BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervista e Guvernatorit Sejko për televizionin Top Channel

Data e publikimit: 12.03.2020

 

Pyetje: Për të gjithë qytetarët që këto ditë duhet të shkojnë t’i paguajnë këstet e kredive, ndërkohë që e gjithë jeta e tyre ekonomike dhe sociale është paralizuar, çfarë duhet të bëjnë?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi vazhdimësi normale të pagesave online dhe cash, si dhe të mos ketë probleme për qytetarët për tërheqjet e parasë cash nga ATM-të. Gjithashtu, kemi udhëzuar bankat sesi duhet të veprojnë lidhur me operacionet e tyre ditore që të mos krijojnë vështirësi për klientët, që t’i orientojnë ata të përdorin sa më shumë kartat bankare, pasi kjo jo vetëm që i lehtëson pagesat, por përbën gjithashtu dhe një masë mbrojtëse kundrejt infeksioneve.

Sot, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë një vendim për të gjithë klientët kredimarrës, biznese dhe individë. Nëpërmjet një forme moratoriumi, ka bërë një pezullim për shlyerjen e kësteve të kredisë për një afat tremujor. Kjo do të thotë që klientët, gjatë këtij afati, mund të zgjedhin t’i paguajnë ose jo këstet e kredisë. Ata që nuk do të jenë në gjendje, për arsye shëndetësore ose vështirësi biznesi, mund të mos paraqiten pranë bankës dhe kësti i tyre do të shtyhet me tre muaj, pa i rënduar me interesa vonesash. Ndërkohë, dua të bëj të qartë që klientët e tjerë të cilët dëshirojnë të vijojnë të kryejnë normalisht pagesat e tyre, janë të lirë ta bëjnë këtë. Ky vendim hyn në fuqi duke filluar nga dita e nesërme.

Banka e Shqipërisë po e monitoron ngushtë situatën e sistemit bankar dhe atij financiar në vend. Nga dita e djeshme, kemi udhëzuar në mënyrë të detajuar bankat sesi duhet të veprojnë në këtë situatë, në mënyrë që të marrin masat e duhura për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe të klientëve, por nga ana tjetër të vazhdojnë punën e tyre operacionale pa krijuar turbulenca.

Duke përfituar nga rasti, do të doja të theksoja që sistemi bankar vazhdon të ketë gjendje shumë të mirë likuiditeti. Ai është i mirëkapitalizuar dhe plotësisht në gjendje t’i shërbejë nevojave të klientëve. Këto janë situata që duhen menaxhuar me durim, pa panik, me organizim të mirë, me prakticitet dhe devotshmëri. Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me bankat e nivelit të dytë, dhe nuk kemi vënë re probleme të mundshme.

Do të doja të theksoja gjithashtu që klientët e bankave nuk duhet të bien pre e panikut. Duhet të dimë se nëse bankat u shërbejnë klientëve një nga një në ambientet e tyre, kjo nuk bëhet për shkaqe vështirësish financiare, por për arsye të ruajtjes së shëndetit të klientëve. Pra, në qoftë se ruajtja e distancave dhe zbatimi i masave mbrojtëse krijojnë radhë në spostele, kjo nuk do të thotë që banka ka vështirësi për kryerjen e pagesave, por se po merren masa për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe atë të klientëve.

Pyetje: Zoti Guvernator koronavirusi mendohet që do të ketë efekte shumë të rënda mbi ekonominë botërore. A ka një parashikim se cfarë mund të ndodhë me Shqipërinë? 

Guvernatori: Kjo është një pyetje me vend. Ne jemi duke marrë në analizë të gjithë skenarët e mundshëm të ndikimit të pandemisë në ekonomi. Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që do të zhvillohet pas pak ditësh, do të paraqesim rezultatet e analizave tona dhe do të marrim vendime në përputhje me to. Jemi përgatitur me instrumentet e nevojshme që na jep Ligji për Bankën e Shqipërisë, për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar të vendit. Politika jonë monetare do të vazhdojë të mbetet lehtësuese në drejtim të stimulimit të konsumit dhe investimeve. Gjithashtu, me masa makro dhe mikroprudenciale, do të menaxhojmë situatën në sistemin bankar. Natyrisht, mund të kemi përkeqësim të disa treguesve, si në rastin e kredive me probleme ashtu edhe në tendencat e kreditimit. Këto janë situata të jashtëzakonshme, të cilat patjetër do të ndikonin negativisht në ekonomi. Shohim që ekonomitë botërore kanë miliarda dhe trilionë euro humbje dhe kjo do të ndikojë domosdoshmërisht edhe në ekonominë shqiptare. Megjithatë, ne nuk duhet të krijojmë panik; duhet të jemi të qetë, të organizuar dhe të reagojmë me instrumentet e duhura.

Në këtë moment, nuk kemi shifra të sakta të ndikimit të krisës së shkaktuar nga pandemia në ekonominë shqiptare, pasi jemi ende duke analizuar, por mund t’iu them se efekti do të jetë negativ, sikundër ka qenë në të gjithë ekonomitë. Nuk parashikojmë të biem në recesion, por mund të kemi ulje të ritmit të rritjes ekonomike. Ky parashikim është për gjashtëmujorin e parë të vitit, sepse mendojmë që pandemia do të ndikojë vetëm këtë periudhë. Sot, analizat dhe skenarët janë të papërfunduar dhe nuk mund të themi me saktësi se ku jemi, por në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës do të marrim vendime të cilat do t’i bëjmë publike.