BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në hapjen e seminarit të organizuar në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Bullgarisë dhe Zyrën e GTZ në Tiranë, Hotel Rogner, 5 shtator 2005

Data e publikimit: 05.09.2005

 

Mirëmëngjes të gjithëve,

Takimi që po zhvillojmë sot me miqtë tanë bullgarë është në vazhdën e disa veprimtarive që kemi zhvilluar këto kohët e fundit me theks të qartë drejt sfidave të ardhme të integrimit. Më vjen mirë që ky fillim vjeshte i vitit 2005 të fillojë me këtë aktivitet dhe përfitoj nga rasti që para së gjithash të falenderoj përfaqësuesit e Bankës Kombëtare të Bullgarisë, GTZ-së si dhe mikun tim, profesorin Bolle.

Që në ditët e para të emërimit tim në detyrë e kam shprehur publikisht se kryesfida jonë është përgatitja institucionale e Bankës së Shqipërisë në rrugën drejt SEBQ-së. Ndërkohë që në takimet që kam zhvilluar me përfaqësues të bankave qendrore të rajonit si dhe me zyrtarë të lartë të Brukselit dhe të BQE-së, kam nënvizuar idenë se e ardhmja e BE do të jetë më e begatë dhe më e qetë nëse vendet periferike me të do të hedhin vështrimin e tyre jo vetëm nga Brukseli, por të fillojnë të shikojnë edhe njëri-tjetrin. Ne, bankat qendrore të rajonit, duhet të japim shembullin tonë në këtë drejtim.

Bankat qendrore të vendeve të rajonit, si institucione pararojë të progresit, duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, në mënyrë që të zgjerojnë më tej rrugën për një integrim të mëtejshëm politik, social dhe kulturor.

Unë besoj se shanset për një integrim të shpejtë dhe të sigurt evropian, ndërmjet të tjerash mund të përshpejtohen në qoftë se do të kemi një sistem financiar dhe bankar të shëndetshëm dhe të sigurtë, i cili duhet të jetë i aftë të shtyjë përpara zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ne mendojmë se bankat qendrore të vendeve në tranzicion, në mënyrë që të bëjnë realitet objektivin për përafrim të modelit të tyre me atë të vendeve të Bashkimit Evropian, kanë "detyra shtëpie" më të rënda sesa ato klasike të një banke qendrore. Më konkretisht, këtu e kam fjalën për sfidat që lidhen me zhvillimin e tregjeve, me unifikimin e normave dhe të standardeve, me rritjen e besimit në vend me qëllim krijimin e një atmosfere sa më të besueshme për investimet e huaja direkte.

Sistemet tona bankare edhe pse kanë kaluar në fazën e konsolidimit, mbeten akoma të brishta, dhe si të tilla kanë nevojë për një përkushtim dhe përkujdesje më të madhe. Pavarësisht zhvillimeve numerike, shkalla e ndërmjetësimit financiar mbetet relativisht e ulët, ndërkohë që herë pas herë hija e tronditjes së ekuilibrave ekonomike shfaqet nga njëri vend në tjetrin. Ndryshimet që na presin nuk do të jenë aspak të lehta, por të gjithë së bashku duke shkëmbyer eksperiencat dhe nevojat për ndryshim do të ndërtojmë një shtrat më të sigurt që shpresoj se do të lehtësojë disi sfidat e së ardhmes.

Dhënia e pavarësisë bankave qendrore përbën një ndër hapat më të rëndësishëm në reformën e sistemeve financiare të vendeve të rajonit, si parakusht i rëndësishëm i mbajtjes nën kontroll të inflacionit dhe hyrjes në SEBQ. Por përpjekjet tona për konsolidimin e pavarësisë insitucionale dhe reale duhet të bashkërendohen me kujdes duke pasur parasysh karakteristikat e veçanta të ekonomive tona në tranzicion dhe jo si një zbatim i thjeshtë i asaj që mund të duket se është e sukseshme për vendet e SEBQ-së.

Në këtë kuadër, takimin e sotëm e gjykoj se merr një rëndësi të vecantë, për vetë faktin se ekonomia bullgare dhe Banka Kombëtare e Bullgarisë kanë ndërmarrë një sërë reformash në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mendoj se sfidat me të cilat jemi përballur dhe ato me të cilat do të përballemi janë pak a shumë të njëjta me ato që kanë përballuar dhe autoritetet bullgare, përfshirë dhe Bankën Kombëtare të Bullgarisë.

Për këtë arsye, gjykoj se bashkëpunimi dypalësh midis dy bankave tona në këtë drejtim ka një potencial të madh e në emër të insitucionit që unë drejtoj, përfitoj nga rasti që të jap garancitë maksimale për zhvillimin e frytshëm të këtyre marrëdhënieve.

Duke kaluar në një plan shumëpalësh do të kthehem edhe njëherë tek ideja e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërrajonal midis bankave qendrore. Nga takimet e deritanishme me disa prej autoriteteve bankare të rajonit, nisma për bashkëpunim rajonal është mirëpritur, por besoj se tani ka ardhur koha që ne të hedhim hapa konkrete drejt këtij bashkëpunimi. Nga përvoja personale e deritanishme, jo si guvernator por si bankier, mendoj se do të ishte i përshtatshëm krijimi i një klubi rajonal të bankave qendrore të vendeve të rajonit. Takimet periodike të këtij klubi do të mundësonin shkëmbimin e përvojave të ndryshme dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë.