BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Arritjet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2003 dhe parashikimet për vitin 2004

Data e publikimit: 06.02.2004

 

Me kënaqësi vë re se viti 2003 shënoi një hop tjetër pozitiv për Bankën e Shqipërisë në drejtim të plotësimit të angazhimeve të saj ligjore, mbajtjes së objektivit të inflacionit, zhvillimit të sistemit bankar, rritjes së rezervës valutore, kursit kryesisht të sbatilizuar të këmbimit, imazhit publik etj.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë për një nivel inflacioni vjetor në intervalin 2-4 për qind për vitin 2003 rezultoi i realizuar. Norma vjetore e inflacionit në muajin dhjetor me gjithë zhvillimet "suprizë" të rritjes së tarifave të telefonisë rezultoi 3.3 për qind ndërsa norma mesatare e inflacionit për vitin 2003 ishte 2.37 për qind. Banka e Shqipërisë zhvilloi me sukses fushatën për parandalimin e rritjes spekulative të çmimeve në prag të festave të fundvitit. Konkluzionet e fushatës u prezantuan para pak ditësh dhe Banka e Shqipërisë falenderon mediat për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë fushatës.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2003 ka patur tendenca të qarta zbutëse pasi norma bazë e interesit u ul me 2 pikë për qindje me katër vendime të Këshillit Mbikëqyrës. Ky veprim nuk ka ndikuar negativisht në treguesit monetarë të cilët kanë ecur sipas parashikimeve të programit monetar. Banka e Shqipërisë ka respektuar objektivat sasiorë, që janë edhe detyrimi i saj ligjor, si në nivelet e rezervës ndërkombëtare neto, mjeteve të brendshme neto dhe kredisë së brendshme neto për qeverinë.

Sistemi bankar gjatë vitit 2003 shënoi zhvillime pozitive në drejtim të mbështetjes së zhvillimit ekonomik të vendit me kredi dhe infrastrukturë bankare, sidomos në drejtim të shtimit të degëve dhe larmisë së shërbimeve. Por, domethënëse për vitin 2003 ishte privatizimi i Bankës së Kursimeve nga banka e njohur austriake Raiffeisen Bank. Banka e Shqipërisë e shikon suksesin e këtij procesi jo vetëm te emri i mirë i bankës dhe premisat për zhvillimin e pritshëm të konkurencës, kreditimit.

Viti 2003 ka qenë një vit me zhvillime pozitive edhe në procesin e administrimit të rezervës valutore. Nga 839.6 milionë dollarë që ishte rezerva valutore në fillim të janarit, më 31 dhjetor 2003 ajo arriti në 1 miliardë e 25.6 milionë dollarë. Banka e Shqipërisë, gjatë 2-3 viteve të fundit u fokusua drejt rritjes së gamës së instrumentave të përdorur, strukturës së vendimmarrjes dhe strategjive të investimit. Pas këtij procesi, gjatë vitit 2003 jemi fokusuar në metodikën e zgjedhjes dhe ndërtimit të benchmarkëve(referencave), matjen e rezultateve të investimit kundrejt riskut drejt objektivit final të identifikimit të faktorëve që kontribojnë në performancë. Si pozitive, Banka e Shqipërisë vlerëson edhe zhvillimet në drejtim të procesit shkencor, zhvillimit të sistemit të pagesave, fushatave ndërgjegjësuese, publikimeve, bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe aktorët e brendshëm institucionalë, akademikë, shoqërisë civile dhe medias.
 

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit (pdf).

Prezantimi i materialit (ppt).