BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Organizohet Konferenca e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë "Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga antikiteti në ditët tona"

Data e publikimit: 14.06.2017

 

Në datat 14-15 qershor 2017, në ambientet e Bankës së Shqipërisë po mbahet Konferenca e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë "Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga Antikiteti në ditët tona".

Kjo konferencë është konceptuar si një veprimtari dyditore. Dita e parë e saj do të mbledhë së bashku historianë, akademikë, numizmatë, arkeologë e studiues të historisë monetare e ekonomike, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve të tyre në fushën e prodhimit dhe qarkullimit monetar, historisë ekonomike dhe zhvillimit të bankingut në vendin tonë, nga antikiteti e deri në ditët tona.

3 copy 2

Ndërkaq, roli edukues i muzeve të bankave qendrore në njohjen e historisë së parasë, bankingut dhe rritjes së kulturës financiare përmes ekspozitave, edukimit dhe inovacionit, do të jetë në fokus të punimeve të ditës së dytë. Për të diskutuar mbi këto tematika, por edhe mbi çështje që lidhen me administrimin e koleksioneve numizmatike apo hartimin e programeve të edukimit financiar të publikut, do të jenë të pranishëm përfaqësues të muzeve të bankave qendrore të rajonit, të cilët do të rrahin mendimet dhe përvojat me njëri-tjetrin.

Konferenca e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë u çel nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko falënderoi për mbështetjen dhe bashkëpunimin që i kanë dhënë Muzeut të Bankës së Shqipërisë institucionet e tjera që administrojnë objekte të trashëgimisë kulturore, akademikët, ekspertët dhe arkeologët, Ministrinë e Kulturës, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Institutin e Arkeologjisë.

2 copy 2

Më tej Guvernatori Sejko shtoi se Muzeu i Bankës së Shqipërisë, përveç ekspozimit të monedhave ka si objektiv thelbësor edukimin financiar të publikut, i cili duhet të informohet që të ndërmarrë veprime të drejta dhe të shëndosha financiare, të cilat kontribuojnë edhe në stabilitetin financiar të një vendi.

Gjithashtu Guvernatori Sejko theksoi se kjo Konferencë e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë përkon me 25-vjetorin e krijimit të bankës qendrore moderne të Republikës së Shqipërisë, si dhe krijimin e një sistemi bankar dynivelor. Ai nënvizoi se gjatë këtyre 25 viteve, Banka e Shqipërisë i ka shërbyer ashtu si duhet zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit, duke mbështetur në mënyrë të suksesshme zhvillimin e një sistemi financiar eficient dhe të qëndrueshëm.

1 copy 3

Së fundmi Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë fort që çdo i interesuar, brenda dhe jashtë vendit, të gjejë në ambientet e Bankës një copëz histori të bankingut, parasë, të njerëzve që i janë dedikuar asaj.

I ftuar i veçantë në këtë konferencë ishte Prof. Olivier Picard, ish-Drejtor i Shkollës Arkeologjike Franceze në Athinë, Profesor në Universitetin e Sorbonës, Anëtar i "Académie des Inscriptions et Belles - Lettres" (Instituti i Francës), i cili mbajti për të pranishmit një leksion me temë "Fillesat e monedhave në Iliri dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet ilirëve dhe grekëve".

Kjo konferencë ka si qëllim të prezantojë risitë dhe gjetjet e fundit në fushën e historisë ekonomike të vendit tonë. Kumtesat e prezantuara e trajtojnë paranë që nga pikënisja e saj në lashtësi, për të vijuar më pas me sistemet monetare që kanë ekzistuar në territoret e vendit tonë këto dymijë vjet e deri në ditët e sotme.

Kumtimet që personalitetet e nderuara do të ndajnë me të pranishmit në Konferencë, do të kontribuojnë në pasurimin e informacionit të përcjellë nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë për vizitorët e tij, si dhe do të jenë pjesë e një botimi shkencor që do të përmbledhë punimet e aktivitetit.

Fjala e Guvernatorit gjatë Konferencës

Programi i Konferencës