BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 3 maj 2023

Data e publikimit: 03.05.2023

 

Pyetje: Ditën e sotme Ministria e financave dhe Ekonomisë ka pasur një takim me bizneset eksportuese lidhur me ecurinë e kursit të këmbimit. A do të ketë një vendim dhe ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë lidhur me zhvlerësimin e euros?

Guvernatori: Lidhur me kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë ka sqaruar disa herë, por dhe sot po japim komentin tonë. Kursi i këmbimit të lekut është i mbiçmuar dhe ka qenë në forcim prej një periudhe të gjatë disavjeçare. Këtë vit ky mbiçmim është dhe më i fortë. Kjo vjen si pasojë e disa faktorëve, faktorët zyrtarë dhe fondamentalë e justifikojnë plotësisht forcimin e kursit të këmbimit. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte në krahasim me vitin e kaluar, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi në krahasim me vitin e kaluar, rritje të eksporteve ne total si dhe një rritje të remitancave. Këto kanale prurjesh në euro kanë bërë që oferta e euros në treg të jetë e konsiderueshme.

Ne kemi monitoruar në mënyrë të vazhdueshme tregun dhe kemi vënë re që sjellja e tregut ka reflektuar kursin e këmbimit në mënyrë normale dhe nuk kemi patur çrregullime. Nuk kemi as sjellje spekulative ose faktorë psikologjikë të cilat të ndikojnë në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar qartë me ligj dhe rregullore kur ndërhyn në kursin e këmbimit. Ne kemi ndërhyrë në vitin 2018 në tregun e kursit të këmbimit pasi të gjithë këto kritere që përmenda, në atë vit plotësoheshin. Spread-et ishin zgjeruar, faktori psikologjik ishte i fortë dhe më kryesorja ishte që kursi në atë periudhë godiste inflacionin, pra ne ishim në një situatë deflacioniste dhe kërkonim të rrisnim inflacionin në nivelin 3%.

Sot jemi në një situatë komplet të ndryshme, ne ndërhyjmë për rezervë, por nuk quhet ndërhyrje për kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë publikon kalendarin e ndërhyrjeve në fillim të vitit, pikërisht për këtë qëllim, që të jetë transparent dhe mos të ndikojë në spekulime në tregun e këmbimeve valutore.

Ne ndërhyjmë për të shmangur spekulimet dhe njëkohësisht për të mbrojtur inflacionin. Të gjitha këto kritere nuk plotësohen në këtë rast. Kalendari i ndërhyrjeve për të rritur rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë është i ditur nga tregu. Ndërkohë nuk shohim një sjellje spekulative në treg. Në këtë kuadër nuk mund të krijojmë një precedent ndërhyrjeje nga forcimi aktual i kursit të këmbimit, pasi kjo tregon realisht tregun e këmbimeve valutore. Ky është tregu real, këto janë prurje reale. Nuk kemi zgjerime spread-esh, nuk kemi asnjë arsye për të ndërhyrë.

Nga kahu tjetër e mirëkuptoj dhe gjykoj që duhet bashkëpunuar me eksportuesit ose me ato industri të cilat preken nga efekti i kursit të këmbimit. Natyrisht që disa sektorë humbasin, disa sektorë fitojnë, disa individë humbasin, disa individë fitojnë. Të gjithë ato biznese ose individë të cilët i kanë të ardhurat në euro dhe shpenzimet në lekë, humbasin nga forcimi i kursit të këmbimit dhe e kundërta, ato biznese dhe individë që i kanë të ardhurat në lekë dhe shpenzimet në euro fitojnë, importuesit të themi.

Natyrisht që ne kemi një deficit tregtar, jemi ekonomi importuese. Në total, po ta shohim në nivel ekonomie, me shumë fitojmë sesa humbasim. Është shumë e vërtetë që eksportuesit humbasin, disa pjesë të ekonomive eksportuese humbasin dhe natyrisht që ne synojmë ta forcojmë prodhimin vendas dhe synojmë të forcojmë ekonominë eksportuese. Në këtë kontekst, njësoj si Ministria e Financave dhe Ekonomisë edhe ne do të marrim një kontakt të shpejtë me eksportuesit. Do të konsultohemi me ta dhe jemi të gatshëm që të ofrojmë trajnime mbi menaxhimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Ka kontrata të cilat e fiksojnë kursin, ka instrumente financiarë të cilët përdoren nga kompanitë ndërkombëtarëedhe që janë të njohura.  Duke qenë se ne jemi institucioni financiar kryesor, kemi dhe eksperiencen dhe ekspertizën e nevojshme, jemi të gatshëm për t’i informuar dhe për t’i trajnuar të gjitha ato industri dhe ato biznese të cilat pësojnë një goditje nga efekti i kursit të këmbimit. Gjithashtu do të bashkëpunojmë ngushtë dhe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të parë se çfarë masash mund të marrim ne për të ndihmuar eksportuesit që humbasin.

Megjithatë dua të theksoj që kursi këmbimit aktual reflekton tregun, përcaktohet nga kërkesë- oferta. Dua të theksoj dhe njëherë që nuk është Banka e Shqipërisë ajo që përcakton kursin e këmbimit është tregu që e përcakton kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë, si institucion financiar qendror e shpall, e komunikon kursin e këmbimit, por ndërhyn vetëm në ato raste që përmenda. Ky sqarim është më shumë për opinionin publik sepse ekspertët dhe specialistët e kanë shumë të qartë këtë.