BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në leksionin mbi lidhjen midis transparencës dhe përqindjes së interesit, Hotel Tirana International, 22 gusht 2007

Data e publikimit: 22.08.2007

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e veçantë për mua t'ju prezantoj zotin Sylvester Eijffinger, një akademik i mirënjohur për punën e tij kërkimore mbi çështjet institucionale e praktike të bankave qendrore. Ai do të ndajë me ne sot një nga eksperiencat më të fundit të punës së tij në fushën e transparencës së politikës monetare dhe efekteve të saj mbi ekonominë.

Ky aktivitet është në vijim të leksioneve të personaliteteve të shquara nga bota e financës dhe e akademisë, pjesë e programit për rritjen e transparencës nëpërmjet edukimit të publikut. Pa dyshim, kemi të bëjmë me një iniciativë të Bankës së Shqipërisë për të dhënë kontributin e vet në gjallërimin e kërkimit shkencor dhe akademik në Shqipëri.

Dekadën e fundit është vënë re një prirje e bankave qendrore për të qenë gjithnjë e më shumë të hapura ndaj publikut, përsa i përket vendimmarrjes në fushën e politikave financiare dhe ekonomike. Transparenca është bërë një çështje e rëndësishme e politikës monetare. Temat interesante dhe në modë të studimeve akademike në fushën e politikës monetare, kanë marrë shkas nga këto ndryshime të rëndësishme që kanë ndodhur në bankingun qendror, që prej fillimit të viteve 1990.

Transparenca dhe hapja ndaj publikut u bënë të domosdoshme në kuadrin e adoptimit të inflacionit të shënjestruar, si një praktikë e mirë komunikimi me publikun dhe e përmbushjes së objektivit final të politikës monetare. Më tej, kjo praktikë u shtri edhe në bankat e tjera qendrore të vendeve me ekonomi të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Racionaliteti pas një politike të tillë, qëndron në besimin se transparenca e bankës qendrore eliminon informacionin asimetrik që ekziston ndërmjet politikëbërësve dhe agjentëve të tjerë ekonomikë. Në këtë këndvështrim, transparenca rrit qartësinë mbi politikën monetare dhe lejon sektorin privat dhe ekonominë të marrin vendime më racionale.

Rritja e transparencës së bankave qendrore ka gjetur shprehje në publikimin e objektivit të politikës monetare, të përcaktuar shpesh në formë numerike; në publikimin e raportit të inflacionit dhe të parashikimeve për inflacionin e pritshëm; përshkrimin e vendimeve të politikës monetare së bashku me analizën dhe supozimet që kanë çuar në këto vendime dhe, në raste ekstreme deri në publikimin e minutave të mbledhjeve të politikës monetare dhe rezultatin e votimeve në procesin e vendimmarrjes. Shembuj domethënës mund të gjenden në Bankën Qendrore Evropiane, Rezervën Federale, Bankën e Anglisë, Bankën Qendrore të Kanadasë, Zelandës së Re, Suedisë.

Këto tendenca tregojnë se bankierët qendrorë kanë arsye të forta të besojnë që transparenca e bankës qendrore mbart potencialin që të rrisë kredibilitetin dhe reputacionin e institucionit dhe të politikës monetare, pse jo dhe fleksibilitetin e saj. Njëkohësisht, transparenca ndihmon ekonominë për të arritur inflacion dhe norma interesi të ulta. Është shumë e rëndësishme, që ky besim i yni të investigohet nga akademia dhe kërkuesit shkencorë, të cilët të mund të ofrojnë kontributin dhe të japin konkluzionet e tyre.

Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar rëndësinë e transparencës për politikën monetare dhe ka hedhur hapa të qenësishëm për rritjen e nivelit të saj, sidomos në vitet e fundit. Më lejoni shkurtimisht të përmend disa prej këtyre përmirësimeve:

Besoj se ndani të njëjtin mendim me mua, që aktualisht procesi i vendimmarrjes në fushën e politikës monetare dhe atë të stabilitetit financiar, kanë njohur një përmirësim të dukshëm jo vetëm në drejtim të procesit analizues por edhe në këndvështrim të komunikimit të tij. Tashmë, Këshilli Mbikëqyrës ka bërë publik kalendarin e mbledhjeve të dedikuara vetëm vendimmarrjes mbi politikën monetare.

Po kështu, prej kohësh procesi i zbatimit të saj si dhe i analizës dhe propozimeve kalojnë nëpërmjet Komitetit të Zbatimit të Politikës Monetare, një organ konsultativ i cili ka rritur jo vetëm cilësinë e nalizës por ka kontribuar në një format të ri shumë bashkëkohor të komunikimit të Bankës së Shqipërisë me tregun dhe agjentët ekonomikë, në përgjithësi.

Pa dyshim që i gjithë kuadri i mësipërm kalon nëpërmjet një procesi analitik vlerësimi dhe parashikimi, që sintetizohet në raportet e politikës monetare, pjesë e të cilave janë dhe modelet e parashikimit të inflacionit si dhe supozimet bazë për ngjarjet e mundshme ekonomike mbi të cilat politika monetare duhet të reagojë.

Mund të zgjatem më tej por besoj se në daljet e mija publike, në shumë nga deklaratat për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si dhe në botimet tona periodike, kemi bërë të qartë se pjesë qendrore e transparencës së Bankës së Shqipërisë janë objektivi numerik njëshifror i inflacionit, shpegimi i kuadrit të politikës monetare si dhe i atij operacional.

Personalisht besoj se kjo përbën thelbin e transparencës së një banke qendrore. Po kështu, besoj se falë kësaj transparence të shtuar kemi qenë relativisht të suksesshëm edhe në arritjen e një objektivi tjetër madhor të çdo banke qendrore, atë të ankorimit të pritjeve inflacioniste në nivelet e programuara.

Rritja e transparencës në këto përmasa, është shprehje e qartë e detyrimit të Bankës së Shqipërisë për të qenë një institucion plotësisht i përgjegjshëm. Ne jemi të bindur se vetëm kështu do të rrisim kredibilitetin tonë, do të ruajmë dhe forcojmë besueshmërinë e publikut dhe të agjentëve ekonomikë ndaj Bankës së Shqipërisë dhe angazhimeve të saj.

Një aspekt i transparencës, të cilin dua ta theksoj në mënyrë të veçantë, është ai i të kuptuarit nga publiku të çështjeve që lidhen me bankën qendrore. Nuk mund të ketë komunikim të efektshëm pa arritur të kuptojmë reciprokisht njëri-tjetrin. Sado i gjerë e i qartë të jetë informacioni i dhënë nga banka qendrore, efektet pozitive të transparencës nuk mund të përfitohen plotësisht, nëse ky informacion nuk interpretohet drejt nga agjentët ekonomikë. Kjo është veçanërisht e domosdoshme në vendet me histori të shkurtër të funksionimit të ekonomisë së tregut, ku shkalla e përfshirjes së publikut në jetën ekonomike të vendit është ende e ulët. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë është treguar shumë agresive në drejtim të ideimit dhe të zhvillimit të programeve të shumta për edukimin e publikut. Takime të shumta me pjesëmarrësit e tregut, me komunitetin bankar e financiar, me biznesin, me akademinë, me median dhe më tej, me publikun janë organizuar rregullisht dhe ju siguroj se do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen.

Në këtë pikë, dëshiroj të theksoj se argumenti i rritjes së transparencës mbetet njësoj i vlefshëm edhe për pjesën tjetër të sistemit financiar. Transparenca, pa u bërë një qëllim në vetvete dhe pa dëmtuar arritjen e objektivave finalë të biznesit është një element i nevojshëm dhe i domosdoshëm në treg për ndërtimin e konfidencës dhe zgjerimin e marrëdhënieve të biznesit, në produkte dhe në volum duke ruajtur ekuilibrin dhe stabilitetin e sistemit financiar. Në këtë kuadër, transparenca duhet të bëhet një koncept global i tregut financiar për produktet, shërbimet dhe aksionet e ndërmarra prej tij.

Për këtë qëllim, do të kërkoja që sistemi bankar të rrisë më tej transparencën e tij me publikun, veçanërisht në drejtim të shpjegimit të thjeshtë dhe të sinqertë të produkteve që ofron, të komisioneve që aplikon pa harruar të përmend dhe publikimin në kohë dhe me cilësi të rezultateve financiare, sipas detyrimeve ligjore. Në këtë kontekst, dëshiroj të bëj me dije se Banka e Shqipërisë do të jetë rigoroze në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga respektimi i ligjeve dhe bazës rregullative.

Siç thotë miku im Eijffinger: "transparenca për njerëz të ndryshëm do të thotë koncepte të ndryshme". Kuptohet që e lë të hapur debatin si në rrafshin akademik ashtu edhe në atë praktik. Elemente të reja, tregues sasiorë, modele empirike i shtohen atij vazhdimisht. Materiali që do të prezantohet sot, shton një vlerë të re në këtë drejtim, me rëndësi praktike për bankat qendrore. Jam i bindur se sot do të kemi rastin dhe kënaqësinë të zgjerojmë njohuritë dhe të konsolidojmë besimin tonë mbi efektshmërinë e transparencës. Ju ftoj që ta ndjekim atë me vëmendje.

I nderuar Profesor Eijfinger,
unë ju falenderoj që pranuat ftesën time, për të prezantuar në Tiranë studimin tuaj, dhe ju uroj një eksperiencë të këndshme gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri.