BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin e diskutimit “Marrëdhëniet Biznes – Bankë: Perspektiva e kreditimit 2016”

Data e publikimit: 03.03.2016

 

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit në Shqipëri,

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Të nderuar pjesëmarrës,

***

Është një kënaqësi e veçantë të hap punimet e këtij takimi mes biznesit dhe sektorit bankar.

Gjithmonë kam besuar se biznesi është motori që shtyn përpara ekonominë. Ai është kontribuesi kryesor në punëzënie e për rrjedhim edhe në përmbushjen e qëllimit të rritjes së mirëqenies të popullatës. Po kaq të rëndësishëm, vlerësoj edhe rolin e sektorit bankar në ekonomi. Misioni i tij për administrimin me efektivitet të kursimeve të popullatës në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit është jetësor për prosperitetin afatgjatë të çdo vendi.

Situata post krizë na përballi me një problematikë të pamenduar më parë. Shumë paqartësi dhe dobësi të natyrës strukturore dolën mbi sipërfaqe me gjithë agresivitetin e tyre. Një nga zhvillimet problematike ishte dhe përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredive, me një intensitet të lartë dhe me shtrirje uniforme në të gjitha produktet.

Ky zhvillim i padëshiruar ngadalësoi kredinë për ekonominë, e cila nga ana e vet ndikoi në rritjen e mëtejshme të kredive me probleme. Rrethi vicioz vazhdoi për një periudhë kohe të gjatë derisa kulmoi në momentin, kur kreditë me probleme arritën në nivelin 25% të totalit të kredive.

Vlen të theksoj se problemi nuk ishte vetëm shqiptar, por global. Të gjitha ekonomitë në zhvillim dhe veçanërisht ato të rajonit tonë, pësuan goditje të forta. Sistemet financiare, monedhat, konsumi dhe investimet ishin ndër më të prekurat. Shumë prej planeve të biznesit, të hartuara dhe të vëna në zbatim në periudhën para krizë dështuan, duke rritur paaftësinë likuiduese të shumë prej kredimarrësve të mëdhenj. Situata vazhdoi e tillë për një periudhë 5 – 7 vjeçare, deri në vitin 2015, të cilin personalisht do ta cilësoj si vitin e kthesës së shumëpritur.

Për herë të parë, falë përpjekjeve të koordinuara mes të gjithë aktorëve institucionalë, mundësuam një rënie të ndjeshme në nivelin e kredive të këqija. E kam trajtuar dhe më parë këtë zhvillim, dhe pa u përsëritur, ajo që dëshiroj të sjell sot në vëmendjen tuaj është një përpjekje, një tentativë, një iniciativë për të analizuar bashkërisht shkaqet dhe arsyet pse jemi në këtë situatë. Dhe akoma çfarë është më e rëndësishme përtej këtij reflektimi, të diskutojmë dhe të arrijmë në konkluzione të qarta mbi mënyrën e duhur për t’i dhënë rrugë kreditimit të ekonomisë.

Zhvillimet e viteve të fundit, të çojnë në konkluzionin se marrëdhënia apo ndërveprimi mes dy komuniteteve të përfaqësuara në këtë sallë është në nivele historikisht të ulëta. Treguesi më kuptimplotë i kësaj që thashë është niveli i ulët i kreditimit. Nga kontaktet e shumta si me industrinë bankare ashtu dhe me përfaqësues biznesi kuptoj se palët e shikojnë problemin tek njëra-tjetra. Më duket se në shumë raste bankat adoptojnë qëndrime shumë të ngurta dhe përjashtuese, ndërkohë që shumë përfaqësues të biznesit nuk kuptojnë se respektimi i marrëdhënieve kontraktuale është baza e suksesit të ekonomisë së tregut. Mund të përmend shumë raste në këtë drejtim, por ju siguroj, se nuk është ky qëllimi i takimit.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë interesante dhe shenjat e gjallërimit të saj janë të pranishme dita ditës. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, ka një konsensus në rritje për një përshpejtim të aktivitetit ekonomik përtej pritshmërive të fillimvitit. Duke u bazuar në tendencat aktuale, vlerësoj se përshpejtimi i rritjes ekonomike do të jetë tipar dallues edhe gjatë vitit 2016.

Informacioni i disponuar, na çon në përfundimin se investimet private kanë treguar një ecuri pozitive. Investimet e huaja direkte, lehtësimi i kushteve të financimit në sektorin bankar, përmirësimi i gjendjes financiare të bizneseve si pasojë e pagimit të detyrimeve të prapambetura, kanë pasur ndikimin e tyre pozitiv në këtë drejtim. Reformat e ndërmarra kohët e fundit kanë dhënë efektet e para. Me kalimin e kohës, së bashku dhe me reformat e tjera të përfshira në axhendën e përbashkët me FMN-në, do të kemi një shkallë më të lartë dhe më të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike.

Këtë pritshmëri tonën e përforcojnë më tepër edhe komentet më të fundit të ardhura nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të FMN-së, gjatë miratimit të Rishikimit të 5-të dhe të 6-të të Marrëveshjes, e cila mundësoi lëvrimin e transhit të radhës prej 72.4 milionë euro, për Shqipërinë. Ekonomia shqiptare po lëviz me një trajektore pozitive zhvillimi dhe kërkesa e brendshme do të vijojë të forcohet edhe më tepër si rezultat i materializimit të mëtejshëm të reformave, thekson FMN-ja.

Njëkohësisht, Fondi vlerëson pozitivisht politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë si dhe përpjekjet e vazhdueshme në drejtim të uljes së kredive me probleme dhe nxitjes së kreditimit.

FMN-ja gjithashtu vlerëson edhe reformat strukturore të ndërmarra nga autoritetet shqiptare me qëllim forcimin e financave publike nëpërmjet konsolidimit të mëtejshëm fiskal, duke mos lënë pa përmendur si progresin e bërë deri tani, ashtu edhe nevojën për të vazhduar më tej me zbatimin e atyre që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e rritjes ekonomike.

E gjithë kjo që përmenda më sipër, të çon në konkluzionin se ambienti është më tërheqës dhe se stimujt për të rritur kreditimin janë shtuar ndjeshëm. Besoj se Banka e Shqipërisë i ka bërë detyrat e saj në këtë drejtim. Më konkretisht:

Së pari, stimuli i fortë i politikës tonë monetare ka sjellë normat e interesit në tregjet financiare në minimumet e tyre historike. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto norma do të vazhdojnë të mbeten poshtë mesatareve të tyre historike, edhe gjatë dy viteve të ardhshme. Në funksion të përmbushjes së objektivit për inflacionin dhe afrimin e rritjes ekonomike me potencialin e saj, Banka e Shqipërisë nuk do të ulë intensitetin e stimulit monetar përgjatë gjithë vitit 2016, ndërkohë që kushtet monetare do të mbeten stimuluese në të dy vitet në vijim.

Së dyti, emetimi i Eurobondit ka sjellë reduktimin e huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare. Kjo ka shkaktuar një ulje të mëtejshme të normave të interesit – edhe përtej sinjaleve të dhëna nga politika monetare – duke forcuar më shumë stimulin monetar në ekonomi.

Për më tepër, tërheqja e sektorit publik ka mundësuar që e gjithë “torta” e likuiditetit të jetë në dispozicion të sektorit privat. Në përputhje me planin buxhetor afatmesëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi i këtij faktori do të jetë i pranishëm edhe gjatë 2 viteve në vijim.

Së treti, situata e likuiditetit dhe shëndeti financiar i sistemit bankar është shumë premtues për mbështetjen e ekonomisë me kredi. Gjatë vitit 2015, sektori bankar zgjeroi aktivitetin, përmirësoi performancën financiare, mbeti i mirëkapitalizuar dhe me gjendje të bollshme të likuiditetit strukturor. Sektori bankar rezultoi me një fitim prej rreth 15.7 miliardë lekësh. Përmirësimi i rezultatit financiar, erdhi si rezultat i rënies së kostove të financimit dhe shpenzimeve më të ulëta për fondet rezervë të rrezikut të kreditit. Treguesit e kthimit nga aktivet dhe nga kapitali, janë përmirësuar më tej. Numri i bankave me fitim është shtuar. Depozitat e publikut, ndonëse me një ritëm më të ulët, u zgjeruan gjatë vitit 2015, duke ruajtur peshën prej rreth 82% të aktivit të sektorit bankar. Masat e marra në 2-3 vitet e fundit për të adresuar kreditë me probleme, kanë filluar të japin rezultatet e tyre.

Cilësia e kredisë u përmirësua dhe raporti i kredive me probleme zbriti nga 25% në 18%, kryesisht si rezultat i ristrukturimeve dhe i largimit të kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Së katërti, zbatimi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të çlirojë stresin dhe nervozizmin e grumbulluar prej kohësh në sistemin bankar. Për rrjedhim, kjo do të çojë në lehtësimin e standardeve të kredisë dhe në rritjen e ofertës së kredisë bankare nga ana e sistemit bankar.

Së pesti, pritshmëritë janë më optimiste edhe në kontekstin e përgjithshëm ndërkombëtar, përfshirë dhe sjelljen e institucioneve mbikëqyrëse e rregullatore dhe në nivel të vetë grupeve të mëdha bankare.

Janë të gjitha këto arsye, që shpjegova më sipër, të cilat na kanë bindur se ekziston një potencial i madh për të kredituar ekonominë. Në fakt ne besojmë se rritja e kredisë për ekonominë në vitin 2016 do të jetë më e fortë se vitin e kaluar. Kjo është pasqyruar dhe në planet e biznesit të sistemit bankar për vitin 2016, ku banka të veçanta me peshë në kreditim, kanë planifikuar rritje ambicioze krahasuar me vitin 2015. Shpresoj, dhe do të insistoj, në materializimin në ekonomi të këtij objektivi.

Siç e përmenda që në fillim të fjalës sime, sot dëshiroj t’ju ftoj të diskutojmë për një fillim të ri. Tashmë kushtet janë pjekur. Ekonomia po rritet, mundësitë për biznes janë të pranishme. Likuiditeti është i bollshëm dhe çmimi i leverdishëm.

I bëj thirrje sistemit bankar të shkëputet nga qëndrimi relativisht pasiv. Duhet të kuptoni se ka ardhur koha të ktheheni në biznesin tradicional të bankës tregtare, kreditimin e ekonomisë. Ky është misioni i bankave tregtare në ekonomi dhe për këtë qëllim, ju ftoj ta përmbushni atë me sukses.

Mos vazhdoni të jeni peng i disa praktikave të vjetra të kredive të dështuara. Nxirrni mësimet e duhura dhe rrisni komunikimin me selitë tuaja qendrore. Shpjegojuni atyre realitetin shqiptar dhe oportunitet për investim. Bindini ata se ka shumë aktivitete ku kthimi është i sigurt dhe për këtë arsye ato duhen kredituar.

Dua t’ju bëj të ditur një fakt: zinxhiri drejtues i Bankës së Shqipërisë nuk është i kënaqur me situatën aktuale, ndërkohë që arsyet apo pretendimet e shumta që mund të ngrihen nuk mund të justifikojnë një lloj apatie dhe mungese oreksi për rrezik në investim. Presioni ynë sa do të vijë dhe do të rritet në këtë drejtim. Ju ftoj të merrni sa më shpejt masa korrektuese për të mbështetur më mirë ekonominë me kredi.

Nga ana tjetër, i bëj thirrje dhe komunitetit të biznesit të rrisë shkallën e profesionalizmit në hartimin dhe zbatimin e projekteve për të cilat kërkon mbështetje me kredi. Biznesi duhet t’i kushtojë vëmendje të madhe asistencës së mirëfilltë financiare dhe juridike para, gjatë dhe pas nënshkrimit të kontratave. Adoptoni filozofi drejtimi bashkëkohore.

Qeverisja e sipërmarrjeve tuaja duhet të jetë e përgjegjshme, ndërkohë që është në të mirën tuaj që të ndërtoni projekte realiste, për sa i takon madhësisë, vendndodhjes dhe burimeve. Mbani parasysh që produktiviteti ju garanton kthim të lartë. Mos neglizhoni punën kërkimore dhe investoni në burime njerëzore të kualifikuara. Pavarësisht se duken këshilla të thjeshta, më lejoni t’ju sqaroj se në shumë prej praktikave që kanë dështuar, shkaqet janë pikërisht elementët që përmenda.

Nga ana jonë, ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të jetë një partner i ndershëm, i hapur dhe serioz në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke nënkuptuar edhe funksionin e saj mbikëqyrës. Ne do të vijojmë me përmirësimin e bazës ligjore dhe asaj nënligjore për reflektimin e standardeve më të mira të fushës dhe të direktivave evropiane në drejtim të mbikëqyrjes mikro dhe makroprudenciale.

Banka e Shqipërisë do të vendosë në qendër të përpjekjeve të saj përmbushjen e të gjithë angazhimeve që rrjedhin nga “Plani Kombëtar i Veprimit për Trajtimin e Kredive me Probleme”. Ne do të bashkëpunojmë pa asnjë hezitim me autoritetet e tjera shtetërore, me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, në drejtim të rënies së mëtejshme të nivelit të kredive me probleme.

Njësoj si në të kaluarën, stabiliteti financiar i sistemit bankar përbën një prioritet mbi të gjitha prioritetet. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të japë kontributin e saj edhe në kuadër të Komitetit të Stabilitetit Financiar të Vendit.

***

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të sistemit bankar,

Në përfundim të fjalës sime, dua të nënvizoj edhe njëherë faktin se në këtë sallë përfaqësojmë tre grupe interesi, të cilët për të qenë të suksesshëm, kanë nevojë të ndihmojnë dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Ju bëj apel edhe njëherë që të rrisni shkallën e mirëkuptimit dhe të kooperimit të ndërsjellë.

Ju faleminderit.