BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në seminarin e nivelit të lartë “Evropa Juglindore: Parakushtet për Reforma”, organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit

Data e publikimit: 14.06.2012

 

I nderuar z. Ministër,

Te nderuar kolegë Guvernatorë,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe interesin për të ndarë së bashku opinionet mbi një çështje shumë të rëndësishme për të gjithë ne, atë të reformave dhe politikave ekonomike që duhet të ndërmarrin vendet e rajonit në kushtet kur situata në Evropë, partnerin tonë kryesor është e paqartë.

Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e Universiteti të Oksfordit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët kanë punuar ngushtësisht me Bankën e Shqipërisë për organizimin e kësaj konference. Ky aktivitet është vazhdimi i punës së përbashkët studimore me Universitetin e Oksfordit kushtuar çështjes së konkurrueshmërisë të ekonomisë shqiptare në aspektin rajonal e global, thithjen e investimeve të huaja dhe qëndrueshmërisë makro-financiare të saj.

copy of dsc3804 4920 0

Të nderuar pjesëmarrës!

Viti i kaluar dhe pjesa e parë e këtij vitit treguan që kriza në Eurozonë ka kaluar në gjendjen e saj më akute. Vlerësohet se në qendër të saj vërtiten në një rreth vicioz rreziku i borxhit sovran, aftësia e kufizuar e sistemit financiar për të absorbuar këtë rrezik dhe ngadalësimi i vazhdueshëm i aktivitetit ekonomik. Në kushtet e një procesi të tërheqjes së shpejtë apo siç njihet ndryshe deleveraging ndaj ekspozimit të borxhit përkundrejt sektorit privat dhe atij publik, janë shtuar shumë shqetësimet në lidhje me financimin e borxhin publik, koston dhe qëndrueshmërinë e tij. Ky fenomen përbën një shqetësim jo vetëm në periudhën afatshkurtër por edhe në atë afatgjatë dhe për më tepër ai është shtrirë në një grup vendesh anëtare të Eurozonës.

Zhvillimet e viteve të fundit si në ekonominë globale dhe veçanërisht në atë Evropiane janë mjaft të rëndësishme për vendet e rajonit tonë, po aq të rëndësishme sa janë edhe për vetë Evropën. Diskutimet e përditshme të politikanëve, të politikëbërësve, bankës qendrore, analistëve e publikut kanë në qendër të vëmendjes ndikimet e drejtpërdrejta që kjo situatë ka mbi buxhetet personale të biznesit dhe të ekonomisë në përgjithësi. Përqendrimi i drejtë për drejtë afatshkurtër justifikohet si nga problematika me të cilën përballen ekonomitë tona, ashtu edhe nga fakti se Eurozona është partneri ynë kryesor. Fokusi dhe situata problematike afatshkurtër e kanë larguar vëmendjen nga politikat dhe reformat afatgjata.

Është një fakt i pakundërshtueshëm se kriza globale u kuptua dhe u interpretua me një intonacion “kreshendo”. Që nga goditja e parë, kriza u perceptua dhe u shpjegua pak e nga pak dhe pjesërisht duke u shndërruar nga një krizë e tregut të shtëpive, në krizën më të thellë globale që prej Depresionit të Madh. E tillë erdhi edhe përgjigja ndaj saj edhe mësimet e nxjerra prej saj. Mënyra dhe forca e reagimi ndaj krizës ndryshoi nga një vend në tjetrin. Ekonomitë që i ruanin të freskëta kujtimet e krizave financiare reaguan shpejtë dhe më fuqishëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për publikun dhe biznesin në këto ekonomi. Gjithashtu edhe ekonomitë të cilat gëzonin një pozicion fiskal të favorshëm e përballuan krizën pa dëmtuar qëndrueshmërinë fiskale afatgjatë. Situata dukej pak me komplekse në disa nga ekonomitë e zhvilluara evropiane. Duke kërkuar gjetjen e balancës ndërmjet delevereaging dhe konsolidimit fiskal, autoritetet e Eurozonës kërkuan ngritjen e një muri mbrojtës ndaj zjarrit që mund të vinte nga jashtë saj. Por siç u vu re, ky zjarr kishte rënë dhe po përhapej brenda mureve të Eurozonës, dhe rrjedhimisht krijimi i këtij “muri mbrojtës ndaj zjarrit’’ nuk kishte më kuptim. Bashkimi Evropian dhe strukturat institucionale të tij, së bashku me partnerët dhe institucionet financiare ndërkombëtare, po ndërmarrin një sërë reformash për të shuar këtë “zjarr”. Megjithatë mbetet ende e paqartë sa do të zgjasë kjo “agoni” ashtu sikurse edhe ndikimi i saj në Eurozonë dhe në partnerët e saj.

Ezaurimi i stimujve të politikës fiskale e asaj monetare nuk mundi të sjellë rritjen e aktivitetit ekonomik, e për më tepër përkeqësoi situatën e borxhit sovran e stabilitetin financiar. Rrjedhimisht shqetësimit mbi rritjen ekonomike ju shtuan problematikat e qëndrueshmërisë së borxhit sovran dhe kredibilitetit të sistemi bankar.

Çështja që shtrohet sot për shumë vende ka formën e një zgjedhjeje të kushtëzuar që vendos stabilitetin përballë sovranitetit. Aktualisht, stabiliteti dhe sovraniteti janë gërshetuar në një marrëdhënie endogjene (me një ndikim të ndërsjellë te njeri- tjetri), në të cilën nevoja multi- dimensionale për stabilitet (që nënkupton ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, të stabilitetit makroekonomik, të stabilitetit financiar dhe atij fiskal) kërkon marrjen e masave balancuese. Këto masa kanë një kosto të konsiderueshme shoqërore në afatin e shkurtër. Pakënaqësia shoqërore ndaj tyre dhe qeverive që i propozojnë ato gërryen kredibilitetin e reformave dhe të autoriteteve, duke rritur njëkohësisht edhe rrezikun e borxhit sovran.

Eurozona, dhe veçanërisht anëtarët e saj jugorë, përballen me një problematikë, zgjidhja e të cilës mbart pasoja që kanë implikime ekonomike e politike për të ardhmen e të gjithë vendeve anëtare dhe monedhës së përbashkët. Reformat e ndërmarra dhe politikat e ndjekura nga autoritetet e Eurozonës individualisht apo në grup kanë implikime të rëndësishme dhe të drejtë për drejta për ekonomitë tona.

Eksperienca e deritanishme ka treguar se partnerët tanë dhe bankat e mëdha të tyre kanë adaptuar një sjellje që maksimizon përfitimet e tyre si “pronarë”. Rrjedhimisht edhe vendimmarrja e tyre është kushtëzuar krejtësisht prej frikës së humbjes së stabilitetit dhe sovranitetit, që shoqëron problemet aktuale të ekonomisë dhe bankës mëmë. Kjo i ka shtyrë këto vende të marrin masa të njëanshme kundrejt ekonomive tona, duke i trajtuar investimet në vendet tona me rrezik 100 %. Kjo vendimmarrje që lidhet në mënyrë të drejtë për drejtë me ngjarjet brenda Eurozonës, praktikisht ka transferuar problematikën e stabilitetit përkundrejt sovranitetit në ekonomitë tona. Këto politika përbëjnë një fenomen negativ, i cili është në kundërshtim me rolin pozitiv dhe stabilizues që partnerët tanë kanë luajtur deri më tani në shoqëritë dhe ekonomitë e Evropës Juglindore.


Vendet e rajonit tonë kanë ndërmarrë gjatë këtyre 20 viteve të fundit, reforma të shumta strukturore politike e ekonomike me qëllim konsolidimin e një shteti demokratik, shtet i së drejtës i bazuar në parimet e ekonomisë së tregut të mbështetur në një sistem financiar të konsoliduar.

Këto reforma kanë rritur kredibilitetin dhe pavarësinë e institucioneve shtetërore dhe, veçanërisht, rolin dhe pavarësinë e bankës qendrore. Ato nuk janë udhëhequr nga dëshira dhe synimi për të hyrë në Evropë, por për të ndërtuar një shoqëri të ngjashme me atë evropiane. Duke realizuar konvergjencën ekonomiko-politike të këtyre vendeve, pa dyshim edhe atë sociale, secili nga vendet tona shpreson të shndërrohet në një partner të denjë për Evropën e zhvilluar dhe të adaptojë euron si faza finale e këtij transformimi. Në këtë këndvështrim, procesi i integrimit evropian dhe Komisioni Evropian dhe euro u bënë ankora të jashtme tepër e fuqishme për secilin nga vendet e EJL-së.

Zhvillimet e aktuale kanë bërë që roli ankorues i Bashkimit Evropian dhe euros të zbehet. Rrjedhimisht, në të ardhmen Komisioni Evropian dhe të gjithë autoritetet vendimmarrëse evropiane duhet t’u kushtojnë vëmendje më të madhe karakteristikave të vendeve dhe rajoneve që synojnë të anëtarësohen, dhe të kenë një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet kombëtare të tyre.

Megjithatë, është shumë e rëndësishme të theksoj një fakt të dukshëm e të pakundërshtueshëm për të gjithë: ankorat e jashtme nuk mund të mbështesin stabilitetin afatgjatë, nëse mungojnë ankorat e brendshme. Situata aktuale në Evropë tregon se procesi i integrimit nuk është një ankorë e mjaftueshme qoftë brenda apo jashtë eurozonës për aq kohë sa zgjedhjet ekonomike e politike të brendshme nuk janë të qëndrueshme në afatin e gjatë. 

Ky përfundim thekson rolin dhe rëndësinë e ankorave të brendshme si garantuese të qëndrueshmërisë makro-financiare dhe vazhdimit të reformave strukturore që i kanë sjellë ekonomitë tona deri në këtë pikë. Këto ankorajanë argumente të forta në duart e publikut të gjerë për të ushtruar presion ndaj institucioneve të shtetit dhe për të hartuar dhe zbatuar politika që garantojnë stabilitet dhe sovranitet afatgjatë. Fatkeqësisht, siç e theksova edhe më lart, aktualisht këto ankora rrezikohen pikërisht nga faktorët e brendshëm. Të nxitur nga  përfitimet e perceptuara afat shkurtra përkundrejt kostove reale, që mbart procesi i korrektimit, publiku, biznesi, sindikatat dhe grupet e interesit kërkojnë koncesione afatshkurtra nga institucionet, veçanërisht nga banka qendrore. Duke arsyetuar mbi përfitimet, ato kërkojnë zhvendosjen e fokusit nga objektivat dhe instrumentet tradicionale për të cilat institucionet janë mandatuar. Këto përfitime, të perceptuara në afatin e shkurtër, në dukje kanë potencialin që të ofrojnë një zgjidhje të drejtë dhe morale mbi çështjen e sovranitetit përkundrejt stabilitetit, por mbartin rrezikun që të shkaktojnë humbjen e të dyjave në afatin e gjatë.

Faktorët politikë e institucionalë nuk kanë trajtuar ende disa problematika të rëndësishme të identifikuara nga Banka e Shqipërisë si shkaktare të problemeve të stabilitetit financiar dhe frenuese të rritjes ekonomike në Shqipëri. Bëhet fjalë për ekzekutimin e kolateralit, uljen e rrezikut të perceptuar që vjen nga situata e rënduar politike dhe mungesa e frymës së konsensusit, ngadalësimi i reformave të kërkuara nga Komisioni Evropian dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, ashpërsia e luftës politike dhe përdorimi i ekonomisë dhe i situatës për përfitime politike.

Së fundi Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare mbetet nën presionin e zhvillimeve në tregjet e vendeve partnere dhe politikave të tyre ekonomike e financiare. Masat e vendeve partnere për të rritur besimin në sistemet e tyre financiare dhe për të rregulluar zhbalancimet makro-financiare e bëjnë të vështirë transmetimin e politikës monetare në ekonomi. Ato e shqetësojnë publikun dhe ulin besimin e tij në të ardhmen. Janë pikërisht këto arsye që e pengojnë sistemin bankar të financojë ekonominë dhe qeverinë me norma më të ulëta interesi e, rrjedhimisht, përçimin e politikës monetare të bankës qendrore në lehtësimin e kushteve monetare e financiare.

Ajo që ndodh aktualisht përfaqëson një rritje të primit të rrezikut në vendet e rajonit për të gjithë shkaqet e përmendura më sipër dhe jo një rritje të normave reale te interesit. Pra, në përfundim dëshiroj të sqaroj se bankat qendrore duhet të bëjnë gjithçka për të ruajtur ekuilibrat e brishtë makro-financiare dhe të bëjnë çmos për të forcuar besimin e publikut tek institucionet dhe sistemi financiar.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, ashtu si deri më sot, do të vazhdojë të kujdeset për stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar të vendit. Ky është detyrimi ynë madhor që buron nga Kushtetuta dhe ligjet përkatëse. Këtë detyrim jemi të angazhuar ta përmbushim me përkushtim dhe skrupolozitet. Ne jemi plotësisht të fokusuar ndaj këtyre dy objektivave madhore ashtu si një kapiten i mirë që duhet të jetë fokusuar te horizonti dhe jo te duart e vendosura mbi timonin e anijes.

Banka e Shqipërisë beson se, duke garantuar këto dy shtylla jetike për qëndrueshmërinë dhe begatimin e ekonomisë, kemi dhënë kontributin më të mirë për rritjen edhe më të madhe dhe  aq të dëshiruar të ekonomisë.

Nga ana tjetër, kjo do të krijonte një shtrat tërheqës për thithjen dhe akomodimin e investimeve të huaja dhe hyrjen e kapitaleve të reja në ekonomi, jetike për mbështetjen e veprimtarisë ekonomike të vendit dhe kredibilitetit të tij në rajon dhe më gjerë.

Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të garantuar një sistem bankar të shëndetshëm dhe efikas në kanalizimin e kursimeve të popullatës në ekonomi. Ne do të vazhdojmë kontrollet tona periodike për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit bankar. Objektiv themelor mbetet jo vetëm kapitalizimi i mjaftueshëm por edhe cilësia e kapitalit.  Dëshiroj të garantoj sistemin, se Banka e Shqipërisë do të marrë të gjithë masat për furnizimin me likuiditet ndërkohë që do të rrisë presionin për shtimin e kredisë dhe përmirësimin e cilësisë së saj.

Të nderuar miq dhe të ftuar,

Ju ftoj te jeni pjesë aktive e debatit dhe diskutimeve të aktivitetit të sotëm për çështje që kanë qenë dhe do të mbeten fokusi dhe interesi jonë i përbashkët në të ardhmen.

Ju ftoj të gjithë, nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve, për të dhënë një kontribut për mënyrën e konceptimit dhe të përcaktimit të objektivave  me të cilat ne si rajon do të përballemi në të ardhmen si dhe për zgjidhjen e sfidave aktuale.

Faleminderit për vëmendjen!