BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 23 mars 2023

Data e publikimit: 23.03.2023

 

Pyetje: Zoti Guvernator, siç e deklaruat dhe ju tani duket se është kryer pjesa e nevojshme e rritjes së normës bazë të interesit. Në këtë mënyrë i jeni drejtuar gjithmonë si një normalizim i normës bazë të interesit. Nëse në të ardhmen, në këto muajt që pasojnë, inflacioni do të mbetet në këto ulje anemike le të themi në 7.2 në 7.1 ku nuk ishte dhe ulja e pritshme që thatë edhe ju, mendoni se do të arrini në territor shtrëngues i politikës monetare?

Guvernatori: Së pari është herët për të folur për lehtësim të politikës monetare, pra për të menduar për ulje të normave të interesit. Pavarësisht rënies së vlerës totale të inflacionit, ne morëm vendim për rritjen e normës bazë të interesit në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës bazuar në rritjen e inflacionit bazë, në rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste duke vëne re që çmimet në vend janë rritur. Pavarësisht nga çmimi i naftës, çmimet e tjera të ushqimeve dhe çmimet bazë të shportës kanë treguar një rritje persistente dhe kjo kërkoi një reagim të politikës monetare. Kërkesa agregate është rritur, prandaj dhe Banka e Shqipërisë gjykoi se duhet të vazhdonte me normalizimin e politikës monetare.

Nga kahu tjetër, ne gjithmonë kemi pasur parasysh ruajtjen e një ekuilibri midis ndikimit të normës bazë të interesit mbi frenimin e rritjes së çmimeve, dhe ndikimit mbi rritjen ekonomike, për të mos ta frenuar atë. Gjithashtu, një arsye tjetër lidhet edhe me situatën e fundit të bankave që kanë probleme në Amerikë dhe Evropë, pra për të qenë të kujdesshëm në raport me stabilitetin financiar të vendit dhe për të ndikuar sa më pak në shëndetin e bankave.

Vendimmarrja e sotme gjykohet që nuk ndikon në këta faktorë pra praktikisht ne jemi akoma në një terren lehtësues të politikës monetare. Normat e interesit nuk janë rritur në ato nivele që të pengojnë rritjen ekonomike dhe sigurisht, edhe siç theksova në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës, në lëvizjet e ardhshme do të mbetemi të kujdesshëm për të parë të gjithë këta elementë. Shpejtësia e normalizimit të politikës monetare do të jetë gjithmonë e lidhur me treguesit e rritjes ekonomike, me shëndetin e sistemit financiar në vend dhe me të gjithë parametrat makroekonomikë. Nëse inflacioni do të ulet, reagimi i politikës monetare do të jetë ndoshta më i ngadaltë. Pra ne do të presim dhe do të vlerësojmë sepse sigurisht që vendimmarrja është e bazuar në të dhënat. Nuk mund të komunikoj pavarësisht nga parashikimet si do të jetë vendimmarrja, por një gjë është e sigurtë, që vendimmarrja nuk do të jetë aq e shpejtë sa ç’ishte menduar vitin e kaluar.

Pritshmëritë për rritjen e inflacionit në Shqipëri në rajon dhe në botë ishin më të larta se çfarë ndodhi realisht. Çmimet në eurozonë kanë ardhur në rënie dhe normalizimi i politikës monetare të bankave qendrore ka ulur shpejtësinë, pavarësisht nga lëvizjet e fundit të politikës monetare të Rezervës Federale, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Anglisë. Mund të kemi vazhdim të rritjes së normave bazë të interesit, por jo me shpejtësinë e parashikuar.

Pra ne jemi në një situatë ku normat e interesit do të mbeten në këto nivele, mund të mos rriten me shpejtësinë e parashikuar dhe kjo varet nga shifrat. Por për të folur për ulje të normave të interesit është akoma herët. Sigurisht që nëse do të përmirësohen parametrat makroekonomikë, ne do të reagojmë me politikën monetare. Nëse ne arrijmë objektivin tonë të inflacionit prej 3 për qind në mesin e vitit të ardhshëm, mendoj që gjërat janë pozitive. Ne presim një sezon turistik veror të suksesshëm, ekonomia po vazhdon rritjen, situata makroekonomike është duke ecur në territor pozitiv dhe sistemi financiar është i qëndrueshëm dhe tregjet financiare janë të qeta.

Pyetje: Në lidhje me zhvillimet e javëve të fundit ku në Amerikë tregjet janë tronditur nga falimenti i dy bankave në Evropë po ashtu shumë vështirësi nga rasti i Credit Swisse. Ndërkohë që ka panik në tregje investitorët kanë bërë që dhe aksionet e shumë kompanive shumë bankave të bien në bursa të kuotuara. Sa të ekspozuar e gjykoni ju sistemin bankar në Shqipëri?

Guvernatori:  Falimentimi i bankës Silicon Valley në Amerikë dhe bankës tjetër Signature Bank  është një sinjal alarmi për të gjithë tregjet financiare ndërkombëtare.  Reagimi në tregun evropian nëpërmjet Credit Suisse dhe zhvillimet që ju i keni ndjekur, ngriti vigjilencën dhe ne morëm në analizë të menjëhershme situatën e sistemit financiar. Këto ngjarje financiare ndodhen sigurisht nga mosrespektimi i kritereve të rrezikut në këto banka, nga mosrespektimi i niveleve të përqendrimit të rrezikut dhe nga mos analiza e rrezikut të likuiditetit dhe i hendeqeve të maturitetit.

Pra këto banka nuk kanë analizuar disbalancat e maturitetit dhe praktikisht ndryshimi i normave të interesit ndikoi duke shkaktuar humbje. Kjo krijoi panik dhe tërheqje të mëdha të depozitave në një hark kohor afatshkurtër, duke krijuar situatën që të gjithë e dimë, por sigurisht ndërhyrja e rregullatorëve dhe qeverive përkatëse me shuma të mëdha frenoi dhe stabilizoi tregjet. Gjithsesi sistemi ynë financiar është i pandikuar dhe nuk ka ekspozime në këto tregje financiare. Jo vetëm me me bankat amerikane, por edhe me Credit Suisse. Ekspozimi është pothuajse i papërfillshëm, nën 0.8%.

Nga ana tjetër pasojat e krizës së 2008-ës, krizës së borxheve në Eurozonë dhe krizës greke na kanë bërë që ne të marrim masa mbikëqyrëse, të matura dhe rregullative, në mënyrë që bankat të jenë të mbikapitalizuara dhe me një nivel të lartë likuiditeti. Këto fenomene që përmenda, dhe nga analiza që kemi bërë, rezulton që bankat të jenë në një situatë shumë të shëndetshme financiare, nuk kanë asnjë problematikë të kësaj natyre. Treguesi i likuiditetit jo vetëm që është në nivele të larta, por dhe kërkesat rregullative që ne kemi janë shumë larg nga kjo lloj krize.

Natyrisht që krizat e sistemit financiar kanë efekt zinxhir.  Po monitorojmë tregjet ndërkombëtare shumë ngushtë, por e vërteta është që tregu shqiptar është shumë larg nga këto rreziqe dhe për më tepër që provat e rezistencës dhe analizës që ne kryejmë nëpërmjet departamenteve tona në Bankën e Shqipërisë tregojnë që bankat e nivelit janë mjaft të shëndetshme. Dhe në ndonjë skenar hipotetik, sikur të ndodhte që të kishte goditje nga jashtë shumë të forta, bankat prapë janë të mirëkapitalizuara dhe shumë të shëndetshme. Pra për momentin realisht nuk kemi asnjë lloj problematike në sistemin tonë bankar. Por sigurisht që ky është një moment i mirë për të qenë vigjilent dhe për të pasur parasysh që duhet të jemi gjithmonë vigjilent në respektimin e kritereve të rrezikut, sepse dhe në këto shtetet kaq të zhvilluara shiko se çfarë ndodh kur harrohet respektimi i kritereve të rrezikut dhe normave mbikëqyrëse rregullatore.