BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 22 dhjetor 2021

Data e publikimit: 22.12.2021

 

Pyetja: Z. Guvernator ju thatë që në vitin 2022 do të bëni presion për rritjen e pagës. Si do ta bëni këtë presion? Si do të ndodhë kjo?

Guvernatori: Lidhur me presionin për rritjen e pagave, Banka e Shqipërisë nuk bën presion direkt. Banka e Shqipërisë nëpërmjet politikës së saj monetare përpiqet dhe synon stimulimin e investimeve, kreditimit dhe konsumit. Kjo bëhet nëpërmjet krijimit të kushteve për rritjen e kreditimit me norma të ulëta interesi, njëkohësisht edhe me orientimin e investimeve drejt burimeve me të ardhura më të qëndrueshme dhe më të mira ekonomike. Sigurisht që në raport me impaktin që ka politika monetare e Bankës së Shqipërisë, stimuluese ose shtrënguese në varësi të situatave të ndryshme ekonomike, kjo reflektohet në rritjen e aktivitetit ekonomik të vendit. Rrjedhimisht me rritjen e aktivitetit ekonomik do të ketë dhe rritje të pagave.

Kryesisht, rritja e pagave është pasojë më e drejtpërdrejtë e politikës fiskale sesa e politikës monetare. Përgjithësisht, politikat dhe reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë reflektohen në rritjen e pagave, ndërkohë që politika monetare ndihmon pikërisht në këtë drejtim. Me politikën tonë monetare, synohet një nivel i caktuar inflacioni për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, për të pasur një kontroll mbi çmimet. Njëkohësisht synohet edhe një menaxhim dhe regjim i mirë i kursit të këmbimit, pasi ne kemi një regjim të lirë të tij dhe mund të mbahet nën kontroll por jo me ndërhyrje, në mënyrë që kursi i këmbimit të mos godasë shtresat e ndryshme qoftë të popullsisë, qoftë të biznesit.

Pyetje: Duke qene se ka rënë dhe numri i kredive të këqija, a pati amnisti?

Guvernatori: Këto dy vite që ne jemi goditur nga pandemia, ne kemi marrë disa masa të cilat unë i përmenda dhe si arritje dhe realizime. Kemi patur dy drejtime kryesore lidhur me aktivitetin kreditues.

E para, ka qenë moratoriumi 3-mujor për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive, për ata klientë që kanë qenë të goditur nga pandemia. Kjo nuk ka prekur gjithë klientët 100%, por gjithsesi një numër i madh mbi 50% kanë qenë. E dyta, ishin ndryshimet rregullative për të stimuluar bankat për të pasur një ristrukturim më praktik në procesin e vlerësimit të kredimarrësve.

Të dy këto elementë ndikuan ndjeshëm në performancën e sektorit bankar, jo vetëm të këtij sektori por edhe të biznesit. Bankat ndihmuan bizneset në radhë të parë, popullsinë, individët dhe veten e tyre për të menaxhuar situatën e pandemisë. Këto nuk ishin masa që u morën vetëm nga ne, nuk ishin të shpikura, këto ishin masa që ishin aplikuar në një formë apo tjetër në vendet e rajonit, dhe në shtete të zhvilluara. Por nuk ka pasur amnisti në këtë pikë.

Para rreth 7 vitesh ne kishim një nivel të kredive të këqija në shifrën 25%, ndërsa sot jemi në nivelin 6.2%. Si pasojë e planit të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kreditë me probleme kanë rënë gradualisht, dhe sigurisht rënia është bërë në disa drejtime kryesore, siç ka qenë ristrukturimi proaktiv, fshirja nga bilanci i kredive të humbura dhe masa të tjera të ndërmarra nga bankat e nivelit të dytë nën orientimin dhe drejtimin e planit të masave të Bankës së Shqipërisë.

Kreditë me probleme kanë rënë fatmirësisht, por nga krahu tjetër është rritur edhe oreksi për kredi. Ne kemi qenë në periudha të vështira ekonomike, kemi qenë nën goditje të vazhdueshme krizash që nga kriza greke, përmbytjet, tërmeti, pandemia, e me radhë, ekonomia ka qenë vazhdimisht nën goditje dhe ne kemi qenë vazhdimisht të vëmendshëm për të menaxhuar kreditë me probleme, në mënyrë që të sigurojmë performancë të mirë të sektorit financiar dhe sektorit bankar, dhe fatmirësisht, me gjithë goditjet, sektori financiar dhe bankat kanë performuar në menaxhimin e kredive me probleme.

Nuk janë amnistuar kreditë. Kreditë e fshira nga bilancet janë menaxhuar dhe ato, janë ndjekur, por nuk janë falur si kredi. Bankat kanë negociuar, kanë ristrukturuar, kanë menaxhuar portofolin e kredive me probleme, në funksion të performancës dhe të përfitueshmërisë së tyre, shpeshherë edhe në ndihmë të bizneseve dhe individëve në vështirësi financiare. Në raport me kreditë, meqë ju ma bëtë pyetjen, është shumë e rëndësishme performanca e sistemit financiar pasi ndikon në rritjen ekonomike.

Performanca e bankave ndikon në stabilitetin financiar, në garantimin e depozitave të qytetarëve shqiptare dhe të bizneseve, por kryesisht të qytetarëve shqiptarë pasi individët kanë pjesën më të madhe të depozitave. Nga ana tjetër dhe vetë bizneset dhe individët duhet të jenë të qartë që kreditimi bëhet me këto fonde. Pra, korrektesa në raport me respektimin e kontratave ndaj bankave duhet të jetë primare. Nëse ne nuk kemi korrektesë në respektimin e kontratave, atëherë që sigurisht që nuk mund të pretendojmë dhe nga bankat të njëjtën gjë.  Shpesh herë vëmë re që ka një mungesë korrektese në zbatimin e kontratave dhe një pritshmëri e cila është e pajustifikuar ligjërisht dhe nga parimet e biznesit. Praktikisht, bankat ristrukturojnë dhe negociojnë në raste të vështirësive të biznesit, por në raste të tjera kontrata e kredisë duhet respektuar dhe ky është parim themelor.

Pyetje: Inflacioni në tremujorin e tretë ka qenë më i lartë edhe se pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë edhe të normës që ju keni si target. Si do të menaxhohet ky inflacion edhe pse i përkohshëm?

Guvernatori: Situata e inflacionit po ndryshon pas shumë vitesh. Ekonomitë kanë qenë me politika monetare lehtësuese, me norma të ulëta interesi dhe me një inflacion poshtë nivelit të targetuar.

Situata e viteve të fundit ka qenë deflacioniste dhe krejt papritur pas pandemisë si pasojë e goditjeve të ofertës kemi një inflacion të rritur.

Çmimet e energjisë, të transportit, të naftës të cilat janë reflektuar pastaj në çmimet e ushqimeve dhe të gjithë produkteve të tjera, rrjedhimisht janë rritur. Në ekonomitë më të mëdha, të Eurozonës, të SHBA-së dhe rrjedhimisht edhe në ato të rajonit tonë do të reflektohen këto çmime sigurisht.

Bankat qendrore përgjithësisht kanë menduar që ky inflacion është kalimtar dhe ne vazhdojmë të mendojmë që goditjet e ofertës do të balancohen gradualisht në muajt në vijim, por kjo nuk do të thotë që inflacioni do të kthehet në nivelet e para kësaj periudhe, pra sigurisht që inflacioni do të vazhdojë të mbetet më i lartë seç ishte.

Në deklaratën e politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës e theksoi që objektivi ynë prej 3% mund të jetë i tejkalueshëm, pra ne kemi një inflacion në nivelin e 3.2%, mund të shkojë deri në 3.6% parashikimi. Kjo është për tu parë, pasi janë parashikime të cilat variojnë dhe në fund të vitit 2022 ne parashikojmë që të jemi në objektivin tonë të inflacionit prej 3%. Ecuria faktike e inflacionit është ajo që do të na imponojë ndryshimin e kahut të politikës monetare.

Natyrisht që në një moment të caktuar ne do të fillojmë normalizimin e politikës monetare, do të përpiqemi në rast se inflacioni nuk do të ketë goditje të forta dhe do të jetë brenda parashikimit tonë, të vazhdojmë me një politikë monetare lehtësuese sa më gjatë pasi ne mendojmë që ekonomia shqiptare vazhdon të ketë nevojë për stimul monetar.

Norma e ulët e interesit do të vazhdojë të ndikojë në aktivitetin kreditues, të ndihmojë bizneset, huamarrësit dhe qytetarët shqiptarë, po ashtu do të ndikojë në rritjen e investimeve dhe të konsumit. Nëse nuk do të kemi goditje të forta të paparashikuara të inflacionit në muajt në vijim do të përpiqemi të vazhdojmë me këtë politikë monetare, por sigurisht në një kohë të afërt normalizimi i politikës monetare do të vijë. Shumë banka të vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore kanë filluar tashmë të ndryshojnë gradualisht kursin e politikës monetare, nisur dhe nga fakti që niveli i inflacionit në këto shtete ka qenë shumë më i lartë se niveli i inflacionit në Shqipëri.

Ne shohim që në shtete më të zhvilluara si në Mbretërinë e Bashkuar inflacioni po i afrohet nivelit 5%, në SHBA inflacioni ka dalë mbi nivelin 6%. Ne e theksuam që do të monitorojmë situatën dhe do të reagojmë me politikën monetare në respektim të objektivit të inflacionit.

Pyetje: Duke qenë se ju edhe këtë vit jeni marrë me rregulloren që duhet të jepet për institucionet e mikrokredisë për nivelin dysheme dhe tavan. Në çfarë faze jeni dhe kur do të jetë kjo e përcaktuar për këto institucione? Kur do t’jua prezantoni si rregullore?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ka vënë një tavan limit mbi normat e interesit të institucioneve financiare jobanka. Kjo ka ardhur për të kufizuar si normat e interesit ashtu edhe penalitetet (interes-vonesat) për të mos rënduar pafundësisht klientët e bankave. Pra, për të bërë një zbutje të çmimit të kredisë nga këto institucione.

Rregullorja do të hyjë në fuqi vitin që vjen. Ne jemi duke u konsultuar me institucionet e mikrokredisë. Ato janë duke punuar dhe vlerësuar rregulloren. Sigurisht që ka disa elemente teknikë të cilët po diskutohen me Departamentin e Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe sigurisht në momentin që do të ezaurohen dhe do të sheshohen të gjitha paqartësitë e elementeve teknikë që kanë të bëjnë me llogaritjen e normës efektive të interesit, etj., atëherë do të përcaktohet saktë dhe muaji i fillimit të aplikimit të këtyre kufizimeve. Por, gjithçka është në bashkëpunim me institucionet e mikrokredisë. Banka e Shqipërisë është bashkëpunuese, është partnere, jo vetëm mbikëqyrëse dhe rregullatore, por edhe partnere e këtyre institucioneve – institucione që ne licencojmë, dhe sigurisht që do të imponojmë një masë të shtrënguar, atëherë kur të jenë të plota kushtet për aplikimin e kësaj mase.

Pyetje: Procesi i deuroizimit, si ka vijuar ky proces dhe çfarë impakti ka pasur ne rezultatet e sistemit bankar?

Guvernatori: Procesi i deuroizimit është një nga planet strategjike të Bankës së Shqipërisë të ndërmarrë para disa vitesh. Lidhur me këtë, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash që kanë të bëjnë me ponderimin e rezervës valutore, me likuiditetin, por edhe me transparencën ndaj publikut lidhur me monedhën me të cilën merret kredia. Masat tona kanë synuar ndërgjegjësimin e klientëve për të marrë kredi bankare në atë monedhë që kanë dhe të ardhurat e tyre. Pasi shpeshherë në të kaluarën është vënë re një tendencë për ta marrë kredinë në euro, kur të ardhurat janë të gjeneruara në lek. Për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit, në këto raste ne kemi bashkëpunuar ngushtë me bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare jo banka në mënyrë që klientët të jenë të qartë.

Ne kemi një nivel të lartë euroizimi si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë reale. Procesi i deuroizimit synon të ketë një menaxhim sa më të mirë, por jo shmangien e monedhës euro. Ne jemi të qartë që euro do të vazhdojë të përdoret.

Si pasojë e planit të masave për deuroizimin ka patur rezultate, veçanërisht në kahun e kredisë bankare ne kemi një rritje të theksuar të kredisë në monedhën vendase. Por këtë nuk mund ta them në kahun e depozitave pasi depozitat në euro kanë vazhduar të rriten. Pra procesi i deuroizimit ka dhënë rezultat në aspektin e rritjes së kredive në lekë dhe sigurisht dhe kjo ka ardhur si pasojë e ndërgjegjësimit të publikut për ta marrë kredinë në monedhën vendase pasi kushton më lirë dhe shmang rrezikun e kursit të këmbimit.

Nga krahu tjetër, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ne do të vazhdojmë të marrim masa për të zbatuar ligjet në Republikën e Shqipërisë dhe për të imponuar kryerjen e pagesave në lekë në tregtinë e brendshme, pasi monedha kombëtare në Shqipëri është leku dhe nuk ka nevojë të përdoret euro në shitblerjen e produkteve brenda territorit të Shqipërisë. Kudo që shkojmë në vendet kufitare por dhe në vendet e zhvilluara, shitblerja në rrjetin e tregtisë me pakicë dhe shumicë bëhet në monedhën vendase, ndërsa monedhën e huaj e këmben në zyrat e këmbimit valutor ose në bankë, pra nuk përdoret për shitblerjet. Gjithsesi, rezultatet nga deeuroizimi kanë qenë pozitive, kanë pasur efekte dhe në mbledhjen e radhës që ne kemi me Ministrinë e Financave dhe Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar do të bëjmë një rezyme të rezultateve të procesit të deeuroizimi dhe do të vazhdojmë të përcaktojmë piketat dhe strategjinë për të vazhduar dhe për ta ndjekur më tej këtë proces.