BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi prezantimin e modulit me zgjedhje të lirë për gjimnazet e Republikës së Shqipërisë, “Financat personale në Duart tuaja”

Data e publikimit: 01.09.2011

 

Banka e Shqipërisë zhvilloi sot, në datë 01.09.2011, ceremoninë e prezantimit të modulit me zgjedhje të lirë për edukimin financiar të gjimnazistëve, me titull “Financat personale në Duart tuaja”. Fjala e hapjes u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Instituti i Zhvillimit të Arsimit si dhe nga Drejtoritë Arsimore Rajonale.

Në fjalën e tij Guvernatori Fullani u shpreh se: “Ky libër është vërtet në duart e nxënësve të shkollave të mesme, por në radhë të parë është në ndihmën tonë. Ne nuk mund të kryejmë dot mirë detyrën tonë si Bankë Qendrore nëse  nuk kemi një ambient të mirëedukuar, një ambient që na mirëkupton por mbi të gjitha një ambient që do informacion”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se: “Edukimi është konkurrueshmëri, konkurrueshmëria, është rritje ekonomike. Nëse ekonomia e një vendi do të krahasohet me atë të një vendi tjetër,  në radhë të parë do të analizohet niveli i edukimit, i cili jep një perspektivë afatgjatë të zhvillimit të vendit”.

Ndërsa Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z.Myqerem Tafaj në fjalën e tij mbajtur me këtë rast u shpreh se: “Ne kemi shumë nevojë për rritjen e kulturës financiare dhe Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka ndërmarrë një sërë projektesh që i shërbejnë pikërisht rritjes së kulturës financiare në shoqërinë tonë. Sot 92 për qind e nxënësve që përfundojnë shkollat 9-vjeçare regjistrohen në shkollat e mesme. Në rast se ne punojmë për rritjen e kulturës financiare me nxënësit e shkollave të mesme, mendoj, se kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm edhe në informimin e shoqërisë në Shqipëri”.

Moduli i ri mësimor mbi edukimin financiar do të jetë njëra nga  lëndët me zgjedhje të lirë të kurrikulës mësimore të arsimit të mesëm, për vitin shkollor 2011-2012. Në përputhje me itinerarin kurrikular që çdo nxënës ka planifikuar të ndjekë dhe me interesat personale, nxënësit mund të përzgjedhin këtë lëndë në njërin prej tre viteve të gjimnazit.

Teksti i modulit  “Financat personale në duart tuaja”, është hartuar gjatë vitit 2010 nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe mësues të lëndës së ekonomisë. Krijimi i një formati me informacion të bazuar në realitetin shqiptar dhe në përputhje me qëllimin edukativ që ky modul pretendon të arrijë nga ana didaktike për sa i përket  grupmoshës të cilës i drejtohet, ka qenë gjithmonë objektivi kryesor i këtij projekti.

Pjesa e parë e tekstit krijon mundësinë e përthithjes së një baze konceptesh ekonomike, për të kaluar më pas në një pjesë më konkrete dhe praktike, e cila  ka të bëjë me administrimin e parave. Ndërtimi i tekstit në këtë formë i jep mundësinë nxënësve të mësojnë se si të përdorin paranë, si ta menaxhojnë atë, por edhe si të njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre në aktivitetet e paevitueshme ekonomike dhe financiare, që karakterizojnë jetën e secilit prej nesh çdo ditë.

Njohuritë e përfituara prej tij do t’i ndihmojnë gjimnazistët:

  • në jetën e përditshme si konsumator,
  • në marrëdhëniet e ardhshme me bankat dhe institucionet financiare,
  • në karrierën universitare,
  • në aftësitë sipërmarrëse,
  • në administrimin e mirë të të ardhurave,
  • në përmbushjen e objektivave afatgjatë,
  • në planifikimin e suksesshëm të financave.

Kështu, gjimnazistët që do të zgjedhin modulin “Financat personale në Duart tuaja”, për 36 orë mësimore të një viti shkollor, do të enden në botën e financave shqiptare, për të dalë prej saj me dijet e nevojshme si konsumatorë të ndërgjegjshëm të shoqërisë tonë.

Projekti për përfshirjen në kurrikulat mësimore të një moduli me zgjedhje të lirë mbi edukimin financiar të nxënësve të gjimnazeve lindi nga një iniciativë e Bankës së Shqipërisë, e cila prej disa vitesh tashmë është angazhuar në krijimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, ka qenë edhe nënshkrimi, më 13 dhjetor të 2007-ës, i Memorandumit të Bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ky memorandum krijoi mundësinë e institucionalizimit të programit edukues të Bankës së Shqipërisë për nxënësit dhe studentët, në fushat e ekonomisë, financës dhe bankingut.

Për zbatimin sa më të suksesshëm të tij, ky projekt përfshin edhe trajnimin e trajnuesve. Përfaqësuesit e Drejtorive Arsimore Rajonale do të trajnohen përgjatë dy ditëve nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë mbi mësimdhënien e këtij teksti shkollor.

Banka e Shqipërisë falënderon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Institutin e Zhvillimit të Arsimit si dhe mësuesit e gjimnazeve të vendit për mbështetjen dhe kontributin e tyre, për rritjen e kulturës financiare në Shqipëri.