjatë periudhës së mirëmbajtjes së
platformës teknologjike të Regjistrit;
- Grupin e Punës së Bankës së Shqipërisë, i cili krahas detyrave të përditshme funksionale, mori përsipër dhe
realizoi me përkushtim e profesionalizëm këtë projekt të rëndësishëm.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë është e bindur që Regjistri i Kredive në Shqipëri, do të jetë efektiv dhe do të përmbushë objektivat e krijimit të tij.

Ju faleminderit!