BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhënë për revistën ''Monitor''

Data e publikimit: 07.06.2021

 

  1. Si e përballoi ekonomia shqiptare krizën e shkaktuar nga pandemia, në krahasim me vlerësimet fillestare dhe pse?

Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga përhapja e pandemisë COVID-19 në vendin tonë, ekonomia shqiptare vijon të përballet ende me pasojat e saj. Megjithatë, mbulimi gjithnjë e më i plotë me statistika i periudhës kohore që kemi kaluar nën pandemi, si dhe fakti se treguesit kryesorë ekonomikë kanë marrë një kthesë drejt përmirësimit, na lejojnë të bëjmë një bilanc paraprak të situatës.

Ky proces i shërben për evidentimit kritik të pikave të forta e të dobëta të ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar, si dhe nxjerrjes së mësimeve të nevojshme për të ardhmen.

Në fillim të vitit 2020, thuajse e gjithë bota pa pandeminë globale të shndërrohej në një kërcënim serioz për shëndetin e njerëzve, si dhe të lerë gjurmë të thella në jetën sociale dhe atë ekonomike. Nën efektin e saj, vëllimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri u tkurr, papunësia u rrit dhe shëndeti financiar i shumë bizneseve dhe familjeve u përkeqësua - një tablo e ngjashme kjo në të gjitha vendet e prekura.

Ndonëse impakti negativ i krizës në ekonomi ishte i paevitueshëm, madhësia e tij ishte më e vogël se pritjet tona. Krahasuar me pritjet tona fillestare, ekonomia shqiptare shfaqi një rënie më të vogël të aktivitetit ekonomik dhe të punësimit, një numër më të ulët falimentimesh, një stabilitet të kënaqshëm të treguesve monetarë e financiarë, si dhe ruajti tregues të mirë të shëndetit të sektorit bankar. Në këtë kontekst, gjej me vend të konstatoj se ekonomia jonë e kaloi me sukses testin e pandemisë, duke shfaqur një qëndrueshmëri dhe fleksibilitet të admirueshëm përballë krizës COVID-19.

DSC 7111 kopertine +brendesi ne vend te asaj ne kembe

Në gjykimin tim, tre janë faktorët të cilët kanë luajtur një rol parësor në këtë drejtim.

Së pari, reagimi në kohë dhe me vendosmëri i politikave publike i ofroi ekonomisë mbështetjen e duhur. Stimuli i njëkohshëm fiskal, monetar dhe financiar, rezultoi efektiv në shmangien e pasojave më negative të goditjes. Stimuli fiskal mori formën e lehtësive të përkohshme tatimore, të ofrimit të garancive sovrane, si dhe të rritjes së shpenzimeve korrente e kapitale. Ai dha një kontribut të drejtpërdrejtë në kërkesën agregate, duke amortizuar rënien e të ardhurave të sektorit privat dhe duke e mbështetur atë me likuiditet. Po ashtu, Banka e Shqipërisë rriti stimulin monetar dhe lehtësoi përkohësisht rregulloret e funksionimit të sektorit bankar. Këto masa mundësuan një ecuri normale të tregjeve financiare dhe krijuan një ambient të përshtatshëm për rritjen e kredisë. Kostot e financimi mbetën të favorshme, kursi i këmbimit u paraqit i qëndrueshëm, dhe normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike. Rritja e kredisë ndihmoi bizneset dhe familjet shqiptare në përballimin e nevojave për likuiditet dhe ofroi mjetet e nevojshme financiare për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Mobilizimi i masave tona mbështeti kërkesën e brendshme dhe ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar. Masat e mirëkalibruara dhe të koordinuara, si dhe shpejtësia e përgjigjes, ndihmuan në ruajtjen e vendeve të punës, të pagave, të kapaciteteve prodhuese dhe likuiditetit.

Së dyti, sektori bankar dha një kontribut substancial në zbutjen e pasojave të goditjes. Ky sektor mori përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, duke ruajtur në të njëjtën kohë tregues të shëndetshëm likuiditeti, rentabiliteti dhe kapitalizimi. Qëndrueshmëria e tij ka ardhur në përmirësim, e mbështetur nga reformat dhe masat tona të vazhdueshme për adresimin e dobësive, për rritjen e rezervave të likuiditetit dhe të kapitalit, si dhe për forcimin e kuadrit të menaxhimit të rreziqeve. Paralelisht me masat rregullatore të marra gjatë kohës së pandemisë, ne forcuam dialogun me industrinë bankare, për të kuptuar qëndrueshmërinë operacionale dhe dinamikat e biznesit, si dhe për të adresuar rreziqet e likuiditetit dhe të kredisë.

Së treti, aftësia e bizneseve dhe e punonjësve për t’u përshtatur me kushtet e reja. Adaptimi i shpejtë i mënyrës së të punuarit, të prodhuarit dhe të konsumuarit kontribuuoi në ruajtjen e marrëdhënieve biznes – klient dhe biznes – punonjës.

Në tërësi, veprimi i këtyre faktorëve rezultoi në një ekonomi më pak të prekur nga kriza dhe krijon premisa për një rimëkëmbje ekonomike të shpejtë dhe të fortë. Kushtet financiare stimuluese, reduktimi i masave kufizuese si pasojë e vaksinimit, si dhe përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, i hapin rrugë një rimëkëmbjeje të qëndrueshme.

Megjithatë, pandemia mbetet ende një rrezik për zhvillimet ekonomike në të ardhmen e afërt dhe se ekonomia nuk është restauruar plotësisht në gjendjen e saj para pandemisë. Kjo nënkupton se ekonomia ka ende nevojë për mbështetje me stimuj makroekonomikë, por këta stimuj duhet të jepen të sinkronizuar dhe në mënyrë të kujdesshme, për të evituar akumulimin e rreziqeve në një horizont afatmesëm e afatgjatë.

Në mbyllje, më lejoni të theksoj se reformat strukturore duhet të mbeten një instrument i rëndësishëm për të akomoduar një rialokim eficient të burimeve të rritjes, duke nxitur kështu rritjen e produktivitetit dhe të potencialit të ekonomisë sonë.

  1. Sistemi bankar deri tani ka rezultuar i qëndrueshëm ndaj goditjeve të krizës, i ndihmuar dhe nga mbështetja me masa rregullatore të përkohshme nga Banka e Shqipërisë. Si e vlerësoni ju ecurinë e tij dhe sfidat me të cilat do të përballet ai në momentin që efekti i këtyre masave do të shuhet?

Ecuria e veprimtarisë bankare gjatë 12 muajve të fundit mund të vlerësohet si e kënaqshme. Sektori ka shënuar zgjerim të veprimtarisë, rritje të fortë të depozitave dhe ecuri të mirë të kreditimit në monedhën kombëtare, tregues mjaft të mirë të likuiditetit, performancë financiare pozitive dhe të qendrueshme, si edhe nivele të përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë.

DSC 7003 brendesi ne vend te asaj ulur

Masat rregullatore të Bankës së Shqipërisë kanë ndihmuar performancën e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe, por vlerësojmë se ndikim të madh ka pasur edhe gjendja e mirë financiare në të cilën, fillimisht tërmeti i nëntorit 2019 dhe me pas pandemia, e gjetën sektorin bankar.

Duke u përqendruar tek masat lehtësuese prudenciale, qëllimi i tyre ishte të lehtësonin goditjen e pandemisë për huamarrësit dhe paralelisht edhe për bankat. Nëpërmjet moratoriumit të shlyerjes së kësteve të kredisë dhe ruajtjes së status-quo-së për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara, bankave dhe huamarrësve iu krijua mundësia që së bashku të gjenin alternativën më të përshtatshme për ristrukturimin e borxhit dhe ruajtjen e cilësisë së tij. Gjatë gjithë periudhës së zbatimit të masave lehtësuese rregullatore, Banka e Shqipërisë ka komunikuar me bankat për të siguruar që ato bënin përzgjedhjen e duhur të kredive për ristrukturim dhe që e shfrytëzonin mundësinë për të realizuar një proces ristrukturimi sa më efektiv. Kjo ishte e rëndësishme jo vetëm për zbutjen e goditjes fillestare të pandemisë, por edhe për ecurinë e cilësisë së portfolit të kredisë në përfundim të masave lehtësuese rregullatore. Për të vlerësuar këtë të fundit, Banka e Shqipërisë ka mbledhur informacion paraprak nga bankat. Në bazë të informacionit të mbledhur, rezulton se bankat kanë vlerësime heterogjene për ecurinë e cilësisë së kredisë, por në përgjithësi presin që në rastin e rënies eventuale të cilësisë së portofolit të kredisë, ajo të jetë e kufizuar dhe e përballueshme. Pavarësisht nga ky vlerësim, ne kemi kryer rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës për të përfshirë në goditje skenarë me ndikim më negativ, dhe për të vlerësuar kapacitetin e bankave për përthitjen e këtyre goditjeve. 

Në mars 2021 kanë përfunduar masat lehtësuese rregullatore të Bankës së Shqipërisë për kredinë e ristrukturuar, dhe trajtimi i saj i është rikthyer standardit normal. Ecuria e cilësisë së kredisë do të duket në muajt e ardhshëm, por ndërkohë, Banka e Shqipërisë ruan kufizimet për shpërndarjen e fitimit të bankave si një instrument më shumë për ruajtjen e pozicionit të kapitalit dhe përthithjen e kostove eventuale shtesë që lidhen me rrezikun e kredisë.    

Zhvillimet e mësipërme tregojnë se rreziqet e veprimtarisë bankare janë të pranishme, por në vlerësojmë se treguesit e veprimtarisë konfirmojnë rezistencën e fortë financiare të sektorit bankar për përballimin e tyre. Paralelisht, ne vijojmë të përmirësojmë kuadrin tonë rregullativ mikro dhe makroprudencial, në linjë me standardet më të mira të fushave respektive, me qëllim që të sigurojmë banka të shendetshme dhe një sektor bankar të qëndrueshëm, që zgjeron veprimtarinë dhe forcon mbështetjen për zhvillimin ekonomik të vendit.

  1. Si ka ndikuar procesi i konsolidimit të sistemit bankar i tre viteve të fundit?

Vitet e fundit, zhvillimet në sistemin bankar kanë qenë mjaft dinamike. Panorama e sistemit bankar ka pësuar ndryshime të ndjeshme, si nga përbërja numerike e numrit të bankave ashtu edhe nga origjina e kapitalit apo volumi dhe natyra e veprimtarisë.

Gjendja aktuale e sistemit bankar është rezultante e zhvillimeve të nisura shumë vite më parë, kur shfaqej interes nga aktorë të ndryshëm, vendas e të huaj, për t’u bërë pjesë e sistemit bankar shqiptar, gjë që përkonte edhe me vendimet e aktorëve ekzistues për të ndryshuar fokus. Vendimi i grupeve të mëdha bankare për t’u larguar nga rajoni dha ndikimin e vet edhe në Shqipëri, ndërkohë që largimi i disa bankave ishte pasojë edhe e vendimmarrjes nga autoritetet e Bashkimit Evropian, të cilat kushtëzuan praninë e filialeve të bankave, kryesisht me origjinë nga Greqia, në vende të ndryshme të Evropës Juglindore.  

Rezultat i këtyre zhvillimeve është sot një sistem bankar me 12 banka nga 16 që ishin në fund të vitit 2017. Këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e bashkimit me përthithje të tre bankave nga tre banka të tjera, si dhe likuidimi vullnetar i një banke të katërt.

Ndërkohë që panorama është e ndyshuar edhe përsa i përket origjinës së kapitalit. Kapitali vendas ka fituar peshë të ndjeshme në aktivet e sistemit bankar, duke arritur në mbi 30% të sistemit, dhe në rritje të vazhdueshme. Kjo prani është edhe më e madhe nëse i referohemi portofolit të kredisë, kur pesha e tyre zë mbi 36% të portofolit të sistemit. Madje vitin e fundit kemi edhe zgjerim të veprimtarisë jashtë kufijve të Shqipërisë kur dy prej bankave që operojnë në tregun shqiptar, njëra prej të cilave me kapital vendas, zhvillojnë veprimtari bankare edhe në Kosovë.

Me këtë panoramë të ndryshuar, sitemi bankar paraqitet me tregues të shëndetshëm financiarë kur treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit është mbi nivelin 18% tashmë prej disa vitesh dhe treguesi i likuiditetit është po ashtu i lartë, në rreth 44% kundrejt minimumit rregullator prej 20%. Prania më e madhe e bankave vendase ka sjellë një vëmendje të shtuar të bankave ndaj tregut vendas dhe portofoli i kredisë është rritur me 6% në 12 muajt e fundit, ndërsa treguesi i kredive me probleme ka rënë me 0,4 pikë përqindjeje për të njëjtën periudhë. Rezultati financiar i sistemit, në muajin prill, arriti në 6,56 miliardë lekë, me një kthyeshmëri të mirë kur ROA rezulton në 1,23% dhe ROE në 11,97%.

Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendjen e duhur procesit të konsolidimit, për shkak të rëndësisë strategjike dhe të rëndësisë për vazhdimësinë e qëndrueshmërisë së sistemit bankar. Nën këndvështrimin e situatës së paraqitur, të dhënat tregojnë për një proces të kënaqshëm konsolidimi me ruajtjen e parametrave financiarë brenda pritshmërisë prudenciale, të zhvillimit ekonomik dhe të stabilitetit financiar të vendit.

  1. Niveli i kredive me probleme ka vijuar uljen, pavarësisht pandemisë, i ndikuar dhe nga masat lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Me përfundimin e këtyre masave, si e prisni ecurinë e këtij treguesi? Cilët janë sektorët që e kanë përjetuar më shumë krizën dhe si është reflektuar kjo në aftësinë paguese të kredive ndaj bankave?

Treguesi i kredive me probleme arriti në 7,88% në fund të muajit prill 2021. Megjithë krizën e përjetuar, ky tregues ka ardhur në rënie në krahasim me fillimin e pandemisë, pavarësisht luhatjeve periodike.

Në fakt, ky tregues ka ardhur në rënie të vazhdueshme prej disa vitesh me rradhë. Në shtator 2015, Banka e Shqipërisë u angazhua në planin kombëtar për uljen e kredive me problem. Ky plan përfshinte disa reforma të rëndësishme ligjore dhe iniciativa të Bankës së Shqipërisë, veprimtari të cilat janë përmbushur plotësisht nga institucionet e përfshira. Si rezultat i këtij plani, treguesi i kredive me probleme ka rënë me rreth 12,7 pikë përqindjeje që nga hartimi i tij. Efektet e tij vijojnë të ndjehen edhe aktualisht me ngritjen e infrastrukturës së përshtatshme që i ndihmon bankat në administrimin e portofolit të kredive me probleme.

Lidhur me administrimin e situatës së pandemisë, është e rëndësishme të kuptohet që marrja e masave nuk kishte vetëm efekte matjeje të kredive me probleme. Ajo ishte një mundësi që iu dha bankave për të lehtësuar huamarrësit nga pagesat e detyrimeve, me qëllim ata të përmirësonin situatën e brendshme financiare, nëpërmjet likuiditetit të krijuar për të rifituar aftësinë e tyre paguese; kjo gjë ndodhi për një numër të madh huamarrësish.

Duke qenë se masat ishin të ndara me etapa kohore, mbyllja e etapës së parë, si më e rëndësishmja, gjatë së cilës u ndërprenë shlyerjet e detyrimeve për një numër të madh humarrësish, pritej të shoqërohej me rritje të kredive me probleme, dukuri që u shfaq me materialitet shumë të ulët kur treguesi i kredive me probleme rezultoi në 8,3% në shtator 2020, kundrejt nivelit prej 8,18% që ishte në fund të shkurtit 2020. Që nga shtatori 2020, ky tregues ka ardhur në ulje të vazhdueshme.

E megjithatë, ecuria e tij për pjesën tjetër të vitit 2021 do të varet nga një sërë faktorësh, ku amplituda e krizës së lidhur me pandeminë mund ta shtrijë efektin edhe tek humarrësit në varësi të shtrëngimeve të kushtëzuara, si nga zhvillimet në vend ashtu edhe nga ato në vendet me të cilat është e lidhur ekonomia jonë.

Shtrirja efekteve të krizës në sektorët e ekonomisë është përafërsisht në raport të drejtë me peshën që çdo sektor ka në portofolin e kredisë. E rëndësishme për këtë mbetet qasja që kanë ndjekur bankat në dhënien e zgjidhjeve gjatë ristrukturimve të kredive për t’iu përshtatur cikleve të biznesit me planet e reja të pagesës.

  1. Si do ta vlerësonit ecurinë e depozitave dhe sidomos të kreditimit të ekonomisë në vitin pandemik dhe çfarë duhet bërë për të nxitur atë në të ardhmen?

Ecuria e depozitave dhe e kredive, apo – me fjalë të tjera – e dy kaheve të bilancit të sektorit bankar, ka qenë një ndër surprizat pozitive të reagimit të sistemit tonë financiar gjatë pandemisë.

Me gjuhën e shifrave, depozitat në banka u rritën me 93 miliardë lekë, apo pothuaj me 8%, gjatë vitit 2020. Dëshiroj të theksoj se kjo rritje e shpejtë ka pasqyruar më së shumti zgjerimin e depozitave në monedhën vendase, të cilat gjeneruan mbi 60% të depozitave shtesë në banka. Në një plan më të gjerë historik, rritja e depozitave në një vit krize përbën një diferencë të qartë me të kaluarën, kur rritja e pasigurisë është shoqëruar jo rrallë me tkurrje të kursimeve të depozituara në banka. Kjo dukuri sinjalizon një besim të konsoliduar të publikut në shëndetin e sektorit bankar dhe është një produkt konkret i punës sonë të përbashkët në këtë drejtim.

Po ashtu, e zhveshur nga luhatjet e kursit dhe procesi i pastrimit të bilanceve të sektorit bankar nga kreditë e humbura, kredia për sektorin privat u rrit me pothuaj 50 miliardë lekë, apo 7.7%, gjatë vitit 2020. Siç e nënvizova dhe më parë, zgjerimi i kreditimit gjatë vitit 2020 ishte një nga çelësat e suksesit të Shqipërisë në përballimin e goditjes. Po ashtu, një element pozitiv është dhe struktura e kreditimit, e cila u bazua në zgjerimin e kredisë në monedhë vendase (mbi 60% të shtesës së kredisë) dhe zgjerimin e kredisë për bizneseve (mbi 70% të shtesës së kredisë). Ashtu si dhe në rastin e depozitave, rritja e kredisë në vit krize përbën një risi për sektorin tonë financiar dhe është një sinjal inkurajues për rolin që ky sektor mund të luajë në të ardhmen, jo vetëm në mbështetjen e rritjes ekonomike, por edhe në përballimin e goditjeve.

Duke parë nga e ardhmja, mendoj se rritja e kreditimit do të mbështet në baza më solide.

Nga njëra anë, ne shohim një trend rritës të kërkesës për kredi, sidomos në segmentin e bizneseve dhe në drejtim të financimit të investimeve. Nga ana tjetër, ne kemi bërë progres të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit në drejtim të ofertës së kredisë. Sektori bankar paraqitet me bilance të shëndetshme, procesi i konsolidimit ka rritur konkurrencën dhe ka sjellë në treg aktorë të rinj e të motivuar, ndërkohë që rreziku i kreditit ka një reduktim strukturor, si pasojë e reformës që kemi ndërmarrë për adresimin e kredive me probleme.

Për të qenë më i plotë, më lejoni të theksoj se ecuria e kreditimit do të përfitonte nga adresimi i të njëjtave probleme strukturore që ka ekonomia shqiptare. Në këtë kontekst, jam i bindur se përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit, ulja e informalitetit, rritja e konkurrencës dhe transparencës së biznesit, si dhe nxitja e investimeve vendase e të huaja, do ti hapnin rrugë një kreditimi më të shpejtë e më të shëndetshëm.

  1. Norma bazë e interesit është në nivele minimale historike, ndërsa Banka e Shqipërisë është shprehur se politika monetare lehtësuese do të vazhdojë. Sa hapësira të mëtejshme ka banka që të vijojë me këtë politikë lehtësuese? Cili ka qenë efekti i deritanishëm i saj dhe si e vlerësoni shpejtësinë e transmetimit të këtyre politikave?

Sikundër e dini, në muajin mars 2020, ne ndërmorëm një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit në sektorin bankar. Stimuli i fortë monetar ka pasur një transmetim të mirë, i cili vijon të jetë i pranishëm edhe gjatë këtij viti. Në përgjigje të tij, tregjet financiare paraqiten të qeta, likuiditeti qarkullon normalisht dhe primet e rrezikut janë të kontrolluara.

Duke garantuar funksionimin e mirë të tregjeve financiare, ne kemi mundësuar që efekti i politikës sonë monetare të arrijë tek huamarrësit e fundit, familjet e bizneset shqiptare, në formën e kostove të ulëta të financimit dhe rifinancimit të aktivitetit, si në formën e rritjes së vëllimit të kredisë. Po ashtu, mjedisi me norma të ulëta interesi nuk ka ushtruar presion për forcimin e kursit të këmbimit, çka do të vështirësonte edhe më shumë ecurinë e eksporteve tona. Në tërësi, kushtet e financimit janë akomoduese dhe kanë nxitur rritjen e kreditimit të sektorit privat, i cili ka mbështetur konsumin dhe investimet.

Vlerësimet tona tregojnë se, falë stimulit tonë monetar, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe inflacioni janë përkatësisht 3.7 dhe 0.7 pikë përqindje më të lartë se niveli i tyre hipotetik në mungesë të këtij stimuli gjatë katër viteve të fundit.

Për sa i takon kahut të politikës monetare në të ardhmen, ai – si gjithmonë – diktohet nga nevoja e krijimit të kushteve të përshtatshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit në afatin e mesëm. Banka e Shqipërisë është shprehur për ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare përgjatë gjithë horizontit afatmesëm. Ky komunikim pasqyron gjykimin e Bankës së Shqipërisë se kushtet monetare duhet të vijojnë të mbeten akomoduese përgjatë gjithë këtij horizonti, duke synuar nxitjen e kërkesës agregate, krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe rritjen e pagave dhe të marxheve të fitimit në linjë me objektivin tonë të inflacionit.

Në terma më të thjeshtë, kjo do të thotë se ne do të ruajmë një normë bazë interesi relativisht të ulët, duke ju mundësuar familjeve dhe bizneseve të marrin më shumë kredi, të shërbejnë borxhet ekzistuese me më pak kosto, si dhe të rrisin konsumin dhe investimet. Konsistente me këtë politikë dhe këto projeksione, është dhe pritja jonë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2022.

Ndonëse perspektiva ekonomike është pozitive, rrjedha e pasigurt e pandemisë ende paraqet rreziqe në afatin e shkurtër. Në rast të lindjes së nevojës për rritje të stimulit monetar, ne zotërojmë mjetet e nevojshme për ta arritur këtë. Lehtësimi i mëtejshëm monetar mund të realizohet si nëpërmjet uljes së normës bazë - ndonëse jemi të ndërgjegjshëm se hapësirat në këtë drejtim mbeten të pakta - ashtu edhe nëpërmjet politikave të lehtësimit sasior. Në çdo rast, stimujt e ofruar nga ne do të ndërmerren duke pasur në konsideratë një analizë të plotë të kostove dhe përfitimeve të mundshme, shkallën e zhvillimit të tregut tonë financiar, kufizimet ligjore dhe nevojën për ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

  1. Jeni shprehur që do ketë përdorim të instrumenteve jokonvencionale. A mund të jeni më specifikë për cilat instrumente flasim dhe kur pritet të fillojë aplikimi i tyre. Cili është ndikimi i pritshëm në financimin e ekonomisë së vendit?

Sikurse e përmenda, kushtet aktuale të ekonomisë dhe pritjet tona për të ardhmen nuk diktojnë nevojën për një rritje të mëtejshme të stimulit monetar. Stimuli i ofruar nëpërmjet instrumentit konvencional të politikës monetare – normës bazë të interesit – vazhdon të përcillet në ekonomi, duke siguruar kushte financimi të përshtatshme për të mbështetur rikuperimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë harton në vazhdimësi plane kontigjence, të cilat na ndihmojnë të jemi të përgatitur për çdo eventualitet. Pjesë e këtyre planeve është dhe përdorimi i instrumenteve jokonvencionale të politikës monetare, në rast se vendi do të përballej me një goditje shtesë negative pasojat e së cilës nuk mund të adresoheshin nëpërmjet hapësirës së kufizuar që kemi në rrafshin konvencional.

Përzgjedhja e instrumentit më të përshtatshëm mban parasysh një matricë kriteresh, ku ndër më të rëndësishmit janë kuadri ligjor, stadi i zhvillimit të tregjeve financiare dhe natyra e goditjeve potenciale. Bazuar në këto dimensione, ne gjykojmë se lehtësimi sasior do të ishte opsioni më i mirë.

Si do të funksiononte ai në praktikë? Banka qendrore blen letra me vlerë të qeverisë në tregun dytësor. Duke kryer operacione të tilla, ajo ul normat e interesit për këto letra dhe rrit vëllimin e likuiditetit në ekonomi, duke inkurajuar bankat të japin më shumë kredi. Zbatimi i këtij instrumenti nënkupton një injektim të përhershëm likuiditeti në sistem, rrjedhimisht ai duhet të përdoret në raste tejet specifike dhe për periudha kohore afatshkurtra.

Përdorimi i tij do të konsiderohej i përshtatshëm në rastet e konstatimit të mungesës së likuiditetit në tregjet financiare dhe/ose rritjes së primeve të rrezikut, të cilat do të zhvendosnin lart kurbën e normave të interesit. Aktualisht, ne nuk konstatojmë pengesa të tilla në mekanizmin e transmetimit të politikës sonë monetare dhe, rrjedhimisht, nuk shohim nevojën e përdorimit të këtij instrumenti.

  1. Niveli i parasë jashtë bankave ka shënuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, pavarësisht masave që ju keni marrë për të ulur përdorimin e parasë cash. Si e shpjegoni këtë rritje dhe çfarë masash shtesë duhen ndërmarrë për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike?

Paraja jashtë bankave u rrit me rreth 53 miliardë lekë në vitin 2020, kundrejt një rritjeje prej vetëm 16.7 miliardë lekësh në vitin paraardhës. Megjithatë, ky përshpejtim i rritjes së këtij treguesi nuk është një fenomen i izoluar, por pasqyron tendencën e përgjithshme të përshpejtimit të të gjithë treguesve të tjerë monetarë, si depozitat apo kredia.

 

Siç e kemi theksuar dhe më parë, rritja relativisht e shpejtë e parasë në qarkullim gjatë vitit 2020 është produkt i disa faktorëve, ku spikasin:

  • rritja e shpejtë e masës monetare në ekonomi, si përgjigje e niveleve të larta të deficitit buxhetor dhe rritjes relativisht të shpejtë të kreditit gjatë vitit të shkuar;
  • prezenca e pandemisë, e cila rriti preferencën për cash të familjeve, si rezultat i pasigurisë, por dhe i dëshirës për të reduktuar kontaktet fizike. Ky fenomen është vënë re gjerësisht dhe në vende të tjera.

Ajo që mendoj se duhet evidentuar është fakti se rritja e lartë e parasë fizike në ekonomi nuk ka ardhur në kurriz të depozitave. Sikundër e thashë, këto të fundit u rritën me rreth 93 miliardë lekë gjatë vitit 2020, duke i mundësuar sektorit bankar fonde të mjaftueshme për ndërmjetësim financiar.

Përtej këtyre faktorëve, dëshiroj të theksoj se prezenca e lartë e parasë fizike në ekonominë shqiptare favorizohet dhe nga tipare strukturore të saj, si ekonomia informale, shkalla e kulturës financiare, si dhe përqendrimi relativisht i lartë i popullsisë në zonat rurale. Mendoj se këto çështje duhen adresuar përmes reformave strukturore në sistemin e pagesave, edukimit të vazhdueshëm të popullatës, si dhe përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit fiskal.

Nga ana jonë, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një aktor institucional i investuar në vazhdimësi në drejtim të rritjes së edukatës financiare dhe pëmirësimit të sistemit të pagesave.

  1. Pas miratimit të ligjit të ri të pagesave nga Banka e Shqipërisë, si pritet të ndikohet sistemi i pagesave në vend? Sa konkurrent është ai?

Shërbimet e pagesave janë pjesë integrale e sistemeve të pagesave dhe si të tilla janë në fokus të vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, si një nga shërbimet financiare më bazike, ato konsiderohen si mjet i parë, por njëkohësisht dhe tepër i rëndësishëm për nxitjen e përfshirjes financiare.  

Në këtë kuadër, sikurse është shprehur dhe më parë në komunikimet publike, Banka e Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar i Sistemit të Pagesave, që prej vitit 2018, kanë ndërmarrë një reformë për modernizimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri, e materializuar në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023). Qëllimi parësor i kësaj strategjie është nxitja e përfshirjes financiare të popullsisë (nga 40% në vitin 2016, në 70% në vitin 2023) dhe ajo e përdorimit të pagesave elektronike (duke arritur 10 pagesa për fryme në 2023, nga 4.3 në vitin 2016), nëpërmjet krijimit të një tregu modern e gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri.

Ligji “Për shërbimet e pagesave” konsiderohet si një nga masat më të rëndësishme për përmbushjen e reformës dhe arritjen e objektivave të përmendur më sipër. Në radhë të parë, nëpërmjet prezantimit të aktorëve dhe shërbimeve të reja, si dhe ridimensionimit të veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare jobanka që ofrojnë shërbime pagesash dhe transfertash, ligji vlerësohet se do të nxisë konkurrencën në tregun e pagesave. Për të konkretizuar akoma më tej pritshmëritë tona në lidhje me nxitjen e konkurrencës, dëshiroj të shpjegoj se ligji krijon një ambient i cili synon të kalibrojë kërkesat rregullative midis bankave dhe jobankave, duke i vendosur në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për të vepruar në mënyrë të barabartë në fushën e shërbimeve të pagesave dhe kryesisht atyre në formë elektronike. Kjo konkurrencë natyrisht do të krijojë shërbime më efikase si nga pikëpamja e kostove të mbartura në përdorim ashtu edhe nga pikëpamja e lehtësisë së përdorimit nga publiku i gjerë.

Për më shumë, prezantimi i dy veprimtarive të reja inovative – asaj të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogarinë - përtej promovimit të inovacionit, vlerësohet se ndikon edhe në nxitjen e mëtejshme të konkurrencën. Thënë në mënyrë më të kuptueshme për publikun e gjerë, ofrimi i këtyre shërbime nga të ashtuquajturat kompani fintech nxit përdorimin e tregtisë elektronike, një objektiv ky me mjaft interes për t’u zhvilluar në nivel kombëtar, duke mundësuar alterantiva pagesash online më lehtësisht të përdorshme dhe me kosto më të ulta. Krahas shërbimit të inicimit të pagesave, shërbimet e informimit të llogarisë u mundësojnë konsumatorëve dhe bizneseve të kenë një pamje globale mbi gjendjen e tyre financiare , si dhe të konsolidojnë llogaritë e ndryshme të pagesave që mund të kenë me një ose më shumë banka ose institucione pagesash. Vlen të theksohet se, për qëllime të përdorimit të këtyre shërbimeve, ligji krijon edhe konceptin e ashtuquajtur të bankës së hapur (open banking) që vlerësohet si një nga risitë e tregut të pagesave dhe në rang ndërkombëtar.

Gjithashtu, çështje të tjera me rëndësi të rregulluara nga ky ligj janë dhe krijimi i një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, duke krijuar kushte si për transparencën ashtu edhe për të drejtat dhe detyrimet e palëve. Për më shumë, ligji parashikon edhe ngritjen e një njësie të posaçme për adresimin e mosmarrëveshjeve jashtë gjykate që vlerësohet të ketë një ndikim të ndjeshëm në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit. Vlen të nënvizohet se, krijim i një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit bëhet akoma edhe më domethënës për një treg me edukim dhe përfshirje financiare jo tejet të zhvilluar.

Të gjitha këto zhvillime ligjore e rregullative janë mbështetur dhe do të vijojnë të mbështeten nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe e tregut, edhe me zhvillime infrastrukturore, ku do doja të përmendja sistemin e shlyerjes së pagesave brenda vendit në euro dhe projektet afatmesme dhe njëkohësisht mjaft ambicioze të Instant Payment dhe Switch-it Kombëtar.

Operacionalizimi i sistemit të shlyerjes së pagesave në euro brenda vendit, një projekt ky drejt finalizimit, ka për qëllim t’i mundësojë qytetarëve shqiptarë kryerjen e pagesave në euro brenda vendit me kosto shumë më të ulta dhe brenda një afati kohor shumë më të shkurtër nga procesi aktual i kryer nëpërmjet bankave korrespondente. Gjithashtu, ky projekt vlerësohet të ketë efekte mjaft pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në euro nga ana e bankave.

Nga ana tjetër projekti Instant Payment / Switch-it Kombëtar synon të krijojë platforma kombëtare të cilat, nëpërmjet reduktimit të ciklit të pagesave dhe promovimit të inovacionit, synojnë të nxisin pagesat në distancë si nëpërmjet reduktimit të kostove, ashtu dhe përmirësimit të efikasitetit të shërbimeve të përdorura.

  1. Banka e Shqipërisë do të hedhë në qarkullim dy kartëmonedha të reja të serisë së re: 1 000 dhe 10 000 lekë. Kur do të hidhen në qarkullim këto kartëmonedha? Përse Banka e Shqipërisë ndjeu të nevojshme të shtojë prerje 10.000 lekë në serinë e re të kartëmonedhave dhe çfarë mund të na zbuloni më shumë për këtë kartëmonedhë?

Kartëmonedhat e serisë së re, të prerjes 1 000 lekë dhe 10 000 lekë, parashikohen të hidhen në qarkullim në fund të muajit qershor 2021. Shtypja e kartëmonedhave të reja 1000 dhe 10 000 lekë është pjesë e vijimësisë së një pune disa vjeçare të Bankës së Shqipërisë për të emetuar serinë e re të kartëmonedhave Lek, si dhe njëkohësisht për të garantuar në çdo moment furnizimin e ekonomisë me para të gatshme.

Më lejoni të nënvizoj se një nga përgjegjësitë kryesore të Bankës së Shqipërisë është të garantojë furnizimin e ekonomisë me para të gatshme, si në vlerë ashtu edhe në strukturë. Shtypja dhe hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës së re të prerjes më të lartë, me vlerë 10 000 lekë, përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave me strukturën e çmimeve dhe pagave, zhvillimet e sistemit të pagesave, si dhe treguesve të tjerë që lidhen me trajtimin e parasë.

Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe sipas të gjitha analizave, plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë për një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim dhe njëkohësisht duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, dhe në këtë mënyrë duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit efikasitetin e Bankës së Shqipërisë edhe për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike. 

Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese. Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale ashtu edhe në ato jotipike. Edhe situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe ka rezultuar një rritje shtesë e kërkesës së ekonomisë për para fizike. Kështu, gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019. Gjithashtu, edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh. Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cila jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Kartëmonedha 10 000 lekë mbart si tematikë simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit, të shoqëruar me portretin e poetit tonë të rilindjes kombëtare Asdreni, për shkak të pranimit mbarë popullor të Asdrenit si autor i tekstit të “Himnit Kombëtar” të shqiptareve, një krijim i cili së bashku me Flamurin Kombëtar janë që prej pavarësisë simbole identiteti të shqiptareve. Si të gjitha prerjet e serisë së re, edhe kjo kartëmonedhë përmban elemente sigurie të avancuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës, të cilat lehtësojnë identifikimin nga publiku, rrisin besueshmërinë tek paraja kombëtare dhe bëjnë më të vështirë falsifikimin.

  1. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet ekonomia në rimëkëmbjen pas pandemisë? Çfarë duhet bërë në mënyrë që të nxitet një zhvillim i qëndrueshëm dhe i orientuar nga inovacioni dhe rritja e vlerës së shtuar?

Sfidat me të cilat përballen institucionet e ngarkuara me hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike janë të dyfishta.

Në një dimension më të afërt kohor, ne duhet të kujdesemi të garantojmë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe rikuperimin e plotë të ekonomisë pas goditjes së pandemisë. Kjo do të kërkojë, në vija të përgjithshme, një miks stimulues politikash ekonomike në horizontin afatmesëm. Përshtatshmëria e këtij miksi duhet riparë në vazhdimësi, si në drejtim të intensitetit ashtu dhe në drejtim të kompozimit. Forcimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike duhet të shoqërohet me një riorientim gradual të politikës fiskale drejt konsolidimit të borxhit publik, çka do të nënkuptonte dhe një rritje të peshës relative që politika monetare ka si instrument i mbështetjes së ekonomisë.

Në një plan më të gjatë kohor, ekonomia shqiptare do të përfitonte nga përshpejtimi i reformave strukturore, në drejtim të rritjes së shpejtësisë dhe të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Banka e Shqipërisë e ka përsëritur në vazhdimësi këtë thirrje. Në këtë kontekst, gjej me vend të nënvizoj se diagnozat që i bëhen shkallës së zhvillimit të ekonomisë shqiptare, aftësisë së saj për të gjeneruar investime të brendshme dhe për të tërhequr investime të huaj, si dhe aftësisë së saj për të konkurruar në tregun botëror, janë publike dhe transparente.

Në funksion të adresimit të dobësive tona strukturore, si dhe të zhvillimit të avantazheve strategjike, mendoj se një program i plotë dhe gjithëpërfshirës reformash duhet të orientohet në tre tema kryesore:

  • së pari, zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës fizike dhe dixhitale të vendit, si dhe ndërlidhjen e saj me ekonomitë e rajonit dhe të botës;
  • së dyti, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, në drejtim të uljes së informalitetit, promovimit të konkurrencës, uljes së primeve të rrezikut politik dhe ekonomik të vendit, si dhe përmirësimin e garantimit të kontratave;
  • së treti, rritjen e investimeve në arsim dhe shëndetësi, orientimin e kurrikulave shkollore drejt arsimit profesional dhe degëve të teknologjisë së informacionit, për të rritur kualifikimin e fuqisë sonë punëtore dhe për të synuar një pozicionim më të lartë të vendit në shkallën e vlerës së shtuar.

Mendoj se Shqipëria po i adreson tashmë të tre këto prioritete, por ajo që duhet të kuptojmë është se gjendemi në një garë rajonale dhe globale, të cilën nuk duhet dhe nuk mund ta humbim. Në këtë kontekst, mendoj se axhenda jonë e reformave strukturore duhet të orientohet nga prioritete të qarta, të ketë ankora të qëndrueshme politike dhe sociale, si dhe të jetë mjaftueshmërisht fleksibël në terma të instrumenteve operacionale.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se të gjitha këto masa duhen komplementuar nga ruajtja e një ambienti të qëndrueshëm monetar e financiar, mbështetja e të cilit ka qenë dhe do të mbetet objektiv primar i punës së Bankës së Shqipërisë.