BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në ceremoninë e prezantimit të projektit të informatizimit të lëvizjes së informacionit që lidhet me zhvillimin e ankandeve të tregut primar të letrave me vlerë të Qeverisë, Hotel Rogner

Data e publikimit: 13.03.2008

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe kompania REUTERS mbas një bashkëpunimi të ngushtë prej një viti, sot shohin të realizuar me sukses projektin e informatizimit të lëvizjes së informacionit, që lidhet me zhvillimin e ankandeve të tregut primar për shitjen e letrave me vlerë të Qeverisë Shqiptare.

Realizimi i ketij projekti minimizon kohën që nga momenti i paraqitjes së kërkesave të bankave për pjesëmarrje në ankand, deri në njoftimin e rezultateve të tij, lojtarëve të tregut. Thënë ndryshe: kohës së lëvizjes fizike të dokumentacionit i ka ardhur fundi.

Banka e Shqipërisë si organizuese e ankandeve dhe Ministria e Financave si emetuese e letrave me vlerë, kanë mbajtur parasysh standardet e vendeve më të zhvilluara. Ato janë përpjekur, që në mënyrë të vazhdueshme të jenë sa më pranë tregut, duke krijuar marrëdhënie partneriteti, me qëllim plotësimin e kërkesave në mënyrë reciproke.

Arritja e progresit nuk mund të kuptohet edhe pa mbështetjen e teknologjisë së informacionit. Në këtë kuadër, kompania REUTERS ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm.

Në projektin në fjalë, percaktohen më qartë fazat në të cilat kalon procesi i zhvillimit të ankandit.

Faza e parë: Marrja e kërkesave nga bankat jo në formë fizike, por në rrugë elektronike. Kjo formë e lëvizjes së informacionit mënjanon regjistrimin manual të kërkesave, shkurton kohën për regjistrimin e tyre, rrit sigurinë dhe saktësinë e regjistrimeve, duke siguruar në fund të këtij procesi zvogëlimin e rrezikut operacional si dhe kohën e nevojshme për përpunimin e këtij informacioni.

Faza e dytë: Ministria e Financave, pas përpunimit paraprak të informacionit të dërguar nga pjesëmarrësit në tregun primar, ka mundësi që ta sigurojë këtë informacion gjithashtu, në formë elektronike. Sigurimi i këtij informacioni në këtë formë shkurton kohën e domosdoshme, që Ministria e Financave të informohet nëpërmjet lëvizjes fizike të dokumenteve.

Faza e tretë: Ministria e Financave, pas marrjes së vendimit prej saj, ka gjithashtu mundësi që ta transmetojë këtë vendim po në formë elektonike, duke kontribuar më tej në zvogëlimin e kohës për informimin e tregut lidhur me rezultatin e ankandit.

I gjithë procesi i përshkruar në tre fazat e mësipërme në kushtet aktuale kërkonte rreth 5-6 orë, ndërsa me zbatimin e këtij projekti synohet që kjo kohë të shkurtohet deri në 1 orë.

Faza e katërt: Banka e Shqipërisë, nëpërmjet REUTERS-it e shpërndan këtë rezultat në bankat e nivelit të dytë, që janë për momentin bërësit kryesorë të këtij tregu.

Marrja e informacionit të mësipërm në një kohë më të shkurtër, iu krijon më shumë mundësi bankave të nivelit të dytë për të administruar më me eficiencë fondet e tyre të lira.
Rritja e kësaj eficience është një hap më shumë në drejtim të krijimit të parakushteve për zhvillimin e tregut të parasë dhe atij të letrave me vlerë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se realizimi i projektit të sotëm i siguron tregut një element të rëndësishëm infrastrukturor. Që nga sot, tregu i letrave me vlerë do të fillojë të flasë me gjuhë elektronike.

Megjithatë, në vijim të komunikimeve tona të mëparshme, dua të shpreh se në muajin prill, Banka e Shqipërisë do të prezantojë një paketë të plotë përmirësimesh, në qendër të të cilave do të jetë zhvillimi i tregut dhe i stabilitetit financiar.

Duke shpresuar në një shfrytëzim efektiv të sistemit të ri,

Ju faleminderit!