BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, në takimin e diskutimit

Data e publikimit: 26.05.2004

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Duke ju uruar mirëseardhjen dhe një mëngjes pune të këndshëm, dua që në emrin tim dhe të bashkëpunëtorëve t'ju falenderoj për praninë tuaj në këtë sallë dhe të shpreh gjithë respektin dhe vlerësimin tonë për nderin që i keni bërë kësaj tryeze me pjesëmarrjen tuaj.

Banka e Shqipërisë filloi më 10 nëntor të vitit të kaluar një fushatë publike duke synuar zëvendësimin e veprimeve me para në dorë (cash) me veprime nëpërmjet sistemit bankar. Argumenti shqetësues jo vetëm për Bankën e Shqipërisë por edhe për Qeverinë, për institucionet financiare, për bankat, për biznesin dhe në përgjithësi, për publikun ishte se në Shqipëri mbizotërojnë dukshëm veprimet me para në dorë. Thënë ndryshe, me gjithë zhvillimet pozitive të sistemit bankar, maturimit të biznesit, forcimit të qeverisjes etj., përsëri Shqipëria vijon të mbetet një vend ku mbizotërojnë trasaksionet në cash.

Mjafton të kujtojmë se vazhdojmë të humbasim kohë nëpër sportele për të paguar faturat e energjisë apo të telefonisë, se tërheqim pagat me "bordero", se paguajmë taksat lokale, tarifat doganore, tatimet apo sigurimet shoqërore me cash, se në portofolet tona mungojnë kartat e debitit/kreditit dhe se lëvizim jashtë Shqipërisë me shuma të mëdha valutash në xhep etj., etj..

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare kanë ideuar një program afatmesëm masash të quajtur "Përtej parasë", i cili në thelb është vazhdim i fushatës së nisur në muajin nëntor, por sigurisht i pasuruar me elemente të reja ku spikasin hapa konkretë, në të cilët do të angazhohet Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe Sistemi Bankar.

Sigurisht që partneriteti i komunitetit të biznesit dhe mbështetja e medias dhe e shoqërisë civile, do ta rrisin suksesin e këtij programi, duke hedhur në këtë mënyrë bazat për modernizimin e sistemit të pagesave në Shqipëri dhe për afrimin me standardet ndërkombëtare që aspirojmë.

Sfida për reduktimin e cash tejkalon institucionet qendrore dhe zbret deri në sportelet e bankave, te biznesi lokal, degët e tatim-taksave dhe të doganave në rrethe, nëpunësit e administratës publike dhe të punësuarit në biznesin privat. Ndaj dhe para pak ditësh, bashkë me stafin e Bankës së Shqipërisë zhvilluam disa takime në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër dhe Korçë ku diskutova gjerësisht me biznesin, me degët e bankave dhe me komunitetin lokal programin "Përtej parasë". Mbështetja ishte absolute si nga bankat ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, nga shoqëria civile e media, por "kushtet"e tyre ishin të qarta: konkurrencë e hapur dhe e ndershme, korrektësi në zbatimin e ligjit dhe transparencë e dyanshme e organeve shtetërore dhe biznesit privat, në realizimin e angazhimeve të marra dhe detyrimeve ligjore.

Më lejoni të ndalem shkurtimisht në hapat që mendoj se duhet të ndërmarrë secili nga aktorët e kësaj tryeze dhe pa paragjykuar asnjë nga palët, le t'i kthejmë ata në objekte diskutimi dhe debati për të gjetur zgjidhjet më të mira, me të vetmin synim si të afrohemi te bankat. Përgjithësisht, shqiptarët kur ka angazhime dhe detyra për të realizuar e fillojnë nga të tjerët. Ndryshe nga herët e tjera, fillimisht do të ndalemi tek angazhimet dhe detyrat e vetë sistemit bankar, të cilin e përfaqësojmë së bashku me bankat e nivelit të dytë, që kanë drejtuesit/përfaqësuesit e tyre në këtë takim.

Banka e Shqipërisë po identifikon në thelb problemin ose thënë ndryshe, cilat janë shkaqet kryesore të pranisë së konsiderueshme të cashit në ekonomi. Po kështu, do të instalojë edhe sistemin bashkëkohor të kleringut të pagesave si dhe po bashkëpunon në modernizimin e kuadrit ligjor të sistemit të pagesave në vend, duke i drejtuar vëmendje të veçantë zhvillimit dhe përmirësimit të pjesës ligjore dhe rregullative, që mbështet instrumentet dhe aktorët e rinj të pagesave në vend.

Bankat tashmë janë investuar në një proces të gjerë dhe konkurrues të hapjes dhe zgjerimi të rrjetit të ATM-ve, POS (point of sale) duke i bërë ato standarde dhe të integruara në rrjetet e shoqërive të mëdha të kartave plastike. Klientët e parë të rinj të tyre do të jenë nëpunësit e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, që duke filluar nga muaji qershor do të tërheqin pagat nëpërmjet bankës, që do të ofrojë më shumë përparësi dhe përfitime për ta. Procesi i përzgjedhjes së bankave ishte tejet transparent dhe pas shqyrtimit të ofertave të paraqitura nga sistemi, në dy-tre ditët në vijim do të përfundojnë procedurat që punonjësit e Bankës së Shqipërisë të hapin llogaritë e tyre bankare dhe në muaj në vijim, do të vijojnë procedurat edhe për institucionet dhe subjektet e tjera publike.
Bankat e nivelit të dytë duhet të jenë të përgatitura për të përballuar fluksin e hyrjeve të parasë kryesisht cash nëpërmjet transfertave bankare, si rezultat i kalimit të detyrueshëm të veprimeve që lidhen me pagesa për qeverinë apo me arkëtime në favor të saj apo të institucioneve dhe shoqërive shtetërore apo private.

Sa i përket veprimeve me biznesin, është i domosdoshëm përshpejtimi i punës për krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive si dhe kryerja e rregullimeve të nevojshme për mbështetjen e operimit të saj. Çdo vonesë në këtë proces do të ndikojë drejtpërdrejt në numrin dhe në cilësinë e produkteve bankare dhe në procesin e kreditimit të biznesit. Nga ana tjetër, zbatimi i projektit për kryqëzimin e pagesave në vlerë të vogël (AECH - Automatic Electronic Clearing House), i cili mendohet të përfundojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2005, gjykojmë se do të sjellë shtimin e shërbimeve bankare, përmirësimin cilësor të shërbimeve ekzistuese, përafrimin e mëtejshëm të sistemit me popullatën vendase dhe me bizneset e mëdha.

Biznesi konsiderohet si palë e rëndësishme në këtë përpjekje për të pakësuar përdorimin e cash në ekonomi. Si i tillë do të vendoset në qendër të një marrëdhënieje: qeveri - biznes - bankë - të ndërtuar mbi bazë mirëkuptimi dhe zbatimi të kuadrit ligjor dhe rregullativ në fuqi. Nga ana tjetër autoritetet duhet të garantojnë barazi, transparencë dhe besueshmëri, kushte këto të domosdoshme për të promovuar një ambient të shëndetshëm biznesi.

Biznesi mund dhe duhet të synojë në bërjen evidente të përparësive të sistemit bankar, të dobishmërisë së mbështetjes nga ky sistem të një biznesi të shëndoshë, të rritjes së reputacionit të një biznesi të caktuar kur është klient i besuar i një banke, të sigurisë së aktivitetit që i shtohet çdo biznesi kur ka një marrëdhënie korrekte afatgjatë me bankën tregtare. Nga ana tjetër, biznesi tashmë është i njohur me detyrimin ligjor të realizimit të transaksioneve mbi 500 mijë lekë nëpërmjet veprimeve bankare, ndërkohë që besoj se « do të joshet » nga bankat që të realizojë me anë të veprimeve bankare pagesat e taksave, pagave dhe sigurimeve shoqërore të stafit dhe transfertat me partnerët.

Të renditura në fund por jo më pak të rëndësishme, me sinqeritet besoj se shoqëria civile dhe media do të mbështesin fuqimisht programin "Përtej parasë". Banka e Shqipërisë ka tashmë eksperiencën pozitive të mbështetjes së medias dhe të shoqërisë civile gjatë fushatave kundër rritjes spekulative të çmimeve në prag të festave dhe mendojmë se kjo mbështetje do të na jepet përsëri. Si media, ashtu edhe shoqëria civile do t'i siguronin programit shkallë të lartë besueshmërie do të rrisnin masën e suksesit të tij. Kjo, jo sepse besimi i publikut tek banka kalon nëpërmjet medias dhe shoqërisë civile, por sepse shkalla e mirëkuptimit dhe dëshira e publikut për të përqendruar vëmendjen e tij në çdo zhvillim të ri, që fillon të ravijëzohet në ambientin e përgjithshëm të shoqërisë sonë, janë mjaft të përcaktuara nga vëmendja dhe pozicionimi i shoqërisë civile ndaj tij. Nga ana tjetër, media gjykojmë se mund të kryejë shumë mirë rolin e monitoruesit/supervizionit të procesit për të parë në kohë dhe për të matur realizimin e angazhimeve që pritet të marrim të gjithë sot në këtë takim. Ky monitorim mund të shërbejë si nxitje pozitive që ky proces të ecë përpara dhe shqiptarët t'i afrohen bankave dhe t'i shohin ata si partnerë në procesin e mbështetjes financiare apo ruajtjes së kursimeve të tyre.


Ju faleminderit!