BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në hapjen e punimeve të Konferencës së Pestë Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë Banka Qëndrore në Kohën e Integrimit, Durrës, 24 mars 2005

Data e publikimit: 24.03.2005

 

Të dashur miq, të nderuar pjesëmarrës, të dashur zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë që t'ju kem të ftuarit e mi në këtë eveniment të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë. Besoj se kjo konferencë është një nga pikat kulmore të aktivitetit tonë vjetor dhe për këtë qëllim ndjehem mirë kur shoh në sallë shumë nga të njohurit e mi, profesorë të nderuar, ekonomistë të spikatur, qeveritarë, bankierë, si dhe përfaqësues të medias.

Vendosëm që ta titullojmë këtë konferencë "Banka Qendrore në Kohën e Integrimit", për vetë rëndësinë jetike që ky proces i vështirë paraqet për vendin tonë, por njëkohësisht edhe për shumë nga vendet e tjera të përfaqësuara në këtë aktivitet. Ne tashmë e kemi kuptuar se pa integrim financiar nuk mund të ketë integrim të vërtetë. E kuptoj se ne kemi nevojë për më shumë të ardhura, për më shumë stabilitet politik, për më shumë integrim kulturor dhe social, por sigurisht që po kaq i rëndësishëm është dhe i ashtuquajturi integrim financiar. E në këtë kontekst mendoj se roli i institucionit që unë drejtoj, roli i sistemit bankar, i sektorit financiar në një kuptim më të gjerë është shumë i rëndësishëm dhe sfidat që duhet të përballojmë në këtë drejtim janë të shumta.

Forcimi i stabilitetit financiar të vendit, rritja e efiçencës së politikës monetare dhe politikave të tjera ekonomike, zhdërvjelltësimi i tregut financiar, shtimi i mbulimit gjeografik të vendit me biznes bankar dhe rritja e ndërmjetësimit financiar janë kushte të domosdoshme për një integrim të vërtetë të vendit me pjesën e zhvilluar të kontinentit plak.

Unë mendoj se ajo cka na nevojitet ka të bëjë me marketingun e vlerave dhe të vërtetës mbi realitetin shqiptar. Shpresoj se kjo konferencë do të jetë një kontribut modest në këtë drejtim. Do të dëshiroja që bankat dhe financat të ishin në avangard në rrugën drejt integrimit.

Unë sinqerisht shpresoj se punimet e prezantuara në këtë konferencë, si dhe diskutimet e bëra nga pjesëmarrësit do të jenë një hap konkret në këtë drejtim. Për këtë qëllim besoj se kontributi i të gjithë pjesëmarrësve do të jetë i prekshëm.

Më lejoni që edhe njëherë t'i uroj punime të mbara kësaj konference.