BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës

Data e publikimit: 12.01.2018

 

E nderuar Ministre Nikolla,

I nderuar Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Leskaj,

I nderuar Dekan i Fakultetit Prof. Kule,

Të nderuar pedagogë,

Të dashur studente dhe studentë,

Ndihem i nderuar dhe i kënaqur njëkohësisht që ndodhem sot në një mjedis studentor, veçanërisht në një ditë kaq speciale për ju, por që në të vërtetë është edhe për mua, pasi edhe unë kam qenë student i Universitetit të Tiranës.

Sot ju kurorëzoni me sukses përpjekjet tuaja shumëvjeçare, duke mbyllur pjesërisht një kapitull të rëndësishëm të jetës suaj, atë të edukimit. E përdora termin pjesërisht jo pa qëllim, pasi edukimi është një sfidë e përhershme, e cila na shoqëron për gjatë gjithë jetës. Pavarësisht formës dhe kohës që harxhojmë, të gjithë pa përjashtim, ne jemi në një proces të pandërprerë të përditësimit dhe të shtimit të dijeve.

 dsc3431 3 3 copy 10081 0

E them me bindje se ju keni arsye të ndiheni krenarë, pasi keni vendosur një gur të rëndësishëm kilometrik në jetën tuaj. Nga sot e tutje për juve hapen dyert e një bote tjetër, kryekëput të ndryshme nga jeta studentore. Hapen dyert e botës reale, me shumë sfida dhe të panjohura.

Nëse do të më pyesnit sot cila është këshilla ima për secilin prej jush, edhe pse mund të tingëllojë pak si klishe, nuk do të hezitoja asnjë moment të them: do të jeni të suksesshëm vetëm nëse mësoni të jepni përtej vetes tuaj. Nga ky këndvështrim, për të gjithë ju që keni tashmë një ide se çfarë do të bëni me jetën tuaj, nuk më mbetet gjë tjetër përveçse t’ju them urime dhe suksese. Për të gjithë juve që ende nuk e keni vendosur, ju nxis të kërkoni duke besuar në instinktin tuaj, me vullnet e përkushtim.

Asnjëherë mos hiqni dorë nga ambiciet dhe objektivat tuaja. Mos ndalni kurrë luftën për atë që besoni dhe gjithmonë mbështesni njerëzit që kujdesen për ju. Silluni me dinjitet, krenari dhe ndershmëri, pa harruar që në çdo rast të jeni as më pak a as më shumë vetëm vetvetja.

Bota përtej auditorëve është më sfiduese. Përgatituni që në jetë do të përballeni edhe me momente të vështira. Në shumë raste zhgënjimi është pjesë e pandarë e jetës. Për këtë arsye, ju këshilloj të ndërtoni qëndrueshmëri në veten tuaj. Siç thotë një shprehje: "ne jemi më të brishtë nga sa e mendojmë, por më të fortë nga sa e imagjinojmë".

Ju do të keni ditë të mira dhe ditë të këqija. Bëhuni të zotët dhe merrni zemër t’i kaloni ato me kurajë dhe optimizëm. Mos harroni të nxirrni mësimet rast pas rasti dhe ndajini ato me miqtë dhe kolegët tuaj. Përqafoni çdo ide novatore, ndërtoni besim të vazhdueshëm, transmetoni energji pozitive dhe përqafoni çdo ëndërr të përbashkët që inspiron dashuri, prosperitet, integritet dhe mirëkuptim njerëzor. Kjo është rruga e duhur për të ndërtuar një shoqëri më të mirë se kjo e sotmja, të aftë për të përballur sfidat e kohës, dhe për të garantuar të ardhmen e kombit në rrjedhën e kohës.

I uroj studentëve që diplomohen sot, suksese në jetën e tyre. Banka e Shqipërisë i ka gjithmonë të hapura dyert për studentët e Universitetit të Tiranës. Urime dhe suksese për diplomimin!

1917 3 3
1917 3 4

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu