BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në Forumin e 7të të Biznesit Greqi-Shqipëri “Roli i bankave si ura drejt zhvillimit”

Data e publikimit: 13.11.2013

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë forum ekonomik, i cili mbledh së bashku përfaqësues të sipërmarrjeve shqiptare dhe greke, dhe gjithashtu të bankave që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendet tona. Jam veçanërisht i kënaqur që kemi me ne sot Guvernatorin e Bankës së Greqisë, z. Provopoulos, pjesëmarrja e të cilit tregon vëmendjen që ai personalisht dhe Banka e Greqisë po i kushtojnë mbështetjes së sektorit të biznesit në përgjithësi dhe marrëdhënies ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë, në veçanti. Kjo përqasje është ajo e duhura. Sektori privat i biznesit është kontribuuesi kryesor në PBB-në e vendeve përkatëse. Sektori i biznesit po kalon disa vështirësi serioze kohët e fundit në Greqi, që lidhet me nevojën për uljen e ndërmjetësimit financiar dhe ristrukturimin, me qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Këto janë sfida të mëdha që lidhen me kostot e larta ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, besoj se këto sakrifica të popullit grek do të shpërblehen në të ardhmen, duke i hapur rrugë një ekonomie më të gjallë dhe më të fortë, si dhe një sektori biznesi më konkurrues.

Edhe sektori i biznesit në Shqipëri përballet me sfida. Bizneset shqiptare duhet të ristrukturohen për t’u bërë më konkurrues. Kjo duhet të ndodhë në një kohë kur Shqipëria shënon rritje ekonomike të frenuar dhe kërkesë të dobët. Këtë vit presim që rritja ekonomike të jetë rreth 1.9%. Shifra mund të jetë pak më e lartë vitin tjetër, megjithatë, ende mbetet më e kushtëzuar nga kërkesa e jashtme, e cila në vetvete, është mjaft e pasigurt. Sektori ynë i biznesit duhet të gjejë rrugë dhe tregje të reja për të mbështetur veprimtarinë dhe rritjen e tij.

Përvoja jonë ka treguar se bizneset ose industritë me tregje produktesh më të diversifikuara, dhe që u kujdesën për strukturat e kostove dhe për bilancet e tyre, e përballuan më mirë periudhën e rënies ekonomike dhe kanë parashikime më të mira lidhur me rritjen e pritshme ekonomike. Kjo shërben për të treguar se, ashtu si dhe në fusha të tjera të jetës, një përqasje afatgjatë ndaj biznesit jep rezultate më të mira.

Financimi është i rëndësishëm në periudha të rritjes ekonomike, por ai nevojitet gjithashtu dhe në kohë të vështira për të lehtësuar ristrukturimin e biznesit dhe për të siguruar qëndrueshmërinë në kohë të zbatimit të ndryshimit. Si në Greqi dhe Shqipëri, ashtu dhe në Evropë, sektori bankar është burimi mbizotërues i financimit.

Ky fakt nxjerr në pah rëndësinë e një sistemi bankar të shëndoshë për ekonomitë tona dhe ka ngritur shqetësime të thella në Evropë lidhur me mundësitë e rimëkëmbjes ekonomike pa kreditim, duke pasur parasysh rritjen aktuale shumë të dobët të kredisë. Ndërsa objektivi afatgjatë duhet të jetë krijimi i kushteve për një sistem financiar më të ekuilibruar dhe më të diversifikuar, objektivat më afatshkurtra duhet të përqendrohen për të pasur një sistem financiar të qëndrueshëm, që ofron shërbime financiare të mjaftueshme për klientët e tij, si depozitues të kursimeve ashtu dhe huamarrës, duke ruajtur kështu peshën përkatëse të kontributit të këtij sistemi në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Sektori bankar në Shqipëri e ka ndjerë ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, pasi standardet më të lehtësuara të kredidhënies para krizës dhe rritja më e dobët ekonomike pas krizës janë përkthyer në cilësi më të ulët të aktiveve dhe vështirësi për të ruajtur në mënyrë të vazhdueshme rezultate financiare pozitive. Përballë rrezikut më të lartë të kredisë, kushtet e kredisë janë shtrënguar dhe rritja e saj ka qenë e ngadaltë. Në shtator 2013, kredia shënoi rritje negative, shkaktuar nga kredia në monedhë të huaj dhe ajo për bizneset.

Megjithatë, sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid. Bankat kanë qenë të afta të sjellin kapital të ri dhe mbështetje financiare nga bankat e tyre mëma. Veçanërisht bankat greke që veprojnë në Shqipëri kanë pasur mbështetje të fuqishme nga bankat e tyre mëma deri tani, dhe ne presim që kjo të vazhdojë dhe në të ardhmen, nëse do të jetë e nevojshme. Në shtator 2013, kapitali i ponderuar me rrezikun i sektorit bankar ishte 17.8%, ndërkohë që raporti i aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra ishte 36.5%. Sektori ka treguar preferencë të lartë për investime në letrat me vlerë të borxhit të qeverisë shqiptare dhe në vendosjet jashtë vendit.       

Banka e Shqipërisë ka marrë një sërë masash për të mbështetur rritjen e kreditimit dhe për të trajtuar problemet e lidhura me cilësinë e saj. Duke marrë në konsideratë presionet e përmbajtura inflacioniste, ne e kemi ulur normën bazë të interesit në nivelin më të ulët historik prej 3.5%. Normat e interesit të kredisë kanë ndjekur prirje të njëjtë, ndonëse me ritëm më të ngadaltë. Duke patur parasysh dobësinë e kanalit të kredisë në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, jemi përpjekur që të forcojmë ndikimin tonë me miratimin e disa masave kundërciklike për të nxitur rritjen e kreditimit. Në këtë drejtim, kemi rritur përkohësisht kërkesat për kapital për vendosjet e bankave jashtë vendit dhe kemi ulur ato për kreditimin në ekonominë vendase.

Gjithashtu, ne po nxisim ristrukturimin e kredisë në fazë të hershme, duke i ulur kërkesat për provigjonim, nëse është e nevojshme. Në bashkëpunim me autoritete të tjera dhe me industrinë bankare, janë marrë disa masa ligjore dhe rregullatore për përmirësimin e procesit të ekzekutimit të kolateralit dhe lehtësimit të fshirjes së huave nga bilanci.

Rezultati i këtyre masave ka qenë i ndryshëm deri tani, por në muajt e ardhshëm presim që ndikimi i tyre të jetë i dukshëm. Kjo lidhet edhe me angazhimin e Qeverisë për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj sektorit privat gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, është e rëndësishme që industria bankare të vazhdojë të mbështesë propozime të shëndetshme biznesi nga ana e huamarrësve. Është e vërtetë që veprimtaria bankare mund të nxitet nga fitimi, por, nga ana tjetër, ajo mbështetet në marrëdhënien me klientët. Tani është momenti kur kjo marrëdhënie po vihet në provë, dhe një menaxhim i mirë i bankës duhet të shohë përtej sfidave aktuale, për ta ruajtur dhe për ta forcuar këtë marrëdhënie.

Fokusi ynë si mbikëqyrës i sektorit bankar do të mbetet që të kemi institucione të mirëkapitalizuara dhe likuide, dhe që vazhdimisht i përmirësojnë standardet për administrimin e rrezikut. Në komunikimet tona të ardhshme me bankat, do t'i kushtojmë vëmendje të veçantë mënyrës se si ato vlerësojnë dhe monitorojnë kredinë, rrezikun e tregut dhe atë të likuiditetit, dhe se si i përfshijnë rezultatet e këtij procesi në vendimet e tyre administruese.  

Së fundi, doja të ritheksoja rëndësinë e reformave ekonomike që do të siguronin rritje ekonomike më të fortë në periudhën afatmesme, si dhe veprimtari bankare më të efektshme. Objektivi i këtyre reformave duhet të jetë përmirësimi i produktivitetit dhe i konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë nëpërmjet: reduktimit të pasigurive në lidhje me drejtimin e zhvillimeve të ardhshme duke identifikuar politikat dhe reformat e duhura; krijimit të një klime të favorshme fiskale, ligjore, biznesi dhe politike, e cila do të nxiste investimet në ekonomi; përmirësimit të edukimit dhe specializimit të fuqisë punëtore; gjenerimit të përfitimeve nga ekonomitë e shkallës nëpërmjet integrimit të bizneseve në tregun rajonal apo evropian; dhe rritjes së eficiencës së sektorit publik dhe atij privat me anë të përmirësimit të qeverisjes. Në sistemin financiar, reformat duhet të përqendrohen në thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar, me objektiv përmirësimin e aksesit në financë, përmirësimin e eficiencës dhe reduktimin e rreziqeve.

Shpresoj që nga ky forum të dalin ide të reja për mënyrat e kapërcimit të sfidave aktuale me të cilat po përballen ekonomia reale dhe sektori financiar. Në çdo rast, këto ide mund të jenë të zbatueshme vetëm nëse nuk përqendrohen në një sektor të vetëm, por pranojnë, gjithashtu, nevojën për një marrëdhënie dhe lidhje të ngushtë midis sektorëve të ndryshëm në ekonomi.

Ju faleminderit!