BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë Prof. Assoc. Dr. Fatos Ibrahimi, në forumin Crans Montana "Ndikimi i krizës ndërkombëtare në stabilitetin e sistemit financiar", 27 mars 2009

Data e publikimit: 30.03.2009

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të falenderoj organizatorët e këtij forumi prestigjioz, për mundësinë e diskutimit të përbashkët lidhur me gjendjen e sektorëve tanë financiarë dhe masat e nevojshme për të mbështetur qëndrueshmërinë e tyre ndaj efekteve negative të kësaj krize globale të pashembullt. Në të vërtetë, ajo që filloi si krizë financiare në SHBA është transformuar në një krizë ekonomike, që po sjell pasoja të jashtëzakonshme në sektorët realë të ekonomisë globale. Ekziston shpresa që si valët goditëse të një tërmeti, madhësia e efekteve të kësaj krize të zbehet, teksa zgjerohet dhe përballet me masat e ndërmarra nga vendet e ndryshme, me qëllim që t’i rezistojnë asaj.

Fillimisht, do të ndalem në zhvillimet kryesore makroekonomike të ekonomisë tonë dhe karakteristikat e sistemit tonë bankar, si dhe në disa nga masat e rëndësishme të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, në rolin e saj si autoriteti monetar e mbikëqyrës në vend dhe në pritshmëritë për të ardhmen.

Ekonomia jonë ka përshkuar një rrugë solide rritjeje gjatë dekadës së fundit, me një rritje mesatare vjetore prej rreth 6 për qind. Ajo ka përfituar nga reformat ekonomike, që kanë siguruar mundësi zhvillimi për sektorin tonë të biznesit, kanë hapur tregjet, kanë rritur konkurrencën, kanë nxitur tregjet e lira të punës dhe kanë rritur të ardhurat shoqërore. Si politikat fiskale ashtu edhe ato monetare, kanë qenë të kujdesshme në krijimin e stimujve të nevojshëm për rritjen ekonomike, duke qenë konsekuente dhe të disiplinuara në ndjekjen e objektivave të tyre, për të arritur konsolidim fiskal dhe për të siguruar një mjedis me inflacion të ulët. Deficiti buxhetor vjetor ka qenë rreth nivelit 3 për qind, duke kërcyer në 5.7 për qind të PBB-së për vitin 2008, ndërsa borxhi publik ka qenë i qëndrueshëm, duke arritur në nivelin rreth 55.6 për qind për vitin 2008. Rritja vjetore e inflacionit ka qenë për një kohë të gjatë brenda intervalit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, në 2 - 4 për qind (dhe afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind), duke treguar sukses në ankorimin e pritjeve të pjesëmarrësve të tregut për ecurinë e çmimeve në ekonomi. Kjo ecuri e mirë dhe e qëndrueshme ekonomike është mbështetur nga një kurs këmbimi i luhatshëm, i cili ka ndihmuar në mbështetjen dhe ruajtjen e një rritjeje të ekuilibruar, duke ruajtur kështu stimujt e duhur për bashkëveprim ndërmjet subjekteve vendase dhe të huaj.

Edhe në sektorin financiar kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, si rezultat i reformave të vazhdueshme dhe të suksesshme gjatë dekadës së fundit. Tashmë, sektori bankar në Shqipëri ka 16 banka, të gjitha me kapital privat, ku dominon kapitali i huaj. Gjatë kësaj periudhe, sektori bankar ka rritur numrin e degëve, ka përmirësuar produktet e tij ndaj publikut dhe ka rritur rolin e vet ndërmjetësues, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Në të njëjtën kohë, hyrja e grupeve bankare të njohura evropiane nga Austria, Greqia, Italia dhe Franca është shoqëruar me episode të konsolidimit të industrisë bankare. Ashtu si në të gjithë rajonin edhe në Shqipëri sektori bankar dominon mbi atë financiar.

Mbikëqyrja jonë bankare ka si qëllim të adoptojë standardet më të mira ndërkombëtare në këtë fushë. Si rezultat, është vlerësuar se kuadri ynë ligjor dhe rregullativ është përmirësuar vazhdimisht dhe është në pajtim me arritjen e objektivave tanë, për një zhvillim të shëndetshëm e të qëndrueshëm të veprimtarisë bankare. Nisur nga aspekti praktik, ne kemi ndërthurur mbikëqyrjen rregullatore me atë me bazë rreziku. Të dhënat që raportohen nga sektori bankar analizohen nga zyra e analizës dhe verifikohen në vend. Gjithashtu, ne jemi përpjekur të mbajmë kontakte të ngushta dhe të bashkëpunojmë me autoritetet mbikëqyrëse të huaja, si një mjet i rëndësishëm për përmirësimin e efikasitetit të punës së mbikëqyrjes.

Aktualisht, aktivet e sektorit bankar përfaqësojnë rreth 87 për qind të PBB-së së vendit. Portofoli i huave zë rreth 37 për qind të PBB-së. Për shkak të rritjes së konkurrencës pas privatizimit, rritja e tij ka qenë shumë e shpejtë gjatë katër viteve të fundit, ndonëse nisur nga një bazë e ulët. Depozitat përfaqësojnë rreth 80 për qind të detyrimeve të sektorit bankar dhe raporti hua/depozita ka arritur në rreth 62 për qind. Kështu, sektori bankar, në kryerjen e aktivitetit të tij të huadhënies, mbështetet shumë tek depozitat e brendshme, si në monedhën vendase ashtu edhe në atë të huaj. Gjendja e valutës së huaj në sektorin bankar është shumë e ekuilibruar, pasi aktivet dhe pasivet në valutë zënë respektivisht rreth 49 për qind të aktiveve totale dhe detyrimet e sektorit bankar ndaj jorezidentëve (pothuajse tërësisht në valutë) zënë vetëm 10 për qind të totalit të detyrimeve. Sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit zë rreth 17 për qind, krahasuar me minimumin e kërkuar prej 12 për qind. Raporti i aktiveve likuide ndaj totalit të aktiveve është rreth 43 për qind. Gjatë 4 viteve të fundit, norma mesatare e kthimit nga kapitali ka qenë rreth 20 për qind, ndërsa norma mesatare e kthimit nga aktivet ka qenë rreth 1.5 për qind. Rrjeti i degëve të sektorit bankar llogaritet në rreth 350 degë në të gjithë vendin. Kryesisht gjatë tre viteve të fundit, sektori bankar gjithashtu ka modernizuar infrastrukturën për pagesat dhe produktet, duke mundësuar rritjen e përdorimit të kartave për pagesa elektronike dhe kryerjen e veprimeve bankare nëpërmjet internetit.

Pavarësisht ecurisë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka qenë vigjilente në drejtim të identifikimit të fushave të veprimtarisë bankare, të cilat lidhen me zhvillimet vendase që kërkojnë vëmendjen e industrisë bankare. Deri para shfaqjes së kësaj krize financiare globale, ne kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me rritjen e shpejtë të huadhënies, e cila deri në 2007-ën rritej me rreth 8-9 pikë përqindje në terma të rritjes vjetore ndaj PBB-së. Edhe përbërja e portofolit të kredive, i cili dominohet nga hua të shprehura në euro përbën shqetësim, ndonëse ky pozicion mbështetet nga prania e lartë e detyrimeve të shprehura në valutë të huaj në bilancet e bankave, një mjedis përgjithësisht mbështetës nga kurset e këmbimit, normat e interesit dhe nga lidhjet tregtare me vendet e Eurozonës, si me Italinë dhe Greqinë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka marrë vazhdimisht masa rregullatore, që do të dekurajonin rritjen e shpejtë të kredisë, të nxisnin bankat të japin më shumë hua në monedhën vendase dhe të rrisnin transparencën për produkte dhe shërbime bankare ndaj klientëve.

Që në mesin e vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë e ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ndikimin indirekt të krizës financiare, veçanërisht lidhur me ecurinë e ekonomisë reale. Ne kemi treguar rreziqet ndaj rritjes ekonomike, lidhur me një rënie potenciale në kredi nga sektori bankar, një rritje të deficitit tregtar (për shkak të rënies së eksporteve), rënie të ndjeshme të remitancave (për shkak të perceptimit të rënies së pasurisë dhe rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara). Ne kemi deklaruar se gjatë gjithë kësaj kohe ka shumë nevojë për një politikë monetare të matur dhe politikë fiskale të përgjegjshme. Kur bëhet fjalë për politikën monetare, ne kemi qenë të kujdesshëm për të nxitur mbajtjen e kursimeve në monedhën vendase dhe për të ankoruar pritje për norma inflacioni të ulëta dhe të qëndrueshme. Nisur nga perspektiva operacionale, gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ka marrë një sërë masash që synonin: 

  • forcimin e mbikëqyrjes ndaj zhvillimeve të tregut financiar dhe veçanërisht të sektorit;
  • bankar;
  • intensifikimin e takimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe me përfaqësuesit e bankave, duke ju kërkuar atyre të rrisin vigjilencën për shkak të kushteve aktuale të tregut ndërkombëtar;
  • rritjen e kontakteve me institucionet e tjera vendase që rregullojnë dhe monitorojnë tregjet financiare, veçanërisht me Autoritetin Mbikëqyrës të Tregut Financiar;
  • rritjen e numrit të publikimeve, përfshirë Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2007 (shtator) dhe Deklaratën mbi Stabilitetin Financiar (tetor), të cilat përpiqen të analizojnë elementet e krizës dhe efektet e saj potenciale mbi sektorin bankar shqiptar dhe mbi ekonominë shqiptare;
  • rritjen e pranisë në media, për të shpjeguar krizën, për të qartësuar pozicionin e sektorit bankar ndaj efekteve potenciale të krizës dhe për të ruajtur besimin e publikut në sektorin bankar;
  • ndryshimin dhe përmirësimit të kuadrit raportues të bankave, veçanërisht në lidhje me ekspozimin e tyre ndaj tregjeve ndërkombëtare (dhe bankave mëmë) dhe detyrimet e tyre (depozita dhe ekspozime ndaj linjës së kredisë) nga bankat mëmë;
  • rishikimin e planeve tona të “mbështetjes”, për të vlerësuar mundësinë e veprimeve të reja, në rast se hasim ndonjë skenar të përkeqësuar;
  • ndryshimin e formës së operacioneve tona të tregut të hapur dhe kemi filluar të përdorim transaksione javore të riblerjes “në shumë të papërcaktuar/çmim fiks” dhe për maturitete më të gjata, për t’iu përshtatur më mirë nevojave të bankave për likuiditet.

Kur bëhet fjalë për bashkëpunim me vendet-mëmë, ne kemi vlerësuar mjaft masat e tyre për rritjen e sigurisë të bankave, pasi kjo krijon siguri për infrastrukturën financiare në vendet pritëse. Besojmë se këto masa do të përshtaten edhe për një mjedis në zhvillim dhe do të ndihmojnë edhe për të trajtuar disa shqetësime të vendeve pritëse, lidhur me: a) rëndësinë e ruajtjes së një rrjedhjeje të arsyeshme fondesh në euro nga selia qendrore e grupeve bankare drejt filialeve të tyre të huaja, si për likuiditet ashtu edhe për të mbështetur huadhënien; b) rëndësinë e drejtimit gradualisht të portofolit të huadhënies të filialeve të tyre të huaja drejt monedhës vendase të vendit pritës.

Ngjarjet e gjysmës së dytë të vitit 2008 kanë treguar rëndësinë që ka një ekonomi e ekuilibruar dhe një sektor financiar dhe bankar solid. Pavarësisht efekteve në rritje të krizës ndërkombëtare, ekonomia ka pasur një rritje solide në përputhje me parashikimet e fillimit të vitit, në një mjedis rëniesh të presioneve inflacioniste. Ndikimi i krizës ndërkombëtare filloi të materializohej në tremujorin e fundit të vitit, siç tregohet edhe në zhvillimet e bilancit të pagesave dhe në bilancin e sektorit bankar. Në të vërtetë, një rënie në kërkesën e jashtme dhe një rritje në normat e papunësisë në disa nga vendet fqinje të BE-së shkaktuan një rënie në remitancat e emigrantëve dhe në eksporte. Madje, ndjeshmëria e publikut ndaj lajmeve (ndonjëherë të paekuilibruara) mbi zhvillimet e krizës ndërkombëtare, rriti pasigurinë për kursimet e tyre në sektorin bankar dhe shkaktoi disa tërheqje depozitash. Megjithatë, për shkak të niveleve të kënaqshme të kapitalizimit dhe likuiditetit, sektori bankar i përballoi më së miri këto zhvillime. Në drejtim të zhvillimeve të përgjithshme, rritja vjetore e aktiveve të sektorit bankar u ngadalësua në 12 për qind, krahasuar me 19 për qind në vitin e kaluar. Krahas një rënieje në ritmin e rritjes të huadhënies edhe cilësia e kredive u përkeqësua dhe huatë e këqija arritën në 6.6 për qind të totalit të kredive. Por, raporti ende i kënaqshëm i kredive ndaj depozitave ka mbështetur rritjen vjetore solide të kredisë, prej rreth 35 për qind. Rezultati financiar i sektorit bankar për vitin 2008 ka qenë pozitiv, por më i ulët se në vitin e mëparshëm, për shkak të një ngadalësimi në veprimtaritë fitimprurëse. Kursi i këmbimit të monedhës vendase ka qenë i qëndrueshëm gjatë vitit dhe me tendenca nënçmuese ndaj euros dhe dollarit për tremujorin e parë.

Në lidhje me zhvillimet e pritura vendase për vitin 2009, ne presim që ekonomia të përballet me sfida më të mëdha. Rritja ekonomike do të jetë pozitive, por pothuajse sa gjysma e asaj që ishte në vitin 2008. Stimuli fiskal i planifikuar do të jetë më vështirë të arrihet, për shkak të vështirësive potencialisht më të mëdha në realizimin e të ardhurave dhe në sigurimin e burimeve të tjera për financimin e shpenzimeve. Kështu, mund të ketë nevojë për t’i dhënë përparësi shpenzimeve fiskale gjatë vitit. Ndërmjetësimi financiar i sektorit bankar ndaj sektorit publik dhe atij privat, do të jetë më i ulët dhe potencialisht me më shumë kosto, për shkak të faktorëve të kërkesës dhe të ofertës. Për shkak të kushteve financiare më të shtrënguara, bizneset dhe individët pritet të hasin një proces përshtatjeje të dhimbshëm, por të nevojshëm në periudhë afatshkurtër. Kjo mund të jetë e dobishme në drejtim të rritjes së eficiencës në periudhë afatmesme. Inflacioni mund të shkojë përkohësisht nën intervalin e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, por pritet që për pjesën më të madhe të vitit të jetë brenda intervalit. Politika monetare do të synojë të ruajë nxitjet e duhura për mbajtjen e aktiveve të shprehura në monedhën vendase dhe që pritjet e inflacionit të ankorohen brenda objektivit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo pritet gjithashtu të ndikojë në ruajtjen e kapacitetit të mjaftueshëm të ndërmjetësimit financiar në periudhë afatmesme. Rentabiliteti i sektorit bankar pritet të jetë më i ulët gjatë këtij viti, për shkak të vëllimit më të ulët të veprimtarive fitimprurëse (ofertë/kërkesë më të ulët për kredi), të kostos të financimit mjaft më të lartë dhe të rritjes të fondeve rezervë për mbulimin e huave të këqija. Por, kjo nuk pritet të ketë ndonjë efekt thelbësor mbi treguesit e likuiditetit dhe të mjaftueshmërisë të kapitalit. Kapitalizimi më se i mjaftueshëm dhe parametri i likuiditetit të veprimtarisë bankare do të mbrojnë stabilitetin e sektorit bankar dhe ecjen përpara të sistemit financiar.

Ndërkohë që kriza financiare po ndikon çdo vend, madhësia e ndikimit do të varet nga kohëzgjatja e krizës ndërkombëtare dhe gjendja e ekonomisë së vendit. Pritjet për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore - diku nga fundi i këtij viti - nëse materializohen, do të largojnë pasigurinë dhe ngritja psikologjike mund të mbështesë ndjenjën e përfitimeve ekonomike më të hershme dhe më të fuqishme. Pavarësisht nga vështirësitë që do të hasen, gjykohet se gjendja e ekonomisë shqiptare dhe e sistemit tonë financiar është e ekuilibruar dhe e aftë t’i rezistojë ndikimit të kësaj krize ndërkombëtare. Në këtë përpjekje, ekonomia jonë do të gjejë mbështetje në faktorë që lidhen me fleksibilitetin e sektorëve realë dhe të bizneseve, në nivelin e duhur të disa treguesve makroekonomikë që lidhen me fushat monetare dhe fiskale, në stabilitetin e sektorit bankar dhe ekspozimin shumë të kufizuar ndaj aktiveve dhe detyrimeve të jorezidentëve, në aftësinë e autoriteteve publike për të ruajtur disiplinën monetare dhe fiskale dhe për të vepruar në një mënyrë të harmonizuar dhe të vendosur, me qëllim mbështetjen e rritjes ekonomike.

Faleminderit!