BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 15.12.2017

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në takimin përmbyllës të Bankës së Shqipërisë me përfaqësues të medias, si dhe me disa prej studentëve më të talentuar në fushën e ekonomisë.

Këtë fjalë të shkurtër mirëseardhjeje dëshiroj ta filloj duke shprehur falënderimet e mia për mbështetjen që ju si gazetarë dhe përfaqësues të medias i keni dhënë Bankës së Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2017. Në përgjithësi, analiza dhe reflektimi mediatik mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend dhe më gjerë, ka hyrë në një fazë interesante ndërgjegjësimi dhe profesionalizmi. Si rrjedhojë, edhe mbulimi dhe pasqyrimi i veprimtarisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë ka zënë një vend të qenësishëm. Shpresoj që në këtë tregues të ketë ndikuar sadopak edhe Banka e Shqipërisë, përmes arsenalit të saj të raporteve periodike, materialeve studimore, aktivitetit edukues, si dhe kontakteve të drejtpërdrejta me ju.

Gjithashtu, nëpërmjet jush dëshiroj të falënderoj edhe organizatat që ju përfaqësoni, duke besuar dhe shpresuar se analiza dhe mbulimi mediatik do të perfeksionohet më tej gjatë vitit 2018. Përfitoj nga rasti t’ju garantoj se në çdo rast dyert tona do të jenë të hapura për t’u konsultuar dhe për të shkëmbyer pikëpamje reciproke rreth argumenteve të momentit, me qëllimin e vetëm për të rritur shkallën e sqarimit dhe të kuptimit të fenomeneve. Një lajm mediatik depërton më lehtë në publik se sa çdo formë tjetër komunikimi zyrtar. Në qoftë se ai është i plotë, i vërtetë dhe profesional, atëherë ai sjell qartësi dhe reagim në kahun dhe me shpejtësinë e duhur. Në fund të fundit, e gjitha kjo sjell efektivitet më të madh të politikave tona dhe për rrjedhim, besimi i publikut tek institucioni ynë do të rritet.

Siç e kemi kthyer në traditë tashmë, ky aktivitet i fundvitit përfshin njëkohësisht edhe dhënien e Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, për vitin që po lëmë pas. Përpara se të shpallim fituesit, do të dëshiroja të përshëndes të gjithë studentët, të cilët morën pjesë me shumë dinjitet në garën për punimin shkencor më interesant. Banka e Shqipërisë i kushton një vëmendje të veçantë fushës së kërkimeve, pasi jemi të sigurt se përsosja dhe thellimi i mëtejshëm i saj, është një ndër shtyllat kryesore në të cilat mbështetet progresi ekonomik i vendit tonë. Edukimi financiar dhe rritja e përfshirjes financiare janë ndër prioritetet kryesore të punës sonë dhe kontributi që të gjithë ju jepni në këtë drejtim, nëpërmjet punimeve tuaja, është mjaft i vyer.

Së pari, dëshiroj të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në garë. Punimet e përgatitura prej jush janë vlerësuar shumë interesante. Njëkohësisht, përgëzoj iniciativën tuaj për të zgjeruar spektrin e analizës së çështjeve ekonomike dhe financiare përtej atij tradicional. Shumë nga argumentet e trajtuara në punimet tuaja konstatoj se janë pjesë e menysë së përditshme të diskutimeve midis politikëbërësve dhe akademikëve, si në vend ashtu dhe në ekonominë globale.


Së dyti, bazuar në çka thashë më sipër, dua të garantoj të gjithë studentët se me pjesëmarrjen tuaj në këtë garë, ju keni hedhur një hap të parë të rëndësishëm në formësimin e karrierës tuaj profesionale. Niveli i punimeve të prezantuara është mbresëlënës dhe premton se ju keni potencial të madh për të qenë nesër profesionistë të zotët në fushën e teorisë ekonomike, të funksionimit të tregjeve, të bankingut dhe të financave.


Së treti, është e rëndësishme të kuptoni se për të qenë një studiues i suksesshëm është e domosdoshme që, përtej një edukimi të plotë, të jesh në kontakt me kërkues dhe studiues kudo, në vend dhe jashtë tij. Ky mendoj se është një nga sekretet për të qenë në sintoni me të gjitha të rejat që kanë lidhje me kërkimin shkencor. Për këtë qëllim do t’ju sugjeroja të përpiqeni që tani për të ndërtuar "network-un" tuaj të lidhjeve. Nga ky këndvështrim, rrjeti i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë do t’i ketë dyert e hapura.

Së fundi dhe besoj se bëhet fjalë për momentin më pikant, do të kalojmë tek shpallja e fituesve të "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë" për vitin 2017. Përzgjedhja e më të mirëve nuk është një mision kaq i lehtë, veçanërisht kur tërësia e punimeve karakterizohet nga një cilësi e lartë. Komisioni i vlerësimit është marrë gjatë me vlerësimin e secilit punim të mbërritur, duke bërë kujdes të veçantë në vlerësimin e të gjitha detajeve që lidhen me metodologjinë kërkimore, me origjinalitetin e temës dhe me përdorimin e metodave të sofistikuara e bashkëkohore të kërkimit shkencor. Në përfundim të këtij procesi vlerësues, tashmë është arritur në konkluzionin final se kush janë fituesit, ndaj le të vijojmë me prezantimin e tyre.

Ju faleminderit dhe gëzuar festat! Qoftë viti i ardhshëm, një vit i mbarë për të gjithë ju, personalisht dhe profesionalisht!