BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Fatos Ibrahimi, në seminarin "Hyrje e përgjithshme në Vlerësimin e Impaktit Rregullator dhe zbatimi në praktikë i këtij koncepti".

Data e publikimit: 31.01.2008

 

Zonja dhe zotërinj,

Është me të vërtetë një kënaqësi e veçantë të hap punimet e seminarit "Hyrje e përgjithshme në Vlerësimin e Impaktit Rregullator dhe zbatimi në praktikë i këtij koncepti", si pjesë e Programit të Konvergjencës të Bankës Botërore. Organizimi i këtij seminari shënon fillimin e veprimtarive të projektit SPI Albania - Special Projects Initiatives (Nismat e Projekteve të Veçanta), prezantimi i të cilit u bë më 19 janar 2008 në Bari të Italisë, në praninë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Presidentit të Rajonit të Pulias, z. Nichi Vendola, përfaqësuesve të lartë të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të shoqatave të bankave të vendeve respektive, si dhe të përfaqësuesve të Programit të Konvergjencës të Bankës Botërore, e cila mbështet dhe administron zbatimin e projektit SPI Albania.

Projekti SPI Albania do të zhvillohet pas rezultateve pozitive të përftuara nga zbatimi i projekteve të ngjashme në Bullgari dhe Rumani. Natyra e këtij projekti si një partneritet i sektorit publik dhe atij privat përbën dhe karakteristikën kryesore të tij, duke synuar përshpejtimin e modernizimit të sektorit financiar në vendin tonë nëpërmjet nxitjes së dialogut dhe të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet autoriteteve rregullatore dhe pjesëmarrësve në treg. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë mbetet tërësisht e angazhuar që nëpërmjet vijimit të bashkëpunimit dhe komunikimit të frytshëm dhe të vazhdueshëm me aktorët e sistemit bankar, të japë kontributin e saj në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti.

Zhvillimi i aftësive të institucioneve shqiptare për të hartuar akte rregullatore në përputhje me përqasjen e Bashkimit Evropian "për një rregullim më të mirë" ("Better Regulation" approach) përbën themelin e veprimtarive të projektit SPI Albania. Këto veprimtari, që synojnë zhvillimin e kapaciteteve, do të ndihmojnë autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse në vendin tonë që të zhvillojnë ekspertizën e nevojshme në lidhje me përgatitjen e Vlerësimeve të Impaktit Rregullator të propozuara nga autoritetet respektive nëpërmjet përdorimit të instrumenteve dhe metodologjive kryesore të nevojshme për përcaktimin e saktë të përfitimeve, të kostove dhe të problemeve, si dhe për përgatitjen e analizës së dobësimit të tregut. Vlen të theksohet fakti se institucionet shqiptare nuk janë të familjarizuara me instrumentet e Vlerësimit të Impaktit Rregullator dhe në këtë kuadër, trajnime si ky i ditës së sotme janë mjaft të mirëpritura.

Pas adoptimit të ligjit të ri "Për Bankat në Republikën e Shqipërisë" në dhjetor 2006 dhe hyrjes së tij në fuqi në qershor 2007, çka përfaqësoi një hap përafrimi të legjislacionit bankar shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, Banka e Shqipërisë aktualisht është në procesin e rishikimit të kuadrit rregullator, i cili do të sigurojë zbatimin e plotë dhe të saktë të këtij ligji. Në këtë kuadër, përgatitja e vlerësimeve përkatëse të impaktit për çdo amendim të shtuar rregullator, në bashkëpunim të ngushtë me aktorët e tregut, mbetet një nga objektivat e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen e afërt. Pa dyshim, përdorimi i këtyre instrumenteve analitike do të përmirësojë procesin e vendimmarrjes duke vënë më tepër theks mbi përcaktimin e kostove që mund të shoqërojnë implementimin e akteve rregullatore të miratuara nëpërmjet kryerjes së analizave të kostove dhe të përfitimeve. Në të njëjtën kohë, përdorimi i teknikave të vlerësimit do të rrisë transparencën e procesit të vendimmarrjes së autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse nëpërmjet sigurimit të një komunikimi të vazhdueshëm me aktorët e sistemit financiar.

Më lejoni të përfundoj duke falenderuar z. Bossone dhe z. Brogi, përfaqësues të Programit të Konvergjencës, si dhe zj. Wesseling, përfaqësuese e Komitetit të Mbikëqyrësve të Sigurimeve dhe Pensioneve Evropiane, për praninë e tyre sot. Kam bindjen e thellë se prezantimet e tyre do të jenë mjaft të vlefshme dhe me përfitim për të gjithë pjesëmarrësit.

Uroj punime të mbara!

Ju faleminderit.