BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP Ekonomia shqiptare përballë sfidave të kohës
Leksion i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën "Kriza financiare globale dhe zhvillimet e ardhshme", e organizuar nga Universiteti "Zoja e Këshillit të Mirë" dhe Universiteti i Bolonjës, 27 mars 2009

Data e publikimit: 30.03.2009

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të jem mes jush në këtë konferencë të sintonizuar me problemet më të mprehta ekonomike të kohës, si dhe të ndaj me ju disa opinione në lidhje me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe përballjen e saj me krizën financiare botërore. Ndonëse origjina e saj globale është e njëjtë, ndikimi i kësaj krize është i ndryshëm në vende të ndryshme, ashtu si ndryshon edhe natyra e problemeve dhe masave që janë parashtruar për zgjidhjen e saj.

Fatmirësisht, ekonomia shqiptare gjendet në një pozicion më komod për përballimin e saj krahasuar me shumë vende të rajonit apo vende bashkudhëtare në rrugën e tranzicionit. Them fatmirësisht, jo për të përkufizuar natyrën rastësore të pozicionit të favorshëm ekonomik dhe financiar në të cilin ndodhemi, por për të theksuar faktin që ekuilibrat e konsoliduar makroekonomikë të vendit na mundësojnë një ndikim më të reduktuar të krizës dhe një frymëmarrje më të madhe në trajtimin e saj. Në realitet, nuk ka asgjë rastësore në arritjet tona drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Vëmendja e Bankës së Shqipërisë, si një nga aktorët kryesorë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, ka qenë vazhdimisht e orientuar drejt përmbushjes së këtij synimi. Përpjekjet tona në këtë drejtim janë plotësuar edhe nga një kuadër i shëndetshëm për koordinimin e politikave makroekonomike, në të cilin një rol jo të vogël ka luajtur asistenca e FMN-së dhe mbështetja financiare që ajo ka mundësuar.

Të gjitha këto premisa, kanë bërë që ekonomia shqiptare të rritet me ritme të kënaqshme gjatë dekadës së fundit, duke shënuar rritje të PBB-së prej mesatarisht 5-6 për qind në vit. Të ardhurat nominale për frymë janë pothuajse trefishuar gjatë 8 viteve të fundit, ndërkohë që inflacioni i ulët ka bërë që kjo rritje të përkthehet direkt në rritje të mirëqenies. Nga ana tjetër, politika fiskale ka qenë relativisht e kujdesshme. Tiparet e saj janë konturuar nga nevoja për ruajtjen e disiplinës fiskale, e shprehur kjo në kujdesin për kontrollin e deficitit buxhetor, të borxhit publik dhe të impaktit të qeverisë në tregjet e brendshme financiare. Ashtu si dhe shumë vende të tjera në zhvillim, rritja jonë ekonomike është shoqëruar me nivele të larta të deficitit tregtar. Këto deficite janë financuar nga hyrjet e qëndrueshme të kapitalit në formën e remitancave apo të investimeve të huaja direkte.

Megjithatë, ecuria e ekonomisë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008 dhe muajve të parë të vitit 2009, po dëshmon një ndikim gjithnjë e më të madh të krizës financiare botërore në ekonominë e vendit. Shkurtimisht, ky ndikim ilustrohet në rënien e remitancave dhe të importeve, në shtrëngimin e kushteve të likuiditetit dhe rritjen më të ulët të kredisë, si dhe në rritjen e pasigurisë së agjentëve ekonomikë. Të gjitha këto zhvillime, kanë nxitur një debat publik për marrjen e masave për përballimin e tyre, si dhe kanë nxjerrë në pah nevojën për koordinimin e përpjekjeve të të gjithë aktorëve ekonomikë të vendit.

Sistemi financiar ka qenë një faktor i rëndësishëm në mbështetjen e rritjes së lartë ekonomike të vendit. Ai ka shfaqur një rritje të qëndrueshme të veprimtarisë, veçanërisht këto vitet e fundit. Ky zhvillim është mbështetur nga reforma të vazhdueshme të cilat kanë synuar rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës rregullative dhe mbikëqyrëse. Sot, i tërë sektori bankar zotërohet nga kapitali privat dhe shumica e bankave zotërohet nga grupe bankare evropiane të mirënjohura. Në 5 vitet e fundit aktivet e sektorit bankar janë zgjeruar mesatarisht me 15 – 20 për qind në vit, duke u ngjitur në 87 për qind të PBB-së vendit, në fund të vitit 2008. Si rezultat, në katër vitet e fundit kredia për ekonominë është rritur mesatarisht me 7 pikë përqindje ndaj PBB-së, duke u ngjitur në 37 për qind të PBB-së.

Infrastruktura rregullative dhe mbikëqyrëse e sistemit financiar gjithashtu është përmirësuar. Në kuadër të rolit rregullativ dhe mbikëqyrës të veprimtarisë bankare, Banka e Shqipërisë ka synuar të zbatojë standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi është që veprimtaria bankare dhe bankat të zhvillohen në mënyrë të ekuilibruar dhe me rreziqe të njohura e të kontrolluara. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundim se çdo zhvillim, i cili përgjithësisht perceptohet si pozitiv për veprimtarinë bankare dhe ekonominë në përgjithësi, mund të shoqërohet me rreziqe të shtuara në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit. Objektivi ynë është që të jemi pararendës në drejtim të identifikimit dhe marrjes së masave për t’i paraprirë materializimit të këtyre rreziqeve në të ardhmen. Për të qenë pak më konkret, po i referohem rritjes së shpejtë të kreditimit të sektorit bankar. Kishim të bënim me zhvillim pozitiv në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, por Banka e Shqipërisë nuk mund të neglizhonte për asnjë moment anën tjetër të medaljes, cilësinë e portofolit. E njëjta gjë është e vërtetë edhe përsa i takon përbërjes së portofolit të kredisë sipas monedhave. Mbizotërimi i kredive në valutë, e bën portofolin e kredisë të ndjeshëm ndaj ecurisë së kursit të këmbimit të monedhës vendase ndaj valutave kryesore. Për të siguruar një administrim sa më të mirë të këtyre rreziqeve nga ana e sektorit bankar, Banka e Shqipërisë në vitet e fundit ka ndërmarrë veprime të ndryshme rregullative për të disiplinuar më mirë rritjen e shpejtë të kredisë si edhe për të vendosur një ekuilibër më të mirë të përbërjes së portofolit të kredisë sipas monedhave.

Edhe gjatë vitit të kaluar, ecuria e sektorit bankar ishte përgjithësisht pozitive. Veprimtaria bankare u paraqit e mirëkapitalizuar dhe likuide. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi 17.2 për qind, ndërsa aktivet likuide të sektorit bankar përfaqësuan 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve të krizës ndërkombëtare, në tremujorin e fundit të vitit sektori bankar u ndesh me një situatë të paqëndrueshme të ecurisë së depozitave të publikut, të cilat gjatë vitit të kaluar u rritën vetëm 2 për qind. Ritmi i ulët i rritjes, diktoi një ngadalësim të rritjes vjetore të aktiveve të sektorit bankar në 12.3 për qind, si edhe ngadalësim të veprimtarisë së kreditimit në 35 për qind. Ngadalësimi i veprimtarive fitimprurëse si edhe rritja e kostove të veprimtarisë, ndikuan në rënien e rezultatit pozitiv të veprimtarisë bankare. Fitimi i sektorit bankar për vitin 2008 ishte rreth 7.3 miliardë lekë.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ndërmori disa veprime të cilat synonin shpjegimin në publik, në mënyrë profesionale dhe sa më të qartë të efekteve të krizës ndërkombëtare, nëpërmjet pranisë në media dhe rritjes së numrit të publikimeve të ndryshme; forcimin e kontrollit mbi veprimtarinë bankare nëpërmjet zgjerimit të kërkesave për raportim dhe rritjen e kontrolleve në vend; forcimin e dialogut me industrinë bankare; forcimin e bashkëpunimit me autoritetet e tjera mbikëqyrëse në vend si edhe në rajon; përmirësimin e kuadrit rregullativ në drejtime të caktuara të veprimtarisë bankare; përgatitjen e masave që synojnë ruajtjen e besimit të publikut në sektorin bankar, përfshirë dhe propozimin për rritjen e vlerës së sigurimit të depozitave.

Banka e Shqipërisë duke vlerësuar drejt rolin e saj, ka kontribuar në mbajtjen e likuiditetit në nivele optimale, kryesisht nëpërmjet një kombinimi të efektshëm të instrumenteve operacionale që ajo ka në dispozicion. Banka e Shqipërisë ka alternuar me sukses injektimin e likuiditetit në tregun ndërbankar, nëpërmjet marrëveshjeve të riblerjes të anasjellta njëjavore me çmim të fiksuar me alternativa injektimi më afatgjata, përfshirë dhe operacionet me të drejtë shitjeje të plota.

Viti 2009 pritet të jetë një vit më i vështirë për rritjen e veprimtarisë bankare. Por sektori bankar do të jetë i qëndrueshëm, në kushtet e ruajtjes së niveleve të kënaqshme të kapitalizimit të veprimtarisë dhe veprimeve për të ruajtur treguesit e likuiditetit. Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga përfaqësuesit e industrisë bankare, angazhimin dhe kujdesin maksimal në monitorimin dhe përballimin e zhvillimeve gjatë këtij viti. Ne kemi kërkuar forcim të kontrollit të strukturave drejtuese të bankave, mbi veprimtarinë e institucioneve të tyre. Kjo duhet të bëhet në përputhje me nevojën për t’iu përshtatur kërkesave të shtuara për informacion nga ana e Bankës së Shqipërisë, për njohjen në kohë reale të zhvillimeve në veprimtarinë bankare. Në mënyrë të posaçme, Banka e Shqipërisë iu ka kërkuar aksionerëve të bankave që të jenë të gatshëm që në rast nevoje të shtojnë kapitalin dhe të ruajnë linjat e financimit për filialet e tyre që veprojnë në Shqipëri. Brenda parametrave të një veprimtarie të sigurtë bankare dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, sektori bankar duhet të shfrytëzojë mundësitë ekzistuese për të kryer rolin e tij të rëndësishëm në ndërmjetësimin financiar dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit.

Me lejoni në vijim të parashtroj disa piketa të cilat orientojnë analizën dhe vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë në situatën aktuale.

Siç është e qartë për çdo studiues të ekonomisë, zhvillimi i çdo qelize të aktivitetit ekonomik duhet të njihet dhe të përballet me kufizimet e tij buxhetore. Kjo vlen jo vetëm për ndërmarrje të veçanta apo për buxhetin familjar, por edhe për ekonominë në tërësi. Sfidat që shtrohen para vendit në periudhën e ardhme kanë të bëjnë pikërisht me reduktimin e mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik. Për arsye të problemeve që kanë origjinë kryesisht jashtë Shqipërisë, mundësitë për financim të sistemit bankar paraqiten më të reduktuara se një vit më parë. Bilancet e sistemit bankar, ndonëse të shëndetshme dhe të mirëkapitalizuara, karakterizohen nga një nivel më i ulët likuiditeti. Po kështu, në mënyrë të kuptueshme, kujdesi i sistemit bankar për cilësinë e portofolit të kredisë është rritur ndjeshëm, duke sjellë një reduktim të mëtejshëm të ofertës së kredisë bankare. Në mungesë të burimeve të huaja financiare, është normale që ekonomia shqiptare të ndërgjegjësohet dhe të pranojë këto kufizime financiare gjatë periudhës afatshkurtër. Biznesi shqiptar dhe konsumatorët duhet të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e fondeve të sistemit bankar. Kjo nuk është një thirrje për kontraktimin e huamarrjes bankare, por një sinjal për rritjen e eficiencës në përdorimin e fondeve të disponueshme. Ky shqetësim duhet të njihet dhe të mirëkuptohet nga të gjithë agjentët ekonomikë, publikë apo privatë.

Zhvillimi ekonomik është një përballje e vazhdueshme e dëshirave për stimulim të kreditimit në mbështetje të konsumit, investimeve dhe rritjes ekonomike, me nevojat për një qëndrueshmëri të ekuilibrave makroekonomikë. Këta të fundit, kushtëzojnë ritmin e rritjes së ekonomisë, në një periudhë afatgjatë. Politikat e forta stimuluese mund të blejnë një rritje ekonomike për një periudhë të shkurtër kohe. Por, kjo strategji do të dëmtonte stabilitetin afatgjatë të çmimeve, duke gërryer fuqinë blerëse të ekonomisë dhe duke humbur besimin në monedhën kombëtare dhe institucionet financiare. Gjithashtu, këto masa mund të rezultojnë në një deficit të bilancit të pagesave, duke shkaktuar kontraktime të forta ekonomike në një periudhë të dytë. Në mënyrë të qartë, një strategji e tillë ekonomike do të rezultonte kundërproduktive. I gjithë ky shtjellim, mbështet opinionin e Bankës së Shqipërisë se ruajtja e stabilitetit makroekonomik, i shprehur në inflacion të ulët, bilance të shëndetshme publike dhe private, qëndrueshmëri e borxhit fiskal dhe e pozicionit të jashtëm valutor të ekonomisë si dhe në luhatshmëri të ulët të tregjeve financiare, është çelësi i duhur për të orientuar dhe zhvilluar politikat tona ekonomike.