BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në ceremoninë e 5-vjetorit të privatizimit të Bankës Kombëtare Tregtare, Hotel Sheraton, 18 tetor 2005

Data e publikimit: 18.10.2005

 

Zonja dhe zotërinj,

Sot ndjehem i nderuar që në këtë takim jubilar të shoh se si është rritur dhe konsoliduar Bankën Kombëtare Tregtare dhe bashkë me të i gjithë sistemi bankar në Shqipëri. Me kënaqësi konstatoj se sistemi bankar pas një periudhe të gjatë ristrukturimi, po merr rolin që i takon në ekonomi, atë të angazhimit të fondeve të lira drejt nevojave gjithmonë e në rritje të biznesit dhe të konsumatorit shqiptar, duke përmirësuar në të njëjtën kohë numrin dhe cilësinë e shërbimeve.

Për këtë arsye, ndjehem i nderuar që më jepet rasti të marr fjalën në këtë takim, për të adresuar dhe diskutuar bashkarisht me ju disa çështje të momentit dhe të perspektivës, të cilat i gjykoj se janë të rëndësishme për rritjen e mëtejshme të kontributit të sistemit bankar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Më lejoni të filloj nga puna jonë si Bankë e Shqipërisë në drejtim të krijimit të një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë.

  • Politika monetare e ndjekur vitet e fundit në vazhdimësi ka synuar uljen e mëtejshme të çmimit të parasë për t'i dhënë frymëmarrje ekonomisë, ndërkohë që kemi qenë të sukseshëm në mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Për rrjedhim, gjykoj se kemi krijuar stimuj të qenësishëm në drejtim të krijimit të një klime biznesi të qëndrueshme ku vendimet dhe planet e biznesit nuk rrezikohen nga pasiguria e erozionit inflacionist.
  • Prej pothuajse një periudhe disavjeçare, Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për krijimin e një infrastrukture pagesash bashkëkohore, me qëllimin që sistemi bankar të jetë më pranë dhe i hapur në marrëdhëniet me klientelën. Kështu, pasi përfunduam sistemin e pagesave në vlerë të madhe dhe atë në vlerë të vogël, tashmë kemi vënë gjithë forcat për krijimin e regjistrit të kredive. Aktualisht, pas përfundimit të sistemit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël, kemi krijuar një mundësi më shumë jo vetëm për sistemin bankar por edhe për biznesin e shërbimeve me natyrë periodike për të rritur eficiencën e tij ekonomike. Me këtë rast, i bëjmë apel të dyja palëve, bankave dhe bizneseve, të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të shfrytëzuar më efektivisht përparësitë e ofruara nga ky sistem i ri.
  • Banka e Shqipërisë gjykon se një sistem bankar ndihmon rritjen ekonomike kur ai, në radhë të parë, është i shëndoshë financiarisht. Ekonomitë në zhvillim si ekonomia jonë, në përgjithësi karakterizohen nga një qëndrueshmëri e brishtë. Është kjo arsyeja që Banka e Shqipërisë është përpjekur të ndërmarrë një tërësi masash, të cilat synojnë forcimin e aftësive të saj mbikëqyrëse, me qëllim pasjen e një sistemi bankar të fortë, të shëndoshë dhe eficient.

Në lidhje me performancën e sistemit bankar:

  • Gjatë vitit 2005 janë shënuar zhvillime të spikatura. Të dhënat e deritanishme tregojnë se kredia për ekonominë ka shënuar një rritje prej gati 3-4 pikë përqindjeje të PPB-së, duke dhënë sinjale të qarta për një gjallërim premtues të financimit të ekonomisë në të ardhmen. Deri në gusht të vitit 2005, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, aktivet e sistemit u rritën më tej me 14.5 për qind, ndërkohë që pati shtim të produkteve bankare dhe zgjerim të rrjetit të tyre. Krahasuar me fundin e vitit 2004, sistemi bankar shfaqet me një nivel fitimi që ka ardhur në rritje, në masën 4.65 miliardë lekë. Kthimi mbi kapitalin (ROE) rezultoi në nivelin 24.8 për qind, ndërkohë që cilësia e kreditit, e shprehur si raport mes kredisë me probleme (neto) dhe totalit të portofolit të kredisë është vetëm në nivelin 2.39 për qind, nga 4.2 për qind në fund të vitit 2004. Megjithatë, nuk është vendi për t'u përfshirë nga euforia e shifrave, sepse kreditë janë ende të reja dhe cilësia e tyre mbetet për t'u monitoruar me kujdes.
  • Një zhvillim tjetër i mirëpritur i sistemit bankar i takon shërbimit të klientelës, i cili nëpërmjet terminaleve elektronike natyrshëm është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të kartave elektronike në qarkullim. Tashmë bankat ofrojnë karta debiti dhe krediti në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare Visa dhe MasterCard, Diners Club. Gjashtë banka ofrojnë shërbimin e ATM-ve dhe numri i këtyre të fundit, në fund të muajit gusht 2005, arriti në 180, ndërkohë që numri i pikave të shitjes ka arritur në 391.
  • Pa dyshim një aspekt i rëndësishëm mbetet dhe shtrirja dhe fuqizimi i mëtejshëm i sistemit bankar. Zgjerimi gjeografik i mbulimit të territorit me biznes bankar, rritja e konkurrencës, prezantimi i shumë produkteve të reja pa harruar edhe zhvillime të tjera të kohëve të fundit, përbëjnë një argument më shumë në rolin vital që ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë sistemi bankar në të ardhmen. Harta e mbulimit të vendit me biznes bankar u zgjerua më tej, duke përfshirë rajone të reja të pambuluara më parë. Në fund të gushtit numri total i degëve arriti në 109 ose 21 degë më shumë se fundi i vitit paraardhës.
  • Përfitoj nga ky eveniment që të shpreh se vlerësime pozitive rreth sistemit bankar janë dhënë edhe në raportin e përgatitur nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në përfundim të vlerësimit që ata bënë për sektorin financiar në Shqipëri (FSAP). Sigurisht që ky është një lajm i mirë. Konkluzionet e FSAP, të kësaj pasaporte të rëndësishme ndërkombëtare, janë një tregues i konkluzioneve tona më të hershme, se sistemi financiar në Shqipëri është i karakterizuar nga një sistem bankar i mbikëqyrur dhe efektiv si dhe nga segmentet e tjera, të cilat ende janë në fazat e para të zhvillimit, ku kryegjëja mbetet rregullimi dhe mbikëqyrja e tyre.

Megjithë zhvillimet pozitive ende mbetet shumë për t'u bërë. Shkalla e ndërmjetësimit financiar vazhdon të jetë relativisht e ulët (rreth 11 për qind e PPB-së). Ende disa sektorë të ekonomisë si bujqësia, vazhdojnë të kreditohen pak ose aspak. Kontributi i kreditit bankar në investime prodhuese është ende i ulët dhe për më tepër, duke konsideruar peshën e lartë që zë kredia në mbështetje të aktivitetit tregtar, mund të dilet në konkluzionin se pjesa më e madhe e kredisë shkon për financimin e importeve. Po kështu, shkalla e përdorimit të sistemit bankar nuk është në parametrat që kërkon koha dhe për më tepër, shkalla e përdorimit të cash-it vazhdon të jetë e lartë.

Përveç të tjerash, tregjet financiare vazhdojnë të mbeten të cekta dhe objekt spekulimesh. Një arsye për këtë situatë janë alternativat e kufizuara të investimit të fondeve të lira. Ende si alternativë më e mirë vazhdon të jetë financimi i deficitit buxhetor. Megjithatë, sistemi bankar duhet të mendojë, seriozisht për pasurimin e tregut me instrumente të tjera dhe jo për shfrytëzimin në maksimum të këtij investimi pa rrezik.

Për të qenë më konkret, në vazhdim do të nënvizoj disa drejtime të cilat mendoj se në një këndvështrim afatmesëm janë parësorë për të nxitur dhe gjallëruar më tej rolin e kredisë bankare në ekonomi, si mjeti kryesor me anë të të cilit sistemi bankar nxit zhvillimin ekonomik në një ekonomi tregu.

Duke filluar nga kontributi i Bankës së Shqipërisë, në radhë të parë ai lidhet me përmbushjen e detyrimeve ligjore për arritjen e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik me një theks të veçantë në kontrollin e inflacionit. Ne mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se një inflacion nën kontroll është një kontribut i çmuar për arritjen e objektivave të rritjes ekonomike të vendit, të rritjes së punësimit dhe të nivelit të jetesës në përgjithësi.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë do të nxisë dhe do të mbështesë pa hezitim zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar në veçanti, dhe të sektorit financiar në një kuptim më të përgjithshëm. Ne jemi thellësisht të angazhuar për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për plotësimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga FSAP-i. Për këtë, ne jemi të gatshëm që të ofrojmë kapacitetet tona njerëzore për të kontribuar në këtë drejtim. Përfitoj nga rasti që të bëj një apel për marrjen e masave të menjëhershme në drejtim të rikonceptimit të procesit licencues dhe mbikëqyrës të pjesëve të tjera të sektorit financiar.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë të kujdesshme në plotësimin e funksionit të saj si autoritet licencues i subjekteve financiare që përfshihen në aktivitete kreditimi. Në kontekst të kësaj që thashë më sipër, përfitoj nga rasti që të shpreh angazhimin tonë për të përfshirë në strukturën tonë të mbikëqyrjes të gjitha ato shoqëri apo institucione krediti, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër mobilizojnë fonde të popullatës ose administrojnë fonde publike në procesin e kreditimit.

Duke vlerësuar problemin e informacionit, si një element kritik në lehtësimin e aktivitetit të kredidhënies, dëshiroj t'iu kumtoj se Banka e Shqipërisë e ka përfshirë projektin e ndërtimit të regjistrit të kredive në planet e saj të afërta dhe jemi thellësisht të angazhuar që ta përfundojmë atë sa më shpejt. Ky regjistër do të jetë nën administrimin e Bankës së Shqipërisë dhe pjesëmarrja e bankave anëtare të sistemit do të jetë e detyruar. Vetëm kështu, do të mund të reduktohet evazioni i informacionit, do të sigurohet integriteti i tij dhe njëkohësisht do të ishte i disponueshëm për secilën nga bankat anëtare të sistemit.

Duke qenë të ndërgjegjshëm se problematika e kreditit është komplekse dhe e lidhur me shumë pengesa që burojnë nga pasaktësitë dhe keqfunksionimi i sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, nga mangësitë në procedurën civile për ekzekutimin e hipotekës, të cilat vështirësojnë funksionimin e Zyrës së Përmbarimit në realizimin korrekt të këtyre procedurave, ne do të ndërmarrim nisma që synojnë rritjen e efektivitetit të përdorimit të hipotekës, si një mjet i rëndësishëm jo thjesht garantues, por edhe përzgjedhës.

Nga ana e tij, sistemi bankar ka një rol parësor në krijimin e një klime më të ngrohtë në marrëdhëniet biznes-bankë.
Para së gjithash, do të kërkoja që sistemi bankar të jetë më transparent dhe më i hapur ndaj publikut. Transparenca është një ndër faktorët e rëndësishëm që forcon lidhjet klient - bankë dhe për më shumë, ajo i jep një kuptim më të madh konceptit të reciprocitetit në marrëdhëniet dypalëshe bankë - depozitues dhe bankë - biznes. Mendoj se ende shumica e njerëzve të thjeshtë shfaq një lloj hezitimi për t'iu drejtuar bankës. Shkak mund të jetë edhe mungesa e sqarimeve të detajuara të rastit. Bankat duhet të jenë më aktive, jo thjesht në reklamimin e produkteve dhe të shërbimeve të reja, por dhe në shpjegimin më të saktë të çmimeve/kostove, që ato mbartin dhe kërkesave të nevojshme që duhen plotësuar për përfitimin e tyre. Ka jo pak raste që klientët janë të paqartë çfarë norme interesi paguajnë për kreditë e tyre apo çfarë kriteresh përdoren nga bankat për të përfituar kredi. Edhe në anën e depozitorëve komunikimi është jo optimal. Ndërkohë që ndryshime të vogla të interesave të depozitave mund të justifikohen me ndryshimet e kushteve të tregut, ndryshime disi më të forta kanë nevojë të shoqërohen me informacion dhe me shpjegim përkatës më të plotë. Rritja e kësaj transparence duhet bërë jo thjesht në emër të etikës, por dhe të rritjes së konkurrencës në treg.

Sistemi mund të luajë një rol më të madh në reduktimin e cash-it në ekonomi duke rritur dhe përmirësuar më tej nivelin e shërbimeve. Zhvillimet pozitive të kohëve të fundit kanë patur efektet e tyre në reduktimin e sasisë së parasë cash në ekonomi. Nga ana tjetër, kemi zhvilluar një aktivitet të dendur publik, me karakter sqarues dhe promovues ku nuk kanë munguar edhe takimet e një natyre tjetër, ku ne si sistem bankar së bashku jemi angazhuar konkretisht. Më lejoni t'iu kujtoj takimet e hapura që kemi bërë me biznesin e shërbimeve utilitare si dhe atë në lidhje me veprimtarinë e tregut primar të bonove të thesarit. Shpresoj që tashmë, pas finalizimit të projektit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël, secila bankë nga ana e saj duhet të mendojë seriozisht për të rritur shkallën e përfitimit nga ky fasilitet i ri që po ofron Banka e Shqipërisë, në këtë moment. Pas përfundimit të këtij projekti mendoj se duhet të mendojmë më me seriozitet për shtimin numerik dhe cilësor të pagesave elektronike. Për këtë qëllim, do t'iu bëj thirrje që të filloni të mendoni që tani në lidhje me projektet e ardhme në infrastrukturën e pagesave. Unë personalisht do të insistoj që edhe në këtë drejtim, ne si sistem bankar të hedhim sytë nga direktivat e Bashkimit Evropian, me qëllim që çdo hap i yni në të ardhmen të jetë i prirur drejt integrimit të vendit me Bashkimin Evropian. Pak kohë më parë jam njohur me një inciativë të re të Bashkimit Evropian, e cila kërkon që brenda një periudhe kohe të caktuar, ndërmjet të tjerash të ndërtohet një sistem i unifikuar i pagesave brenda Eurozonës, duke përfshirë edhe pagesat me kartë. Për këtë qëllim, do të sugjeroja që specialistët përkatës nga shoqata dhe Banka e Shqipërisë të njihen sa më shpejt me këtë projekt, duke na sjellë dhe sugjerimet përkatëse në këtë drejtim.

Gjithashtu, mbetem konstant në qëndrimin tim se ne në Shqipëri duhet të adoptojmë zgjidhjet më të përparuara në gjithë projektet infrastrukturore që ne do të aplikojmë. Besoj se nuk kemi pse të marrim në shqyrtim modele të vjetruara tashmë, të cilat përveç kostos fillestare do të kërkonin vazhdimisht fonde të tjera për mirëmbajtjen dhe modifikimin e tyre.

Gjithashtu, tashmë që administrata publike është bërë kliente e sistemit, mendoj se ka mundësi reale për të zgjidhur nëpërmjet sistemit bankar pagesat e shërbimeve utilitare.

Duke iu rikthyer tregjeve financiare mendoj se megjithë kufizimet e përmendura edhe në kushtet aktuale ka hapësira për të përmirësuar konkurrencën nga ana e bankave. Do të doja të tërhiqja vëmendjen në drejtimet e mëposhtme.

  • Sistemi duhet të jetë më aktiv dhe të mbajë premtimet e tij publike për të vënë sportelet e tij në shërbim të shitjes së bonove thesarit drejtpërdrejt publikut të interesuar. Ne si Bankë e Shqipërisë i kemi mbajtur premtimet e tona, duke aplikuar një komision i cili presupozon mbulimin e kostos së transaksionit, ndërkohë që këtë masë do ta shoqërojmë me ndalimin e arkëtimit të prurjeve cash në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, bankat duhet të investojnë në teknologji moderne për të mundësuar realokimin e fondeve të klientëve të tyre në alternativa të ndryshme investimi, me anë të mjeteve elektronike dhe jo si ndodh jo rrallë sot, që individët lëvizin akoma me çanta me cash.
  • Bankat duhet të jenë me aktive në drejtim të tregut sekondar të bonove. Duhet t'i bëhet e qartë publikut se kushdo që është i interesuar mund të skontojë bonot e tij në çdo moment ashtu sikurse çdo individ, që ka pak para mënjanë, çdo ditë mund t'i drejtohet sistemit bankar jo vetëm për të depozituar, por edhe për të blerë bono thesari.
  • Tregu ndërbankar mund dhe duhet të përmirësohet. Në ditët e sotme bankat tregtare shkëmbejnë një sasi të madhe likuiditeti me bankën qendrore. Por, duhet të intensifikohet edhe shkëmbimi i këtij likuiditeti ndërmjet bankave tregtare. Kjo do të siguronte më shumë mundësi financuese dhe investuese për individët dhe firmat, përfshirë dhe bankat.
  • Bankat duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje tregjeve të valutës dhe të bonove të thesarit, në drejtim të thellimit dhe të zgjerimit të mëtejshëm të tyre. Kështu, përveç paraqitjes së instrumenteve financiare të reja do të ishte gjithashtu e nevojshme, të avancohej në përdorimin e instrumenteve ekzistuese. Këto përmirësime do të ishin në përfitim të ekonomisë në përgjithësi, pra të individëve, të kompanive dhe të vetë bankave, por edhe të bankës qendrore dhe qeverisë. Kështu, individët do të kishin më tepër mundësi për të investuar kursimet e tyre, kompanitë do të mund të shfrytëzonin më mirë aktivitetet e reja të biznesit, bankat do të kishin përfitime më të larta dhe banka qendrore bashkë me qeverinë do të bëheshin më eficiente në zbatimin e politikave të tyre.

Më lejoni tani të përqëndrohem pak tek të ftuarit e nderuar biznesmenë, të cilët me gjithë mbështetjen modeste financiare të ofruar në fillimet e tranzicionit, kanë treguar një performancë realisht impresionuese. Në pozicionin tim si drejtues i njërit prej institucioneve të rëndësishme në vendimmarrjen e politikave ekonomike, duke përfituar nga kjo ngjarje do të dëshiroja të ofroja disa sugjerime, të cilat sinqerisht shpresoj t'i mirëprisni dhe t'i mirëkuptoni. Në radhë të parë do të kërkoja më shumë profesionalizëm në marrëdhëniet e biznesit me bankat. Pa dashur ta ekzagjeroj, do të thoja se jemi ende larg praktikave dhe standardeve më të mira, e për rrjedhim të gjitha segmentet ekonomike, politike, financiare, sociale, lënë ende për të dëshiruar. Marrëdhëniet që duhet të vendosen midis jush dhe bankave duhet të jenë marrëdhënie të bashkëpunimit reciprok, të hapura dhe ligjore. Më konkretisht, biznesi duhet të kuptojë se: banka është pjesë e pandarë e aktivitetit të tij, në qoftë se ai dëshiron të jetë i suksesshëm për një kohë të gjatë.

Në përfundim, do të inkurajoja lidhje më të institucionalizuara të sistemit bankar me shoqatat dhe me organizimet e ndryshme të biznesit. Ndoshta është koha që shoqata e bankierëve të vendosë kontakte të rregullta me përfaqësitë e biznesit, kontakte të cilat pa dyshim do t'i çonin marrëdhëniet biznes-bankë në një nivel më të lartë.

Gjithashtu, përfitoj nga rasti të rinovoj angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të marrë pjesë duke ofruar ekspertizën e saj në projekte, tryeza, forume, debate etj., të cilat do të synojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në shtimin dhe kanalizimin më eficient të kredisë bankare.

Ju faleminderit.