BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Milojica Dakic, viziton Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 06.05.2016

 

Në datën 6 maj 2016, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi për herë të parë një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë, Guvernatori i Malit të Zi, z. Milojica Dakić. Ai shoqërohej në këtë vizitë nga z. Darko Bulatovic, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes dhe z. Idriz Cetkovic, Drejtor i Departamentit të Operacioneve Bankare dhe Financiare.

6 5 2016 guv sejko dhe guv i bq te malit te zi z milojica daki 250 8312 0

Takimi midis dy guvernatorëve, u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe midis dy institucioneve, në ecurinë e sistemeve bankare përkatëse, si dhe në zhvillimet më të fundit në rajon.

Fillimisht, Guvernatori Sejko njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit financiare në vend, ku theksoi se sistemi bankar shqiptar është likuid dhe i mirëkapitalizuar. Ai u shpreh se, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në garantimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Duke u ndalur në ecurinë ekonomike të vendit, Guvernatori Sejko u shpreh në veçanti se, pavarësisht sfidave të ambientit të jashtëm ekonomik, përsëri ekonomia shqiptare mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në këtë drejtim, Guvernatori garantoi se institucioni që ai drejton nëpërmjet politikës monetare lehtësuese do të vazhdojë të japë të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur përpjekjet për një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Gjatë ekspozesë së zhvillimeve kryesore në sektorin bankar shqiptar, Guvernatori Sejko theksoi se rritja e kreditimit dhe ulja e kredive me probleme janë në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë. Ai e njohu homologun e tij edhe me ecurinë e planit ndërinstitucional të masave të Bankës së Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare, për uljen e kredive me probleme.

Zhvillimet financiare ndërkombëtare si dhe procesi i integrimit evropian ishte një tjetër çështje që u diskutua nga dy drejtuesit e bankave qendrore. Ata theksuan se është mjaft e rëndësishme që Shqipëria dhe Mali i Zi, si dhe vendet e rajonit të kenë një qëndrim të përbashkët në forumet evropiane dhe ndërkombëtare, pasi karakterizohen nga specifika të ngjashme.

Diskutimet u ndalën dhe në punën e bërë nga dy bankat qendrore për përafrimin e kuadrit ligjor me direktivat evropiane, ku Guvernatori Sejko e njohu homologun e tij me punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim.

6 5 2016 300 guv sejko dhe guv i bq te malit te zi z milojica daki me stafin 350 8313 0

Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Milojica Dakić, falënderoi Guvernatorin Sejko për ftesën e bërë dhe bashkëpunimin e deritanishëm midis dy bankave qendrore. Gjatë këtij takimi, Guvernatori Dakić bëri një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike të Malit të Zi, duke vënë në dukje sfidat dhe problematikat e sistemit bankar malazez. Ai veçoi rolin dhe kontributin e Bankës Qendrore të Malit të Zi në procesin e integrimit evropian të vendit dhe adoptimin e standardeve evropiane.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar.

Në mbyllje të takimit, Guvernatori Sejko ftoi Guvernatorin Dakić të marrë pjesë në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, e cila do t’i zhvillojë punimet në shtator 2016.

Gjatë vizitës së tij në Bankën e Shqipërisë, Guvernatori Dakić u takua edhe me Zëvendësguvernatoret dhe drejtuesit e disa prej departamenteve kryesorë të Bankës, ku në qendër të diskutimeve ishin politikat e ndjekura në fushën e mbikëqyrës bankare e të stabilitetit financiar të dy vendeve.

.6.5.2016 guv 1 e.gjoni dhe guv i bq të malit të zi, z. milojica dakiæ me stafin 250.

.6.5.2016 guv 2 n.ahmetaj dhe guv i bq të malit të zi, z. milojica dakiæ me stafin 250.

Në përfundim të vizitës së tij, delegacioni i Bankës Qendrore të Malit të Zi, zhvilloi një vizitë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku shprehu vlerësimet e tij për këtë iniciativë të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë.