BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp të Ministrisë së Financave me Bankën e Shqipërisë dhe FMN-së pas përfundimit të bisedimeve për rishikimin e 4-të të marrëveshjes me FMN-në

Data e publikimit: 14.11.2007

 

Të nderuar zotërinj,

Gjatë dy javëve të fundit janë zhvilluar negociata intensive me misionin e FMN-së, në lidhje me zhvillimet më të fundit në: ekonomi, inflacion, treguesit monetarë, tregun financiar, mbikëqyrjen bankare si dhe politikën monetare, të ndjekur nga Banka e Shqipërisë në pjesën e dytë të vitit 2007.

Pjesë qendrore e diskutimeve ishin edhe pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë në lidhje me zhvillimet inflacioniste në të ardhmen e afërt dhe atë pak më të largët si dhe roli që politika monetare ka në drejtim të ankorimit të këtyre pritshmërive.

Siç e kemi bërë të ditur edhe në raportin e fundit të politikës monetare, ka një zhvendosje të lehtë të normës së inflacionit mbi vlerën e sipërme të zonës së tolerancës prej 4 për qind. Bazuar në disa zhvillime aktuale të lidhura më së shumti me anën e ofertës, vlerësohet se ecuria e çmimeve të konsumit për 12 muajt në vijim mund të vazhdojë të luhatet rreth vlerave aktuale.

Nga ana e Misionit të FMN-së është vlerësuar se vendimet e fundit të Bankës së Shqipërisë për shtrëngimin e politikës monetare kanë ndihmuar në mënjanimin e efekteve të raundit të dytë si dhe në mbajtjen e pritshmërive inflacioniste, të ankoruara rreth objektivit tonë numerik, 3 për qind.

Duke u ndalur në faktorët që kanë kushtëzuar ecurinë e inflacionit do të përmendja shkurtimisht:

Ecurinë e çmimeve të produkteve bujqësore.

Është fakt i pranuar tashmë se prodhimi bujqësor vendas, veçanërisht në tremujorin e dytë dhe atë të tretë të vitit, u prek shumë nga thatësira e tejzgjatur. Po kështu, sipas sondazheve tona rezulton se varësia e prodhimit bujqësor nga karburantet dhe energjia elektrike, këto kohët e fundit është rritur shumë dhe për rrjedhim, problemet që kanë shoqëruar këto të fundit kanë dhënë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në bujqësi. Nga ana tjetër, duhet theksuar se produktet bujqësore kanë pësuar rritje edhe në tregjet ndërkombëtare, duke bërë që edhe inflacioni i importuar të jetë i pranishëm në këtë periudhë.

Krizën energjitike.

Kriza energjitike, e cila ka qenë e pranishme pothuajse gjatë gjithë vitit 2007, është shfaqur me intensitet të lartë në tremujorin e tretë të tij. Shpenzimet për sigurimin e burimeve alternative të energjisë, vlerësohet të jenë faktorë të cilët kanë ushtruar presione mbi kostot e prodhimit dhe të tregtimit të mallrave dhe të shërbimeve. Efektet negative të saj janë të natyrës së drejtpërdrejtë, ndërkohë që ato mund të jenë edhe të natyrës së tërthortë, duke nënkuptuar një kohëzgjatje të implikimeve të saj edhe në një moment të dytë.

Kërkesën në ekonomi.

Pavarësisht faktorëve të mësipërm duhet thënë se ekonomia ka vazhduar të karakterizohet nga një kërkesë në rritje, e cila nga ana e saj ushtron presion mbi çmimet e konsumit. Rritja e kërkesës për disa eksporte bazë të vendit, kushtet e favorshme monetare si dhe rritja e çmimeve të pronave të patundshme kanë krijuar një ambient inkurajues për huamarrje dhe investime. Më konkretisht, kredia për ekonominë ka vazhduar të zgjerohet me ritme të larta edhe gjatë vitit 2007. Kredia për bizneset është rritur me mbi 50% në muajin gusht duke arritur në një nivel prej 16% të PBB-së, ndërsa kredia për individët, ka vazhduar të rritet me rreth 70 % në terma vjetorë. Rritje e theksuar është evidentuar edhe në ecurinë e eksporteve, me rreth 28% për periudhën janar - gusht 2007. Zgjerimi i deficitit tregtar me 4 pikë përqindjeje në terma të PBB-së gjatë kësaj periudhe, reflekton jo vetëm rritjen e konsumit, por edhe rritjen e investimeve. Importet e mallrave kapitalë dhe të atyre të ndërmjetëm janë rritur me rreth 30 %, gjatë gjashtëmujorit të parë. Investimet e huaja direkte kanë siguruar gjithashtu, një ndihmë të konsiderueshme për aktivitetin ekonomik.

Mbështetur në supozimin se faktorët e mësipërm do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në realitetin ekonomik, dëshiroj të theksoj se akomodimi i presioneve inflacioniste në të ardhmen është kthyer në një sfidë të vërtetë, e vështirë por jo e pamundur për t'u arritur.

Duke supozuar se qeveria në të ardhmen do të vazhdojë të ndjekë politika fiskale të përgjegjshme si dhe duke besuar në një perceptim dhe reagim të përshtatshëm të tregut dhe publikut, në përgjithësi ndaj vendimeve të Bankës së Shqipërisë, ekziston mundësia që rreziqet e inflacionit të mbahen nën kontroll.

Banka e Shqipërisë duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm komunikimin me publikun, do të përcjellë në publik në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që kërcënojnë stabilitetin e çmimeve të konsumit, me qëllim ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për:

• zhvillimet inflacioniste në të ardhmen;
• balancën e rreziqeve;
• mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit prej 3%.

Dëshiroj të theksoj se politika monetare e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen e afërt do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme, mjeti kryesor për të parandaluar rreziqet afatshkurtra që kërcënojnë stabilitetin e çmimeve të konsumit. Roli i përqindjes së interesit në ekonomi do të jetë proaktiv, duke synuar mbajtjen nën kontroll të rreziqeve inflacioniste, mundësia e të cilave për t'u materializuar është e zhvendosur në kahun rritës.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve u përqendrua në stabilitetin financiar, me një theks të veçantë në stabilitetin e sistemit bankar. Duhet theksuar se gjatë vitit 2007 ka vazhduar procesi i konsolidimit të sistemit bankar, i cili vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe të operojë me fitim. Të gjithë treguesit flasin për një gjendje të shëndoshë ku do të veçoja shifrën e kredisë me probleme e cila është në nivele shumë të ulëta, vetëm 3.4 % e totalit.

Megjithatë, asnjëherë nuk më duket e tepërt që të risjell në kujtesë të publikut shqiptar në mënyrë të përsëritur, angazhimin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit dhe më gjerë. Për këtë qëllim, kohët e fundit kemi forcuar mbikëqyrjen bankare, duke i kërkuar sistemit bankar një transparencë më të madhe, qeverisje më të mirë dhe procedura kontrolli të brendshme më efikase.

Ne ndamë të njëjtin opinion me Misionin e FMN-së se prudenca në drejtim të cilësisë së portofolit të kredive është një përparësi konstante në kushtet e rritjes së pandalshme të saj. Rritja e kredisë është ende e lartë dhe burim potencial rreziku për stabilitetin makro dhe atë financiar të sektorit.

Në përfundim, përfitoj nga rasti të falenderoj zotin Bell dhe pjesëtarët e tjerë të misionit, për punën e tyre të përgjegjshme dhe të përkushtuar gjatë dy javëve të qëndrimit të Tiranë.