BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në promovimin e Fondit Evropian të Evropës Juglindore, Hotel "Tirana International", Tiranë, 6 mars 2007

Data e publikimit: 06.03.2007

 

I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar z. Ministër i Financave,
I nderuar z. Glaubitt,
Të nderuar miq,

1. Kam kënaqësinë të jem sot i ftuari juaj në rastin e lancimit të Fondit Evropian për Evropën Juglindore. Vlerësoj se iniciativa që prezantohet sot në sistemin financiar shqiptar është një zhvillim i spikatur, jo vetëm për potencialin financiar që kjo përfaqëson, por veçanërisht për sinjalet që sjell në tregun financiar shqiptar.

2. Është bërë pothuajse e pashmangshme hapja e çdo fjale, me një përshkrim të shkurtër të situatës ekonomike dhe të tregjeve. Ju ftoj ta interpretoni këtë si një mundësi për kuptuar vizionin tonë për të ardhmen e ekonomisë dhe sistemit financiar.

3. Parë nga këndvështrimi i përgjithshëm, shkurtimisht do të evidentoja se: inflacioni është nën kontroll, po kështu edhe pritjet inflacioniste; ekonomia rritet në mënyrë të qëndrueshme; konfidenca e biznesit është në rritje. Tregjet financiare mbeten të qeta, të rregulluara dhe fitimprurëse. Më vjen mirë të konstatoj se përveç kontributit të faktorëve të tjerë, Banka e Shqipërisë, me politikat e saj të kujdesshme të ndërmarra gjatë vitit 2006, ka luajtur një rol kyç në krijimin e këtij ambienti.

4. Faktorët globalë kanë rritur interesin për zhvillimet e ekonomisë shqiptare, me fokus të veçantë politikat makroekonomike dhe të zhvillimit. Zhvillimet e tregjeve globale kanë ushtruar presione mbi ekonominë tonë, që pritet të rriten në të ardhmen. Banka e Shqipërisë po i kushton një vëmendje të veçantë konsideratave dhe sinjaleve që vijnë nga këto tregje, dhe e fton komunitetin e biznesit të bëjë të njëjtën gjë. Hyrja e lojtarëve të huaj, duhet të nxisë biznesin vendas për të ridimensionuar apo për të gjetur vendin e tij në zhvillimin e tregut në përgjithësi dhe të atij financiar në veçanti.

5. Gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë e mbështetur edhe nga komuniteti i biznesit, i ka kushtuar kujdes dhe interes të veçantë zhvillimit të sistemit financiar në vend. Po t'ju pyesja sot "nëse kemi qenë të suksesshëm", përgjigja do të ishte "natyrisht që po!". Është e vërtetë që kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt një sistemi bankar modern dhe faktet flasin vetë: kemi 17 banka, të gjitha private; rritje dhe fitime të qëndrueshme; lojtarë të mëdhenj evropianë; produkte të reja dhe përqasje moderne; konsolidim; konkurrencë të arsyeshme dhe së fundi, edhe një ligj të ri shumë bashkëkohor për sistemin bankar.

6. Nga ky këndvështrim, dikush mund të thotë se tranzicioni drejt një sistemi financiar modern po i afrohet fundit. Megjithatë, më lejoni që të mos jem plotësisht dakord me këtë mendim. Mos harroni se ajo për çfarë fola më lart përbën një segment të rëndësishëm por të vetëm, të sistemit financiar. Është në interesin e ekonomisë, të sektorit privat, të individëve dhe natyrisht tonin si Autoritet Monetar, të nxisim zhvillimin e të gjithë sistemit financiar. Gjykoj se sistemi financiar është ende i pamjaftueshëm, për të përmbushur rolin e tij, në kontekst të zhvillimit ekonomiko - financiar të vendit.

7. Nga ky konstatim nuk do të shmangia as sistemin bankar. Fitimet e larta dhe të qëndrueshme, kanë thelluar më tej koncentrimin e sistemit bankar dhe të investimeve në një segment të tregut financiar. Një tendencë e tillë, mund të ndikojë stabilitetin financiar, përmes një përqendrimi të padëshiruar të kapitaleve financiare e njerëzore dhe të aftësive manaxheriale, në një segment të kufizuar të tregut financiar. Për më tepër, këto rreziqe mund të shtohen nga rritja e konkurrencës së papërgjegjshme për fitime dhe pjesë tregu që vjen me përqendrimin dhe problemet e spekulimeve të pamoralshme.

8. Prezantimi i skemës së sotme, përveç se thekson konfidencën në politikat tona të zhvillimit, po ndihmon njëkohësisht për shtresëzimin e sistemit financiar dhe mbushjen e hapësirave boshe të tregut financiar, duke thënë një fakt të pakundërshtueshëm: se ka vend për t'u rritur dhe fuqizuar edhe në ato segmente, që nuk duken lukrative. Ky është një sinjal domethënës për sipërmarrjet e vogla që kanë ambicie të mëdha.

9. Këto zhvillime duhet të na ndihmojnë për të kuptuar potencialin e vërtetë të ekonomisë shqiptare dhe duhen kuptuar nga të gjithë pjesëmarrësit si të tilla. Për më tepër, ata duhet të kuptojnë se të tilla hyrje, do t`i bëjnë më të qartë rregullat e pjesëmarrjes në treg. Ato përcaktojnë standardet për sasinë dhe cilësinë e kapitaleve financiare e atyre njerëzore, që e shndërrojnë një kompani në një pjesëmarrës legjitim, në tregun financiar. Kërkesat e kohës imponojnë domosdoshmërinë për të ndërtuar kapacitete të ngjashme me hyrësit e rinj, në të kundërt tregu nuk do të tolerojë.

10. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë do të jetë vigjilente për të shmangur çdo pasojë negative që mund të rrjedhë nga moskuptimi në kohë i zhvillimeve aktuale dhe i atyre të pritshme. Në konceptin tonë, të gjithë pjesëmarrësit në sistem sado të vegjël qofshin, duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale. Moskuptimi i kësaj filozofie të re, do të ishte i patolerueshëm, me pasoja për stabilitetin financiar, sepse stabiliteti financiar funksionon si një i tërë. Këto zhvillime, imponojnë adoptimin e standardeve më bashkëkohore edhe për ne, si autoritet monetar e mbikëqyrës. Pjesëmarrësit e rinj vijnë jo vetëm si rezultat i politikave të mira makroekonomike, por kërkojnë që ne të krijojmë një treg i cili të jetë i aftë të akomodojë biznesin e tyre si në krahun e aktiveve ashtu edhe në atë të detyrimeve.

11. Në përgjigje të këtyre sfidave, Banka e Shqipërisë synon hartimin e më pas zbatimin e një strategjie afatmesme për zhvillimin, licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare bankare. Objektivat kryesorë të kësaj strategjie do të jenë: adoptimi dhe përdorimi në praktikë i standardeve të mbikëqyrjes që burojnë nga Akordi Basel II; adoptimi i praktikave më konservatore në drejtim të licencimit sipas parimit: selektiv në drejtim të kualitetit; nxitja e pandërprerë e konsolidimit të sistemit bankar kryesisht nëpërmjet proceseve të shkrirjes dhe thithjes; adoptimi i përqasjeve teorike dhe praktike të vendosjes hapësinore në shërbime dhe produkte për të zhvilluar të gjitha segmentet e tregut financiar. Me këtë të fundit, synojmë të krijojmë stimujt e duhur që menaxherët dhe drejtuesit, ta shtrijnë biznesin e tyre në ato segmente të tregut, në të cilat ndodhen aktualisht duke ndihmuar kështu në zhvillimin e plotë të tyre. Duke përfituar nga kjo mundësi, do t'i ftoja të gjitha institucionet financiare ekzistuese që të rriten, të zhvillohen dhe të bëhen aktive brenda segmenteve të tregut ku ato operojnë.

12. Në të kundërt, ato duhet të kërkojnë ato hapësira të tregut ku japin dhe produktivitetin maksimal nisur nga kapitali financiar dhe njerëzor si dhe produktet që zotërojnë. Banka e Shqipërisë e synon shtresëzimin dhe segmentimin e tregut në produkte jo për modë, por si një parakusht e domosdoshmëri:

Së pari, për të lehtësuar politikën monetare, nëpërmjet perfeksionimit të mekanizmit të transmetimit monetar.

Së dyti, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

13. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë hyrje të re si një premisë për zhvillimin dhe gjallërimin e tregut të parasë dhe atij të kapitaleve. Më lejoni ta shpjegoj këtë më gjerësisht. Fondi që sot vihet në dispozicion të kësaj skeme është i konsiderueshëm. Megjithatë, ana më pozitive qëndron në faktin se këto fonde shtesë për ekonominë do të shkojnë në prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në segmente të tregut që deri më tani nuk kanë pasur akses në infrastrukturën financiare.

14. Kjo është veçanërisht e vërtetë për bizneset e vogla në komunitetet lokale dhe zonat rurale, për të cilat bankat e mëdha universale nuk janë partnerët perfektë. Për më tepër, tregu financiar pasurohet me një instrument të ri, i cili do të jetë një alternativë e re investimi për të gjithë agjentët ekonomikë të interesuar, qofshin individë, organizata apo biznese.

15. Orientimi drejt sipërmarrjeve të vogla dhe shumë të vogla, siguron një kuptim të mirë dhe të specializuar të nevojave financiare të këtyre aktiviteteve. Sipërmarrjet e vogla e shumë të vogla, përbëjnë një element shumë të rëndësishëm të infrastrukturës ekonomike, rritjes së punësimit dhe të të ardhurave, veçanërisht për sektorin e bujqësisë dhe për komunitetet lokale. Pa dyshim, kjo nismë e re do të ketë efekte pozitive edhe në planin social të këtyre segmenteve.

16. Nga ky këndvështrim, prezantimi i Fondit Evropian për Evropën Juglindore është një element i ri, i cili do të shërbejë si katalizator për një sërë ndryshimesh dhe mundësish të reja, në përputhje me kërkesat e një tregu modern, të aftë për të mbështetur zhvillimin perspektiv të vendit. Shtrirja e tij në të gjithë rajonin tonë, do të mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të kooperimit rajonal dhe do t'i hapë rrugën edhe depërtimit të nismave të tjera rajonale.

17. Jeni të mirëpritur dhe do të gjeni bashkëpunimin tonë të plotë, për aktivitetin tuaj në zhvillimin e tregut dhe iniciativës së lirë të agjentëve ekonomikë shqiptarë. Ju uroj suksese në punën tuaj!