BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në Konferencën e IV-t të Muzeut të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 08.02.2023

 

E nderuar zonja Ministre,

I nderuar zoti Kryetar i Akademisë së Shkencave,

Të nderuar akademikë, profesorë të nderuar, të pranishëm,

Është kënaqësi dhe nder i madh për mua t’ju uroj mirëseardhjen në çeljen e punimeve të Konferencës së IV-t të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, një aktivitet i cili po rikthehet sërish pas një ndërprerjeje dyvjeçare, si rrjedhojë e “paralizimit” global të shkaktuar nga pandemia COVID- 19.

Organizimi i kësaj Konference  është një nga aktivitetet më të rëndësishme për këtë Muze, pasi jo vetëm na ndihmon të pasurojmë dhe të vijojmë studimin e koleksioneve të ekspozuara në të, por njëherazi i shërben edhe studiuesve vendas si një platformë diskutimi dhe argumentimi për punën e tyre kërkimore.

498-0245

Muzeu i Bankës së Shqipërisë mbledh sot për të katërtën herë përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme kërkimore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Institutet e Arkeologjisë dhe Historisë, si dhe profesorë të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu  merr vlerë të shtuar edhe nga pjesëmarrja në të e kolegëve homologë të bankave qendrore, të cilët do të prezantojnë kumtesat e tyre mbi rolin dhe rëndësinë e sistemeve monetare mesjetare.

Sikurse pasqyrohet dhe në temën e saj “Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirorganizuar”, gjatë diskutimit të punimeve të pjesëmarrësve do të mund të dëgjojmë mbi krijimin dhe funksionim e sistemeve monetare në mënyra të ndryshme të organizimit shtetëror, monedhave të tyre dhe natyrën e sistemeve financiare. Karakteristikat e këtyre sistemeve dalin si faktorë përcaktues për lulëzimin ekonomik, raportet tregtare, vlerën dhe funksionin ndërkombëtar të monedhës për dominimin e tregjeve botërore, si dhe prosperitetin e jetëgjatësinë e një shteti apo perandorie. Vështrimi në histori është i rëndësishëm pasi mund të gjejmë përgjigje mbi problematika që na shqetësojnë dhe sot, si p.sh. stabiliteti i çmimeve dhe ai financiar, shprehur në mënyrë më të dukshme në qëndrueshmërinë e monedhës dhe rolin e saj në besueshmërinë e sistemit financiar. Shembujt e spikatur të disa monedhave si Solidus e Perandorisë Bizantine apo Dukati i artë venedikas, të cilat dominuan sistemet monetare financiare dhe tregtinë globale për disa shekuj, na tregojnë se besueshmëria e autoriteteve emetuese është baza e besueshmërisë së vetë monedhës dhe, si pasojë, edhe e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Ky është një mësim që vlen ende dhe sot e kësaj dite, i shprehur konkretisht në ndërhyrjen e bankave qendrore nëpërmjet rritjes së normës së interesit për të mbajtur nën kontroll inflacionin gjatë vitit të fundit.

498-0405

Mesjeta njihet edhe për inovacionet në tregjet financiare dhe rolin domethënës që ato patën në zhvillimin e ekonomive.  Shpikja dhe përdorimi i kambialeve dhe Letër-Kreditit, krijuan mundësi të reja për zgjerimin e tregtisë dhe kryerjen e pagesave pa nevojën e lëvizjes së parasë fizike, duke ulur dukshëm riskun dhe kostot e transaksioneve tregtare dhe financiare. Këto, dhe shumë instrumente financiare të reja për kohën, u bënë baza fillestare për zhvillimin e veprimtarisë bankare dhe lindjen e tregjeve financiare.

Këto inovacione, të cilat ndër shekuj janë pasuruar me instrumente të reja financiare dhe monetare,  nuk dallojnë për nga qëllimi  dhe  efektet që japin në procese të rëndësishme që  kanë dominuar apo po dominojnë sot paranë dhe tregjet financiare. Këtu për shembull mund të përmendim shpikje që i takojnë shekullit të kaluar si kartat e debitit dhe kreditit apo dhe ato aktuale si monedhat digjitale, sistemet dhe instrumentet e pagesave të menjëhershme (instant payments), por dhe instrumente të tjera inovative të ndërmjetësimit financiar. Ashtu sikurse shekuj më parë, këto zhvillime teknologjike kanë në thelb përfshirjen financiare të popullatës, duke krijuar mundësi të reja dhe duke ulur kostot. Në këtë mënyrë, ato jo vetëm plotësojnë dhe rrisin eficiencën e tregut financiar, por dhe prosperitetin ekonomik të popullatës dhe familjes.

Për të gjitha këto arsye, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë krijimit të mundësive për zhvillimin e instrumenteve inovative të pagesave përmes ligjit të ri të pagesave dhe iniciativave të tjera ligjore dhe rregullative që i shërbejnë rritjes së përfshirjes financiare të popullatës.

Diskutimet mbi dy temat e mësipërme, që trajtojnë qëndrueshmërinë e sistemeve monetare dhe lindjen e instrumenteve financiare hedhin dritë mbi momentet domethënëse që kanë përcaktuar suksesin apo dështimin e tyre dhe paraqesin mësime të vlefshme për formulimin e politikave të sotme zhvillimore. Më vjen mirë që këto tema të rëndësishme prekin edhe historikun e sistemeve të vendit dhe rajonit tonë. Muzeu i Bankës së Shqipërisë do të vijojë punën në të dy këto drejtime, si mbështetës i kërkimit shkencor të historisë monetare në trojet shqiptare dhe atë ekonomiko-monetare të vendit, duke zhvilluar kërkimin historik, si dhe duke mbështetur dhe ofruar bashkëpunim për studiuesit dhe institucionet e trashëgimisë kulturore.

Muzeu ynë është jo vetëm një ekspozitë koleksionesh të rralla, por edhe një platformë ku studiuesit të gjejnë hapësirën e nevojshme për të zhvilluar dhe referuar kërkimet e tyre, duke i ofruar publikut një institucion i dijes ku mund të informohet mbi historinë ekonomike dhe monetare, nëpërmjet koleksionit, ekspozitave të ndryshme, aktiviteteve studimore dhe publikimeve tona. Duke qenë institucioni më i rëndësishëm financiar në vend, Banka e Shqipërisë kërkon dhe nxit bashkëpunimin me të gjitha institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ato akademike, lidhur me fushën e veprimtarisë së saj.

Gjej mundësinë të falënderoj dhe Ministrinë e Kulturës për bashkëpunimin dhe mbështetjen për Muzeun dhe gjithë aktivitetet e tjera të lidhura me numizmatikën dhe trashëgiminë kulturore. E gjitha kjo trashëgimi e paraqitur në Muzeun e Bankës së Shqipërisë përfaqëson dhe një medium për zbatimin e programeve dhe kryerjen e aktiviteteve të edukimit financiar. Muzeu ynë, përmes historisë që mbart ekspozita e tij, jep shembuj konkret dhe të kuptueshëm për të ilustruar konceptet kryesore të parasë, sistemeve financiare dhe politikave monetare, të cilat qëndrojnë dhe në thelb të objektivit të edukimit financiar.

Pa u zgjatur më tej, ju ftoj të ndiqni punimet e Konferencës përgjatë tri sesioneve të saj dhe  falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, akademikët, studiuesit, folësit, dëgjuesit dhe bashkëpunëtorët që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës tonë. Ju uroj një konferencë të suksesshme!