BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e z. Ardian Fullani me rastin e fillimit të Programit për Zhvillimin e Sektorit Financiar në bashkëpunim me FSVC, 9 shkurt 2012.

Data e publikimit: 10.02.2012

 

I nderuar z. Spindler,

I nderuar z. Williams,

E nderuar zj. Timofeeva,

Të nderuar pjesëmarrës,

Për mua është një kënaqësi e veçantë që marr pjesë në këtë ceremoni, e cila çel një fazë të re bashkëpunimi me Financial Services Volunteers Corps (FSVC). Ky moment shpreh njëherazi vlerësimin pozitiv për bashkëpunimin e deritanishëm dhe angazhimin e palëve për të përfituar prej tij edhe në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë ka qenë një nga institucionet që ka shfrytëzuar më tepër bashkëpunimin me FSVC-në. Kështu, bashkëpunimi në të kaluarën është përqendruar kryesisht në forcimin e funksionit mbikëqyrës të institucionit, ku ndihma e FSVC-së ka adresuar jo vetëm kërkesat specifike për trajnime të personelit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por ka plotësuar me aktivitete konkrete edhe projektet e zhvillimit që ne kemi patur me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Në këtë periudhë, mund të përmend ndihmën për hartimin dhe zbatimin e Planit të Zhvillimit të Mbikëqyrjes në vitet 2004-2007, si pjesë e bashkëpunimit me Bankën Botërore.

Me kalimin e kohës, sfidat për zhvillimin e këtij bashkëpunimi u bënë më konkrete e më specifike, në kushtet e shpërfaqjes së krizës financiare ndërkombëtare, të rikonceptimit të standardeve botërore për mbikëqyrjen bankare dhe të rivlerësimit të rolit të autoriteteve të tjera publike që mbrojnë stabilitetin e sistemit financiar. Në vitet 2008-2009, Banka e Shqipërisë nisi një proces të rishikimit të procedurave rregullative e operacionale për trajtimin e situatave të jashtëzakonshme financiare, me qëllim plotësimin dhe forcimin e tyre. Në këtë kuadër, FSVC-ja ka siguruar asistencën e ekspertëve për përmirësimin e manualeve përkatëse. Në vitin 2010, asistenca e FSVC-së është kërkuar në drejtim të përsosjes së praktikës mbikëqyrëse për rrezikun operacional të veprimtarisë bankare dhe të mënyrës së vlerësimit të përshtatshmërisë së teknologjisë së informacionit. Gjithashtu, gjatë atij viti është marrë asistencë për rishikimin e manualit të rrezikut të kreditit. Gjatë vitit 2011, bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me FSVC-në ka patur sërish si objektiv përsosjen e kapaciteteve për vlerësimin e rreziqeve të veprimtarisë bankare, këtë herë duke u përqendruar në vlerësimin e rreziqeve të likuiditetit dhe të tregut.

Por asistenca e FSVC-së ka qenë mjaft e vlefshme edhe për fuqizimin e kapaciteteve rregullative e operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD).

Në këtë kuadër, dua të shpreh vlerësimin e ASD-së dhe të Bankës së Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës i saj, për kontributin mjaft të vlefshëm që ekspertët e zgjedhur prej FSVC-së dhanë në lidhje me përgatitjen e Planit Strategjik të Zhvillimit të ASD-së në periudhën 2002-2005; përgatitjen e procedurave të pagesës në procesin e kompensimit, në vitin 2008; përgatitjen e ndryshimeve në ligjin “Për Sigurimin e Depozitave” në vitin 2009; si edhe asistencën e dhënë për identifikimin e përmirësimeve të mëtejshme ligjore dhe rregullative, për rritjen e aftësisë së ASD-së në sigurimin e likuiditeteve në kohën e duhur.

Dua të veçoj faktin se asistenca e FSVC-së ka qenë e dallueshme dhe efektive për shkak të disa karakteristikave të veçanta. Ajo ka qenë pothuaj gjithmonë e përshtatur me nevojat konkrete të Bankës së Shqipërisë dhe ASD-së dhe është dhënë pa vonesë nga momenti i kërkesës. Ekspertët e sjellë në kuadër të asistencës kanë qenë profesionistë dhe me një përvojë të konsiderueshme në fushat financiare dhe ligjore, në institucione të tilla si Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave në SHBA, etj.. Asistenca e ekspertëve të zgjedhur prej FSVC-së ka përfaqësuar një mundësi prej të cilës ka përfituar një numër i zgjeruar i personelit të institucionit dhe në disa raste ajo është dhënë edhe në kushtet reale të punës, për shembull, kur ekspertët e sjellë nga FSVC-ja i janë bashkuar grupeve të inspektorëve të Departamentit të Mbikëqyrjes gjatë inspektimeve në banka. Jam i bindur që këto cilësi të asistencës që ofron FSVC-ja, do të ruhen edhe në të ardhmen.

Rezultat i këtij bashkëpunimi të frytshëm është edhe angazhimi ynë i përbashkët për ta shtrirë atë edhe për një periudhë afatmesme. Palët kanë qenë ndërkohë në kontakt për të identifikuar drejtimet e ardhshme të bashkëpunimit dhe gjykoj që ky proces po konkretizohet aktualisht në drejtim të konceptimit të projekteve dhe të detajimit të tyre, për sa i takon mënyrës së zhvillimit të tyre dhe përcaktimit të rezultateve të pritshme. Një vlerësim paraprak tregon që fusha e bashkëpunimit të ardhshëm është zgjeruar. Projektet do të vazhdojnë t’i shërbejnë objektivit për fuqizimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse në kuadër të përmirësimit të planeve të kontigjencës, zbatimit të ndryshimeve më të fundit të standardeve ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes bankare, vlerësimit të rreziqeve, si edhe përmirësimit të kërkesave rregullative për drejtimin e përgjegjshëm të institucioneve bankare e financiare. Asistenca pritet të shtrihet edhe në drejtim të përmirësimit të standardeve që mbështesin veprimtarinë e sistemeve të pagesave dhe të përdorimit të parasë elektronike, duke mundësuar adoptimin e kërkesave të direktivave përkatëse evropiane. Bashkëpunimi i FSVC-së me ASD-ën parashikohet të orientohet prej nevojës së zbatimit të Planit Strategjik të Zhvillimit për periudhën 2012-2014, duke u përqendruar në nevojën për modernizimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe të sistemit raportues dhe në procese të tjera ndihmëse.

Duke vlerësuar cilësitë e dallueshme të asistencës së FSVC-së, si edhe progresin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare për ta përthithur këtë asistencë në mënyrë sa më efektive përgjatë këtyre viteve, vlerësoj që ky bashkëpunim duhet të mbështetet dhe t’i paraprijë realizimit konkret të objektivave të ardhshëm të zhvillimit. Në këtë kuadër, asistenca mund të konceptohet në mënyrë të tillë që të mbështesë zhvillimin e një projekti në tërësi, e cila nuk kanalizohet vetëm në segmente të caktuara të zhvillimit të tij, por përqendrohet veçanërisht në fazën e zbatimit të projektit. Kjo do të kërkonte që FSVC-ja dhe Banka e Shqipërisë apo ASD -ja, të përcaktonin programet përkatëse dhe kushtet e tjera të nevojshme, që ekspertët e huaj të ofronin një asistencë më të shtrirë në kohë, duke siguruar konsistencë në përmbajtjen dhe cilësinë e trajnimit. Ky proces do të mundësohej edhe si rezultat i një vlerësimi më të thelluar ex-post të këtyre projekteve.
 
Në përfundim, më lejoni të shpreh falënderimin për Qeverinë e SHBA-ve dhe donatorët e tjerë, zyrën e USAID-it në Shqipëri, Bordin e Drejtuesve të FSVC-së dhe personelin e saj në Tiranë, që bënë të mundur burimet e nevojshme financiare në mbështetje të këtij programi bashkëpunimi. Dëshiroj të shpreh angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për të realizuar një tjetër bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efektiv.

Faleminderit!