BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare dhe miratimin e paketës së deeuroizimit

Data e publikimit: 07.02.2018

 

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të politikës monetare. Bazuar në analizat dhe parashikimet e paraqitura në të, ne rivlerësuam dhe një herë përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare.

Njoftimi për shtyp në vijim do t’ju prezantojë me përfundimet kryesore të Këshillit Mbikëqyrës.

 7.2.2018  - 498

Informacioni i ri i marrë në analizë ka rezultuar përgjithësisht në linjë me pritjet tona. Po ashtu, parashikimet mbi zhvillimet ekonomike dhe monetare në të ardhmen kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara.

Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rikuperimi progresiv i aktivitetit ekonomik është ndihmuar dhe do të vijojë të ndihmohet, ndër të tjera, nga kursi akomodues i politikës sonë monetare. Nisur nga sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në tremujorin e katërt të vitit 2017, duke ilustruar natyrën afatshkurtër të goditjeve të ofertës të cilat sollën rënien e tij gjatë tremujorit paraardhës. Rritja e inflacionit total erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së inflacionit të kategorive të lidhura me strehimin.

Megjithëse në rritje, inflacioni në vend vijon të mbetet i ulët dhe nën objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë. Në aspektin makroekonomik, kjo ecuri pasqyron stadin e zhvillimit ciklik të ekonomisë sonë dhe nivelet e ulëta të inflacionit të importuar.

Ndonëse në rritje, kërkesa agregate mbetet ende e pamjaftueshme për të shfrytëzuar në mënyrë të plotë kapacitetet prodhuese, sikundër ilustrohet nga fakti se norma e papunësisë mbetet mbi nivelin e saj natyral dhe se bizneset raportojnë një shfrytëzim ende jo të plotë të kapaciteteve. Ky fenomen pengon rritjen e pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit, në linjë me objektivin tonë për inflacionin.

Paralelisht me të, vendet partnere tregtare kryesore vijojnë të karakterizohen nga nivele të ulëta inflacioni. Mbiçmimi i kursit të këmbimit gjatë tremujorëve të fundit ka frenuar më tej përcjelljen e tyre në ekonominë vendase.

Analiza e treguesve makroekonomikë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit 2017, ndonëse me ritme më të ngadalta se në gjashtëmujorin e parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.55% në tremujorin e tretë, duke shënuar ngadalësim kundrejt normës mesatare të rritjes prej 3.9% të gjashtëmujorit të parë.

Në këndvështrimin sektorial, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga zgjerimi i aktivitetit të sektorit të shërbimeve, ndërkohë që ngadalësimi i saj pasqyron ngadalësimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe për degë të caktuara në atë industrisë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet në masën më të madhe nga zgjerimi i konsumit privat, ndërkohë që ngadalësimi i saj pasqyroi ngadalësimin e investimeve dhe kontributin negativ të tregtisë me jashtë. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë një ecuri të ngjashme ekonomike edhe gjatë tremujorit të katërt.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm mbështetës në trendin rritës të ekonomisë dhe në forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Niveli i ulët i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare, si dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve. Paralelisht me të, normat e ulëta të interesit kanë lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit, duke përmirësuar shëndetin e bilanceve financiare të sektorit privat, si dhe kanë tentuar të frenojnë presionet mbiçmuese mbi kursin e këmbimit.

Tregjet financiare janë shfaqur përgjithësisht të qeta gjatë gjysmës së dytë të vitit. Normat e interesit të depozitave dhe të kredive në lekë mbeten pranë niveleve të ulëta historike, ndërkohë që luhatjet e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë nuk janë transmetuar në segmente të tjera të tregut financiar. Nga ana tjetër, kursi i këmbimit rezultoi relativisht i qëndrueshëm gjatë tremujorit të katërt, por mbiçmimi i tij erdhi në rënie krahasuar me nivelet e larta të regjistruara në tremujorin e tretë.

Përkundrejt kësaj tabloje pozitive, ecuria e kreditimit vazhdon të mbetet e zbehtë. I pastruar për efektin e kursit të këmbimit, portofoli i kredisë për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare vjetore prej 5% në tremujorin e katërt. Sikundër e kemi bërë prezent dhe më parë, zgjerimi i kredisë totale vijon të mbështetet në masën më të madhe nga zgjerimi i kredisë në lekë. Portofoli i kësaj të fundit shënoi një rritje mesatare vjetore prej 7.9% në tremujorin e katërt, ndërkohë që kreditimi në valutë u rrit me 2.4%.

Analizat tona sugjerojnë se ecuria e ngadaltë e kredisë pasqyron efektin e njëkohshëm të kërkesës së ulët dhe të kushteve të shtrënguara të ofertës. Rritja e qëndrueshme e kreditimit do të kërkojë përmirësimin e kërkesës dhe ofertës. Në këtë kontekst, ndërkohë që projeksionet tona sugjerojnë një rritje të kërkesës në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se sektori bankar duhet të jetë më proaktiv në politikat e veta të kreditimit.

Shëndeti financiar i bankave është në përmirësim të vazhdueshëm. Kjo ecuri dëshmohet nga gjendja e qëndrueshme e likuiditetit, nga ecuria pozitive e treguesve të përfitueshmërisë, si dhe nga reduktimi progresiv i kredive me probleme. Raporti i këtyre të fundit ndaj kredive totale zbriti në nivelin 13.2% në muajin dhjetor, në pasqyrim të përmirësimit të aktivitetit ekonomik, të efektit të masave të marra për reduktimin e tyre, si dhe të përpjekjeve të vazhdueshme të bankave e bizneseve për pastrimin dhe ristrukturimin e bilanceve të tyre. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se ka hapësirë të mëtejshme për faktorizimin e reduktimit të rrezikut të kredisë në lehtësimin e politikave të kreditimit nga bankat.

Projeksionet tona për të ardhmen sugjerojnë një vazhdimësi të trendeve pozitive të zhvillimit.

Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, e ndihmuar nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Këta faktorë do të amortizojnë një pjesë të efektit të goditjeve specifike në sektorë të caktuar si dhe të reduktimit të stimulit fiskal gjatë vitit 2018. Rritja e mëtejshme e kërkesës agregate dhe shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese pritet të krijojnë parakushtet e nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv rreth mesit të vitit 2019.

***

Duke gjykuar mbi analizat dhe parashikimet e skenarit bazë, të shtjelluara më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare vijon të mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë në interesit, në nivelin 1.25%; dhe,
  • Të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%.

Gjithashtu, në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës:

  • Së pari, rikonfirmon se intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet para tremujorit të katërt të vitit 2018. Edhe më tej, politika monetare pritet të vazhdojë të mbetet në kahun stimulues gjatë gjithë horizontit afatmesëm, për të siguruar konvergimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.
  • Së dyti, konstaton se balanca e rreziqeve mbi parashikimet tona vijon të mbetet në e zhvendosur në kahun e poshtëm.
  • Së treti, rithekson se "përtej dimensionit ciklik" përshpejtimi i mëtejshëm i ritmit të rritjes ekonomike kërkon vazhdimin rigoroz të reformave strukturore. Këto reforma duhet të kontribuojnë në rritjen e eficiencës, në zgjerimin e potencialit prodhues të vendit, dhe në rritjen e rezistencës së ekonomisë ndaj goditjeve të mundshme.


Të nderuar përfaqësues të medias,

Duke përfituar nga mundësia e këtij komunikimi publik, më lejoni t’ju prezantoj dhe një vendim të rëndësishëm, të marrë në mbledhjen e sotme nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, dhe që ka të bëjë me nismën tonë për promovimin e përdorimit të monedhës kombëtare në transaksionet ekonomike dhe financiare në vend. Kjo nismë, e njohur edhe si paketa e deeuorizimit, është përcaktuar tashmë si një synim mbarëkombëtar, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në prill të vitit të kaluar. Ky memorandum formalizon dakordësinë për përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara, në nivel kombëtar, midis tre institucioneve: Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Përpara se të vijoj me detajimin e masave konkrete, më lejoni të them dy fjalë mbi motivin e kësaj nisme.

Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar.

Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë.

Që në fillim, dëshiroj ta qartësoj publikun se Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme. Ajo që ne duam të reduktojmë, të zbutim apo të minimizojmë, është prania e pozicioneve të hapura valutore dhe marrja përsipër e rrezikut të kursit të këmbimit, direkt apo indirekt, në mënyrë të pastudiuar apo të pambrojtur, nga konsumatori, nga biznesi dhe nga agjentët e tregut financiar.

Nisur nga sa më sipër, si dhe duke synuar të konkretizojmë angazhimin tonë institucional, Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi një paketë vendimesh në mbështetje të nxitjes së përdorimit të monedhës kombëtare. Në këtë kuadër, u miratuan:

1) Së pari, dokumenti i Politikës "Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë". Dokumenti përcakton mënyrën se si Banka e Shqipërisë do të kontribuojë në këtë proces (i njohur ndryshe si deeuroizim) dhe si do të vlerësojë ndikimin e këtij kontributi.

2) Së dyti, disa ndryshime rregullative, të cilat finalizojnë punën e zhvilluar gjatë vitit të kaluar për identifikimin, vlerësimin dhe konsultimin me industrinë bankare, të disa masave që mbështesin zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Në mbyllje, më lejoni të theksoj se ky proces kërkon një angazhim afatgjatë, ndaj këto masa mund të plotësohen me të tjera në të ardhmen. Në çdo rast, Banka e Shqipërisë do të veprojë gradualisht dhe në konsultim me industrinë bankare. Që të jetë efektiv, procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, ndaj Banka e Shqipërisë do të harmonizojë maksimalisht veprimet e saj me autoritetet e tjera që mbikëqyrin sistemin dhe tregjet financiare në vend, si edhe do të konsultohet vazhdimisht me institucionet relevante evropiane.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu