BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e çeljes së Javës së Parasë 18 mars 2024

Data e publikimit: 18.03.2024

 

E nderuar zj. Ministre e Arsimit dhe Sportit,

I nderuar z. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar nxënës e mësues, miq dhe kolegë bankierë,

Edhe këtë mars kam kënaqësinë t’ju mirëpres në çeljen e Javës Globale të Parasë - një fushatë mbarëbotërore e cila që prej vitit 2012, na nxit të bëhemi bashkë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e edukimit financiar të brezit të ri.

 DSC0929-498

Kjo fushatë përfaqëson një rast shumë të mirë për politikbërësit, sistemin arsimor, atë bankar dhe biznesin që të bashkëpunojmë me qëllim që të afrohemi tek të rinjtë për t’i mësuar mbi rëndësinë e parasë, planifikimit dhe vendimmarrjeve të shëndosha financiare. Ka ardhur koha që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë aktivisht për paranë dhe financat, të fitojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të garantuar mirëqenie dhe qëndrueshmëri financiare.

Këtë qëllim përfundimtar të Javës së Parasë e kanë përqafuar në rang botëror mbi 40.000 organizata qeveritare e jo qeveritare të cilat, nën koordinimin e OECD-INFE[1], vetëm vitin e kaluar, kanë organizuar aktivitete që kanë prekur rreth 120 milionë individë në 176 vende të globit. Këto shifra, dhe trendi rritës i pjesëmarrjes së nxënësve dhe studentëve shqiptar na nxit e na motivon për të ofruar për herë e më shumë aktivitete, konkurse, leksione e orë mësimore, si dhe për të rritur e intensifikuar bashkëpunimin me ju, bankierë, arsimtarë, studentë e nxënës.

 DSC1116-498

Tema e këtij viti "Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!", thekson nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar. Është shumë e rëmdësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta. Si mund të lexoni dhe në agjendën e javës, për të edukuar në këtë drejtim të rinjtë dhe më të vegjlit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët e saj do të organizojë programe dhe aktivitete edukativë në të gjithë vendin.

Epoka digjitale i përball të rinjtë me këshilla, reklama dhe informacione për investime që burojnë nga rrjetet sociale apo miqtë. Është thelbësore të kuptohet se pjesëmarrja në tregun financiar, qoftë edhe për transaksione në dukje të thjeshta ka implikime më të gjera ekonomike. Duhet të kuptojmë se mënyrat e reja të investimit dhe instrumentet invovative të pagesave rrisin eficiencën dhe ulin kostot financiare për përdoruesit. Ato sigurisht që çelin shumë dyer drejt të ardhmes, por mbartin edhe rreziqe nëse përdoruesit nuk janë të edukuar financiarisht dhe tregjet nuk janë të rregulluara dhe të mbikëqyrura.

 DSC1238-498

Rastet e sukseseve sporadike në investimet në produkte të pakontrolluara, jo vetëm që nuk përbëjnë garanci për suksese të ardhshme apo të qëndrueshme.  Theksoj se mund të kthehen në rreziqe kur operohet në tregje të parregulluara dhe të pambikëqyrura.

Ngjarjet e viteve të fundit, si Pandemia, lufta dhe ndryshimet klimatike nënvizuan rëndësinë e marrjes së vendimeve financiare bazuar në njohuritë e duhura dhe instrumentet e sigurta. Kjo rezultoi e rëndësishme jo vetëm për shëndetin financiar personal, por edhe për stabilitetin e sistemit financiar. Digjitalizimi i shpejtë dhe sfidat urgjente që paraqet ndryshimi i klimës, po transformojnë mënyrën se si konceptohen instrumentet dhe si angazhohemi në marrëdhëniet financiare. Të rinjtë kanë mundësinë të përdorin burimet e tyre si një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri dhe mjedis. Edhe për këtë qëllim Banka e Shqipërisë, ka ndërmarrë dhe po zbaton dy strategji të rëndësishme për klimën dhe edukimin e përfshirjen financiare.

 DSC0951-498

Gjatë dekadës së fundit, së pari në rang ndërkombëtar, por edhe në vendin tonë, ka pasur një rritje të konsiderueshme të kërkimit akademik mbi edukimin dhe përfshirjen financiare. Këto të fundit, të nxitura në masë të madhe nga përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të mbledhur të dhëna dhe për të njohur fenomenet. Rezultatet e këtij kërkimi janë përdorur edhe si bazë për zhvillimin e politikave institucionale që i përgjigjen kërkesave të kohës. Sot, kemi gjithashtu një pasuri informacioni që na lejon të kuptojmë më mirë faktorët që ndikojnë në nivelet e kulturës financiare te të rinjtë dhe tek të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përfshirë rrethanat ekonomike, edukimin, punësimin, qasjen në internet dhe ndikimin prindëror.

 DSC1258-498

Në sajë të iniciativave të saj, Banka e Shqipërisë vëren me kënaqësi një rritje të ndjeshme të përfshirjes financiare, ku numri i transaksioneve përmes pagesave elektronike ka rezultuar në rreth 48 milionë, si nga bankat ashtu edhe jobankat, duke pasqyruar një rritje prej 26% në numrin e tyre, krahasuar me vitin 2022.Gjithashtu, numri i llogarive të aksesueshme nga larg është rritur me 24 % në vitin 2023, duke zënë 34% të totalit të gjithë llogarive të klientëve në banka. Megjithatë risitë shoqërohen edhe me rreziqe të reja, siç janë për shembull mashtrimet online apo ai që njihet në gjuhën financiare si phishing - një mënyrë e vjedhjes së identitetit që kryhet përmes dhënies vullnetare, por të pa informuar të të dhënave personale, si p.sh. numrat dhe fjalëkalimet e llogarive bankare, të cilat mund të përdoren më pas nga keqbërës për qëllime vjedhjeje.

 DSC1274-498

Pikërisht për të adresuar këto problematika, por edhe mbi shumë të tjera që lidhen me kulturën, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe po zbaton një strategji për edukimin dhe përfshirjen financiare, e cila përfshin sigurisht dhe fëmijët e të rinjtë. Duke bashkëpunuar me partnerë si Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Shoqata Shqiptare e Bankave, Banka Botërore etj. synojmë të zhvillojmë aktivitete dhe programe të përbashkëta në të gjithë vendin për të rritur kulturën financiare.

 DSC1474-498

Strategjia shërben si instrument për institucionet arsimore, bankare, financiare, bizneset, OJQ-të etj. që të zhvillojmë së bashku politika, programe dhe materiale edukative, me qëllimin kryesor përmirësimin e kulturës financiare në të gjithë vendin. Përparimi në këtë nismë na përball me sfida dhe rëndësia e ndarjes së përvojave, e mësimit nga njëri-tjetri për të rritur dhe promovuar kulturën financiare bëhet gjithnjë e më e nevojshme.

 DSC1536-498

Të flasim për paratë me fëmijët tanë është një hap i thjeshtë, por efektiv për të rritur individë të vetëdijshëm financiarisht. Java Globale e Parave luan një rol kyç në nisjen e këtyre bisedave, duke u mundësuar të rinjve dhe familjeve të tyre të diskutojnë mbi temat si buxhetimi, kursimi, huadhënia dhe sigurisht rreziqet që shoqërojnë vendimmarrjen e pavetëdijshme financiare.

 DSC1574 498

Peizazhi financiar është duke u zhvilluar me shpejtësi, avancimet teknologjike po ndryshojnë mënyrën se si fëmijët mësojnë në çdo fushë. Ndërsa lundrojmë në një botë në ndryshim, është jetike që të rinjtë të fitojnë aftësitë, njohuritë dhe besimin për të menaxhuar të ardhmen e tyre financiare në mënyrë të përgjegjshme.

 DSC1636-498

Gjej rastin që me çeljen e Javës Globale të Parasë 2024, të shpreh urimet më të mira për suksesin e kësaj fushate. Të përgëzoj dhe falënderoj nxënësit, studentët dhe mësuesit e shumtë që na u bashkuan. I inkurajoj pjesëmarrësit e rinj të angazhohen aktivisht, të bëjnë pyetje dhe të shijojnë përvojën e mësimit. Banka e Shqipërisë është krenare që është organizatori kryesor vendas i kësaj nisme globale, duke nxitur ndryshime të rëndësishme për përfshirjen e edukimin financiar, si dhe digjitalizimin, të cilat kanë rritur ndjeshëm rëndësinë e edukimit financiar në vendin tonë.

 DSC1706-498-png

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtoret për përpjekjet dhe angazhimin për rritjen e kulturës financiare në Shqipëri. Ju ftoj të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ecur drejt të ardhmes më të edukuar, të fuqizuar dhe të sigurt financiarisht.


[1] OECD International Network on Financial Education (INFE).