BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në konferencën e përbashkët për shtyp me Misionin e FMN-së dhe Ministrin e Financave

Data e publikimit: 22.03.2016

 

Mbi Përfundimin e Rishikimit të Shtatë të Marrëveshjes me FMN

përputhje me axhendën e paracaktuar, gjatë dy javëve të fundit kemi zhvilluar bisedime intensive me misionin e FMN-së. Këto bisedime u fokusuan në rishikimin e radhës së Marrëveshjes që kemi me FMN-në, si dhe – në kuadrin e diskutimeve të Artikullit IV – në identifikimin e problemeve strukturore që pengojnë zhvillimin e vendit.

 dsc8640 copy final 8105 0

Rishikimi i Marrëveshjes konkludoi se treguesit ekonomikë dhe politikat makroekonomike kanë qenë në përputhje me parashikimet dhe angazhimet tona, pavarësisht sfidave me të cilat jemi përballur në këtë periudhë. Nga ana tjetër, diskutimet e Artikullit IV theksuan nevojën e përshpejtimit të reformave strukturore, të cilat duhet t’i hapin rrugë një zhvillimi më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm.

Në vijim, më lejoni t’ju paraqes në mënyrë të përmbledhur opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe politikat që kemi ndjekur dhe duhet të vazhdojmë të ndjekim në të ardhmen.

***

Ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike u përshpejtua më tej gjatë vitit 2015, mbështetur nga zgjerimi i investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me partnerët e huaj. Konsumi privat shfaqi shenja gjallërimi në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa konsumi publik vazhdoi të mbetet i kufizuar, në përputhje me strategjinë e konsolidimit fiskal.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe u ndihmua, ndër të tjera, edhe nga politika monetare dhe masat mbikëqyrëse e rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Politika jonë monetare lehtësuese ka kontribuar në uljen e mëtejshme të normave të interesit, në zbutjen e presioneve të likuiditetit, si dhe në ruajtjen e besimit të tregjeve financiare në stabilitetin e çmimeve. Paralelisht me të, masat tona mbikëqyrëse dhe rregullatore kanë ndihmuar në reduktimin e kredive me probleme dhe në përmirësimin e shëndetit financiar të sektorit bankar. Këto zhvillime janë një parakusht i nevojshëm për kreditimin e qëndrueshëm të ekonomisë në të ardhmen.

Inflacioni vazhdon të mbetet në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit tonë. Kjo ecuri ka pasqyruar kapacitetet ende të pashfrytëzuara të prodhimit në ekonominë shqiptare, por edhe tendencat dizinflacioniste të ardhura nga shkëmbimet tregtare me jashtë.

Në veçanti, gjatë dy muajve të parë të vitit 2016, inflacioni ka shfaqur një rënie, duke zbritur në nivelin 0.2% në muajin shkurt. Analizat tona sugjerojnë se kjo rënie është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, më konkretisht nga rënia e fortë e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregjet ndërkombëtare. Si e tillë, rënia e shpejtë e inflacionit dhe nivelet e ulëta të tij përfaqësojnë një goditje oferte për ekonominë shqiptare, dhe jo një situatë deflacioniste, e cila lidhet me situata aktuale apo të pritura recesioniste. Efekti i saj në inflacion pritet të vazhdojë edhe për disa kohë, por ai do të jetë gjithsesi kalimtar.

Pavarësisht këtyre konkluzioneve, Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Ajo disponon instrumentet e duhura për të shmangur efektet negative afatgjata që mund të vijnë nga nivelet e ulëta të inflacionit, dhe mbetet e gatshme t’i përdorë ato nëse do të jetë e nevojshme.

Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijë në përmirësim progresiv gjatë dy viteve në vazhdim. Përmirësimi i ritmit të rritjes do të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të ekuilibrave ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe do të jetë përcaktues për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë horizontit afatmesëm.

Balanca e rreziqeve rreth këtij parashikimi qëndron më së shumti në kahun e poshtëm. Më konkretisht, zgjerimi i aktivitetit ekonomik vazhdon të frenohet nga zhvillimet e pafavorshme ekonomike në eurozonë, nga çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore, si dhe nga sjellja ende hezituese e shumë agjentëve ekonomikë dhe financiarë për të ndërmarrë projekte afatgjata biznesi.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë gjykon se politikat ekonomike dhe reformat strukturore duhet të fokusohen në:

  • Vazhdimësinë e kombinimit aktual të politikave ekonomike, bazuar në një politikë monetare stimuluese dhe një politikë fiskale konsoliduese. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet stimuluese përgjatë këtij horizonti kohor dhe intensiteti i stimulit monetar, mund të forcohet më tej nëse do të gjykohet e nevojshme. Konsolidimi fiskal zbut dobësitë strukturore  në vend dhe krijon më shumë hapësira për zgjerimin e sektorit privat.
  • Zbatimin pa vonesë të planit të masave për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të kredive me probleme. Ky plan synon të reduktojë rrezikun e kreditimit dhe të rritë ofertën e kredisë bankare në Shqipëri. Suksesi i tij është një parakusht thelbësor për rritjen afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë së vendit.
  • Përshpejtimin e reformave strukturore, sidomos në plotësimin e infrastrukturës, në përmirësimin e klimës së biznesit, në zgjerimin e njohurive dhe përmirësimin e tregut të punës.

copy 2 8106 0

Në mbyllje, dëshiroj edhe një herë të falënderoj Misionin e FMN-së për bisedimet e dobishme dhe konstruktive që kemi pasur.

Ju faleminderit për vëmendjen!