BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2009 përpara Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, 07 Prill 2010

Data e publikimit: 07.04.2010

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Kam kënaqësinë të jem sot përpara jush për të prezantuar Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë. Ky raport, konkluzionet kryesore të të cilit do të mundohem t’i përmbledh në vijim të fjalës sime, është një analizë e plotë dhe transparente e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, si dhe një pasqyrë e punës së Bankës së Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve të saja ligjore dhe realizimin e angazhimeve tona institucionale.

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Më lejoni ta nis këtë prezantim duke bërë një përmbledhje të shkurtër të temave dhe të mesazheve kryesore të Raportit Vjetor.

Viti 2009 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, në të gjitha dimensionet e saj. Në përgjigje të krizës ekonomike e financiare botërore, gjatë këtij viti, u testuan:

  • ekuilibrat makroekonomikë të vendit;
  • qëndrueshmëria e sistemit tonë financiar;
  • modelet e biznesit dhe qëndrueshmëria financiare e sektorit privat; si dhe
  • kapacitetet analizuese dhe reaguese të politikave makroekonomike.

Në një plan më të gjerë, goditja që mori ekonomia jonë gjatë vitit 2009 vuri në provë fleksibilitetin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit dhe aftësinë e tij për t’iu përgjigjur një ambienti botëror rrënjësisht të transformuar.

Kriza botërore dha një ndikim të shpejtë në aktivitetin ekonomik në vend. Ajo u shoqërua me një reduktim të hyrjeve valutore në llogarinë korente dhe kapitale, me një ulje të menjëhershme të kërkesës së jashtme dhe me një ngadalësim të kërkesës së brendshme për mallra e shërbime.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, ritmi i rritjes ekonomike shënoi një ngadalësim progresiv gjatë vitit të shkuar, por duke mbetur gjithsesi në territor pozitiv. Ecuria e bilancit të pagesave të vendit u karakterizua nga një zhbalancim i flukseve hyrëse dhe dalëse valutore. Ky zhbalancim u reflektua në lëkundjen e raporteve të kërkesës dhe të ofertës për valutë, duke rezultuar në nënçmimin e kursit të këmbimit në përgjigje të ekuilibrave të rinj që mbizotëruan në tregun valutor. Politika fiskale e forcoi karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke mbështetur aktivitetin ekonomik në vend por duke rritur njëkohësisht presionin në tregjet financiare.

Tronditja që pësoi sistemi financiar krijoi një mjedis të vështirë për transmetimin e plotë dhe në kohë të politikës monetare. Në këto kushte sfiduese, Banka e Shqipërisë arriti të përmbushë me sukses mandatin e saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi: inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi brenda objektivit tonë prej 3 +/- 1% gjatë vitit 2009.

Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë arriti të krijojë kushtet e duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Gjithashtu, furnizimi i ekonomisë me likuiditetin e nevojshëm dhe me kosto në rënie, stabilizoi tregjet financiare dhe krijoi kushtet e duhura për mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009.

Ecuria e sistemit financiar në vend u ndikua nga lëkundja e besimit në sistemin tonë financiar gjatë gjysmës së parë të vitit dhe nga tërheqja e një pjese të depozitave prej tij. Ky zhvillim i kombinuar me një grup tjetër faktorësh, rezultoi në një mbështetje më të vogël dhe me kosto më të lartë të ekonomisë shqiptare me kredi bankare.

Ndër faktorët e tjerë do të veçonim:

  • rritjen e pasigurisë së agjentëve ekonomikë dhe shtrenjtimin e primeve të likuiditetit;
  • korrektimin e modelit të biznesit të disa segmenteve të tregut financiar;
  • rritjen e volatilitetit të kursit të këmbimit; dhe
  • reduktimin e kërkesës për kredi në gjysmën e dytë të vitit.

Lëkundja e besimit të publikut nënvizoi rëndësinë parësore të stabilitetit financiar në jetën ekonomike të vendit. Në fushën e saj të përgjegjësisë, Banka e Shqipërisë ndërmori një plan të gjerë dhe të koordinuar masash të cilat synonin ruajtjen e stabilitetit financiar në nivel sistemik dhe institucioni.

Këto masa, ndër të tjera, konsistuan në:

- rishikimin e bazës rregullatore në drejtim të shtimit të kujdesit mbikëqyrës;
- forcimin e inspektimeve në vend;
- shtimin e analizave të bilanceve në nivel individual bankash dhe sistemi; si dhe
- rritjen e bashkëpunimit me institucionet homologe vendase dhe të huaja.

Përpjekjet tona për ruajtjen e stabilitetit financiar u koordinuan edhe me autoritetet e tjera publike, ekzekutive dhe legjislative. Vlen të përmendet përmirësimi i skemës së sigurimit të depozitave të publikut dhe rritja e shkallës së garantimit të tyre nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Këto masa rezultuan të suksesshme në kufizimin e pasojave negative dhe në rivendosjen e plotë të besimit në sistemin bankar.

Si rrjedhojë e tyre, sistemi bankar shqiptar arriti të ruajë bilance të shëndetshme dhe të jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësuesit financiar dhe atë të furnizuesit të ekonomisë me instrumente pagese.

Në vijim të fjalës sime, dëshiroj të prek dhe të analizoj në mënyrë më të detajuar, çështjet e përmendura më sipër.

1. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe stabiliteti i çmimeve

(Ecuria e aktivitetit ekonomik, zhvillimet kryesore monetare, politika monetare dhe përmbushja e objektivit të inflacionit)

Në përputhje me mandatin e saj ligjor, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është hartuar dhe zbatuar në funksion të arritjes dhe të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Gjatë vitit 2009, rreziqet kryesore ndaj stabilitetit të çmimeve kanë ardhur nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, luhatja e besimit të agjentëve ekonomikë, zhbalancimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe nënçmimi i kursit të këmbimit. Pavarësisht këtyre sfidave, Banka e Shqipërisë arriti të ruajë inflacionin e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Le të shohim më në detaje elementet e prekura më sipër.

1.1 Ekonomia botërore

Konteksti ndërkombëtar, i cili shoqëroi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend gjatë vitit të shkuar, nuk ishte aspak i favorshëm. Viti 2009 u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit ekonomik botëror, si rrjedhojë e rënies ekonomike në vendet e zhvilluara dhe e ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik në vendet në zhvillim. Rritja e ekonomisë botërore shënoi vlerën e parë negative gjatë 50 viteve të fundit. Në vijim të problemeve të shfaqura së pari gjatë vitit 2008, edhe sistemi financiar botëror përjetoi një periudhë të vështirë. Vëmendja e rregullatorëve dhe e vetë institucioneve financiare u përqendrua në rregullimin e bilanceve të dëmtuara të sistemit financiar. Tkurrja e aktivitetit ekonomik dhe rritja e pasigurisë në tregjet financiare u shoqëruan me uljen e tregtisë dhe pakësimin e lëvizjes së flukseve financiare në nivel botëror. Recesioni ekonomik shkaktoi gjithashtu rritjen e papunësisë dhe uljen e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve, duke krijuar kështu një ambient me presione të ulëta inflacioniste.

Ky ambient mundësoi ndjekjen e politikave të forta stimuluese fiskale dhe monetare, në mbështetje të rritjes së kërkesës dhe të prodhimit në ekonomi.

Politikat stimuluese rezultuan të suksesshme për pjesën më të madhe të vendeve. Aktiviteti ekonomik, rritja e të cilit ishte kryesisht negative në gjysmën e parë të vitit, shënoi një përmirësim të lehtë në gjashtëmujorin e dytë. Rimëkëmbja e kërkesës në nivel botëror ndikoi në rigjallërimin e ekonomisë dhe në rritjen e tregtisë, në përmirësimin e treguesve të besimit, dhe në krijimin e pritjeve më optimiste për të ardhmen. Gjithashtu, ndërhyrja e vendosur e autoriteteve në mbështetje të sistemit financiar ndihmoi në sheshimin e tensioneve të krijuara nga kriza. Ky normalizim u reflektua në reduktimin e primeve të rrezikut, në ecurinë rënëse të normave të interesit dhe në luhatshmërinë më të moderuar të tyre. Megjithatë, rikuperimi i aktivitetit ekonomik në botë mbetet i brishtë.

Në veçanti, borxhi publik i rritur ndjeshëm si rrjedhojë e deficiteve fiskale të larta, është kthyer në vëmendjen e tregjeve financiare dhe të politikëbërësve. Aftësia e qeverive për të rifinancuar dhe shërbyer në të ardhmen këtë borxh, do të kushtëzojë primet e rrezikut në tregjet financiare dhe stabilitetin makroekonomik të vendeve të veçanta.

1.2 Rritja ekonomike dhe faktorët që kanë ndikuar në të

Integrimi në rritje i ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht i sistemit të saj financiar, bëri që kriza botërore të reflektohej që herët në vendin tonë. Kanalet kryesore të cilat ekspozuan ekonominë shqiptare ishin:

  • ulja e eksporteve;
  • rënia e remitancave dhe e hyrjeve të tjera valutore;
  • rritja e pasigurisë në institucionet financiare;
  • dhe në përgjigje të tyre, rishikimi i planeve të biznesit të pothuajse të gjithë agjentëve ekonomikë.

Ky ndikim mori formën e uljes së normave të rritjes dhe të lëkundjes së disa ekuilibrave makroekonomikë gjatë vitit 2009.

Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2009 u rrit me 4.9% në terma vjetorë. Ritmet e rritjes vjetore të tij janë karakterizuar nga një rënie progresive, nga 5.4% në tremujorin e parë, në 4.1% në tremujorin e tretë.

Të dhëna të tërthorta dhe informacione të tjera me natyrë cilësore sugjerojnë se ekonomia ka vijuar të ngadalësohet më tej edhe në tremujorin e katërt të vitit 2009. Duke mbetur në pritje të statistikave zyrtare të INSTAT-it, vlerësimet paraprake tregojnë se rritja ekonomike për vitin 2009 është luhatur rreth nivelit 3%. Ngadalësimi i rritjes së PBB-së ka reflektuar kontraktimin e aktivitetit në sektorët e industrisë dhe të ndërtimit, ndërkohë që vlera e shtuar nga sektori i shërbimeve mbeti kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike.

Duke u nisur nga rrethanat e vështira në të cilat u zhvillua aktiviteti ekonomik dhe në krahasim me përvojat e vendeve të rajonit, ruajtja në terma pozitivë e ritmit të rritjes ekonomike është një zhvillim inkurajues.

Megjithatë, ngadalësimi i saj dhe ekuilibrat e rinj makroekonomikë kërkojnë vëmendjen e duhur nga të gjithë agjentët ekonomikë në projeksionet e tyre për të ardhmen. Perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit kërkon, gjithashtu, një mbështetje më të madhe në sektorin privat, ndërkohë që ndikimi i sektorit publik në rritjen ekonomike pritet të vijë në rënie.

Të dhënat për kërkesën agregate tregojnë se ngadalësimi i konsumit privat dhe rënia e investimeve kanë qenë faktorët përcaktues në ngadalësimin e rritjes së kërkesës në vend. Eksportet neto kanë vijuar të japin kontribut negativ në kërkesën agregate gjatë vitit 2009, por në një masë më të vogël krahasuar me vitin 2008. Krahas kushteve të lehtësuara monetare, stimuli fiskal mbështeti ekonominë në gjenerimin e normave pozitive të rritjes gjatë vitit 2009. Konsumi privat është përbërësi kryesor i kërkesës agregate, me një peshë rreth 80% të PBB-së. Ritmet e ngadalësuara të rritjes së pagave, rënia e remitancave dhe tkurrja e kredisë konsumatore, ndikuan në ngadalësimin e konsumit gjatë vitit 2009.

Investimet private vlerësohen të jenë ndikuar më shumë sesa përbërësit e tjerë të kërkesës agregate nga kriza financiare dhe ekonomike botërore. Ngadalësimi i kërkesës së brendshme e të jashtme, pasiguritë lidhur me situatën ekonomike në vend dhe jashtë, si dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit kanë diktuar kontraktim të investimeve private gjatë vitit 2009.

Politika fiskale dhe treguesit fiskalë

Ngadalësimi i ekonomisë vendase ndikoi ecurinë e politikës fiskale dhe të treguesve fiskalë. Politika fiskale pati një natyrë ekspansioniste, e cila u reflektua në zgjerimin e deficitit buxhetor, veçanërisht gjatë gjysmës së parë të vitit. Deficiti buxhetor për vitin 2009 vlerësohet të jetë rreth nivelit 7% të PBB-së.

Burimet kryesore të financimit të deficitit ishin të ardhurat e privatizimeve dhe kredia sindikale, duke reduktuar nevojën për huamarrje në tregun e brendshëm.

Të ardhurat buxhetore shënuan rritje vjetore prej 2.7%, kryesisht si pasojë e rritjes së ngadaltë të të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, shpenzimet publike u rritën me rreth 8%, të udhëhequra nga ritmi i lartë i shpenzimeve korente.

Politika fiskale ekspansioniste i dha impulsin e nevojshëm aktivitetit ekonomik gjatë vitit, por ajo u shoqërua gjithashtu me rritjen e borxhit publik dhe presione në rritje mbi yield-et e letrave me vlerë të qeverisë. Zgjerimi i deficitit buxhetor rezultoi në rritjen e ndjeshme të borxhit publik, i cili në fund të vitit 2009 vlerësohet në rreth 59.5% të PBB-së. Banka e Shqipërisë gjykon se karakteri ekspansionist i politikës fiskale është i papërballueshëm në horizontin afatmesëm dhe potencialisht me pasoja negative në horizontin afatgjatë.

Në këtë drejtim, ne inkurajojmë marrjen e masave për reduktimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Një deficit buxhetor dhe një borxh publik më i ulët në horizontin afatgjatë, do të krijojnë më shumë hapësira në aksesin e fondeve nga sektori privat dhe do të rrisin besimin në stabilitetin makroekonomik të vendit. Gjithashtu, këto masa do të plotësojnë krijimin e një klime të përshtatshme për tërheqjen e kapitaleve të huaja në formën e kredive private apo të investimeve të huaja direkte.

Zhvillimet monetare dhe tregjet financiare

Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar në ekonomi është kushtëzuar nga tkurrja e burimeve financiare, luhatja e besimit në institucionet financiare dhe rënia e kërkesës për kredi bankare gjatë vitit 2009. Në fund të muajit mars, depozitat ranë në 55% të PBB-së, krahasuar me nivelin 63% të shënuar në muajin shtator 2008. Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi.

Aktiviteti bankar njohu një rikuperim të ngadaltë gjatë tre tremujorëve në vijim. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6% gjatë këtij viti, ose rreth 2 herë më pak se një vit më parë.

Rritja e masës monetare i detyrohet kryesisht rritjes së komponentit në lekë të saj, ndërkohë që kredia dhe depozitat në valutë kanë shënuar tkurrje gjatë vitit 2009. Krijimi i parasë në lekë është bazuar në huamarrjen e brendshme të sektorit fiskal dhe ruajtjen e ritmeve të kreditimit në lekë të sektorit privat.

Përveç rritjes së ndjeshmërisë së bankave ndaj treguesve të likuiditetit të tyre, huamarrja e sektorit privat gjatë vitit 2009 u zhvillua në kushtet e një sjelljeje më konservatore të bankave në kredidhënie. Siç e përmenda në fillim të fjalës sime, kjo sjellje konservatore i detyrohet edhe një kujdesi të shtuar të bankave ndaj disa produkteve bankare, të tilla si: kredia në valutë për segmente të ekonomisë të ekspozuara ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, si dhe kredia për konsum.

Në gjysmën e dytë të vitit, u vu re edhe rënia e kërkesës për kredi, e kushtëzuar nga standardet e shtrënguara të kredidhënies dhe ngadalësimi i aktivitetit ekonomik. Megjithë politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin privat pati një prirje të njëtrajtshme ngadalësimi përgjatë vitit 2009.

Norma e rritjes vjetore në fund të vitit shënoi 12%, kundrejt nivelit 33% të shënuar një vit më parë. Rritja e kredisë është mbështetur nga kërkesa e bizneseve për të financuar nevojat për likuiditet, ndërkohë që portofoli i kredisë për individë është tkurrur gjatë këtij viti.

1.3 Bilanci i pagesave dhe kursi i këmbimit

Në prani të ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe duke reflektuar situatën e vështirë të ekonomisë globale, deficiti i llogarisë korente u ngushtua me rreth 3% gjatë vitit 2009, duke qëndruar në nivelin 15.3% të PBB-së. Megjithë korrektimin e lehtë gjatë vitit, deficiti korent mbetet në nivele krahasimisht të larta dhe përbën një nga dobësitë e ekonomisë shqiptare.

Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, Banka e Shqipërisë gjykon se trajtimi me përparësi i tij do të kërkojë hartimin e politikave mbështetëse për rritjen afatgjatë të shkallës së kursimeve në vend, si dhe marrjen e masave për nxitjen e prodhimit në ato degë apo industri të cilat rezultojnë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Ngushtimi i bilancit tregtar u ndikua nga rënia e njëkohshme vjetore e eksporteve dhe importeve tona, respektivisht me 18% dhe 9%. Situata e vështirë në vendet fqinjë është reflektuar edhe në rënien e remitancave, të cilat u tkurrën me 6.5% në terma vjetorë, ndërkohë që raporti i tyre ndaj PBB-së shënoi nivelin 9%. Suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare u zvogëlua ndjeshëm gjatë vitit 2009, duke rënë me 35.6% në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ecuri u diktua në një masë të madhe nga rritja krahasimisht e ulët e investimeve të huaja direkte dhe nga reduktimi i huamarrjes së huaj private.

Ndryshe nga dy vitet e mëparshme, ku llogaria kapitale dhe financiare mbulonte mbi 100% të deficitit korent, në vitin 2009 ajo ka financuar vetëm 77% të tij. Megjithëse në rënie, hyrjet totale të valutës ishin pothuajse të mjaftueshme për të mbuluar këtë deficit gjatë vitit 2009. Rezerva valutore e vendit mbeti në të njëjtat nivele relative me ata të vitit të shkuar, duke qenë e mjaftueshme për të mbuluar 4.2 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

Tkurrja e hyrjeve valutore ushtroi presion nënçmues ndaj kursit të këmbimit, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit 2009. Në tregun e brendshëm valutor, nënçmimi mesatar vjetor i monedhës vendase ndaj euros dhe dollarit ishte përkatësisht 7.6% dhe 13.2%. Tendenca nënçmuese e kursit të këmbimit të lekut është shfaqur më e moderuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit, si pasojë e rivendosjes së një balance më të qëndrueshme midis kërkesës dhe ofertës për valutë.

Ribalancimi i kërkesës dhe ofertës i detyrohet në një masë të konsiderueshme korrektimit të bilancit tregtar dhe zbutjes së efekteve psikologjike.

1.4 Inflacioni dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Ecuria e inflacionit të çmimeve të konsumit

Çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 2.2% gjatë vitit 2009; rritje kjo e cila është brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Si pasojë e reduktimit të presioneve inflacioniste në nivel botëror, inflacioni vjetor shënoi vlera të ulëta – mesatarisht 1.8% – gjatë tremujorit të parë të vitit. Në dy tremujorët vijues, vlerat e inflacionit u stabilizuan pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë - 2.0%. Inflacioni vjetor shfaqi prirje rritëse në tremujorin e katërt, duke shënuar 2.9% në terma mesatarë dhe duke konverguar drejt objektivit për inflacionin. Norma më e lartë e inflacionit prej 3.5% u regjistrua në muajin dhjetor. Rritja e inflacionit në pjesën e fundit të vitit u shkaktua kryesisht nga përçimi më i plotë i nënçmimit të kursit të këmbimit në çmimet e konsumit, në prani të prirjes rritëse të çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe presionet e ulëta inflacioniste nga ekonomia botërore, krijuan një ambient me presione relativisht të dobëta inflacioniste. Inflacioni bazë dhe ai i mallrave të patregtueshme shënuan norma mesatare prej përkatësisht 1.3 dhe 1.6% gjatë vitit, duke dëshmuar presionet e ulëta inflacioniste të ekonomisë së brendshme. Këta faktorë balancuan efektin e nënçmimit të monedhës vendase, i cili ndikoi në rritjen e çmimeve të mallrave të importuara dhe të një pjese të produkteve të cilat indeksohen ende me kursin e këmbimit. Inflacioni i mallrave të tregtueshme – një pjesë e të cilave janë me origjinë importi dhe pjesa tjetër janë direkt nën ndikimin e çmimeve botërore - është rritur ndjeshëm në krahasim me dy vitet e mëparshme. Kontributi i tij në vlerën e inflacionit total është luhatur rreth nivelit 73% gjatë vitit 2009.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Dobësimi i aktivitetit ekonomik dhe i presioneve të brendshme inflacioniste, parashikimet tona për një inflacionin të kontrolluar në të ardhmen dhe pritjet e ankoruara të agjentëve ekonomikë, krijuan hapësira për ndjekjen e një politike monetare lehtësuese gjatë vitit 2009. Kjo politikë u materializua në dy ulje me nga 0.5 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit, në muajt janar dhe tetor 2009, të cilat e sollën normën bazë të interesit në nivelin 5.25%, si dhe në injektimin e vazhdueshëm të likuiditetit të kërkuar nga tregu dhe nga ekonomia. Nëpërmjet kësaj politike monetare të kujdesshme, Banka e Shqipërisë synoi krijimin e kushteve monetare të përshtatshme për një zhvillim të ekuilibruar dhe afatgjatë të vendit.

Uljet e normës bazë u përcollën menjëherë tek normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar, të cilat për rrjedhojë shënuan rënie dhe një luhatshmëri më të ulët nga viti i kaluar.

Nga ana tjetër, këto lëvizje nuk u përcollën të plota në sasi dhe të shpejta në kohë në normat e interesit të kredive dhe të depozitave bankare. Ashtu si dhe në të gjitha vendet e tjera, rritja e primit të likuiditetit, shtimi i pasigurisë në përgjithësi dhe përkeqësimi i rezultateve financiare të sistemit bankar, ishin faktorë amortizues të masave lehtësuese të autoritetit monetar. Megjithatë, politika jonë monetare dhe operacionet tona në tregun ndërbankar arritën me sukses të shmangnin një kontraktim të dëmshëm të bilanceve të bankave, një eksperiencë e hidhur kjo e shumë vendeve në zhvillim.

Ulja me 1.00 pikë përqindjeje e kostos së rifinancimit gjatë vitit 2009, ka mundësuar lehtësimin e barrës financiare të aktivitetit ndërmjetësues të sistemit. Banka e Shqipërisë ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme sistemin bankar me likuiditetin e nevojshëm.

Krahas uljes së normës bazë të interesit, Banka e Shqipërisë ka ndihmuar aktivitetin e sistemit bankar nëpërmjet: ndryshimit të formës së ankandit të rifinancimit, nga ankand me shumë fikse në ankand me shumë të pakufizuar; zgjatjes deri në tre muaj të afatit të maturimit të likuiditetit të injektuar; rritjes së gamës së kolateralit të pranuar në operacionet tona të rifinancimit; rritjen e shkallës së përdorimit të rezervës së detyruar; dhe uljen e normës së interesit të kredisë njëditore. Ne kemi përdorur pothuajse të gjithë gamën e instrumenteve tona për zbatimin e politikës monetare. Sasia e likuiditetit të injektuar nga Banka e Shqipërisë arriti pikën më të lartë prej rreth 40 miliardë lekësh në muajt e verës, ndërkohë që e ndikuar nga hyrjet e depozitave në sistemin bankar, kjo sasi u ul gradualisht në rreth 28 miliardë lekë në fund të vitit 2009.

2. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Zhvillimi i sistemit bankar është kushtëzuar dukshëm nga ngadalësimi i ekonomisë dhe lëkundja e besimit, aspekte këto të cilat i trajtova gjerësisht më sipër.

Si rezultat i tyre, u vu re një rritje e pasigurisë, një sensitivitet më i lartë i bankave ndaj likuiditetit, një sjellje më e kujdesshme e tyre në dhënien e kredive, si dhe një rritje e kredive me probleme. Këto janë edhe zhvillimet më të spikatura të sistemit bankar gjatë vitit 2009. Megjithëse rentabiliteti i tij erdhi në rënie, treguesit e kapitalizimit mbeten në nivele të kënaqshme. Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm, kjo në sajë edhe të përmbushjes me efektivitet të funksionit rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Duke vijuar këtë seksion, dëshiroj të zbërthej më në detaje çështjet e mësipërme.

2.1 Ecuria e sistemit bankar

Gjatë vitit 2009, sistemi bankar shqiptar ka shënuar rritje të totalit të aktiveve, por me një ritëm rreth dy herë më të ulët krahasuar me një vit më parë. Kjo ulje reflekton tërësisht ekspansionin më të ulët të aktivitetit kreditues. Sistemi jonë bankar vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë i përqendruar në aktivitetin e kredidhënies për bizneset.

Depozitat dhe kreditë e sistemit u rritën, por me një normë më të ulët se vitet e kaluara. Raporti i kredisë ndaj totalit të depozitave u rrit me gati 3 pikë përqindje gjatë vitit, duke shkuar nga 62% në 65%. Nga ana tjetër, rritja e depozitave si pasojë e rikthimit të besimit të publikut ka përmirësuar situatën e likuiditetit të sistemit bankar.

Ndërkohë, kreditë me probleme kanë pësuar rritje gjatë vitit 2009, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë dhe e nënçmimit të kursit të këmbimit. Treguesi i cilësisë së portofolit të kredisë, i shprehur si “kredi me probleme ndaj tepricës totale të kredive” u rrit në 10.48% në fund të vitit, nga 6.64% në fundin e vitit 2008.

Banka e Shqipërisë e ka monitoruar nga afër këtë situatë duke qenë e ndërgjegjshme për efektet prociklike, që mund të shkaktonin këto zhvillime në portofolin e kredisë. Nga vlerësimet dhe qëndrimi jonë proaktiv kemi konstatuar se edhe pse përkeqësimi i portofolit të kredive ka qenë në nivele të patestuara më parë, cilësia dhe mjaftueshmëria e kapitalit jo vetëm për të vijuar në tërësi operacionet bankare, por në veçanti për të mbështetur shtrirjen dhe zgjerimin në kredidhënie kanë mbetur pothuaj të paprekura. Në këtë kontekst, mund të përmendim faktin që edhe pse portofoli i huave nuk është rritur me ritmet e viteve të kaluara, ndoshta edhe për arsye të bazës së madhe përllogaritëse, por edhe si pasojë e një lloj stepjeje nga bankat për arsye prudence, përsëri rritja ka qenë e kënaqshme dhe në nivele më të larta se vendet e rajonit.

Banka e Shqipërisë, bazuar në stress test-et periodike të kryera në vazhdimësi, ka arritur të vlerësojë paraprakisht nevojat për kapital nga ana e bankave, duke mundësuar në këtë mënyrë një rritje të shpejtë të kapitalit nga ana e tyre në rastet kur ka qenë e nevojshme. Kështu, rritja e kredive me probleme është shoqëruar me rritjen e kapitalit të sistemit bankar.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar është rritur 37.7% i dominuar nga kapitali bazë, çka tregon për një kapital rregullator cilësisht të mirë dhe të qëndrueshëm. Megjithë ambientin e vështirë ekonomik dhe financiar, përshtatshmëria e nivelit të kapitalit rregullator ndaj shkallës së rreziqeve, kryesisht rrezikut të kredisë, ka mbetur përgjithësisht e kënaqshme dhe shkalla e kapitalizimit të sistemit bankar është dukshëm mbi minimumin rregullator të kërkuar nga rregulloret tona dhe praktikat ndërkombëtare.

Treguesi i efikasitetit tregon pothuaj të njëjtin nivel me fundin e vitit 2008, duke evidentuar një rritje të kujdesshme dhe të qëndrueshme të aktivitetit bankar në tërësi. Nga ana tjetër, kapitali aksioner i sistemit vlerësohet të jetë rritur 18.7% kundrejt vitit 2008. Raporti i aktiveve mbi këtë tregues ose siç njihet ndryshe ‘leva financiare’, u zvogëlua gradualisht gjatë vitit 2009.

Rënia e levës nga 11.7 në 10.4% përgjatë një viti nënkupton se sistemi është mbështetur më pak në borxh për financimin e aktiveve. Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, leva e sistemit bankar në Shqipëri vijon të mbetet e ulët duke treguar për një shkallë të ulët të praktikës huamarrëse të sistemit.

Zgjerimi i rrjetit të degëve dhe agjencive bankare në territorin e Shqipërisë vazhdoi edhe në vitin 2009, por me ritme më të ulëta në krahasim me vitet paraardhëse. Në fund të vitit që kaloi, numri i përgjithshëm i degëve dhe agjencive arriti në 530 nga 517 që ishin në fundvitin 2008. Kështu, u hapën 17 degë të reja të bankave, ndërkohë që u mbyllën 4 degë/agjenci ekzistuese. Kjo evidenton faktin që bankat dhe degët e bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri edhe gjatë vitit 2009 vazhduan me zgjerimin e aktivitetit të tyre, ndërkohë që janë treguar më të kujdesshme në investimet më me eficiencë në këtë të fundit.

2.2 Mbikëqyrja e sistemit bankar

Me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë në zbatim të funksionit të saj mbikëqyrës ka realizuar në vazhdimësi një proces më të kujdesshëm analize të thelluar dhe mbikëqyrje të zbatueshmërisë dhe respektimit të kuadrit ligjor e rregullativ për subjektet e licencuara. Kjo është realizuar nëpërmjet inspektimeve në vend, të cilat gjatë vitit 2009 kanë qenë më të shpeshta dhe më rigoroze, sidomos në drejtim të nevojave të sistemit për likuiditet. Përveç respektimit të ciklit mbikëqyrës, bankat janë kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme për fenomene që kanë përbërë shqetësim gjatë vitit, duke marrë masat përkatëse për adresimin në kohë të problemeve potenciale. Në përgjithësi, sistemi bankar ka vepruar me kujdes në kryerjen e proceseve operacionale të aktivitetit të tyre dhe në përputhje me kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë me institucione të tjera mbikëqyrëse në vend, të cilat monitorojnë aktivitete të veçanta të tregut financiar, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti i Konkurrencës. Bashkëpunimi në drejtim të mbikëqyrjes është shtrirë dhe me institucionet ndërkombëtare, homologe të Bankës së Shqipërisë. Me iniciativën e Bankës Qendrore Evropiane janë ngritur kolegje të supervizorëve për koordinimin e punës, shkëmbimin e informacionit dhe mbikëqyrjen e përbashkët të institucioneve të mëdha bankare e financiare evropiane me disa autoritete mbikëqyrëse të vendeve ku e kanë origjinën këto institucione. Në këtë kuadër jemi bërë pjesë e grupit në disa prej këtyre kolegjeve duke qenë më afër monitorimit të aktivitetit të bankave me kapital të huaj në vend.

2.3 Forcimi i kuadrit rregullator e mbikëqyrës

Forcimi i kuadrit rregullativ të mbikëqyrjes bankare ka qenë një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2009. Hartimi i rregullave të forta e të përshtatshme dhe monitorimi rigoroz i tyre përbëjnë një garanci për ruajtjen e stabilitetit financiar. Ligji “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe zbatimi në vazhdimësi i objektivave afatmesme dhe afatgjata të Bankës së Shqipërisë, konsolidoi punën për rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës për përputhshmërinë me dispozitat e ligjit, ndërthurjen me zbatimin e parimeve të rishikuara të Komitetit të Bazelit për një mbikëqyrje efektive dhe koncepteve të reja të Akordit të Ri të Kapitalit, direktivave të Këshillit Evropian dhe praktikave më të mira në fushën e rregullimit e mbikëqyrjes së institucioneve financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2009 finalizoi hartimin e disa rregulloreve të reja dhe njohu ndryshime në disa rregullore të tjera të mbikëqyrjes bankare.

Ky proces ka synuar t’i paraprijë parandalimit të fenomeneve negative të sistemit dhe shpesh ka marrë shtysë nga zhvillimet në tregjet financiare botërore, në veçanti nga kriza e fundit financiare. Objektiv kryesor mbetet përshtatja e praktikave më të mira: në fushën e kontrollit të brendshëm; për një drejtim të përgjegjshëm dhe efektiv; në forcimin e kapaciteteve të administrimit të rreziqeve dhe në rritjen e nivelit të transparencës së bankave me klientelën dhe publikun. Për këtë të fundit, është kërkuar rritje e hapjes dhe e komunikimit të sistemit bankar ndaj klientelës në momentin e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve, në prezantimin e fushatave promocionale për produkte të reja dhe informimin e gjendjes reale financiare dhe të profilit të rrezikut të tyre.

3. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

U ndala në detaje në përshkrimin dhe analizën e dy aspekteve të punës së Bankës së Shqipërisë, asaj të hartimit dhe zbatimit të politikës monetare dhe të mbikëqyrjes bankare duke qenë se janë funksione kryesore të institucionit që unë drejtoj dhe kanë një natyrë më të prekshme për publikun. Megjithatë, më lejoni të përmend edhe disa aspekte të tjera të punës së Bankës së Shqipërisë të cilat ndihmojnë zhvillimin e sistemit financiar dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Në këtë kuadër dua të rendis: zhvillimin e sistemit të pagesave; mbështetjen e procesit të integrimit evropian; përmirësimin e komunikimit të bankës me publikun; zhvillimin e statistikave monetare dhe të bilancit të pagesave; si dhe rritjen e kapaciteteve studimore e kërkimore.

3.1 Sistemi i pagesave

Gjatë vitit 2009, sistemet e pagesave kanë reflektuar siguri dhe eficiencë. Mesatarisht, në sistemin AIPS janë procesuar dhe shlyer çdo ditë rreth 225 transaksione me një qarkullim mesatar ditor prej 19 miliardë lekësh. Ky është sistemi i pagesave me vlera të mëdha në kohë reale, i cili administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe pjesëmarrëse të të cilit janë të gjitha bankat e licencuara në vend. Vlera totale e likuiditeteve të shlyera në sistemin AIPS gjatë vitit 2009, rezulton të jetë rreth 4.3 herë më e madhe se vlera e produktit të brendshëm bruto. Krahas këtij sistemi, pranë Bankës së Shqipërisë funksionon dhe sistemi AECH, i cili proceson dhe kleron pagesa të klientëve me vlerë të vogël. Mesatarisht, në këtë sistem janë procesuar çdo ditë rreth 413 pagesa, me një vlerë mesatare ditore prej 62.3 milionë lekësh.

Viti 2009 ka shënuar dhe një zgjerim të instrumenteve të pagesave të përdorura nga publiku duke reflektuar shtimin e përdorimit të rrjetit bankar nga individët dhe rritjen e besimit tek sistemi bankar.

Kartat e debitit apo kreditit janë një nga këto instrumente të cilat po gjejnë përdorim në rritje në Shqipëri. Në vitin 2009, vihet re një rritje prej 11% e numrit të kartave në qarkullim, krahasuar me fundin e vitit 2008. Nga ana tjetër, numri i pajisjeve ATM dhe POS për përdorimin e kartave është rritur, përkatësisht me 15 dhe 48%, krahasuar me numrin e tyre në fund të vitit 2008. Megjithatë, evidentohet se nga totali i transaksioneve, rreth 96% e përbëjnë tërheqjet cash nga ATM, tregues ky i një ekonomie me përdorim të lartë të cash-it.

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e një sistemi pagesash eficient dhe të sigurt është një nga përparësitë e punës së Bankës së Shqipërisë. Një sistem efektiv dhe i zhvilluar pagesash mbështet mirëfunksionimin e tregjeve financiare dhe i shërben forcimit të stabilitetit financiar në vend. Drejtimet kryesore ku është fokusuar puna gjatë vitit 2009, janë: forcimi i kuadrit ligjor në funksion të rolit mbikëqyrës për sistemet e pagesave; dhe përmirësimi dhe nxitja e ndryshimeve në sistemin kombëtar të pagesave në funksion të rolit reformator për sistemet e pagesave.

Në lidhje me objektivin e parë, Banka e Shqipërisë është pranë finalizimit të projektligjit “Për sistemet e pagesave në Republikën e Shqipërisë” i cili synon të rregullojë, të mbikëqyrë dhe të mbrojë sistemet e pagesave. Në lidhje me objektivin e dytë, Banka e Shqipërisë ka qenë bashkërealizuese e projekteve që synojnë ofrimin e infrastrukturës teknike dhe rregullative për ngritjen e platformave të pagesave si dhe në projekte të cilat synojnë reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi.

3.2 Mbështetja e proceseve integruese

Banka e Shqipërisë, si banka qendrore e vendit, ka një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Në përputhje me procesin e zbatimit të MSA-së, Banka e Shqipërisë ka kontribuar në rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) për vitet 2009 – 2014, duke identifikuar dhe përditësuar përparësitë dhe masat e marra në fushat e stabilitetit makroekonomik, lëvizjes së lirë të kapitalit, lirisë së vendosjes si dhe lirisë për të ofruar shërbime dhe gjithashtu duke parashikuar nismat ligjore, aktivitetet zbatuese, asistencën e nevojshme teknike si dhe kostot e pritshme gjatë procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me acquis communautaire. Ajo ka mbajtur kontakte të rregullta me Ministrinë e Integrimit Evropian, duke i përcjellë raporte mujore të progresit, të cilat pasqyrojnë arritjet në drejtim të realizimit të masave ligjore dhe aktiviteteve zbatuese dhe një përshkrim të shkallës së përputhshmërisë të akteve juridike të miratuara nga Banka e Shqipërisë me acquis communautaire.

3.3 Komunikimi me publikun dhe transparenca institucionale

Banka e Shqipërisë, ndër vite, i ka kushtuar një vëmendje në rritje komunikimit me publikun. Kjo nuk është bërë vetëm në kuadër të rritjes së transparencës, si një shtyllë institucionale e rëndësishme e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë, por edhe në funksion të rritjes së eficiencës së veprimeve të saj. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë njeh dhe adreson rëndësinë që ka një publik i mirinformuar dhe i miredukuar në transmetimin e politikës monetare në ekonomi, nëpërmjet marrjes në kohë të vendimeve të drejta dhe racionale.

Në këtë kuadër, gjatë vitit 2009, veprimtaria në fushën e edukimit financiar të publikut është thelluar më tej, nëpërmjet rritjes cilësore dhe shtrirjes më të madhe gjeografike. Në qendër të trajnimeve dhe aktiviteteve edukuese kanë qenë studentët, mësuesit dhe nxënësit e shkollave të mesme.

Gjithashtu, në fokus të punës sonë edukative kanë vazhduar të jenë edhe gazetarët dhe mediat, si aktorë të rëndësishëm në ndërmjetësimin e dialogut mes Bankës së Shqipërisë dhe publikut të gjerë. Në të njëjtën kohë, botimet tona edukative janë shtuar në numër dhe larmishmëri, duke adresuar më mirë grupe të ndryshme të interesit. Së fundi, ridizenjimi i faqes së internetit të Bankës së Shqipërisë në fillim të vitit 2009 ofron tashmë një portal më eficient të dhënies të informacionit, të riorganizuar dhe përshtatur për gruppërdorues të ndryshëm.

3.4 Përmirësimi i statistikave në Bankën e Shqipërisë

Hartimi i politikave ekonomike e monetare nuk mund të kuptohet pa mbështetjen në shifra dhe statistika të besueshme dhe në kohë. Banka e Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm në sistemin statistikor kombëtar, si institucioni përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave monetare dhe statistikave të sektorit të jashtëm.

Në kryerjen e funksioneve të saj statistikore, Banka e Shqipërisë udhëhiqet nga parimet bazë të statistikave zyrtare në Republikën e Shqipërisë, që janë: paanshmëria, besueshmëria, pavarësia profesionale, përkatësia, kosto-efektiviteti, konfidencialiteti statistikor dhe transparenca. Gjatë vitit 2009, Banka e Shqipërisë ka vijuar të hartojë dhe të shpërndajë statistika monetare dhe statistika të sektorit të jashtëm, duke u kujdesur të përmirësojë shërbimin statistikor në të gjitha përmasat e tij. Ky angazhim ka synuar të arrijë përafrimin e metodologjisë me rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, rritjen e cilësisë së të dhënave nëpërmjet përmirësimit dhe informatizimit të proceseve të kontrollit, si dhe rritjen e numrit të treguesve të publikuar dhe detajimin e treguesve të përbërë.

3.5 Forcimi i kapaciteteve studimore dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë, prej disa vitesh i ka kushtuar vëmendje dhe energji të veçantë rritjes së kapaciteteve kërkimore në fushën e ekonomisë dhe të financës, nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore, modernizimit të infrastrukturës teknike kërkuese dhe krijimit të urave për shkëmbimin e përvojës dhe njohurive me institucione e autoritete në fushën kërkimore. Disa nga aspektet kryesore ku është përqendruar kërkimi gjatë vitit 2009 janë: parashikimet dhe zhvillimi i modeleve ekonometrike; analizimi i kanaleve të transmetimit të politikës monetare; aspekte të sektorit të jashtëm; të stabilitetit financiar; të rritjes ekonomike etj. Tashmë, studimi i fenomeneve të ndryshme ekonomike mbështetet në modele të plota apo të pjesshme ekonometrike, të cilat mundësojnë nxjerrjen e konkluzioneve dhe parashikimeve të besueshme. Sfida jonë e brendshme në të ardhmen do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i këtyre modeleve dhe përdorimi në rritje i tyre në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.

***

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të theksoj se pasqyrat financiare dhe bilanci i Bankës së Shqipërisë për vitin 2009 janë depozituar pranë jush, sipas kërkesave ligjore. I gjithë aktiviteti financiar i Bankës së Shqipërisë për vitin 2009 është certifikuar nga shoqëri prestigjioze të ekspertëve kontabël.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, jam i hapur për çdo pyetje, koment apo sugjerim lidhur me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2009 e në vazhdim.