BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Së shpejti nisin punimet për rikonstruksionin e godinës së ish-hotel Dajtit

Data e publikimit: 09.06.2017

 

Zgjerimi i aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me objektivat strategjikë institucionalë, modernizimin e tregut financiar dhe funksionet e përcaktuara në Ligj, ka sjellë nevojën e shtimit të ambienteve në të cilat ky aktivitet zhvillohet.

Në plotësim të kësaj nevoje, me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nr. 40, datë 16.06.2010, "Për miratimin e procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen e pasurisë së paluajtshme shtetërore nga Banka e Shqipërisë", u vendos blerja e objektit të ish-hotel Dajtit dhe kalimi i tij në pronësi të Bankës së Shqipërisë.

14_1#250

14_1#250

Përgjatë vitit 2016 u ndoqën me përparësi të gjitha procedurat si dhe u përmbushën detyrimet që lidhen me procesin e miratimit të lejes së ndërtimit. Menjëherë pas përfundimit të tyre, Banka e Shqipërisë ka organizuar punën për ndjekjen e të gjitha fazave të prokurimit sipas rregullores përkatëse në fuqi.

Banka e Shqipërisë bën me dije se së shpejti do të nisin punimet për rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit. Këto punime do të realizohen në vijim të vendimit nr. 27, datë 01.04.2015 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë "Për miratimin e realizimit të objektit të prokurimit "Rikonstruksioni i godinës së ish-hotel Dajtit", nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje deri në 3 vjet".

dajti3

dajti4

Detaje më të hollësishme për këtë proces, Banka e Shqipërisë do t'ia komunikojë publikut pas nënshkrimit të kontratës për zbatimin e projektit të rikonstruksionit.

Rikonstruksioni i godinës do të sigurojë ambientet e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit për punonjësit e Bankës së Shqipërisë, por, gjithashtu, rikthimin e të gjitha vlerave historike e kulturore që kjo ndërtesë ruan në memorien e kryeqytetit. Kati i parë i saj do të ruajë të njëjtat ambiente funksionale si dikur në shërbim të qytetarëve dhe të hapura për publikun. Ndërsa pjesa tjetër e godinës, do të përshtatet në funksion të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë