BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori prezanton në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015

Data e publikimit: 29.03.2016

 

Sot, në datën 29 mars 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015.

Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë është detyrimi ligjor me anë të të cilit përmbushet procesi llogaridhënës i institucionit për veprimtarinë e vitit të kaluar ushtrimor si dhe për të njohur ligjvënësit me disa nga objektivat kryesorë që do të udhëheqin punën e institucionit në periudhat në vijim.

.kef l.

Siç theksoi që në fillim të fjalës së tij Guvernatori Sejko, veprimtaria e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2015 “ka synuar përmbushjen me sukses të objektivave që rrjedhin nga ligji “Për Bankën e Shqipërisë” si dhe plotësimin e të gjithë detyrimeve që rrjedhin nga aktet nënligjore dhe nga marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë”.

Viti 2015 ishte shumë i rëndësishëm në drejtim të përsosjes institucionale. Gjatë vitit,  vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u pasqyrua e plotë, me theks të veçantë në masat e marra në drejtim të forcimit të qeverisjes institucionale dhe përmirësimit organizativ, strukturor, teknologjik dhe financiar të Bankës së Shqipërisë.

Më tej, Guvernatori u ndal në kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, si dhe për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tregjeve financiare. Politika monetare lehtësuese e ndjekur në vitin 2015 ka qenë faktor i rëndësishëm për mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit. Nëpërmjet saj është garantuar një ambient ekonomik dhe financiar me norma të ulëta interesi në kushtet e një likuiditeti të bollshëm. Mbikëqyrja e kujdesshme e bankave, përmirësimet rregullatore, së bashku me shkëmbimin intensiv të informacionit me institucionet analoge evropiane dhe ato ndërkombëtare, kontribuuan në forcimin e stabilitetit financiar të sistemit bankar.

Një pjesë e rëndësishme në ekspozenë e Guvernatorit ju kushtua edhe veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë në drejtim të përmirësimit dhe rritjes së sigurisë së sistemeve të pagesave, të administrimit dhe sigurisë fizike së monedhës dhe kartëmonedhës, të administrimit të rezervës valutore, të rritjes cilësore të aktivitetit kërkimor, të përmirësimeve metodologjike në produktin statistikor të Bankës, të edukimit të publikut, të kontributit të saj në procesin e integrimit financiar, të përsosjes së komunikimit me publikun, të zhvillimit të teknologjisë së informacionit, të përmirësimit të standardeve të kontabilitetit, të motivimit të burimeve njerëzore dhe sigurisht e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, në drejtim të forcimit të kontrollit të brendshëm.

Në raport, u prezantuan edhe objektivat kryesorë të punës mbi të cilat do të orientohet veprimtaria afatshkurtër dhe afatmesme e Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016 dhe më tej. Stabiliteti i çmimeve, soliditeti i sistemit bankar, gjallërimi i kredisë, furnizimi i tregut me likuiditet, ulja e kredive me probleme, zbatimi i standardeve bashkëkohore të mbikëqyrjes, forcimi i qeverisjes, rritja e transparencës, si dhe shtimi i komunikimit me Kuvendin, me institucionet shtetërore dhe me partnerët strategjikë të Bankës do të përbëjnë boshtin e veprimtarisë të institucionit në periudhat në vijim.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF).

Në emër të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputeti Anastas Angjeli relatoi mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2015, duke vlerësuar në përgjithësi punën e saj për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit si dhe përmirësimin e qeverisjes së brendshme dhe përmbushjen e objektivave institucionalë sipas rezolutës të vitit të kaluar të Kuvendit. Në përfundim, z. Angjeli theksoi dhe sfidat me të cilat përballet Banka e Shqipërisë, duke vënë në dukje dhe rekomandimet e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për përmirësimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe rritjen e kontributit të mëtejshëm të saj në mbështetje të ekonomisë e vendit.

Fjalën e plotë të Guvernatorit mund ta lexoni në faqen tonë të internetit në linkun:
/web/NJOFTIM_PER_SHTYP_7463_1.php?kc=0,26,0,0,0