BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigje të konferencës për shtyp, 2 gusht 2023

Data e publikimit: 02.08.2023

 

Pyetje: Ju e përmendët pak gjatë fjalës tuaj mbiçmimin e lekut kundrejt monedhave të huaja aktualisht keni konstatuar problematika në tregun e këmbimit valutor dhe a parashikoni të ndërhyni dhe çfarë masash lehtësuese po diskutoni apo i jeni në diskutim në lidhje me eksportuesit?

Guvernatori: Unë e përmenda dhe gjatë fjalës dhe para se të kthej një përgjigje konkrete, dua të rikthesoj dhe njëherë atë që e kemi thënë më parë.

Sikurse e thamë dhe në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës, forcimi i kursit të këmbimit ka ardhur nga përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare. Kemi një vlerësim të monedhës kombëtare kundrejt valutave, i cili ka filluar në kohë vite më parë, pra është një trend që ka ardhur si pasojë e ndryshimeve strukturore dhe përmirësim në bilancin e pagesave.

Burimet ne i kemi përmendur janë remintancat, turizmi, investimet e huaja, sidomos blerjet e pasurive të patundshme nga jorezidentët. Këto burime formale që ne i marrim në analizë konfirmojnë dhe justifikojnë një forcim të kursit të këmbimit. Aktualisht jemi në pikun e sezonit turistik dhe historikisht në këtë periudhë është vënë re një forcim i kursit të këmbimit.

Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit i cili ka avantazhet e tij. Në mungesë të regjimi të lirë të kursit të këmbimit do të vepronim ndryshe me instrumentin e politikës monetare. Do të kishim norma shumë më të larta interesi dhe kosto më të larta të shtuara si për bizneset ashtu dhe për qytetarët. Do të kishim norma më të larta interesi të kredisë do të kishim probleme me performancën në kthimin e kredive që ndikojnë në stabilitetin financiar e të tjera me radhë në efekt zinxhir. Pra situata duhet parë në kompleks.

Banka e Shqipërisë e shikon efektin e kursit të lirë të këmbimit valutor dhe vetë kursin e këmbimit në kompleks dhe në konteksin makro. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj dhe me rregullore kur duhet të ndërhyjë për kursin e këmbimit. Siç e kemi theksuar disa herë, ne ndërhyjmë për efekt të rezervës valutore, për efekt të çrregullimeve dhe për efekt të objektivave tanë ligjorë siç është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar.

Kursi i këmbimit monitorohet me kujdes dhe ne e ndjekim jo vetëm në bazë ditore por në çdo moment. Ka një monitorim dhe analizë të kursit të këmbimit nga departamentet kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe së fundmi dhe direkt nga drejtimi i lartë i Bankës së Shqipërisë.

Muajin e fundit është vënë re një mbiçmim i përshpejtuar, kemi 12.1% në muajin korrik si pasojë e faktorëve që përmenda. Por gjithsesi një mbiçmim kaq i shpejtë i kursit të këmbimit krijon disbalanca dhe shton rreziqet për ekonominë. Në këtë kontekst edhe Banka e Shqipërisë po e shikon me shumë vëmendje ecurinë e kursit të këmbimit dhe për të shmangur këto rreziqe mund të konsiderojë që të shtojë blerjet për rezervën e saj valutore për pjesën e mbetur të vitit.

Pra, kjo është ajo që ne jemi duke mbajtur në konsideratë në raport me mbiçmimin e përshpejtuar të kursit të këmbimit gjatë muajit korrik. Pra, forcimi është më i shpejtë sesa produktiviteti i ekonomisë dhe rritja e ekonomisë dhe sigurisht jep disa sinjale rreziku në këtë moment.

Për informacioni tuaj, blerjet dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për efekt të shtimit të rezervës valutore ose për efekte të tjera, zakonisht deklarohen një 3-mujor më vonë që të mos kenë efekte në tregun valutor. Aktualisht, deri më sot ne kemi tërhequr për këtë vit, rreth 170 milionë euro.

Natyrisht që ne do të rikonsiderojmë duke parë ecurinë e kursit të këmbimit dhe ndikimin që ka kursi  i këmbimit, të rrisim blerjet për efekt të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, për pjesën e mbetur të vitit.

Por sigurisht edhe njëherë, qartësisht theksoj që regjimi i lirë i kursit të këmbimit është një amortizues automatik i goditjeve dhe është një instrument për të ruajtur balancat makroekonomike, jo vetëm në tregun valutor, por dhe më gjerë në gjithë ekonominë.

Lidhur me pjesën tjetër të pyetjes për eksportuesit, ne kemi komunikuar vazhdimisht me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Qeveria Shqiptare nga ana e saj kanë marrë disa masa. Ndërsa nga ana jonë ne kemi komunikuar dhe diskutuar me bankat për të qenë më të vëmendshëm ndaj kësaj industrie. Është e rëndësishme të ruhet stabiliteti financiar në kuadër të performancës së aktivitetit ekonomik të këtyre bizneseve në raport me bankat në mënyrë që ato të performojnë dhe të shlyejnë detyrimet si dhe të ecin paralel me planet e biznesit në raport me sektorin financiar.

Gjithashtu, në këtë kontekst, për të ulur dhe rrezikun e kursit të këmbimit dhe në raport përsëri me performancën e shlyerjen e kredive të bankave, gjithashtu dhe me mitigimin e rrezikut e kursit të këmbimit nëpërmjet kontratave forward. Kjo është një çështje komplekse dhe si bankat ashtu dhe ne e kemi  në vëmendje dhe po e ndjekim me vazhdimësi.

Banka e Shqipërisë operon brenda kuadrit të saj ligjor dhe rregullator dhe ajo shikon situatën makro brenda objektivave të saj kryesorë që është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar. Sigurisht që duam që biznesi, jo vetëm ai eksportues, por të gjithë bizneset të kenë një performance sa më të mire në funksion të rritjes ekonomike ne funksion te mirëqenies te qytetareve por dhe në funksion të stabilitetit financiar dhe monetar të vendit, por fatkeqësisht ne nuk disponojmë instrumente të caktuara për të stimuluar ose ndihmuar industri të ndryshme. Për shembull për ta thjeshtëzuar ne nuk mund të përcaktojmë një kurs fiks këmbimi për një industri dhe një kurs të lirë këmbimi për një pjesë tjetër të industrive ose të popullatës.

Regjimi i kursit të këmbimit është i njëjtë për të gjithë ekonominë dhe për të gjithë qytetarët. Situata është shumë komplekse dhe ne do të përpiqemi që brenda kuadrit tonë ligjor dhe rregullator të bëjmë maksimumin e mundshëm për të ruajtur balancat makroekonomike dhe për të siguruar një vijimësi të rritjes së vazhdueshme ekonomike sikundër e theksuam dhe e kemi parashikuar.