BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 6 korrik 2022

Data e publikimit: 06.07.2022

 

Pyetje: Duke u nisur pikërisht nga rritja e inflacionit ju thatë që do të rritet, por sa janë pritshmëritë, deri ku shkon dhe si do të mund të përkthehet më pas, nëse do të rikthehet në indeksim të pagave dhe pensioneve për shqiptarët?

Guvernatori: Inflacioni është shqetësimi kryesor i të gjithë ekonomive botërore. E përmenda dhe në deklaratën e Politikës Monetare. Ne presim që niveli maksimal i inflacionit do të arrihet në tremujorin e tretë. Tani këto janë parashikime dhe unë nuk mund të them një shifër të saktë sesa do të jetë inflacioni, por ajo që mund të them për momentin është që niveli i inflacionit gjatë muajit maj ishte 6.7%. Ne presim shifrën e përditësuar të inflacionit për muajin qershor, i cili do të dalë këto ditë nga INSTAT.  

Natyrisht që shifrat janë surprizuese në këtë periudhë pasi ekonomitë janë duke u përballur me kriza të njëpasnjëshme dhe me rreziqe serioze. Inflacioni do të godasë konsumin, prodhimin, gjithë zinxhirët e prodhimit dhe normalisht më pas dhe rritjen ekonomike. Kjo është e ditur, por sa dhe si kjo është për tu parë.

Ne po surprizohemi për mirë dhe për keq në mënyrë asimetrike. Rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte mbi pritjet tona. Sipas analizave të Departamentit tonë të Politikës Monetare ne kishim një pritshmëri për rritje 4.3%  në tremujorin e parë, ndërkohë që rezultoi një rritje ekonomike prej 6%. Sigurisht që rritja ekonomike e periudhës së tremujorit të tretë që përfshin dhe sezonin e verës ndikohet nga turizmi dhe presim të jetë pozitive, por sa nuk e dimë. Të gjithë këta elementë dhe faktorë ndikojnë në inflacion.

Nuk mund të them një shifër të saktë për pritshmërinë e inflacionit. Mund të luhatet midis 7 dhe 8%. Kjo është për tu parë, pasi mund të mbetet dhe në nivelin poshtë 7%. Shpejtësia e normalizimit të politikës monetare, pra vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në drejtim të rritjes së normës së interesit, do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ritmi i rritjes së inflacionit.

Ju thatë që ju duket optimiste që inflacioni do të vijë në objektiv në vitin 2024. Realisht ky është parashikimi i modelit të politikës monetare që na jep këto të dhëna. Modelet ndryshojnë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me politikën monetare lehtësuese të mëparshme. Kishim të bënim me një situatë deflacioniste dhe parashikimet e arritjes së objektivit të inflacionit janë shtyrë disa herë në kohë jo vetëm nga ne por nga të gjitha bankat qendrore kudo në botë. Këto janë objektiva të vështirë dhe ekonomia është shumë komplekse. Ne bëjmë parashikime dhe reagojmë për të menaxhuar situatën makroekonomike, por nuk mund të parashikojmë dot shifra të sakta 100%. Jo ne, por të gjithë bankat qendrore kudo në botë.

Gjithsesi jemi të sigurt në parashikimin që do të kemi një rritje ekonomike këtë vit, një rritje ekonomike midis 3 dhe 4%. Është për t’u parë, por gjithsesi kjo është një rritje pozitive në situatën aktuale që po përballen ekonomitë botërore dhe ajo shqiptare, përballë presioneve të forta inflacioniste që ndikojnë konsumin, prodhimin e kështu me radhë. Shpresojmë që do të kemi efekte pozitive nga sezoni, që mesa duket ka efekte pozitive, dhe do të reagojmë sikurse thashë me politikën tonë monetare pasi dhe objektivi jonë primar ligjor është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ne sot analizuam raportin e ndërmjetëm të politikës monetare, të presim raportin tremujor të cilin do e analizojmë në fillim të gushtit dhe do të kemi një pamje më të plotë të treguesve të përditësuar makroekonomikë.

Pyetje: Euro po shënon nivelin më të ulët historik, të paktën në memorien tonë. Cilat janë parashikimet dhe pse euro është në këtë gjendje aktualisht?

Guvernatori: Kursi i këmbimit ka një forcim që është i lidhur drejtpërdrejt me faktorë sezonalë. Pra ndikohet nga turizmi dhe shifrat në rritje të hyrjeve të vizitorëve në Republikën e Shqipërisë. Ka shifra jashtëzakonisht të larta krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me një vit të mbyllur në periudhën e kufizimeve nga pandemia.

Por, natyrisht, kursi i këmbimit gjatë periudhës së verës ka qenë i mbiçmuar, pra leku ka qenë i fortë. Kjo përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg. Prandaj dhe kursi i këmbimit mbetet i fortë. Faktori kryesor është turizmi, por edhe bilanci tregtar, ndërsa deficiti tregtar ka ardhur në ngushtim me 15%. Eksportet janë rritur, si ato të mallrave ashtu edhe të shërbimeve. Kemi një rritje me 60% të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Dhe ky është një burim tjetër i hyrjeve të eurove në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pra, këto flukse hyrëse të valutës së huaj, kryesisht në euro, kanë mbajtur kursin e këmbimit të mbiçmuar, në favor të lekut.

Ajo që ne vëmë re është që sjellja e kursit të këmbimit është normale. Pra nuk kemi një sjellje spekulative që të imponojë ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të rregulluar parametrat e kursit të këmbimit. Spread-et janë normalë. Bankat tregtare dhe agjentët ekonomikë në treg po këmbejnë dhe tregtojnë normalisht në kushte të qeta. Ky është kursi real që imponon tregu.

Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe kemi të përcaktuar saktësisht me ligj dhe me rregullore se kur ndërhyn banka qendrore. Nuk jemi fare në këto kushte. Kjo tregon që ka aktivitet ekonomik. Këmbehet valutë me monedhën kombëtare. Dhe njëkohësisht është një faktor pozitiv nga këndvështrimi i presioneve inflacioniste. Pra ndikon pozitivisht në drejtim të normës së inflacionit. Një kurs i fortë këmbimi tregon që ekonomia shqiptare reagon pozitivisht ndaj inflacionit. Gjithsesi, besoj se periudha e verës do të vazhdojë me një kurs të mbiçmuar, pastaj pas kalimit të sezonit mund të kemi një ripozicionim. Por, askush nuk e parashikon dot saktë ecurinë e kursit të këmbimit. Kjo është jo pak, por e sigurt.

Pyetje: Nga çfarë po diskutohet dhe çfarë po komentohet duket se ka shumë pikëpyetje lidhur me amnistinë fiskale, por pyetja ime ka të bëjë se cilat janë pritshmëritë për Bankën e Shqipërisë dhe sa do të ketë kjo efekt në ekonominë e vendit?  

Guvernatori: Lidhur me amnistinë fiskale, Banka e Shqipërisë i ka paraqitur komentet e saj në Kuvend, gjatë raportimit vjetor që kemi bërë. Ne e shohim amnistinë fiskale me kosto dhe përfitime. Përfitimet kryesore të amnistisë fiskale janë sigurisht injektimi i likuiditetit në ekonomi, përmirësimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit, por përfitimi kryesor i amnistisë fiskale është formalizmi i ekonomisë. Si bankë qendrore, ne kemi objektiv edukimin financiar si dhe përfshirjen financiare, pra rritjen e numrit të llogarive bankare dhe futjen maksimalisht të parasë që ndodhet jashtë sistemit bankar, në sistemin bankar. Në këtë kuadër, në drejtim të përfshirjes financiare dhe formalizimit financiar të ekonomisë shqiptare, natyrisht që amnistia fiskale mund të ketë impakt pozitiv.

Por, nga ana tjetër ka edhe kosto të cilat lidhen, në radhë të parë, me shmangien e depërtimit të parave të krimeve dhe korrupsionit. Kjo amnisti fiskale duhet të shmangë maksimalisht këto para, pra nuk duhet të lejojmë që të pastrohen paratë nëpërmjet amnistisë fiskale, dhe në esencë s’duhet të krijohet koncepti i amnistive të vazhdueshme fiskale. Pra, amnistia fiskale duhet të bëhet njëherë, duhet të jetë funksionale, të jetë e mirëmenduar, të jetë praktike, të shmangë paratë e krimit e korrupsionit dhe të krijojë premisat e formalizimit të ekonomisë. Nga ana tjetër, të gjitha institucionet publike që merren me mbledhjen e të ardhurave duhet të rrisin/shtrëngojnë rregullat fiskale, që paralelisht me amnistinë, ose pas kryerjes së amnistisë të ketë një minimum evazioni fiskal. Nëse amnistia do të kryhej pa ndërmarrë këto masa, për formalizimin e ekonomisë dhe për forcimin e rregullave fiskale, nuk do të ishte eficiente.

Ky është opinioni parimor që ka Banka e Shqipërisë pasi projektligji sapo ka ardhur për konsultim. Ne jemi duke e studiuar dhe do të japim opinionin tonë me shkrim, lidhur me projektligjin, duke iu referuar edhe detajeve konkrete që ai përmban.