BANKA E SHQIPËRISË

NJOFIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në konferencën e përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit të FMN-së dhe Ministrin e Financave dhe Ekonomisë

Data e publikimit: 27.10.2023

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Më lejoni, në radhë të parë, të falënderoj Misionin e FMN-së për diskutimet e frytshme që kemi pasur gjatë dy javëve të fundit në kuadër të konsultimeve periodike për Artikullin IV.

 DSC5286 498

Në mbyllje të tyre, konstatoj me kënaqësi se ndajmë pikëpamje të ngjashme mbi stadin e zhvillimit të vendit, sfidat që kemi përpara, si dhe politikat ekonomike e reformat strukturore që duhet të ndërmarrim për të mundësuar një zhvillim sa më të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit.

Në vijim, dëshiroj t’i shtjelloj më gjatë këto tre çështje.

 DSC5317 498

Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit të fundit ka qenë pozitive, sidomos në një kontekst global sfidues dhe aspak të favorshëm. Kjo ecuri është e prekshme në disa drejtime:

  • së pari, në rritjen e pandërprerë të aktivitetit ekonomik, të punësimit dhe të pagave, të cilat kanë përmirësuar gjendjen financiare të familjeve dhe bizneseve shqiptare;
  • së dyti, në reduktimin e ndjeshëm të inflacionit nga nivelet e larta të një viti më parë. Inflacioni ka rënë në 4.1% në muajin shtator të këtij viti, nga 8.3% në muajin tetor të vitit 2022. Kjo ecuri tregon për një progres të rëndësishëm në drejtim të arritjes së stabilitetit të çmimeve, ndonëse mbetet ende rrugë për të mbërritur në atë destinacion;
  • së treti, në qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke u kujdesur – në të njëjtën kohë – të ruajë dhe kursimet e familjeve shqiptare. Analizat dhe ushtrimet tona të rezistencës sugjerojnë se sektori bankar shfaqet rezistent, edhe ndaj situatave të mundshme të stresit;
  • së katërti, në përmirësimin e pozicionit të jashtëm të vendit, të pasqyruar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente dhe rënien e borxhit të huaj. Ky zhvillim pasqyroi rritjen e fortë të aktivitetit turistik dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte;
  • së fundmi, në përmirësimin e pozicionit fiskal, të pasqyruar në rënien e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

 DSC5075 498

Ecuria pozitive e ekonomisë ka pasqyruar fleksibilitetin e sektorit privat, shëndetin financiar të tij, si dhe reagimin e duhur të politikave ekonomike. Në përputhje me objektivin tonë, ne kemi vazhduar rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare. Rritja graduale e normës bazë të interesit drejt nivelit të saj ekuilibër ka synuar të krijojë një mjedis financiar të përshtatshëm për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta për ekonominë.

Formulimi i qëndrimit të politikës sonë monetare ka mbajtur parasysh edhe forcimin e shpejtë të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros dhe konsolidimin fiskal të ndërmarrë nga autoritetet publike. Ashtu sikurse kemi komunikuar në vazhdimësi, forcimi i shpejtë i lekut gjatë këtij viti ka pasqyruar një tepricë konstante valute në tregun e brendshëm, si pasojë e rritjes së shpejtë dhe të fortë të turizmit, investimeve të huaja direkte dhe remitancave. Ky faktor na kanë mundësuar të mbajmë një nivel më të ulët të normës bazë të interesit, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kosto më të ulëta financimi dhe duke lehtësuar barrën financiare mbi kredimarrësit.

 DSC5142 498

Efektet e deritanishme të politikës sonë monetare janë inkurajuese. Reagimi ynë ka ndihmuar kontrollin e pritjeve inflacioniste dhe funksionimin e qetë të tregjeve financiare, duke krijuar premisat e nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv. Shqipëria ka pasur dhe vijon të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon.

Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive. Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit të ardhshëm. Ky parashikim faktorizon uljen e mëtejshme të inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës në ekonomi.

Megjithatë, analizat tona tregojnë se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë të larta, ndërsa rindezja e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme ka potencialin të rrisë rreziqet ndaj inflacionit. Për këtë arsye, ne mbetemi të angazhuar të reagojmë në drejtim të normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.

Objektivi ynë primar ka qenë dhe mbetet kthimi i inflacionit në objektiv. Ne synojmë ta përmbushim këtë objektiv në një kohë të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulëta për ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, qëndrimi ynë do të orientohet nga të dhënat e reja dhe balanca e faktorëve që ndikojnë në inflacion, e në veçanti ecuria e çmimeve në tregjet e huaja, ecuria e kursit të këmbimit, ecuria e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe kahu i politikës fiskale.

Në një këndvështrim më afatgjatë, Banka e Shqipërisë gjykon se forcimi i ritmit të zhvillimit të vendit dhe i qëndrueshmërisë së tij kërkon vazhdimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë në mënyrë prioritare rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe duhet të ankorohen gjithnjë e më tepër në procesin e integrimit evropian.

Brenda fushës sonë të ekspertizës, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në:

  • ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij, si edhe nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet relevante për zhvillimin e segmenteve të tjera të tregjeve financiare;
  • nxitjen e formalizimit dhe rritjen e shkallës së edukimit dhe të përfshirjes financiare. Një pikënisje e këtij procesi është hartimi i strategjisë kombëtare për edukimin financiar, si dhe modernizimi i sistemit të pagesave dhe rritja e shkallës së përdorimit të pagesave elektronike;
  • mbështetjen e integrimit evropian nëpërmjet plotësimit të kritereve për përafrimin e Acquis të Bashkimit Evropian dhe ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces.

Ju faleminderit për vëmendjen!