BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mbajtur gjatë Analizës Vjetore të KLSH-së për vitin 2015

Data e publikimit: 01.02.2016

 

I nderuar z. President i Republikës së Shqipërisë,

I nderuar z. Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit,

I nderuar z. Ministër i Drejtësisë,

I nderuar z. Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

I nderuar z. Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,

Të nderuar drejtues të institucioneve të larta shtetërore,

Të nderuar deputetë, profesorë dhe të pranishëm,

Është një kënaqësi e veçantë të jem sot i pranishëm dhe të përshëndes analizën vjetore të veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2015. Ky institucion renditet ndër institucionet më të rëndësishme kushtetuese të Shtetit Shqiptar, dhe me një objektiv që do ta konsideroja mjaft të lartë: miradministrimin e financave publike të vendit.

click to zoom 7993 0


Përdorimi me efektivitet i fondeve publike, certifikimi i tyre konform ligjeve që rregullojnë veprimtarinë ekonomike dhe financiare të sektorit publik, komunikimi i vazhdueshëm me publikun në lidhje me parregullsitë dhe përgjegjësitë e rastit, janë drejtimet kryesore ku është orientuar veprimtaria e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë viteve të fundit. Në këtë kontekst dëshiroj të theksoj se roli dhe misioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të një rëndësie të veçantë, ndaj dhe çështjet e ngritura nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit duhen analizuar me kujdes, në mënyrë që ato të jenë jo vetëm të nevojshme, por edhe parandaluese për institucionet të cilat i nënshtrohen auditimit nga ana e kontrollit të shtetit.

Në cilësinë e drejtuesit të një institucioni financiar siç është Banka Qendrore e vendit, dëshiroj të theksoj se bashkëpunimi mes dy institucioneve ka qenë i frytshëm, në lartësinë që imponon dinamika e zhvillimeve të momentit dhe atyre të perspektivës. Në mënyrë të vazhdueshme ne jemi përpjekur bashkarisht që përfundimet e arritura, si dhe rekomandimet e lëna nga ana e KLSH-së, të jenë sa më të dobishme, të natyrës udhëzuese, ndihmuese dhe korrigjuese.

Bazuar edhe në eksperiencën e kohës, vlerësoj se ky kombinim përbën thelbin e punës së çdo institucioni auditimi. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se auditimi është një levë shumë e rëndësishme, e cila shërben për të perfeksionuar më tej qeverisjen e sektorit publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit me rolin e tij ka ndikuar dhe do të vazhdojë të ndikojë në indentifikimin e problemeve të ndryshme në institucionet publike, në zbulimin e shmangieve ligjore e rregullative, me efekt financiar, dhe në korrigjimin e tyre, në përputhje me kërkesat e ligjit dhe të standardeve ndërkombëtare.

Në vijim do të dëshiroja të ndalesha dhe tek roli i Kontrollit të Lartë të Shtetit në të ardhmen, i cili jam i sigurt se do të kontribuojë më shumë në drejtim të perfeksionimit të tre dimensioneve kryesore të qeverisjes së sektorit publik: atij mbikëqyrës, atij analizues dhe atij largpamës.

  • Më konkretisht, në drejtim të mbikëqyrjes, dilema e madhe është nëse entitetet publike janë duke përmbushur misionin e tyre në zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit ose jo.
  • Në drejtim të analizës, dilema e madhe është nëse këto institucione janë duke marrë vendime të përgjegjshme në lidhje me politikat ekonomike, programet zhvillimore, operacionet dhe rezultatet e arritura.
  • Në drejtim të largpamësisë, dilema më e madhe është nëse janë përcaktuar drejt drejtimet dhe sfidat kryesore me të cilat audituesit duhet të përballen në të ardhmen.

Në këtë kontekst do të doja të theksoja se përafrimi i rolit auditues me standardet më të mira ndërkombëtare dhe bashkëkohore, njohja e specifikave dhe karakteristikave të subjekteve të audituara, si dhe intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional gjatë procesit janë disa elementë që do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në punën dhe rezultatet e këtij institucioni.

Në përfundim më lejoni të shpreh se kam besim të plotë që, nëpërmjet nxitjes së faktorëve të sipërpërmendur, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vazhdojë të jetë në lartësinë e detyrës dhe sfidave që imponon koha dhe do të përmbushë me sukses misionin e tij në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së institucioneve.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, më lejoni t’ju uroj edhe një herë suksese të mëtejshme në punën tuaj gjatë vitit 2016.