BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp për analizën e punës së Bankës së Shqipërisë për vitin 2015 dhe prioritetet e saj për vitin 2016

Data e publikimit: 03.02.2016

 

Vitin 2015 do ta karakterizoja si një vit sfidues, si në drejtim të ruajtjes dhe konsolidimit të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, ashtu dhe në drejtim të përmirësimit të kuadrit institucional të vetë Bankës.

Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të qenësishëm në ruajtjen dhe në konsolidimin e ekuilibrave makroekonomikë dhe të stabilitetit financiar të vendit.

2016 02 03 konf shtypi 7998 0


Politika monetare lehtësuese e ndjekur përgjatë gjithë vitit 2015 ka qenë një faktor mbështetës i rëndësishëm duke siguruar një ambient ekonomik dhe financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi në kushtet e një likuiditeti të bollshëm. Mbikëqyrja e kujdesshme e bankave, përmirësimet rregullatore, së bashku me shkëmbimin intensiv të informacionit me institucionet analoge evropiane dhe ato ndërkombëtare, kontribuan në forcimin e stabilitetit financiar të sistemit bankar.

Fillimi i vitit 2015 përkoi me një sërë vendimesh institucionale të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, të cilat mundësuan rikthimin e besimit të publikut ndaj institucionit. Më konkretisht:

  • plotësimi i të gjithë zinxhirit drejtues të Bankës së Shqipërisë;
  • fillimi i veprimtarisë së Komitetit të Auditit, i përbërë nga 3 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës;
  • rifillimi i raportimit në Këshill nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm;
  • miratimi i Strategjisë Afatmesme dhe Buxhetit Afatmesëm për periudhën 2016-2018;
  • miratimi i strukturës së re organizative;
  • përfundimi i punimeve në selinë qendrore; si dhe
  • krijimi i Muzeut,

përbëjnë momentet më të spikatura, të cilat kontribuan në forcimin e qeverisjes, llogaridhënies e për rrjedhim në rritjen e besimit të publikut tek Banka e Shqipërisë.

Politika monetare ka forcuar më tej natyrën stimuluese gjatë vitit 2015. Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë të interesit, ka vazhduar të injektojë gjithë likuiditetin e nevojshëm në tregjet financiare dhe ka komunikuar qartë orientimin e politikës monetare në të ardhmen. Politika jonë monetare ka qenë e suksesshme në lehtësimin e kushteve të financimit në ekonomi dhe ka ndihmuar në kthimin e ekonomisë shqiptare në një trajektore pozitive zhvillimi.

Në veçanti, normat e interesit të kredive të reja në lekë dhe kostot e shërbimit të kredive ekzistuese kanë rënë. Kredia në lekë është rritur, duke kompensuar rënien e vazhdueshme të portofolit të kredisë në valutë. Gjithashtu, pesha e kredisë në lekë në portofolin total të kredisë ka ardhur në rritje, nga rreth 28% në vitin 2008 në nivelin 43% në vitin 2015. Këto aksione kanë pasur një rol thelbësor në përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike gjatë dy viteve të fundit.

Gjatë vitit 2015, sistemi bankar vazhdoi zgjerimin e aktivitetit të tij. Shëndeti financiar i tij është përmirësuar, ndërkohë që kapitalizimi dhe likuiditeti janë në parametra mëse optimalë, respektivisht në 16% dhe 41%.

Sipas të dhënave më të fundit, ato të muajit nëntor 2015, ecuria e depozitave ka qenë pozitive, me një rritje mbi 130 milionë Euro, duke dëshmuar nivelin e besimit të publikut tek sistemi bankar.

Pas përpjekjeve të shumta, për herë të parë pas një periudhe 7-vjeçare rritjeje mundësuam uljen e kredive me probleme poshtë nivelit 20%. Ulja e raportit të kredive me probleme në kushtet kur kostot e financimit në tregjet financiare kanë zbritur në nivele minimale historike, përbëjnë premisa për një gjallërim të besueshëm të kredisë për ekonominë në periudhën në vijim. Ne besojmë se si rrjedhojë e planit të përbashkët që kemi hartuar me Qeverinë, reduktimi i nivelit të kredive me probleme do të vazhdojë më tej edhe gjatë vitit në vazhdim.

Po gjatë këtij viti, u regjistrua hyrja e një investitori të ri në tregun bankar, Bankës Amerikane të Investimeve, i pari pas vitit 2009. E konsiderojmë këtë investim të ri si një zhvillim mjaft pozitiv në drejtim të nxitjes së konkurrencës brenda sistemit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të nxisë konsolidimin e sistemit bankar dhe t’i qëndrojë kërkesave rigoroze për një menaxhim të përgjegjshëm dhe proaktiv të çdo banke.

Në vitin 2015, zhvillimet më delikate përkuan me situatën komplekse politike dhe financiare të vendit fqinj, Greqisë. Sektori bankar në përgjithësi dhe banka të veçanta përballuan me sukses të gjitha vështirësitë me të cilat u përballën.

Banka e Shqipërisë përpos ndjekjes së pandërprerë të zhvillimeve në bankat shqiptare me kapital grek, intensifikoi komunikimin me autoritetet respektive në Greqi dhe në Eurozonë. Situata e mësipërme, shërbeu për të testuar edhe efektivitetin e masave për sigurimin e likuiditetit, ndërkohë që nga ana tjetër, nxiti më tej frymën e solidaritetit dhe konkurrencës së ndershme mes bankave.

Një drejtim tjetër i rëndësishëm i punës sonë ka qenë kontributi në përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Gjatë vitit të kaluar intensifikuam bashkëpunimin me Bankën Qendrore Evropiane, bankat qendrore pjesë të Eurosistemit, si dhe me strukturat evropiane që merren me rregullimet financiare të BE-së, ku do të veçoj marrëveshjen e bashkëpunimit me Autoritetin Evropian të Mbikëqyrjes. Po me të njëjtin intensitet kemi rritur bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Ndërkombëtare të Rregullimeve si dhe me bankat qendrore të rajonit.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të zhvillimit të sistemeve të pagesave. Në tetor 2015, u themelua Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave. Ky komitet ndërinstitucional, do të ndikojë në shtimin e sigurisë dhe të efektivitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri.

Është hartuar dhe pret miratimin në Kuvend, Ligji për Shoqëritë e Kursim-Kreditit, nëpërmjet të cilit rregullohet licencimi, mbikëqyrja dhe veprimtaria e SHKK-ve në përputhje me standardet më të mira. Në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave janë hartuar ndryshimet e Ligjit për Sigurimin e Depozitave, të cilat sjellin norma të reja në trajtimin e SHKK-ve, si dhe përfshirjen në skemën e sigurimit të depozitave edhe të personave juridikë.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur një sërë arritjesh edhe në drejtim të teknologjisë së informacionit. Ndonëse, projekte të tilla kanë shikueshmëri më të pakët në publik, dobishmëria e tyre është e madhe. Në fillim të vitit 2015, filloi nga operimi sistemi AFISaR - regjistri qendror elektronik për dokumentimin e çdo elementi që shoqëron emetimin dhe transaksionet e kryera me titujt e emetuar nga shteti shqiptar. Ndërkohë, arritje të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit, janë:

  • automatizimi i sistemit raportues të bankave tek Banka e Shqipërisë;
  • integrimi dhe optimizimi i shfrytëzimit të rrjetit informatik, duke reduktuar kostot operacionale të Bankës së Shqipërisë;
  • automatizimi i veprimeve kontabël të degëve;
  • si dhe rritja e kapacitetit përpunues dhe magazinues të informacionit.

Sfida akoma më të mëdha na presin në vitin 2016.

Nxitja e kreditimit në mbështetje të sektorit privat dhe sigurisht me norma më të ulëta interesi është objektiv tjetër i rëndësishëm. Planet e biznesit të bankave të veçanta për vitin 2016 na bëjnë optimistë në këtë drejtim. Ndërkohë përfitoj nga rasti të përsëris edhe njëherë se politika jonë monetare gjatë vitit 2016 do të jetë përsëri në kahun lehtësues. Për më tepër, kërkesa e sektorit publik do të jetë e ulët përgjatë gjithë vitit 2016 duke krijuar hapësira për të kanalizuar likuiditetin e sistemit bankar gjithmonë e më shumë drejt sektorit privat.

Dëshiroj të garantoj sistemin bankar në Shqipëri se Banka e Shqipërisë do të jetë një partner i ndershëm, i hapur dhe serioz në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke nënkuptuar edhe funksionin e saj mbikëqyrës. Një nga drejtimet kryesore të punës sonë do të jetë hartimi i një ligji të posaçëm për trajtimin e bankave në situata të vështira financiare, që ndryshe në terminologjinë tonë të përditshme njihet si Resolution Law. Dua të sqaroj se bëhet fjalë për një direktivë të rëndësishme bashkëkohore të Bashkimit Evropian, të cilën po punojmë për ta bërë pjesë të të drejtës tonë bankare.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishmja, gjatë vitit 2016 do të vazhdojmë përpjekjet për përsosjen e mëtejshme institucionale të Bankës së Shqipërisë duke synuar përafrimin e shpejtë me modelin e bankës qendrore të sistemit evropian.

Struktura e re organizative dhe strategjia trevjeçare e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, do të orientojë një sërë vendimesh të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për përmirësim aktesh ligjore dhe nënligjore. Aktiviteti ditor i departamenteve të Bankës, mobilizimi dhe motivimi i burimeve njerëzore, administrimi efikas i fondeve për financimin e veprimtarisë, forcimi i kontrollit të brendshëm dhe administrimi i rrezikut të veprimtarisë të Bankës së Shqipërisë, do të jenë prioritete kryesore të punës sonë gjatë vitit 2016.

Ju faleminderit!