BANKA E SHQIPËRISË

Politika Monetare: Një vështrim analitik mbi të kaluarën dhe vizioni i saj drejt të ardhmes.

Data e publikimit: 06.12.2001

 

Përvjetori i antarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore pak a shumë përkon dhe me vendimet e para politike të ndërmarra nga autoritetet shqiptare në drejtim të vënies nën kontroll të treguesve kryesorë të ekonomisë, të cilët në kohën të cilës po i referohemi ishin të shpërfytyruar.

Ashtu sikurse shumë nga të pranishmit në sallë mund të jenë dëshmitarë, si pasojë e centralizimit ekstremist dhe mbështetjes në vetvete, për dekada të tëra Shqipëria u shkëput nga vendet e tjera të Europës, madje edhe nga ato të Europës Qendrore dhe Lindore. Si rrjedhojë, Shqipëria u gjend tërësisht e papërgatitur për të kaluar në ekonominë e tregut, gjë që çoi në shkatërrimin e ekonomisë në pjesën më të madhe të saj dhe në rënien e nivelit të jetesës në mënyrë të ndjeshme. Në këtë situatë, Shqipëria u përfshi në një krizë të thellë ekonomike dhe financiare. Vitet 1985-1992 ishin vitet e një rënieje të shpejtë dhe të theksuar të prodhimit, të zhbalancimeve të mëdha makroekonomike, të brendshme e të jashtme, të një çrregullimi të përgjithshëm në drejtim dhe në infrastrukturë, të
shkatërrimit të rezervave valutore si dhe të krijimit të borxhit të jashtëm të vendit. Në vitin 1989 prodhimi i përgjithshëm i vendit ishte përgjysmuar, ndërkohë që si prodhimi industrial dhe ai bujqësor pësuan rënie të theksuar. Prodhimi i drithërave u ul në një të dytën e prodhimit të viteve 1980. Kështu, Shqipëria nga një vend eksportues i prodhimeve bujqësore e blegtorale u kthye në një vend që, në shkallë shumë të lartë, varej nga ndihmat kritike dhe urgjente nga jashtë. Efektet e kësaj situate u pasqyruan menjëherë në treguesit e papunësisë, të cilët pësuan rritje të ndjeshme veçanërisht në industri.

Si pasojë kjo solli emigrimin e shumë shqiptarëve, kryesisht në vendet fqinje. Gjendja financiare e vendit u keqësua me ritme të shpejta. Kjo u shoqërua me rritje të pagës nominale si dhe të pagesës në formën e asistencës për ndërmarrjet që nuk funksiononin. Të ardhurat nga taksat ranë nga 42 për qind të PBBsë në vitin 1990 në 28 për qind të PBB-së në vitin 1991 dhe ende më tej, në 16 për qind në gjysmën e parë të vitit 1992. Rritja e vazhdueshme e deficitit buxhetor dhe mungesa e një politike monetare të përshtatshme çuan në moskontrollin e likuiditeteve, të
inflacionit, të kursimeve dhe në një nivel thellësisht negativ të përqindjes së interesit, në terma realë.
Duke reflektuar gjithë këto probleme, mungesën në furnizim me produkte ushqimore si dhe masat për liberalizimin e çmimeve, gjatë vitit 1990-1991, inflacioni u ngrit ndjeshëm, në mbi 100 për qind duke kaluar rreth 15-20 për qind në muaj gjatë fillimit të vitit 1992. Në situatën kur kursi zyrtar i këmbimit ishte shumë larg nga kursi i këmbimit në tregun paralel, rezervat valutore kishin rënë në mënyrë të ndjeshme dhe bilanci tregtar ishte keqësuar së tepërmi. Bilanci i pagesave pasqyronte një deficit të ndjeshëm dhe me shumë pasoja për ekonominë.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.