BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 18.12.2023

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

të nderuar studentë,

të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë, t’ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë tonë në këtë prag festash të fundit vitit. Ky takim është shndërruar në një traditë të konsoliduar tashmë, ku opinion bërës, influencues të mendimit publik, zëra të fuqishëm të gazetarisë na nderojnë me prezencën e tyre, jo vetëm për të kaluar disa momente me njëri tjetrin, por edhe për të  zhvilluar paralelisht eventin tjetër shumë të veçantë, atë të shpërndarjes së çmimit të Guvernatorit për punimin më të mirë.  

498-1013

Dëshiroj ta filloj fjalën time duke ju drejtuar një falënderim të përzemërt të gjithë juve që jeni të pranishëm sot në këtë sallë, por njëkohësisht pa harruar edhe ato përfaqësues të medias të cilët për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë mundur të jenë sot me ne. Ky falënderim merr shkas nga pasqyrimi me realizëm dhe vërtetësi që ju i keni bërë të gjithë aktivitetit të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2023, përfshirë dhe vendimmarrjen e saj në fushën e politikës monetare. Ne besojmë se profesionalizmi i shtuar nga ana juaj, ka ndihmuar në një transmetim më efikas të politikës monetare në ekonomi dhe në forcimin e stabilitetit të sektorit bankar shqiptar. Përfitoj nga rasti të deklaroj se imazhi i Bankës së Shqipërisë dhe veprimtaria e saj, në përgjithësi janë përcjellë në publik, në mënyrë adekuate përgjatë gjithë vitit 2023. Edhe në rastet kur kemi patur interpretime të ndryshme jemi përpjekur dhe ja kemi arritur që në bashkëpunim me juve të sqarojmë në maksimum qëndrimin dhe pasojat e pritshme për të eliminuar çdo keqinterpretim apo devijim të të vërtetës në publik.

498-0837
498-1066
498-1466

Së dyti, dëshiroj të ndalem shumë shkurt në disa nga arritjet tona më të fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi.

498-1602

Tashmë që jemi në muajin e fundit të vitit 2023, mund të themi se viti që po lëmë pas, ka shënuar një situatë ekonomike të qëndrueshme, e cila ka arritur ti bëjë ballë goditjeve të shkaktuara nga ekonomia globale. Aktiviteti  ekonomik  ka  ardhur  në  rritje,  duke  mundësuar rritje të punësimit e të pagave dhe përmirësim të gjendjes financiare të  bizneseve.  Paralelisht  me  të,  borxhi  publik  dhe  borxhi  i  huaj  i  ekonomisë  shqiptare  kanë pësuar rënie,  ndërkohë që kursi  i  këmbimit  të  lekut  ndaj  monedhave  të  huaja  është  forcuar dhe treguesi  i  kredive  me  probleme  mbetet  në  nivele  të  ulëta. Dua të theksoj se gjendja e përgjithshme financiare e sektorit bankar paraqitet e shëndetshme, duke garantuar kështu një burim të rëndësishëm për financimin e aktivitetit ekonomik në vitet në vijim.  

498-1419
498-1355
498-1283

Nga ana tjetër, inflacioni ka vijuar të shënojë rënie gjatë tremujorit të tretë të vitit, duke shënuar një vlerë mesatare prej 4.1%. Megjithatë, duke vlerësuar presionet e brendshme inflacioniste si relativisht të forta, Banka e Shqipërisë vendosi të vijojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit në nivelin 3.25%. Siç e kemi theksuar edhe më herët, nëpërmjet kësaj rritjeje synojmë kthimin e inflacionit në objektiv, në një kohë të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulëta për ekonominë.

498-1453

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka vijuar zbatimin e masave në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023), e cila synon nxitjen e përfshirjes financiare të popullsisë dhe përdorimin e pagesave elektronike si mjet më efikas në ekonominë shqiptare. Dua të veçoj këtu miratimin së fundmi të “Ligjit për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Ky ligj mjaft i rëndësishëm synon të përfshijë financiarisht të gjithë ato kategori të popullsisë që nuk zotërojnë një llogari bankare, ose e kanë atë dhe nuk e përdorin për shkak të kostove. Ai u ofron këtyre individëve jo vetëm akses në llogari, por edhe shërbime pagesash elektronike me komisione 50% më të ulta. Nga ana tjetër për kategoritë vulnerabël si pensionistët, studentët, personat e papunë dhe për ata që përfitojnë ndihmë ekonomike ky produkt është pa asnjë kosto. Në këtë këndvështrim, vlerësohet se zbatimi i ligjit jo vetëm do të kontribuojë në tejçimin e mëtejshëm të masave të marra në kuadër të strategjisë, por njëkohësisht mbështet dhe përçimin më efikas të politikave tona për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe rritjen e qëndrueshme.

kjo

Parashikimet tona për të ardhmen mbeten në territor pozitiv. Mbështetur në ecurinë e favorshme  të  zhvillimeve  ekonomike  në  vend  si  dhe  në reagimin  e  politikës  sonë  monetare,  ne  parashikojmë që ekonomia  shqiptare  do të vazhdojë të rritet më tej gjatë  viteve  në vijim. Në përputhje me këto pritshmëri, reagimi i politikës monetare do të synojë që kjo rritje të mos përkthehet në inflacion, duke mbrojtur fuqinë blerëse  të  familjeve  shqiptare  dhe  duke  ndihmuar  shëndetin  e  përgjithshëm financiar të ekonomisë. Siç  e kam theksuar edhe më parë, politika monetare do të vijojë të ruajë rolin e saj esencial për rritjen e mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë shqiptare, nëpërmjet garantimit të stabilitetit të çmimeve dhe fuqizimit të shëndetit financiar të ekonomisë.

 DSC0944

Një hallkë e rëndësishme që do të jetë një shtysë më shumë është dhe shëndeti i sistemit bankar shqiptar i cili gëzon të gjithë atributet për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit me hapat që dikton koha.

Së treti, do të doja të theksoja se Banka e Shqipërisë në vazhdimësi do të jetë një partner luajal i botës mediatike duke garantuar një komunikim transparent dhe të shpejtë, të stilizuar në një gjuhë të thjeshtë, lehtësisht të perceptueshme nga ana e publikut të gjerë.  Shpreh bindjen time, se ju të nderuar përfaqësues të medias, ashtu si deri më sot, do të jeni një dritare e rëndësishme për përcjelljen e veprimtarisë sonë në publik, në mënyrë profesionale dhe të shpejtë. Unë dëshiroj të konfirmoj se dyert tona janë të hapura sa herë që juve do të keni nevojë për të konsultuar apo kërkuar informacion shtesë në lidhje me aksionet dhe analizat tona mbi situatën ekonomiko financiare të vendit.

Duke ju falënderuar përsëri për pjesëmarrjen tuaj sot, dëshiroj ta shpërngul fjalën time në një plan tjetër që lidhet me një tjetër aktivitetit të përvitshëm të Bankës së Shqipërisë, atë të shpërndarjes së çmimit të guvernatorit.

Kjo tradite 17-vjeçare e Bankës së Shqipërisë përzgjedh dhe vlerëson tre temat më të mira të përgatitura nga studentë shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit në fushën e ekonomisë dhe financës. Konstatoj me kënaqësi se sikurse edhe gjate viteve të shkuara, temat fokusohen te problemet reale të ekonomisë dhe financës dhe përdorin metoda bashkëkohore gjithnjë e me të sofistikuara për të bërë vlerësimin e hipotezave dhe analizën e të dhënave ekonomike e financiare.

Në konkursin e këtij viti janë 26 studentë që kanë paraqitur temat e tyre të studimeve në nivel master dhe studime universitare. Studimet trajtojnë tematika bashkëkohore dhe hulumtojnë fenomene interesante në fushën e ekonomisë dhe financës qe lidhen drejtpërsëdrejti apo në mënyrë indirekte me aktivitetin e bankës së Shqipërisë dhe tregut financiar. 

Vërejmë me kënaqësi se cilësia e punëve të paraqitura është shumë e lartë. Studimet përmbushin karakteristikat e një punë të mirëfilltë shkencore të bazuar në aplikimin e metodologjive bashkëkohore të kërkimit shkencor. Komiteti i vlerësimit konstaton se studentet kanë aplikuar në mënyrë të saktë metoda të sofistikuara për të ndërtuar e strukturuar informacionin statistikor. Rrjedhimisht edhe rezultatet e konkluzionet janë të bazuara dhe me vlerë për vendimmarrësit.

Komisioni, megjithëse me vështirësi, arriti të marrë një vendim unanim për fituesit e tre vendeve të para të "Çmimit i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë" që do të paraqiten në vijim. Por para se të bëjmë këtë, më lejoni të falënderoj e të përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në garë për angazhimin e tyre, për idetë, metodat e përdorura dhe konkluzionet e nxjerra nga puna juaj. Uroj fituesit dhe ftoj të gjithë aplikantët të tregojnë të njëjtin përkushtimin dhe ambicie intelektuale edhe në karrierën e tyre profesionale!