BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 16 dhjetor 2020

Data e publikimit: 16.12.2020

 

Pyetje: Si pritet të ndryshojë kredia me probleme dhe a po mendon Banka e Shqipërisë për masa shtesë?

Guvernatori: Pavarësisht situatës së vështirë, treguesi i kredive me probleme mbeti i pandryshuar. Aktualisht, ky tregues është në nivelin 8.29%. Niveli i kredive me probleme do të ishte në një nivel më të ulët, nëse nuk do të ishim goditur nga tërmeti dhe pandemia, por fakti që ky nivel nuk është rritur është një tregues mjaft pozitiv për sistemin financiar dhe kryesisht sistemin bankar në vend. Nga këto goditje, ky nivel mund të ishte dhe më i lartë, konsideruar situatën e vështirë të krijuar.

E kemi theksuar në raportimet pranë parlamentit të Shqipërisë apo komentuar në deklaratat tona të mëparshme se nivel i kredive me probleme mund të ketë një rritje në vitin 2021, një fenomen që pritet të ndodhë në sistemin bankar edhe të shumë vendeve të tjera.

Një element pozitiv që ka ndikuar në mosrritjen e këtij treguesi, por që ka ndihmuar dhe sektorin bankar, sistemin financiar, familjet dhe bizneset,  ka qenë dhe masat e marra nga ana jonë, si shtyrja e kësteve të pagesave të kredive për 2 tremujorë ashtu edhe ndryshimet rregullatore për t’i dhënë mundësi bankave për ristrukturim të kredive.

Dua të theksoj se në bazë të analizave tona, edhe në skenarin më të keq, sektori bankar mbetet i qëndrueshëm dhe rritja e nivelit të kredive me probleme nuk do të cenonte raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, likuiditetin, performancën e tyre në 2021 dhe në të ardhmen. Megjithatë skenari bazë parashikon qëndrueshmëri dhe nuk parashikojmë probleme nga rritja e nivelit të kredive me probleme. Kemi një eksperiencë të mirë nga e kaluara, kemi një plan masash për trajtimin e tyre, i cili është ndërmarrë, ka funksionuar dhe është konsoliduar. Natyrisht që jemi duke analizuar situatën në vazhdimësi.

Ka dhe një kërkesë nga ana e Shoqatës së Bankave, nëse mund të shtyjmë për një periudhë tjetër, jo këstet e pagesave të kredisë, por ndryshimet rregullatore që i japin mundësi bankave për të ristrukturuar proaktivisht kreditë. Kjo do të gjykohet dhe do të vendoset shumë shpejt.

Pyetje: Si ka ecur kreditimi këtë vit të vështirë dhe si pritet ai në vitin në vazhdim?

Guvernatori: E theksova dhe në deklaratën e politikës monetare që gjatë vitit 2020, pavarësisht që ka qenë një vit i vështirë, ne kemi pasur rritje vjetore të kreditimit në nivelin 6.7%. Kreditimi është rritur në të dy segmentet, si në segmentin e bizneseve dhe në atë të individëve. Segmenti i bizneseve ka patur rritje më të konsiderueshme së fundi 6.9%, ndërsa ai i individëve 6.4%. E rëndësishme është që kreditimi ka vazhduar edhe me një situatë të vështirë ekonomike të ndikuar nga pandemia. Këtu ka ndikuar dhe, janë përfshirë edhe paketat e qeverisë shqiptare, pra garancitë shtetërore nëpërmjet të cilave bankat e nivelit të dytë kanë disbursuar fonde dhe këto përfshihen në nivelin e kreditimit, por përtej tyre kemi pasur një kreditim më të lartë edhe nga bankat e nivelit të dytë.

Ky është një tregues pozitiv, është përtej parashikimeve tona. Siç e theksuam në deklaratë, gjithçka është e lidhur me ecurinë e pandemisë. Në rast se do të kemi një përmirësim të situatës dhe një ulje të nivelit të shifrave të të sëmurëve, natyrisht që ekonomia do të ringrihej në vitin 2021 dhe kreditimi do të merrte frymë më shumë akoma, do të kishim një kreditim më pozitiv.

Në skenarin bazë, përsëri ne kemi parashikuar që do të kemi një rritje kreditimi. Një element shumë pozitiv që e theksuam gjithashtu është rritja e kreditimit në lek. Rritja e kreditimit në lek tregon transmetimin e politikës tonë monetare dhe rrit në vijimësi transmetimin e politikës monetare të bankës qendrore . Gjithashtu shmang dhe riskun e këmbimit valutor në kthimin e kredisë, pra ndikon pozitivisht në stabilitetin financiar të vendit.

Gjithçka është për tu parë, gjithçka është në varësi të situatës së pandemisë, si do të evoluojë pandemia dhe sa do të jetë ndikimi i saj në ekonomi në vitin 2021. Gjithsesi shifrat aktuale janë këto që sapo thashë.

Duke qenë që është dhe hera e fundit në këtë konferencë, unë dëshiroj të uroj të gjithë partnerëve, kolegëve, shikuesve, Gëzuar Festat e Fundvitit dhe Vitin e Ri.

Ju faleminderit, ju uroj shëndet dhe gjithë të mirat!