BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigje e konferencës për shtyp, 20 mars 2024

Data e publikimit: 20.03.2024

 

Pyetje: Ju e përmendet pak në fjalën tuaj por kur pritet të nisë lehtësimi i politikës monetare duke marrë parasysh faktin që inflacioni gjatë muajit shkurt shënoi 2.6 për qind një nivel që është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind ? 

Guvernatori: E kemi theksuar vazhdimisht që vendimmarrja e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë do të jetë e bazuar në të dhënat. Norma mesatare e inflacionit gjatë dy muajve të parë ka qenë në nivelin 3%, pra 3.4% në janar dhe 2.6% në shkurt. Sigurisht që ky është një lajm i mirë. I përmenda dhe faktorët që vijnë nga importi, pra janë presionet e jashtme në inflacion ato që kanë ndikuar pasi presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme dhe ne vëmë re që vazhdojnë të mbeten të qëndrueshme. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë në varësi të të dhënave që do të ketë mbi inflacionin, do të reagojë me qëndrimin saj të politikës monetare. Nëse inflacioni do të vazhdojë të bjerë, ka implikime të tjera. Po t’i referohemi periudhave të mëparshme, situata është krejt e ndryshme; megjithatë një situatë me inflacion të lartë sikurse dhe një situatë me inflacion të ulët do të ishte problematike sikundër kemi parë në dekadën e kaluar. Por nuk parashikojmë të jemi në atë situatë. Parashikimi është të jemi rreth objektivit tonë të inflacionit gjatë vitit aktual. Për momentin ne nuk parashikojmë ose nuk mendojmë se do të fillojmë me një lehtësim të politikës monetare; gjithmonë në varësi të shifrave pasi ka të papritura pavarësisht parashikimeve. Siç e theksova, shifrat e fundit të inflacionit janë përtej pritshmërive, janë më mirë sesa i parashikonim. Nëse do të kemi shifra më të ulta inflacioni, natyrisht që do të reagojmë. Qëndrimi i politikës monetare do të jetë në varësi të ecurisë së inflacionit dhe të parametrave të tjerë makroekonomikë në vend si PBB, punësimi, etj..

Dua të theksoj dhe një element tjetër. Shumë banka qendrore të vendeve të eurozonës, por dhe në botë, p.sh. Banka Qendrore Evropiane ka dhënë sinjale që, në një të ardhme jo të largët, nëse do të vazhdojmë të kemi këto norma të ulta të rënies së inflacionit, mund të fillojë uljen e normës së interesit pra normalizimin e politikës monetare. Banka e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e kujdesshme, nuk ka lëvizur njëlloj si bankat e tjera qendrore në rajon ose në eurozonë me rritjen e normës bazë të interesit për të mos penguar rritjen e aktivitetit ekonomik. Ne nuk kemi qenë agresiv në periudhën e fundit, ne kemi qenë proaktiv në normalizimin e politikës monetare menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe efektet janë dhënë në transmetimin e politikës monetare prandaj, duke parë dhe ecurinë e inflacionit, ne nuk e kemi rritur normën e interesit në ato nivele që e kanë rritur banka qendrore të mëdha si BQE, Banka e Anglisë dhe banka të tjera. Pra sikurse e kemi theksuar ne e konsiderojmë politikën monetare me normën e interesit prej 3.25% akoma stimuluese për zhvillimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar agjentët ekonomikë. Në këto kushte, duke qenë që nuk parashikojmë një rënie të theksuar të inflacionit, duke qenë që ne kemi pasur dhe një rritje të kujdesshme të normës së interesit, mendojmë që jemi në rregull për momentin me qëndrimin politikës monetare. Megjithatë kjo do të shikohet. Ndoshta do të kemi presione inflacioniste më të ulta për të ndikuar në rënien e inflacionit dhe atëherë ne do të reagojmë. Gjithmonë qëndrimi do të jetë i bazuar në të dhëna.