BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, në Prishtinë

Data e publikimit: 06.10.2023

 

Në datat 5-6 tetor 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, kreu një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, të organizuar në Prishtinë, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

 DSC1918 498

Ditën e parë të kësaj vizite, Guvernatori Sejko zhvilloi një takim me Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, në ambientet e BQK-së. Ai e uroi Guvernatorin Ismaili për detyrën e re, duke i rikonfirmuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e Bankës së Shqipërisë.

 DSC2167 498

Në takim u diskutua lidhur me eksperiencat e shkëmbyera midis dy institucioneve dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm, kryesisht në kuadër të organizimit të vizitave të përbashkëta midis stafit të BQK-së dhe BSH-së.

 DSC1489 498

Guvernatorët nënvizuan edhe rëndësinë e Memorandumit Rajonal të Bashkëpunimit në fushën e qeverisjes së korporatave, të nënshkruar në vitin 2019 nga BSH dhe BQK, së bashku me Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bankën Qendrore të Malit të Zi, Bankën Qendrore të Bosnje–Hercegovinës, me qëllim bashkëpunimin e vazhdueshëm të palëve në fushën e mbikëqyrjes, kërkimit dhe vendimmarrjes, lidhur me treguesit e qeverisjes së korporatave të bankave të rajonit. Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale që bashkëpunimi në kuadër të këtij Memorandumi të jetë sa më konkret dhe me ndikim të drejtpërdrejtë.

 DSC1181 498

Guvernatori Sejko dhe Guvernatori Ismaili dakordësuan se lidhjet midis dy institucioneve do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të frytshme dhe se bashkëpunimi do të zgjerohet më tej në sektorin financiar, duke përfshirë gjithashtu aktivitete të përbashkëta në kuadër të edukimit financiar.

 DSC1339 498

Ditën e dytë të kësaj vizite, Guvernatori mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare, të organizuar nga akademitë e dy vendeve, për të diskutuar mbi prospektet dhe sfidat e zhvillimit monetar dhe financiar të Shqipërisë dhe Kosovës. Aktiviteti u hap nga fjalët përshëndetëse të Akad. Justina Shiroka-Pula, Universiteti i Prishtinës, Prof. Dr. Anastas Angjeli, Akad. Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Akad. z. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, z. Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut etj.

 DSC2287 498

I ftuar si folës në panelin e parë, Guvernatori Sejko diskutoi lidhur me temën “Prospektet dhe sfidat e zhvillimit monetar e financiar dhe integrimit ekonomik për bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri në kuadrin e integrimit rajonal”.

 DSC1692 498

Guvernatori u shpreh se ekonomitë e dy vendeve kanë një strukturë relativisht të ngjashme të organizimit të sektorit privat, si dhe të sistemeve financiare përsa i përket natyrës dhe fazës së zhvillimit të tyre të dominuara kryesisht nga bankat, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendeve. Ndërkohë, sfidat kryesore për të dyja ekonomitë kanë qenë dhe mbeten produktiviteti dhe konkurrueshmëria, si dhe madhësia e vogël krahasuar me ekonominë e Eurozonës.

 DSC2139 498

Guvernatori shtoi se për të përparuar më tej drejt perspektivës evropiane, si bashkëpunimi rajonal, ashtu dhe ai midis shteteve, luajnë një rol të rëndësishëm drejt kapërcimit të sfidave, krahas vazhdimit të reformave strukturore. Në këtë drejtim, Shqipëria dhe Kosova kanë forcuar bashkëpunimin dypalësh duke nënshkruar një bashkësi marrëveshjesh ndërqeveritare.

Sfidat që mbart e ardhmja, ndikohen nga zhvillimet demografike, edukimi dhe përfshirja financiare, zhvillimet klimatike dhe mjedisore, financa e gjelbër, si dhe digjitalizimi i shpejtë i financës dhe parasë, të cilat konsiderohen si elemente të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm. Përfshirja financiare dhe edukimi financiar përbëjnë një objektiv të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen.

Në kuadër të përparimit drejt Bashkimit Evropian, Guvernatori theksoi rëndësinë e të pasurit një integrim të plotë ekonomik e financiar midis dy vendeve.

Në përfundim, z. Sejko u shpreh se bashkëpunimi në fushat e  politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, sistemeve të pagesave, etj. midis Shqipërisë dhe Kosovës mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për forcimin e stabilitetit financiar në rajon.

Për më tepër, bashkëpunimi midis dy bankave qendrore duhet të shtrihet jo vetëm në aspektin kërkimor dhe të analizës, por edhe në gjenerimin e produkteve e strategjive të përbashkëta në fushat e bankingut qendror, sidomos në drejtim të sfidave të ardhshme globale, si dhe në funksion të një konvergjence më të shpejtë drejt BE-së.”- tha Guvernatori Sejko.